Imameti dhe Velajati në Kur'an, Speciale për dhjetëditëshin e Imametit dhe Velajetit
(last modified Tue, 20 Sep 2016 07:43:50 GMT )
Shtator 20, 2016 09:43 Europe/Tirane

Mirëpo në pikëpamjen e dytë e cila i përket myslimanëve shiitë, thuhet se imameti përkufizohet në kuadër të profecisë, prandaj caktimi i imamit ashtu si caktimi i Profetit, bëhet nga ana e Zotit.

(Ajeti i sprovimit)

Në çështjen e imametit, do të thotë lidershipit të umetit islam, pas Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. ekzistojnë dy pikëpamje. Në pikëpamjen e parë që i përket myslimanëve sunitë, thuhet se Profeti s.a.v.s. nuk ka prezantuar askënd për zëvendës të tij, prandaj umeti islam pas vdekjes së Profetit s.a.v.s. kishte për të zgjedhë zëvendësin e tij. Mirëpo në pikëpamjen e dytë e cila i përket myslimanëve shiitë, thuhet se imameti përkufizohet në kuadër të profecisë, prandaj caktimi i imamit ashtu si caktimi i Profetit, bëhet nga ana e Zotit. Kjo çështje është shpjeguar edhe në Kur'anin e shenjtë edhe në sunetin e Profetit s.a.v.s.. Kjo është për arsye se është e natyrshme që çdo kush që merr përsipër lidershipin e një grupi të njerëzve, nuk i le ata pa përgjegjës. Në burimet sunite thuhet se Abdullah bin Omar, djali i khalifit të dytë, kur babai i tij ishte në prag të vdekjes, i ka thënë atij: "Njerëzit po thonë se tij (përkundër Abu Bekrit i cili ka caktuar zëvendësin e vetë) nuk po cakton zëvendës, ndërkohë që nëse do të kesh një rojtar dhe bari për devetë dhe delet dhe ai në një kohë të largohet duke lënë kopenë e tij, atëherë ti atë e konsideron fajtor, ndërkohë që është e qartë se ruajtja e popullit është më e rëndësishme se ruajtja e deveve dhe deleve gjatë kullotjes. Çfarë përgjigje do t'i japësh Zotit atëherë kur të shkosh të takohesh me Atë në kohën kur nuk ke caktuar prijës për popullin?" (Sunene Bejhaki, v. 8 dhe Hulije Avlija v. 1). Edhe Ajsha bazohet në këtë çështje dhe i thotë djalit të Omar bin Khatab: "Përshëndete Omarin nga ana ime dhe thuaj atij të mos e le umetin e Muhamedit s.a.v.s. pa përgjegjës dhe mos t'i le myslimanët pa prijës sepse unë kam frikë për përçarjen mes tyre". (El-Imame vel-sijasetu). Është interesant fakti se kur Muavije bin Abu Sufjan e cakton djalin e tij Jezidin për zëvendës të vet, kujton këtë tregim dhe thotë: "Kam frikë ta lë umetin e Muhamedit s.a.v.s. sikur delet pa bari". (Tarikh Tabari, v.3 dhe El-Imame val-sijasetu, v.1)

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. gjithnjë kur shkonte në ndonjë udhëtim, caktonte zëvendësin e tij dhe kurrë nuk i linte njerëzit pa zëvendës. Në të gjitha burimet historike është përmendur kjo çështje dhe janë shënuar emrat e të gjithë atyre që Profeti s.a.v.s. i caktuar zëvendës të tij në raste të tilla. Ai edhe në luftërat në të cilat nuk ka marrë pjesë vet, ka caktuar një person si komandantë dhe zëvendës të tij në mënyrë që zbatimi i urdhrave të tij të jetë sikur zbatimi i urdhrave të Profetit s.a.v.s.. Në disa raste Profeti s.a.v.s. caktonte disa persona në mënyrë që nëse njëri prej tyre do të lëndohej, personat e tjerë sipas radhës të marrin komandën në dorë. Një rast i tillë është lufta e Mute-s kur Profeti s.a.v.s. emëroi komandant të ushtrisë Zejd bin Harith. Pastaj tha nëse ai do të lëndohet, komandën do ta marrë Xha'fer bin Abi Talib, ndërsa nëse do të lëndohet edhe ai, komandën e ushtrisë do ta marrë Abdullah bin Ravahe. Tani një profet i tillë i cili edhe në udhëtimet e tij të shkurta dhe të zakonshme nuk ngurronte të caktonte zëvendësin e tij dhe çdo grup që e dërgonte në një vend nuk e linte pa përgjegjës, si është e mundur që të ketë qenë indiferent për periudhën pas vdekjes dhe për postin e khalifatit dhe zëvendësit të tij si çështja më e rëndësishme e umetit islam, të mos ketë caktuar zëvendës! Në bazë të kësaj myslimanët shiitë 12 imamije besojnë se Profeti s.a.v.s. ka caktuar imamin dhe khalifin pas tij me urdhrin e Zotit. Prandaj në këtë edicion dhe në disa edicione të ardhshme të këtij programi do të hedhim një vështrim mbi disa ajete të Kur'anit të shenjtë që kanë trajtuar çështjen e imametit dhe karakteristikat e imamëve.

