Një thesar nga jeta e Imam Reza (a.s.)
Ky program është përgatitur me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imam Reza (a.s.).
Sot ambientet e xhamisë ku ndodhet varri i Imam Ali ibn Musa Reza (a.s.) kanë një atmosferë tjetër. Në përvjetorin e martirizimit të Imam Ali Reza, me mijëra vizitorë me kombësi dhe kultura të ndryshme, janë mbledhur në këtë vend të shenjtë dhe spiritual për të demonstruar dashurinë e tyre ndaj pozitës së lartë të Profetit të nderuar të Islamit dhe ndaj Ehli Bejtit (a.s.). Zëri i këndimit të Kur'anit dhe lutjeve, dëgjohet nga çdo anë. Kjo turmë e vizitorëve dhe e ndjekësve të rrugës së Ehli Bejtit që është mbledhur në këtë vend në përvjetorin e martirizimit të Imam Reza (a.s.), me lotët e syve pastrojnë ndryshkun e zemrës dhe e freskojnë shpirtin e tyre në këtë vend të shenjtë. Zemrat janë të pikëlluara, mirëpo entuziazmi i pranisë së tyre në ambientet e xhamisë së Imam Reza (a.s.), nuk mund të përshkruhet. Sot është një rast i çmuar për dashamirësit e Ehli Bejtit (a.s.) që të besatohen përsëri me idealet e Imam Ali Reza (a.s.). Edhe ne me këtë rast shprehim ngushëllime me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imam Ali Reza (a.s.) dhe me këtë rast po paraqesim disa fraza nga jeta e begatshme e imamit të tetë të myslimanëve shiitë.
Imam Ali bin Musa (a.s.) lindi në një familje ku babai i të cilë ishte një rob i devotshëm i Zotit dhe pasardhës i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Ai ishte Imam Musa Kazem (a.s.). Nëna e tij ishte një zonjë besimtare dhe intelektuale e cila quhej Naxhma me origjinë nga një familje prej Maroku. Emri i bekuar i Imam Reza (a.s.) ishte Ali dhe epiteti i tij Abul-Hasan. Reza është një prej epiteteve të tij më të njohura që do të thotë "i kënaqur". I biri i tij Imam Xhavad (a.s.) në lidhje me këtë epitet të babait të tij, ka thënë: "Zoti i madhëruar i ka dhënë atij epitetin "Reza" për arsye se Zoti i lartësuar, i Dërguari i Zotit dhe imamët e tjerë ishin të kënaqur me atë. Ky epitet i është dhënë atij gjithashtu edhe për shkak të moralit dhe sjelljes së tij të mirë. Nga ai ishin të kënaqur edhe të afërmit, edhe miqtë edhe armiqtë".
Imam Reza (a.s.) është pjesë e Ehli Bejtit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. i cili në pozitën e Imametit, u mësonte njerëzve mësimet kur'anore dhe transmetimet e Ehli Bejtit (a.s.). Dituria, durimi, trimëria, adhurimi dhe devotshmëria e tij dhe në përgjithësi personaliteti i tij gnostik ishte deri në atë masë saqë në kohën e tij askush nuk dyshonte për pozitën e tij superiore shkencore dhe spirituale, prandaj Imam Ali Reza (a.s.) qysh në atë kohë u njoh si dijetari i familjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s..
