Johnson: "Do të dalim edhe pa marrëveshje"
(last modified Mon, 30 Sep 2019 07:42:26 GMT )
Shtator 30, 2019 09:42 Europe/Tirane
  • Johnson:

Boris Johnson u zotua se do të vazhdojë të jetë kryeministër i Britanisë së Madhe edhe nëse dështon që të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Evropian, duke shtuar se vetëm qeveria e tij konservatore, mund ta respektojë datën 31 tetor, që është afati i fundit që vendi të largohet nga BE-ja.

Johnson dëshiron që Britania të largohet nga BE-ja me ose pa marrëveshje. Por, Parlamenti britanik ka miratuar një ligj, që kërkon nga kryeministri që Brexit-i (dalja e Britanisë nga BE-ja) të shtyhet, nëse ai nuk siguron një marrëveshje me Brukselin në samitin e BE-së që do të mbahet më 17 dhe 18 tetor. Megjithatë, Johnson, gjatë një interviste për BBC, nuk shpjegoi se si planifikon që ta anashkalojë këtë ligj, të cilin ai e quan “akti i dorëzimit”. “Njerëzit e ndjenjë se ky shtet po i afrohet një momenti të rëndësishëm dhe ne duhet ta finalizojmë Brexit-in më 31 tetor. Unë do ta bëj këtë”, tha Johnson. I pyetur se a do të jepte dorëheqje nga pozita e kryeministrit, nëse nuk arrin të sigurojë një marrëveshje të re, Johnson tha :“Jo, unë kam marr udhëheqjen e partisë dhe të vendit tim në një kohë të vështirë dhe do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë. Besoj se kjo është përgjegjësia ime”. Kryeministri britanik, megjithatë, tha se ende është optimist se mund të arrijë “një marrëveshje të mirë” me Brukselin, por shtoi se ai nuk do të pretendojë se arritja e kësaj marrëveshjeje është një gjë e lehtë.

 

Tags