Paqartësi mbi të ardhmen e Katalonjës
(last modified Tue, 03 Oct 2017 17:59:30 GMT )
Tetor 03, 2017 19:59 Europe/Tirane
  • Paqartësi mbi të ardhmen e Katalonjës

Presidenti i Katalonjës Carles Puigdemont shpalli në Barcelonë se me referendumin Katalonja ka fituar “të drejtën e një shteti të pavarur”.

"Nuk po planifikojmë një ndarje traumatike me Spanjën", është shprehur Presidenti katalanas Carles Puigdemont, i cili me herët tha se Katalonja kishte fituar të drejtën e shtetësisë, deklaroi në një konferencë për shtyp se kërkonin të dialogonin me qeverinë e Mariano Rajoy. Sipas tij ata nuk kishin pasur asnjë kontakt me autoritetet e Madridit. Lideri katalanas kërkoi gjithashtu ndihmën e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e konfliktit me Madridin duke thënë se Europa nuk mund të vazhdojë të shpërfillë çështjen. Të paktën 900 persona u plagosën teksa policia spanjolle u përpoq të ndalonte votimin në referendumin e shpallur të paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese spanjolle. Mes të lënduarve ishin edhe 33 efektivë. Mbi 2.2 milionë qytetarë hodhën votën e tyre sipas autoriteteve katalanase, nga 5.3 milionë që ishin të regjistruar. Gati 90 perqind e tyre votuan pro shkëputjes nga Spanja. Pjesa dërrmuese e Barcelonës u paralizua në mesditë, kur protestuesit zbritën nëpër rrugë si pjesë e grevës së përgjithshme, nismë e organizatave vendase dhe Sindikatës së Tregtisë, si kundërpërgjigje ndaj asaj që e konsiderojnë shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave gjatë votimit të së dielës. Protestuesit kanë bllokuar të paktën 24 rrugë në mbarë Katalonjën, duke shkaktuar ngërçe të mëdha të trafikut. Greva, që ka bërë të mbyllen për një ditë transporti publik, shkollat dhe klinikat e Katalonjës, është reagim ndaj dhunës së të dielës. Udhëheqësit politikë, ndërkohë, po përpiqen të materializojnë rezultatin e referendumit. Presidenti katalanas, Carles Puigdemont kërkon një ujdi të re me qeverinë qendrore të kryeministrit Mariano Rajoy, i cili kërcënon nga ana e tij t’ia pezullojë rajonit të pasur verilindor edhe autonominë e zgjeruar që gëzon aktualisht. Puigdemont kërkon ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për të ndërmjetësuar ngërçin mes dy palëve, por Komisioni Europian e përshkroi krizën si “çështje të brendshme” të Spanjës, që duhet zgjidhur në linjë me rendin kushtetues. Kryeministri Mariano Rajoy u shpreh në përfundim të referendumit se katalanasit u “gënjyen” për të marrë pjesë në një votim të paligjshëm, një tallje te demokracisë, siç e quajti ai. Kryeministri spanjoll deklaroi në Madrid se në Katalonjë nuk ka pasur ndonjë referendum. Komisioni i BE-së i kritikoi ashpër përleshjet dhe dhunën dhe kërkoi respektimin e rregullave të demokracisë duke iu adresuar si kryeministrit spanjoll edhe qeverisë së Barcelonës. Është e qartë se policia spanjolle shkeli me dhunë të drejtat themelore të qytetarëve katalanas, të cilët mund t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare. Por shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, tha se ky konflikt është çështje e brendshme e Spanjës. Ditët e ardhshme në Parlamentin e BE-së do të zhvillohet një debat për Katalonjën. Tani shumë njerëz që nuk morën pjesë në referendum janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e Katalonjës shpall pavarësinë. Në rast se ndodh kjo, qeveria spanjolle mund të zbatojë nenin 155 të Kushtetutës spanjolle, që i lejon qeverisë në Madrid t’ia heqë Katalonjës statusin e autonomisë. Por për këtë Rajoy ka nevojë për miratimin e parlamentit dhe partia Podemos dhe socialistët nuk do të votojnë pro këtij hapi. Gjithsesi, qeveria spanjolle mund ta arrestojë kryeministrin e Katalonjës Carles Puigdemont ose anëtarë të tjerë të qeverisë rajonale. Frontet për një konsensus politik, për shembull përmes një zgjidhjeje financiare janë ashpërsuar dhe tani kjo nuk është më e mundur, mendon politologu. Sipas tij ajo që mund të bëhet është që të ftohet një ndërmjetësues nga jashtë, por ndoshta qeveria spanjolle nuk do ta pranojë këtë. Sidoqoftë dhuna e 1 tetorit e ashpërsoi polarizimin e shoqërisë spanjolle.

 

Tags