Evropa vazhdon luftën me Covid-19
https://parstoday.ir/sq/news/world-i96573-evropa_vazhdon_luftën_me_covid_19
Italia vazhdon betejën kundër Covid 19, duke u futur në ditët e fundit të mbylljes së fazës 1 të një regjimi të hekurt masash izolimi të vendit e mbylljes së çdo aktiviteti tregtar e prodhues.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Prill 27, 2020 17:02 Europe/Tirane
  • Evropa vazhdon luftën me Covid-19

Italia vazhdon betejën kundër Covid 19, duke u futur në ditët e fundit të mbylljes së fazës 1 të një regjimi të hekurt masash izolimi të vendit e mbylljes së çdo aktiviteti tregtar e prodhues.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 333 viktima e numri i tyre i përgjithshëm është 26 977. Janë regjistruar 1739 raste pozitive më shumë e numri i të infektuarve me koronavirus në Itali ka arritur më 199 414. Aktualisht pacientë pozitiv me koronavirus janë 105 813 e janë 290 më pak se një ditë më parë. Çdo ditë e në përmirësim është gjendja e pacientëve që shërohen nga Covid 19. Dita e sotme ka regjistruar 1696 të shëruar më shumë se një ditë më parë e numri i personave të shëruar deri më sot nga virusi është 66 624. Situata në Britani nga Covid-19 duket se po shkon drejt përmirësimit përsa i përket uljes së numrit të viktimave. Gjatë 24 orëve të fundit 350 pacientë kanë humbur jetën, në Angli, Skoci dhe Uells ndërkohë që Irlanda e Veriut do t'i publikojë shifrat më vonë gjatë ditës. Në të gjithë Britaninë numri i viktimave ka shkuar në 20,732. Spanja shënon një rritje të lehtë të viktimave nga Covid-19. Ministria e Shëndetësisë në vend njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 331 viktima, teksa ditën e djeshme u raportuan 288. Numri i përgjithshëm i vdekjeve tashmë ka shkuar në 23,521. Ndërkaq, janë regjistruar edhe 1,831 raste të reja duke e çuar në 228,460 numrin total të të infektuarve. Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se në Turqi numri i viktimave nga COVID-19 është rritur në 2.900, pasi 95 vdekje të tjera u regjistruan në 24 orët e fundit. Koca njoftoi se me 2.131 raste të reja të konfirmuara, numri i të infektuarve nga coronavirusi në vendin e tij është rritur në 112.261.