Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore".
Në dy edicionet e kaluara kemi folur rreth gjuhës persiane dhe mënyrës së si është përhapur ajo dhe rreth depërtimit të saj në territoret nën ndikimin e Iranit dhe Islamit. Kemi thënë gjithashtu se gjuha persiane e cila në periudhën e sundimit të dinastisë Samanide konsiderohej një gjuhë autoktone dhe popullore, nëpërmjet sulltanëve turq-iranianë u shndërrua në gjuhë zyrtare dhe me kapacitetin për pranimin e fjalëve dhe koncepteve nga popuj dhe nga kultura të ndryshme të botës myslimane, ka dëshmuar potencialet e saj për tu bërë një gjuhë ndërkombëtare. Në shekullin e gjashtë hixhri kameri, pjesa më e madhe e territorit të botës islame ishte nën sundimin politiko-ushtarak të sulltanëve turq të cilët ishin të edukuar nën ndikimin gjuhës dhe kulturës persiane. Gjuha persiane nëpërmjet këtyre sunduesve turq u përhap nga Kina dhe India deri në Azinë e Vogël dhe u shndërrua në një prej gjuhëve më të rëndësishme ndërkombëtare. Depërtimi dhe shtrirja e gjuhës persiane në disa rajone si në Indi ishte bërë deri në atë masë saqë poetët dhe shkrimtarët e atyre rajoneve kanë shkruar veprat e tyre në gjuhën persiane. Në shumë rajone gjatë kësaj periudhe poetët dhe shkrimtarët zotëronin edhe gjuhën persiane dhe gjuhën turke dhe veprat e tyre i shkruanin në këto dy gjuhë. Azia e Vogël (Turqia e Sotshme) që nga periudha e sundimit të selxhukëve, ishte një prej rajoneve të përhapjes së madhe të gjuhës persiane. Selxhukët e këtij rajoni para se të dyndeshin drejt Azisë së Vogël dhe pushtimit të saj, ashtu sikur selxhukët e Iranit, ishin nën ndikimin e gjuhës dhe kulturës persiane, prandaj gjuha zyrtare dhe letrare e tyre ishte gjuha persiane. Në atë kohë gjuha letrare turke nuk ishte zhvilluar në këtë rajon të Azisë dhe turqit e këtij rajoni edhe pse në komunikimin e përditshëm dhe të zakonshëm e përdornin gjuhën turke, mirëpo gjuha persiane ishte gjuhë zyrtare, letrare dhe administrative e tyre. Mbretërit selxhukë kishin emra persianë si Kejkabab dhe Kejkhosro dhe e zotëronin shumë mirë gjuhën persiane në të folur dhe në të shkruar. Deri më tani nuk është zbuluar asnjë dokument i mbretërve selxhukë të Iranit dhe të Azisë së Vogël i shkruar në gjuhën turke. Kur Xhalaludin Rumi, poeti i njohur iranian i shekullit të gjashtë hixhri kamer, u shpërngul nga vendlindja e tij në Belkh dhe u vendos në Konjë që në atë kohë ishte kryeqytet i sulltanëve selxhukë të Azisë së Vogël, gjatë gjithë rrugës takohej me banorë të rajoneve të ndryshme të cilët flisnin gjuhën persiane dhe kjo dëshmon se deri në çfarë mase ishte e përhapur gjuha persiane në atë kohë. Konja edhe pse ndodhej në pjesën më perëndimore të territorit të kulturës iraniane dhe ishte shumë larg nga qyteti Belkh, për Mevlanan ishte një ambient i njohur. Ai ka krijuar veprat e tij në gjuhën persiane për arsye se edhe gjuha e tij ishte persiane edhe publiku i atij rajoni e zotëronte gjuhën persiane. Perandoria Osmane sunduesit e të cilës me origjinë ishin një degë e turqve selxhukë nga Irani, ishte nën ndikim të madh të gjuhës persiane aq sa ishte edhe dinastia Safavite në Iran. Shumica e sulltanëve osmanë kishin pasion të madh ndaj gjuhës dhe letërsisë persiane dhe ashtu si shumica e iranianëve, ishin të mishëruar në masë shumë të madhe me Divanin e poezive të Hafiz Shirazi saqë bënin fall dhe luteshin me poezitë e tij dhe në rast të plotësimit të dëshirave, dërgonin dhurata në varrin e këtij poeti të njohur iranian. Sulltan Abdulhamiti kishte dërguar dhurata të çmuara në varrin e Hafizit për arsye se duke lexuar Divanin e Hafezit, ai i kishte shpëtuar një rreziku shumë të madh si pasojë e një atentati.
Spikeri...