Në periudhën e Imam Ali Reza (a.s.), bota islame nga aspekti i territorit gjeografik, zhvillimit ekonomik, por edhe nga aspekti shkencor, kishte arritur zhvillim të madh. Megjithëkëtë, në këtë kohë vazhdonte pushteti tiran i dinastisë Abasite. Periudha e imametit të Imam Ali Reza (a.s.) ka përkuar me sundimin e tre khalifëve të dinastisë Abasite, do të thotë Harun Rrashid, Amin dhe Me'mun, ndërsa pesë vitet e fundit të jetës së tij kanë përkuar me periudhën e sundimit të khalifit Me'mun, një prej khalifëve më mashtrues dhe më intrigues të dinastisë Abasite. Ai pasi vrau vëllain e tij Amin, mori pushtetin e dinastisë Abasite dhe duke shfrytëzuar zgjuarsinë e vezirit të tij Fadl bin Sehl, u mundua të forcojë themelet e pushtetit të tij. Në këtë kuadër, Me'mun i ofroi Imam Reza (a.s.) postin e trashëgimtarit të fronit me qëllim që të fitojë besimin e dashamirësve të Ehli Bejtit (a.s.) dhe nëpërmjet përkrahjes së Imam Reza (a.s.), ta legjitimojë pushtetin e tij. Natyrisht se ai me një zgjuarsi të veçantë, u mundua të paraqitet se është i sinqertë në këtë veprim dhe këtë e bënë vetëm nga bindja në imametin e Imam Ali Reza (a.s.) dhe nga dashuria e tij ndaj Ehli Bejtit (a.s.).

Khalifi Me'mun në reagim ndaj protestave të përkrahësve të dinastisë Abasite ndaj emërimit të Imam Reza (a.s.) në postin e trashëgimtarit të fronit, bëri disa deklarata në të cilët qartësojnë qëllimet e tij nga ky veprim. Me'mun tha: "Ky burrë (Imam Reza) ka fshehur veprimtarinë e tij nga pushteti ynë dhe ka ftuar njerëzit ta ndjekin imametin e tij. Prandaj, duke emëruar atë në postin e trashëgimtarit të fronit, ai do t'i ftojë njerëzit që të nënshtrohen pranë pushtetit tonë dhe të pohojnë khalifatin tonë dhe njëkohësisht me këtë, përkrahësit e Ehli Bejtit do ta kuptojnë se khalifati është meritë e jona". Kështu që nga pikëpamja e Me'mun, nëse Imam Reza (a.s.) do ta pranonte postin e trashëgimtarit të fronit mbretëror të Me'mun, automatikisht ai do ta pranonte edhe legjitimitetin e pushtetit të dinastisë Abasite dhe kjo çështje konsiderohej një privilegj i madh për dinastinë Abasite. Çështje tjetër ishte kjo që khalifi Me'mun mendonte se me pranimin e pozitës së trashëgimtarit të fronit, Imam Reza (a.s.) do ta humbte pozitën e tij tek myslimanët. Siç duket intriga dhe mashtrimi i khalifit Me'mun ishte llogaritur shumë mirë nga të gjitha aspektet. Mirëpo Imam Reza (a.s.) si reagojë përballë kësaj intrige?
Reagimi i parë i Imam Reza (a.s.) ndaj kësaj intrige, ishte mospranimi që të shkojë në Marv ku ishte qendra e pushtetit të khalifit Me'mun dhe për këtë arsye agjentet e pushtetit Abasit e detyruan atë me forcë që të transferohej në Marv. Në librin "Ujun Akhbar er-Rida" të autorit Shejkh Saduk, thuhet: "Imam Reza (a.s.) shkoi në xhaminë e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. që të përshëndetet me atë. Disa herë doli jashtë xhamisë dhe përsëri u kthye brenda dhe me zë qau me zë të lartë. Pastaj mblodhi anëtarët e familjes dhe u përshëndet me ata duke thënë: "Unë nuk do të kthehem përsëri tek ju"". Çështje tjetër e rëndësishme është kjo që Imam Reza (a.s.) nuk mori me vete asnjërin prej anëtarëve të familjes së tij. Të gjitha këta faktorë padyshim se mund t'i tregonin atyre që e njihnin mirë Imam Reza (a.s.), sidomos myslimanëve shiitë që kishin lidhje të drejtpërdrejta me atë, se Imam Ali Reza (a.s.) është i detyruar të pranojë këtë udhëtim.
