Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i19231-personalitetet_e_shquara_iraniane_krenari_botërore
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore".
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Qershor 26, 2016 09:27 Europe/Tirane
  • Filozofia
    Filozofia

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore".

Në edicionin e kaluar folëm rreth personalitetit të Abu Nasr Muhamed Farabi, filozof i njohur iranian i shekullit të tretë dhe katërt hixhri kameri.

Thamë se Farabi kishte lindur në qytetin Farab (në Kazakistan ose Afganistanin e sotëm) dhe kishte vdekur në qytetin Damask dhe aty është varrosur dhe theksuam në këtë fakt se të gjithë hulumtuesit dhe historianët iranianë dhe të huaj nuk dyshojnë në origjinën iraniane të Farabit, përveç kësaj ata theksojnë se edhe familja e tij ishte iraniane, ndërsa kanë refuzuar në mënyrë të argumentuar pretendimet se ai ishte me origjinë turke. Thamë gjithashtu se Farabi në shumë shkenca të ndryshme ishte i pashembullt dhe kjo dëshmohet me faktin se ai ka shkruar vepra në lidhje me shumë shkenca të kohës së tij. Ai është ripërtëritës i filozofisë dhe themelues i filozofisë islame. Filozofia nga pikëpamja e Farabit, është ekzistenca absolute. Filozofia e Farabit edhe pse është islame, ajo është nën ndikimin e filozofëve grekë, sidomos të Aristotelit. Në pikëpamjen e Farabit, filozofi është kryetar i shoqërisë dhe ashtu sikur që Zoti rregullon dhe drejton çështjet e botës, edhe filozofi sistemon çështjet e shoqërisë. Farabi ka treguar përkushtim më të madh ndaj filozofisë politike. Ai është një filozof i cili kishte shumë preokupime sociale dhe politike, prandaj pikërisht kjo u bë shkak që ai të krijojë një lidhje filozofike mes çështjeve sociale dhe politike dhe të shkruajë vepra të ndryshme në këtë drejtim. Politika nga pikëpamja e Farabit ndahet në dy pjesë: morale dhe qytetare. Esenca e politikës etike bazohet mbi besimin në Zotin, mbi besimin në botën tjetër dhe mbi shpalljen. Esenca e politikës qytetare sipas tij, gjithashtu përbëhet nga nevoja sociale, kooperimi dhe pjesëmarrja e secilit individ të shoqërisë. Interesant është fakti se Farabi lumturinë qytetare e konsideron rezultat të përputhjes së saj me politiken morale. Filozofi i njohur bashkëkohor iranian Ibrahim Dinani beson se "Farabi ka preokupimin e jetës në çështjet shoqërore dhe të lidhjes së çështjeve shoqërore me fillimin e ekzistencës. Të menduarit e tij kalon një rrugë nga bota fizike në botën metafizike dhe nga bota metafizike në botën fizike. Pikërisht për këtë arsye atë e kanë konsideruar filozof të kulturës". Farabi ka preokupime kulturore dhe këto preokupime vërehen në shumë prej veprave të tij. Të gjithë filozofët myslimanë në mënyra të ndryshme kanë folur rreth shoqërisë, mirëpo në 14 shekujt e civilizimit islam deri më sot, asnjëri prej tyre nuk ka trajtuar çështjet shoqërore deri në atë masë sa i ka trajtuar ato filozofi Farabi.

Thuhet gjithashtu se Farabi ka shkruar mbi 100 vepra në degë të ndryshme të shkencave dhe një pjesë e këtyre veprave i kanë mbijetuar kohës deri më tani. Filozofia, logjika dhe metafizike mund të konsiderohen tre tema të rëndësishme dhe kryesore të veprave dhe të të menduarit të Farabit. Në fushën e filozofisë mund të thuhet se Farabi është filozofi i parë mysliman i cili me një mund të madh ka arritur të kuptojë plotësisht veprat e Aristotelit dhe të Platonit dhe në veprat e tij i ka bërë komentime dhe kritika atyre. Njohja përsëri e botës me veprat e këtyre filozofëve në realitet është bërë e mundur vetëm me kontributin dhe punën e çmuar të Abu Nasr Farabit. Ai kishte kuptuar filozofinë greke në nivel të lartë, mirëpo vet ai ishte njeri i sprovës dhe i mendimit, prandaj nuk është mjaftuar vetëm me mësimin e termeve dhe shprehjeve të filozofëve grekë. Ai me filozofi kishte hartuar një botë e cila edhe pse ka ngjashmëri me botën e Platonit dhe të Aristotelit, mirëpo ato nuk duhet konsideruar të njëjta. Farabi ka mësuar filozofinë nga grekët, mirëpo kjo filozofi në të menduarin e Farabit kishte gjetur disa karakteristika të caktuara të cilat nuk ishin të huaja me mësimet islame. Farabi ka mësuar mendimet e Aristotelit dhe të Platonit në logjikë, në shkencat natyrore dhe në metafizikë, pastaj i ka shkruar ato në kuadër të sistemit të filozofisë islame në formë të harmonizuar dhe të përshtatshme. Esenca e të menduarit të Farabit ishte kjo që filozofia e vërtetë është vetëm një dhe filozofët e mëdhenj nuk mund të kenë mosmarrëveshje mes vete, për arsye se qëllimi i tyre është një dhe ata janë të unifikuar në kërkimin e të vërtetës.