Arnold Toynbee thotë: "Kur Sulltan Selimi i cili vet ishte nën ndikimin e gjuhës dhe kulturës persiane, kishte pushtuar një pjesë shumë të madhe të kontinentit të Evropës, në realitet ishte civilizimi iranian që përhapej në këtë pjesë të kontinentit të Evropës, ndërsa kur ai e pushtoi Egjiptin dhe Kajron, në realitet ishte civilizimi iranian i cili e pushtoi civilizimin arab, për arsye se rënien e Kajros duhet ta konsiderojmë të rëndësishme aq sa ishte e rëndësishme edhe rënia e Kostandinopojës në luftërat e kryqëzatave". Sipas tij, mbreti Ismail Safavi dhe Sultan Selimi i Perandorisë Osmane që të dy ishin produkt i një civilizimi të përbashkët iranian. Përveç kësaj, Sulltan Selimi ishte krijues i poezive persiane dhe në oborrin e tij mbretëror flitej gjuha persiane. Sulltan Bajazidi i Perandorisë Osmane vlerësonte shumë poetët dhe shkrimtarët e njohur iranianë si Xhami, Mevlana, Sejfudin Ahmed etj., si dhe i dërgonte atyre dhurata të çmuara. Sulltan Mehmet Fatih pas pushtimit të Kostandinopojës, ka cituar në gjuhën persiane një poezi të gjatë të poetit të njohur iranian Hakani. Poetët e oborrit mbretëror të Perandorisë Osmane imitonin poetët e mëdhenj të letërsisë persiane si poeti i njohur Beheshti i cili duke imituar poetin e njohur iranian Xhami, ka krijuar një poezi të gjatë në pesë fletore. Një poet tjetër i oborrit mbretëror osman me emrin Firdusi në kohën e Sulltan Sulejman Kanuni e ka shkruar historinë e sundimit të tij gjysmën në poezi dhe gjysmën në prozë duke imituar Shahnamen e Firdosit. Përveç kësaj poezinë dhe prozën e re të osmanishtes e kanë themeluar krijuesit iranianë të Turqisë. Turqit kishin huazuar nga letërsia persiane jo vetëm idetë, por edhe shprehjen artistike të këtyre ideve dhe ata ishin nën ndikimin e letërsisë persiane jo vetëm në zgjedhjen e fenomeneve dhe të mendimeve, por edhe në mënyrën e riparaqitjes së tyre. Personi i parë që ka krijuar poezi në gjuhën turke ka qenë Behaudin, djali i Mevlanas. Ai ka krijuar një poezi në gjuhën persiane të quajtur "Rubahname" në të cilën ka futur 150 vargje në gjuhën turke dhe në këtë mënyrë ka filluar letërsinë turke. Letërsia turke nga shekulli i 15-të përgjatë 100 viteve ka qenë nën ndikimin e poetëve iranianë Xhami dhe Amir Alishir Navai. Poetët e tjerë iranianë si Saeb Esfahani dhe Sheoket gjithashtu kanë ushtruar ndikim mbi letërsinë turke. Poetët e parë të cilët në Perandorinë Osmane kanë krijuar poezi në gjuhën turke, e zotëronin edhe gjuhën persiane, si Emadudin Nasimi i cili krijonte poezi edhe në gjuhën arabe dhe persiane, por Divani kryesor i tij ishte krijuar në gjuhën turke. Gjuha dhe poezia persiane kishte depërtuar jo vetëm në Azinë e Vogël, por edhe në rajonin e Ballkanit i cili ishte pushtuar nga osmanët. Një prej komentimeve më me vlerë që janë shkruar mbi Divanin e Hafizit është komentimi i autorit Muhamed Sudi Bosnavi. Sudi ishte një prej letrarëve të njohur klasik të Bosnjës në periudhën osmane i cili zotëronte në nivel të lartë letërsinë persiane dhe letërsinë arabe.
Spikeri...
Turqit mongol xhogtai të cilët sundonin në Turkestanin lindor, gjithashtu e njihnin shumë mirë gjuhën persiane. Hejdar Mirza, princi mongol xhogtai, ka shkruar në gjuhën persiane edhe veprën e tij me titull "Historia e mongolëve të Azisë Qendrore". Në Toledo të Spanjës në periudhën kur sundonin myslimanët, kultura dhe gjuha persiane kishte kredibilitet të madh. Veprat e mendimtarëve të njohur iranianë si Hamze Esfahani, Farabi, Ibën Sina dhe të tjerë, shiteshin me çmim të lartë në këtë qytet. Në Toledo të Spanjës përveç kësaj ekzistonte edhe një bibliotekë e madhe e cila kishte mijëra libra në gjuhën persiane. Sipas dëshmive të cilat kanë mbetur deri më tani, padyshim iranianët ishin ata të cilët e kanë përhapur fenë islame për herë të parë në Kinë. Profesori francez Shefer mendon se shumica e myslimanëve të Kinës janë prej racës iraniane të cilët janë shpërngulur me dëshirë para periudhës së mongolëve dhe me dhunë në periudhën e mongolëve dhe janë vendosur në rajone të ndryshme të Këtij vendi. Myslimanët e Kinës gjatë kryerjes së ritualeve fetare ende përdorin shumë fjalë persiane. Me këto dëshmi bëhet e qartë se gjuha persiane që nga shekulli i gjashtë hixhri kameri, për shkak të rritjes së potencialeve dhe kapaciteteve konceptuale dhe komunikuese të saj, ka luajtur rolin e një gjuhe ndërkombëtare në territorin e gjerë të botës islame përgjatë shumë shekujve dhe ka qenë mjet për transmetimin e veprave letrare, shkencore si dhe për komunikimin administrativ. Kjo gjuhë gjatë kësaj periudhe mjaft të gjatë, në një territor shumë të gjerë të botës së civilizuar ka patur folës, dëgjues, shkrues dhe lexues. Kjo gjuhë në botën islame kishte rolin dhe funksionin sikur gjuha latine që kishte në botën e krishterë në Evropën e shekujve të mesjetës.
Miq të dashur në edicionin e ardhshëm do të njihemi me personalitete të shquara iraniane të cilët jetonin në territorin e gjerë të kulturës iraniane që kanë qenë përhapës të gjuhës, kulturës dhe të menduarit iranian dhe varret e tyre ndodhen jashtë kufijve gjeografik të Iranit.