Në fazën tjetër, Imam Reza (a.s.) është munduar ta paraqesë veprimin e khalifit Me'mun për emërimin e tij në pozitën e trashëgimtarit si një veprim për ta njohur të drejtën e Ehli Bejtit (a.s.) në çështjen e khelafetit të Shtetit Islam. Kjo është për arsye se deri në atë kohë khalifët e dinastisë Abasite dhe Emevite nuk kishin pranuar të drejtën e khelafetit dhe të imametit të imamëve mas'um. Ky veprim i khalifit Me'mun shumë mirë mund të tregonte se khalifët paraardhës kishin qëndrime plotësisht të gabuara.
Imam Ali Reza (a.s.) me një veprim tjetër të zgjuar në një ligjëratë të mbajtur para konfirmimit të emërimit të tij në pozitën e trashëgimtarit, vendosi kusht që të mos ketë kurrfarë ndërhyrje në asnjë çështje politiket, të mos e emërojë ose shkarkojë asnjë funksionarë për asnjë çështje. Të mos shkelë kurrfarë zakoni dhe të kryejë vetëm rolin e këshillëdhënësit. Me fjalë të tjera, Imam Reza (a.s.) nuk ka ndërhyjë në asnjë çështje të politikës së dhunshme të khalifit Me'mun në mënyrë që politika e tij e dhunshme dhe jo islame të mos shkruhet në emër të tij dhe njerëzit mos të mendojnë se Imam Reza (a.s.) vërteton khalifatin e dinastisë Abasite.
Khalifi Me'mun pasi e solli me forcë Imam Reza (a.s.) nga Medina në Marv, fillojë të organizojë mbledhje të shumta shkencore me pjesëmarrjen e dijetarëve të ndryshëm. Qëllimi i khalifit Me'mun nga formimi i këtyre mbledhjeve siç duket ishte dëshira ndaj diturisë. Ai duke inkuadruar Imam Ali Reza (a.s.) në këto mbledhje, synonte ta sprovonte nivelin shkencor të Imam Reza (a.s.). Mirëpo niveli i lartë shkencor i Imam Reza (a.s.), gradualisht krijoi probleme të konsiderueshme për khalifin Me'mun. Shejkh Saduk në lidhje me këtë çështje: "Me'mun mendimtarët më të mëdhenj të çdo shkolle dhe grupi i vendoste përball Imam Reza (a.s.) me qëllim që ta zhvlerësojë argumentin e Imam Reza (a.s.) për Imamet dhe ky veprim tregon zilinë që kishte khalifi Me'mun nda Imam Reza (a.s.) dhe ndaj pozitës së tij shkencore dhe shoqërore. Mirëpo çdo mendimtarë që përballej me atë, pohonte nivelin e lartë shkencor të tij dhe bindej me argumentet e Imam Reza (a.s.)". Në kohën kur khalifi Me'mun e kuptojë se organizimi i debateve të tilla rezulton vetëm me vërtetimin dhe konfirmimin e pozitës shkencore të Imam Reza (a.s.), ndjeu rrezik dhe vendosi kufizime të ashpra për Imam Reza (a.s.).
