Hashemi Rafsanxhani, politikan i pashoq
Në këtë emision do të flasim për jetën dhe veprën e Ajetollah Hashemi Rafsanxhani dhe kontributin e tij përpara revolucionit islamik të Iranit.
 
Në orën 19:30 të së dielës së 8 janarit 2017, u dha lajmi që tronditi miliona iranianë dhe dashamirës të revolucionit islamik në të gjithë botën. Ajetollah Hashemi Rafsanxhani, një prej pionierëve të lëvizjes dhe kryengritjes së popullit iranian kundër regjimit shtypës të Shahut dhe një prej miqve të afërt të imam Khomeinit (ra) themeluesit të Republikës Islamike të Iranit, ndërroi jetë për shkak të një infarkti në zemër. Atë ditë me mijëra njerëz u mblodhën përballë spitalit ku ishte shtruar Ajetollah Hashemi Rafsanxhani. Ajetollah Khamenei, lideri suprem i revolucionit islamik në mesazhin e tij me rastin e vdekjes së Ajetollah Hashemi Rafsanxhani tha; “ Ndarja nga një bashkëluftëtar dhe një bashkëpunëtor me të cilin kam punuar pareshtur për 59 vite, është një moment shumë i rëndë, i trishtueshëm dhe i vështirë. Sa e sa vështirësi e vuajtje kemi pasur gjatë këtyre dekadave dhe sa e sa konsultime e vendime përcaktuese na kanë inkurajuar për të vazhduar rrugën tonë të përbashkët me përpjekje të panumërta. Zgjuarsia, mprehtësia dhe sinqeriteti i tij i pashoq në ato vite ishin një mbështetje e sigurt për të gjithë ata që kanë punuar me të, e veçanërisht për mua”. Lideri suprem në vazhdim të mesazhit të tij, duke përshkruar personalitetin e Ajetollah Hashemi Rafsanxhani tha: “Ajetollah Rafsanxhani ishte shembulli i paprecedent i brezit të parë të luftëtarëve kundër regjimit të Shahut dhe nga më të përvuajturit në këtë rrugë plot rreziqe dhe krenari. Vitet e gjata të burgimit, torturat e egra të Savak-ut (Shërbimi informativ i regjimit të Shahut), përgjegjësitë e rënda gjatë luftës së imponuar Iran-Irak si dhe postet e larta të presidentit të vendit, të kryetarit të Parlamentit, të kryetarit të Këshillit të Ekspertëve të Lidershipit etj., janë fletë të ndritura të jetës së ndritur e të frytshme të këtij luftëtari të vjetër”. Ali akbar Hashemi Rafsanxhani, ka lindur në vitin 1935 në fshatin Baharman pjesë e qytezës Rafsanxhan në provincën Kerman. Ai rridhte nga një familje fetare dhe fermerësh. Në moshën 14 vjeçare shkoi për të vazhduar universitetin e shkencave fetare në qytetin Kum që është qendra e shkencave islame. Ky i ri i etur për dije dhe shkencë islame, shumë shpejt u inkuadrua në fushën politike. Pas grushtit të shtetit të vitit 1953, grusht që u krye kundër qeverisë kombëtare të dr. Musadekut, Akbar Hashemi Rafsanxhani nisi aktivitetin e tij politik dhe kulturor. Në ato vite ai u njoh edhe me Ajetollah Khamenei. Mirëpo ai që hapi një faqe të re në jetën e Hashemi Rafsanxhanit, ishte njohja e tij me imam Khomeinin (ra). Në ato kohë imam Khomeini nuk ishte akoma një prej klerikëve të njohur në mesin e popullit. Mirëpo ai ishte një prej dijetarëve të shquar të shkollës fetare të Kumit. Me kalimin e kohës Hashemi Rafsanxhani u bë një ndër nxënësit dhe ndjekësit e imam Khomeinit(ra). Hashemi Rafsanxhani përveç angazhimit të tij në dije shkencë, vëmendje të veçantë i kushtoi edhe aktivitetit kulturor sidomos për botimet islamike dhe në atë kohë së bashku me disa të rinj të tjerë, botoi libra mbi shiizmin.