 

Zoti i madhëruar në ajetin 124 të sures Bekare në Kur'anin e shenjtë thotë: " Dhe (kujto) kur Zoti e sprovoi Ibrahimin me disa çështje dhe ai i kreu në mënyrë të plotë të gjitha ato. Zoti i tij i tha atij: Me të vërtetë unë ty të caktoj imam dhe prijës për njerëzit. (Ibrahimi) Tha: A do të kenë këtë pozitë edhe pasardhësit e mi? (Zoti) Iu përgjigj: Besëlidhja ime nuk do të përfshinë njerëzit e padrejtë". Në këtë ajet kur'anor Zoti tregon se Hazreti Ibrahimi në moshën e pleqërisë dhe gati në fund të jetës së tij, pasi kaloi shumi vite të profecisë dhe misionin të tij si Profet, u sprovua me disa çështje dhe kaloi plotësisht me sukses këto sprova hyjnore dhe u ngrit në pozitën e Imametit. Në këtë mënyrë kuptohet se Imameti është një pozitë e lartë e cila iu dha atij pas kalimit të sprovave të vështira dhe durimit të madh. Ibrahimi a.s. në moshë të pleqërisë dhe atëherë kur gati i kishte humbur shpresat për fëmijë, Zoti i madhëruar i dhuroi atij Ismailin dhe Is'hakun. Kur Ismaili arriti moshën e rinisë, Zoti i madhëruar e sprovoi Hazretin Ibrahim me një sprovë shumë të vështirë dhe ajo ishte therja dhe sakrifikimi i Ismailit në rrugën e Zotit, ndërkohë që Ismaili ishte pasuria më e madhe e tij në pleqëri! Ky sprovim tregon sakrificën dhe dorëzimin e plotë të Hazretit Ibrahim a.s. përpara urdhrit të Zotit të madhëruar. Pas kryerjes me sukses të këtij sprovimi, Zoti i madhëruar e ngriti Hazretin Ibrahim a.s. në pozitën e Imametit.

