NATO e alarmuar nga largimi i trupave amerikane nga Gjermania
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca po kërkon hollësi rreth vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për të ulur numrin e trupave të SHBA në Gjermani.
Ai i bëri komentet të martën, ndërkohë që propozimi për shkurtimin e trupave i ka kapur aleatët në befasi. Presidenti Trump, i cili e ka kritikuar Gjermaninë se nuk po shpenzon sa duhet për mbrojtjen, konfirmoi të hënën njoftimet e javës së shkuar për një shkurtim të 9,500 trupave amerikane në Gjermani. Nëse ndodh, kjo do të ishte hera e parë që presidenti i SHBA vë në jetë kërcënimin për të pakësuar mbështetjen në Evropë. “Ende nuk është vendosur se si dhe kur do të vihet në jetë ky vendim”, tha Stoltenberg në një videokonferencë shtypi. Ai tha se kishte biseduar me Presidentin Trump e me zyrtarë të tjerë të SHBA dhe se ishte duke u këshilluar me ministren gjermane të mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila tha javën e kaluar se nuk ishte informuar për vendimin. “Është një marrëveshje dypalëshe midis SHBA dhe Gjermanisë, por natyrisht ka rëndësi për tërë aleancën”, tha zoti Stoltenberg. Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar planet për të tërhequr 9500 trupa amerikane nga bazat në Gjermani. Ai akuzoi Gjermaninë se po tregohej kriminele në pagesat e saj për NATO-n dhe tha se do të vazhdonte me planin nëse Berlini nuk do të ndryshonte kurs. Trump prej kohësh është ankuar se anëtarët evropianë të NATO-s duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjet e tyre. Ambasadori i Gjermanisë në SHBA tha se trupat amerikane nuk ishin në vend për të mbrojtur Gjermaninë por për të mbrojtur sigurinë transatlantike.