Një prej veprimeve të tjera që zbulojë intrigat e khalifit Me'mun, pjesëmarrja e Imam Reza (a.s.) në namazin e Fiter Bajramit. Khalifi Me'mun i kërkoi Imam Reza (a.s.) që ta drejtojë ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit. Imam Reza (a.s.) në fillim nuk pranoi, mirëpo pas insistimit të khalifit Me'mun, tha: "Nëse nuk kam zgjidhje tjetër, atëherë unë do ta drejtojë namazin ashtu siç e ka falur gjyshi im Hazreti Muhamed s.a.v.s.". Khalif Me'mun e pranoi këtë kusht. Njerëzit pritshin që Imam Reza (a.s.) të niset nga shtëpia me formalitete dhe zakone borgjeze siç bënin khalifët e tjerë. Mirëpo ata u çuditën kur shikuan se Imam Reza (a.s.) këmbëzbathur u nis në rrugë duke thirrur "All-llahu Akbar". Funksionarët e tjerë shtetërorë të cilët ishin përgatitur me formalitetet e tyre të zakonshme për të marrë pjesë në këtë ceremoni, duke shikuar këtë skenë spirituale, papritur zbritën nga kuajt e tyre, zbathen këpucët dhe u nisën prapa Imam Reza (a.s.) duke thirrur me modesti "Allahu Akbar". Thuhet se Sehl bin Fadl në atë kohë i kishte thënë khalifit Me'mun: "Nëse Imam Reza (a.s.) do të shkojë në këtë mënyrë në xhami, njerëzit do të simpatizojnë edhe më tepër atë. Më mirë është të kërkoni që ai të kthehet". Prandaj khalifi Me'mun e dërgoi një funksionar dhe kërkoi nga Imam Reza (a.s.) që të kthehet. Ai në mënyrë të qartë e kuptoi se simpatia e Imam Reza (a.s.) në mesin e popullit është duke u shtuar për çdo ditë e më tepër. Rreziku që e ndjeu khalifi Me'mun nga kjo ngjarje, u bë shkak që ai të arrijë në këtë përfundim se prania e Imam Reza (a.s.) jo vetëm që nuk zgjidh asnjë problem të tij, por do të nxitë edhe më shumë njerëzit kundër tij. Prandaj ai vendosi vëzhgues rreth e rrotull Imam Reza (a.s.) për të vëzhguar çdo veprim të tij.
Imam në paraqitjen e çështjeve të cilat i konsideronte në të drejtën, nuk kishte kurrfarë frike nga khalifi Me'mun. Në shumë raste në mënyrë të qartë kritikonte ashpër veprimet e khalifit Me'mun. Në një rast kur khalifi Me'mun ishte i preokupuar në masë të madhe për pushtimin e vendeve të tjera joislame, Imam Reza (a.s.) i tha atij: "Pse nuk mendon pak edhe për rregullimin e çështjeve të umetit të Hazretit Muhamed s.a.v.s.?" Këto vërejtje dhe kritike shkaktuan zemërimin e Me'munit dhe shtuan armiqësinë e tij ndaj Imam Reza (a.s.). Në këtë mënyrë khalifi Me'mun e kuptoi se sjellja me forcë e Imam Reza (a.s.) nga Medina në Marv, nuk kishte arit qëllimet e tij të dhe nëse situata do të vazhdojë në këtë mënyrë, atëherë do të shkaktojë gabime të pakompensuara.
Khalifi Me'mun i cili nuk ngurronte për vrasjen e njerëzve që konsideroheshin armiq të khalifatit të tij, kësaj radhe për ta ruajtur pushtetin e tij nuk pati frikë as edhe të martirizojë Imam Reza (a.s.), pasardhësin e Profetit s.a.v.s.. Në këtë mënyrë Ali bin Musa Reza (a.s.) ashtu si paraardhësit e tij të nderuar, u martirizua në rrugën e të vërtetës dhe të luftës kundër padrejtësisë, mirëpo nuk pranoi poshtërimin e bashkëpunimit me pushtetin e dinastisë Abasite.
Duke shprehur edhe njëherë ngushëllime me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imam Reza (a.s.), programin po e përfundojmë me një thënie të Imam Reza (a.s.) i cili ka thënë: "Mos i leni anash veprat e mira në shkëmbim të mbështetjes në dashurin ndaj Ehli Bejtit (a.s.) dhe mos e leni anash dashurinë e Ehli Bejtit (a.s.) duke u mbështetur në veprat e mira, sepse asnjëra prej këtyre dy veprimeve nuk pranohet në mënyrë të vetme!".
تصاویری از خطبه خوانی در شب شهادت امام رضا(ع)