Abu Nasr Farabi në shumë vepra filozofike të tij ka bërë përpjekje që ta afrojë filozofinë me bindjet fetare të njerëzve ose me fjalë të tjera, me parime filozofike të largojë bindjet fetare nga besëtytnitë dhe iluzionet. Ai e vërteton se për shembull në çështjen e fillimit të krijimit, filozofia është më e saktë se sa transmetimet fetare dhe më e afërt me njëshmërinë (tevhid). Përveç kësaj, Farabi mësimin e filozofisë e konsideronte të duhur ashtu sikur mësimin e shkencave të tjera, prandaj për ta përhapur filozofinë ai ka bërë përpjekje që ta afrojë atë me gjuhën dhe terminologjinë fetare. Kjo punë më vonë nga mesi i shekullit 10 të erës së re, është plotësuar nga shoqëria "Ikhvanu-Safa" dhe anëtarët e saj e kanë realizuar plotësisht atë në veprat e tyre të shumta. Dr. Davari, filozof i njohur iranian dhe autor i veprës "Farabi, themelues i filozofisë islame", thotë: "Farabi në filozofinë e tij kishte arritur në një shkallë të lartë dhe jo vetëm si Aristoteli që ishte mësues i shkencës së argumentimit, por ai edhe ka kategorizuar shkencat. Ai i kishte futur shkencat islame në kategorizim dhe në renditje dhe i ka dhënë të gjitha këtyre shkencave formë logjike dhe argumentuese. Farabi me të vërtetë është ripërtëritës i filozofisë dhe themelues i filozofisë islame. Në pikëpamjen e Farabit, e vërteta e filozofisë është pikërisht njohja e Zotit dhe nga ky aspekt, ajo nuk ka dallim me fenë e cila është e bazuar mbi themelin e tevhidit dhe të besimit në Zotin. I vetmi dallim mes filozofisë dhe fesë nuk qëndron në synimin dhe natyrën e tyre, sepse ai është në formë metodologjike. Njëra është me forcën teorike dhe tjetra është me forcën e imagjinatës dhe njeriu i përkryer i Farabit është pikërisht ai "kryetari i parë", "profeti" ose "imami"".

Farabi i ka kushtuar përkushtim të veçantë edhe çështjeve të logjikës dhe ka shkruar vepra të rëndësishme në këtë fushë. Ai ka bërë përpjekje të caktojë rëndësinë dhe pozitën e logjikës në një kohë kur disa njerëz e mohonin atë. Farabi gjithashtu ka treguar se çfarë nevoje kanë hulumtuesit e shkencës për shkencën e logjikës dhe çfarë dobie mund të kenë ata nga logjika. Farabi e konsideron logjikën një mjet me të cilin forcohet mendja dhe në raste ku njeriu gabohet me iluzione, logjika e udhëzon njeriun në rrugën e drejtë. Farabi shkencat racionale i ndanë në dy grupe: natyrore dhe teorike. Ai beson se njerëzit nuk gabojnë në shkencat natyrore. Ashtu sikur që të gjithë e vërtetojnë se e përgjithshmja është më e madhe se një pjesë. Mirëpo shkencat racionale duhet të kuptohen me ndihmën e mendjes dhe analogjisë, prandaj në çështje të tilla ndjehet nevoja për logjikën. Farabi bënë analogji mes shkencës së logjikës dhe sintaksës së gjuhës dhe thotë: "Logjika me shkencat racionale ka të njëjtën lidhje që ka sintaksa me fjalët". Sferë tjetër në të cilën është përkushtuar Farabi dhe në të cilën ka shkruar vepra të shumta, është metafizika. Rezultati i përpjekjes së tij për ta harmonizuar filozofinë me tevhidin është një sistem që nuk është i huaj për fenë dhe nuk bie në kontradiktë me atë, prandaj filozofi mund ta konsiderojë atë si brendësi të fesë. Dituria hyjnore të cilën Aristoteli e ka konsideruar kurorë të filozofisë, nuk mbeti ashtu siç ishte në veprën "Metafizika" të Aristotelit dhe Farabi ka bërë disa ndryshime në këtë vepër. Sipas tij, krijesat nga faza më e mangët dhe më e ulët lëvizin drejt përkryerjes dhe për nga shkalla e përkryerjes asgjë nuk arrin në përkryerjen e Zotit dhe për këtë arsye Ai nuk ka diçka të kundërt dhe të ngjashëm.

Miq të nderuar këtu po e përfundojmë këtë edicion dhe temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm.