Bllokohet votimi për Brexit në Parlamentin britanik
(last modified Mon, 21 Oct 2019 22:32:29 GMT )
Tetor 22, 2019 00:32 Europe/Tirane
  • Bllokohet votimi për Brexit në Parlamentin britanik

Kryetari i Parlamentit britanik John Bercow bllokoi të hënën një votim të ri në Dhomën e Komuneve mbi Brexit-in, ndërlikimi më i fundit në përpjekjet e kryeministrit Boris Johnson për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Evropian.

Ligjvënësit britanikë nuk e pranuan planin e zotit Johnson për daljen nga BE-ja të shtunën. Të hënën Bercow tha se përpjekja për të mbajtur një votim të ri “nuk do të debatohet sot, pasi një gjë e tillë do të ishte përsëritje dhe çorientuese”. Javën e kaluar Johnson arriti një marrëveshje të re për Brexit-in me BE-në, por ligjvënësit votuan për shtyrjen e miratimit të marrëveshjes derisa të miratohet ligji që qartëson kushtet e ndarjes së Britanisë nga BE-ja pas 46 vitesh anëtare e tij. Johnson planifikon të prezantojë masën kryesore të qeverisë që lidhet me Brexit më vonë gjatë ditës së sotme çka do të pasohet nga debati e votimi ditën e martë. Por kundërshtarët e Brexit-it thonë se ata do të përpiqen ta pengojnë planin e zotit Johnson duke propozuar ndryshime që për përkrahësit e Brexit-it do të ishin të papranueshme. Është e paqartë nëse qeveria i ka votat apo kohë të mjaftueshme për të miratuar legjislacionin përpara largimit të planifikuar të Britanisë nga BE-ja më 31 tetor. Ligjvënësit britanikë po debatojnë nëse do të largohen me ose pa marrëveshje me vendet e tjera të BE-së, apo rreth mundësive për zhvillimin e një referendum të ri. 

 

Tags