Muhamed Reza Pahlavi, pas grushtit të shtetit 1953, i mbështetur nga Amerika dhe Anglia u mundua të formojë dhe krijojë shtetin e tij. Duke qenë se nuk kishte mbështetje nga populli, ai për të ruajtur pushtetin e vet mundohej gjithnjë e më shumë të varej tek Amerika dhe Anglia. Për këtë ai ndërmori masat për realizimin e reformave në të ashtuquajturin revolucion i bardhë me qëllim që të arrinte portat e civilizimit të madh. Mirëpo këto reforma në realitet u bënë për të nënshtruar sa më shumë popullin iranian he për të forcuar sa më shumë pozitën e kolonizatorit dhe të sundimit të qeverive perëndimore në Iran në veçanti të Amerikës dhe Anglisë. Pas vdekjes së Ajetollah Boruxherdit, një prej klerikëve të mëdhenj shiit të Iranit, imam Khomeini si një prej klerikëve të mëdhenj të shkollës fetare të Kumit dhe Iranit, u kthye në klerikun, tek i cili mbështetej pjesa më e madhe e popullit iranian. Imam Khomeini (ra) përkrah ndjekësve të tij trima dhe të guximshëm si Hashemi Rafsanxhani, vazhdimisht informonte popullin iranian me qëllimet që synon të arrijë mbreti me reformat e të ashtuquajturit revolucion i bardhë. Fjalimet informuese të imam Khomeinit (ra) tronditën bazat e regjimit despotik të Muhamed Reza Pahlavi. Regjimi i Shahut për të penguar zbulimin e së vërtetës në fjalimet e Imam Khomeinit (ra), ndaj aktivistëve politikë dhe fetarë ushtronte dhunë dhe shtypje me qëllim që të bllokonte aktivitetin e tyre duke përhapur tmerr dhe frikë. Regjimi i shahut në mars të vitit 1963 sulmoi një prej shkollave më të mëdha fetare të quajtur Fejzie ku vrau, plagosi dhe arrestoi me qindra persona. Një prej të arrestuarve ishte edhe Ajetollah Hashemi Rafsanxhani. Në atë kohë klerikët fetarë nuk kryenin shërbimin ushtarak. Regjimi i shahut për të boshatisur shkollën fetare të Kumit, vendosi ligjin që edhe klerikët të kryejnë shërbimin ushtarak. Ajetollah Hashemi Rafsanxhani ishte një ndër të parët klerikë që shkoi për të kryer shërbimin ushtarak.

Pas ngjarjes së 15 Khordatit H.Sh, ku u vranë, plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra njerëz nga shërbimet ushtarake dhe të sigurisë së regjimit Pahlavi, nisi kryengritja e imam Khomeinit kundër regjimit despotik të mbretit. Hashemi Rafsanxhani, pas lëvizjes së 15 Khordati mori leje në shërbimin ushtarak dhe prej asaj kohe nuk u kthye dhe jetoi në mënyrë të fshehtë në vendin e tij të lindjes. Gjatë kësaj kohe ai shkroi librin “ Perspektiva e Palestinës” Dosja e zezë e kolonizatorit, ka përkthyer librat e Akram Zoitar dhe me anë të këtyre librave nisi lëvizjen kundër sunduesve vendas e të huaj dhe bëri të qartë gjendjen e myslimanëve dhe sidomos të palestinezëve. Libri Perspektiva e Palestinës, ndikoi thellë tek intelektualët dhe aktivistët e asaj kohe. Me internimin e imam Khomeinit në Turqi dh më pas në Irak në nëntor të vitit 1964, rezistenca e Ajetollah Hashemi Rafsanxhanit dhe e ndjekësve të tjerë të imam Khomeinit (ra) u fut në një fazë të re. Hashemi Rafsanxhani ashtu si dhe shumë nxënës dhe ndjekës të tjerë të imamit, së bashku me shumë aktivistë politikë dhe fetarë, ndiqeshin nga sigurimi i mbretit. Ai në atë kohë u arrestua dhe u torturua disa herë nga shërbimi sekret i Shahut i njohur me emrin Savak. Mirëpo këto arrestime dhe tortura nuk u bënë shkak për heqjen e vullnetit të tij dhe të ndjekësve të tjerë të imamit për të rezistuar përballë mbretit Shah. Ali Akbar Hashemi Rafsanxhani, edhe në burg ishte i palodhur. Ai çdo moment e përdorte për të shkruar libra, artikuj dhe shkrimë për revistën islame. Ajetollah Hashemi Rafsanxhani, edhe kur ishte jashtë burgut, përveç aktiviteteve politike dhe fetare kundër mbretit Shah, si një prej detyrave dhe obligimeve të tij kishte dhënien e ndihmës për familjet e të burgosurve. Hashemi Rafsanxhani ishte një prej figurave kryesore për organizimin e lëvizjes kundër shahut. Ai kishte lidhej të afërt me imam Khomeinin (ra) në kohën kur imami ishte në Irak dhe më pas në Paris. Në listën e hartuar prej imamit për këshillin revolucionar, Hashemi Rafsanxhani renditej ndër të parët. Hashemi Rafsanxhani ashtu siç ka qenë një ndër pionierët e lëvizjes në përballje me mbretin Shah dhe një prej ndjekësve të afërt të imam Khomeinit (ra) themeluesit të Republikës Islamike të Iranit, ai edhe pas fitores së revolucioni islamik ka luajtur rol të madh në forcimin e revolucionit, zhvillimin dhe progresin e Irani dhe në ruajtjen e uniteti mes grupeve politike.

Në emisionin e ardhshëm do të flasim për veprën dhe jetën e Ajetollah Hashemi Rafsanxhani pas fitores së revolucionit islamik.
 
						 
						