Imam është ai i cili është prijës i të tjerëve dhe Zoti i madhëruar e ka bërë atë shëmbëlltyrë për njerëzit në të gjitha aspektet njerëzore, prandaj njerëzit duhet t'i mbështetën atij dhe ta pasojnë atë në çdo çështje. Fakti se pozita e Imametit i është dhënë Hazretit Ibrahim a.s. pas shumë vite të misionit të profecisë dhe pas kryerjes me sukses të të gjitha sprovave të mëdha hyjnore, tregon qartë se pozita e Imametit është shumë më e lartë se sa pozita e profecisë. Prandaj, ai i cili bëhet Imam, duhet të jetë i mbrojtur dhe i pastër nga çfarëdo lloj mëkati. Kur Hazreti Ibrahim a.s. e pyeti Zotin e madhëruar se a do të arrijë në këtë pozitë ndonjëri prej fëmijëve të mi? Zoti iu përgjigj se besëlidhja ime nuk përfshinë ata që bëjnë dhunë dhe padrejtësi. Në këtë ajet kur'anore është caktuar kusht se pozita e Imametit nuk i takon atyre që bëjnë padrejtësi dhe dhunë. Do të thotë se individi edhe nëse vetëm në një periudhë të jetës së tij do të bëjë padrejtësi dhe dhunë dhe pastaj do të pendohet, sipas fjalës hyjnore ai person është i padrejtë dhe zullumqar. Zoti i madhëruar në ajetin 64 të sures Nisa në Kur'anin e shenjtë thotë: "... dhe nëse ata (mëkatarët) në kohën kur kanë bërë padrejtësi ndaj vetës së tyre dhe vinin pranë teje dhe kërkonin falje nga Zoti dhe i Dërguari i Zotit kërkonte falje për ata, padyshim se ata e gjenin Zotin  pranues shumë të madh të pendimit dhe të mëshirshëm". Në ajetin e lartpërmendur në lidhje me mëkatin që është padrejtësi ndaj vetës, sasia e padrejtësisë nuk është caktuar si kusht, kjo do të thotë se edhe nëse individ vetëm në një rast ka kryer padrejtësi, edhe nëse ajo shoqërohet me pendim, ky pendim nuk e pastron atë nga padrejtësia që ai ka bërë ndaj vetës. Prandaj, Imami në mënyrë absolute asnjëherë nuk ndotët me padrejtësi.

Foto: Ajeti 124, surja Bekare

 

Imam Reza a.s. i cili është imami i tetë i myslimanëve shiitë, e shpjegon në këtë mënyrë pozitën e Imametit: "...Imameti është një pozitë në të cilën ka arritur Ibrahimi a.s. pasi ka kryer pozitën e profecisë dhe misionin e kumtimit të shpalljes hyjnore. Pozita e Imametit ishte shkalla e tretë të cilën ia ka dhënë atij Zoti i madhëruar dhe nëpërmjet saj ka lartësuar emrin e tij dhe ka thënë: "Me të vërtetë unë të kamë bërë ty Imam për njerëzit". Hazreti Ibrahim nga gëzimi e pyeti Zotin: "A do të jenë në këtë pozitë edhe pasardhësit e mi?" Zoti i madhëruar ju përgjigj: "Besëlidhja ime nuk do t'i takojë atyre që bëjnë padrejtësi". Ky ajet ka anuluar imametin e çdo njeriu të padrejtë deri në ditën e Kiametit, ndërsa këtë pozitë e ka bërë të veçantë për të zgjedhurit e pastër... Me të vërtetë kur Zoti e zgjedh një rob për të përmirësuar veprimet e robërve të Tij, atij i hap gjoksin dhe në zemrën e tij i gjallëron burimet e urtësisë dhe të maturisë dhe i mëson atij diturinë hyjnore nëpërmjet ispirimit në mënyrë që të mos mbetet pa përgjigje në lidhje me çfarëdo çështje dhe pyetje dhe të mos humbet nga e vërteta dhe drejtësia. Ai është nën ndihmën dhe konfirmimin e Zotit dhe është i mbrojtur nga gabimi dhe rrëshqitja dhe trajtimi i të tjerëve në mënyrë të padrejtë. Kjo është mirësia e Zotit që i jepet çdo kujt që dëshiron Ai dhe Zoti është pronar i mirësisë së madhe. A mundët njeriu ta zgjedh një imam të tillë ose i zgjedhuri i njerëzve a mundët të ketë karakteristika dhe atribute të tilla?! Betohem në Shtëpinë e Zotit të cilën e kanë përdhosur dhe në Kur'anin të cilin kanë hedhur pas shpine, sikur të mos e dinë se çfarë është çështja! Udhëzimi dhe shpëtimi është në Librin e Zotit të cilit ia kanë kthyer shpinën dhe janë bërë ndjekës Të dëshirave të egos së tyre, ndërsa Zoti i ka qortuar ata dhe i ka quajtur armiq të Tij dhe i ka bërë fatzinj dhe ka thënë: "Kush është më (i padrejtë) i humbur se ai që ka lënë rrugën e udhëzimit të Zotit dhe po ndjek dëshirat e egos së tij? Me të vërtetë Zoti nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë". (ajeti 50 surja Kisas) Va sallahu ala Muhamed va Alehi va selim taslima kethira."

Allahume Sali ala Muhamed va ale Muhamed

 

 

Tags