Roli aktiv i Iranit në traktatet ndërkombëtare
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i55320-roli_aktiv_i_iranit_në_traktatet_ndërkombëtare
Përfaqësuesit e 122 vendeve kundërshtare të armëve bërthamore në mesin e tyre edhe Irani, të premten më 7 korrik 2017 në selinë e OKB në Nju Jork, miratuan tekstin e paktit për ndalimin e plotë të ndërtimit, testimit, prodhimit, përfitimit, posedimit, deponimit, transferimit, përdorimit dhe kërcënimit me përdorimin e armëve bërthamore në çfarëdo rrethanash.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Korrik 13, 2017 10:10 Europe/Tirane

Përfaqësuesit e 122 vendeve kundërshtare të armëve bërthamore në mesin e tyre edhe Irani, të premten më 7 korrik 2017 në selinë e OKB në Nju Jork, miratuan tekstin e paktit për ndalimin e plotë të ndërtimit, testimit, prodhimit, përfitimit, posedimit, deponimit, transferimit, përdorimit dhe kërcënimit me përdorimin e armëve bërthamore në çfarëdo rrethanash.

(Në këtë edicion do të flasim rreth mbështetjes së Iranit ndaj traktatit për çarmatimin e armëve të shkatërrimit në masë)Përkrahësit e këtij traktati e kanë cilësuar atë si një sukses historik, ndërkohë që poseduesit e armëve bërthamore e quajnë atë "joreal" dhe thonë se ky traktat nuk ka kurrfarë ndikimi në reduktimin e depove bërthamore të cilat mbajnë me mijëra kapsula bërthamore.

Ky traktat është miratuar në kohën kur Amerika, Anglia, Franca dhe poseduesit e tjerë të armëve bërthamore, bojkotuan procesin e votimit të këtij traktati.

Reza Naxhafi, përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në ANEA, gjatë një prononcimi për media pas miratimit të këtij pakti, deklaroi: "Irani fuqimisht mbështet qëllimet e këtij pakti për ndalimin e posedimit dhe shfrytëzimit ose të kërcënimit me armë bërthamore në botë".

Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në ANEA në vazhdim vuri në dukje dekretin e liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit për ndalimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe vlerësoi pozitivisht iniciativën e kësaj konference për të vlerësuar edhe rolin e liderëve fetarë në përpjekjet për zhdukjen e plotë të armëve bërthamore, gjë që është theksuar edhe në tekstin e këtij pakti.

Republika Islamike e Iranit beson se për të pasur një botë të sigurt, ekziston nevoja që të shkatërrohen tërësisht të gjitha armët bërthamore. Irani në këtë drejtim deri më tani ka organizuar disa konferenca ndërkombëtare me pjesëmarrjen e ministrave të punëve të jashtme dhe të ekspertëve të lartë nga 60 vende dhe organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Në njërën prej këtyre konferencave të organizuar në prill të vitit 2011, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit me anë të një mesazhi ka thënë:

"...Shtimi i armëve bërthamore dhe i armëve të tjera të shkatërrimit në masë, si armët kimike dhe biologjike, konsiderohet kërcënim serioz kundër njerëzimit, prandaj populli i Iranit i cili vet është viktimë e përdorimit të armëve kimike, më shumë se popujt e tjerë e ndjen rrezikun e prodhimit dhe deponimit të armëve të këtij lloji".

Në mesazhin e liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit i cili u miratuar edhe si dokument i OKB, gjithashtu është theksuar: "Republika Islamike e Iranit është e gatshme që të vendosë në dispozicion të gjitha mjetet e saj në rrugën e përballjes me këtë rrezik". Dekreti fetar historik i liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit për ndalimin e përdorimit të armëve bërthamore gjithashtu ishte në këtë mesazh:

"Ne e konsiderojmë të ndaluar përdorimin e këtij lloji të armëve dhe përpjekjen për ta mbrojtur njerëzimin nga kjo katastrofë e madhe, e konsiderojmë detyrë për të gjithë njerëzit".

Armët e shkatërrimit në masë padyshim se përbëjnë një prej kërcënimeve më të rëndësishme globale kundër paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Dëshmitë historike tregojnë se përdorimi i armëve (kimike, biologjike dhe bërthamore), kanë shkaktuar tragjeditë më të mëdha njerëzore.

Edhe pse poseduesit e armëve bërthamore nuk po pranojnë të deklarojnë zyrtarisht statistikat e armëve dhe kapsulave bërthamore, mirëpo sipas llogarive më të fundit, mbi 23 mijë kapsula bërthamore ekzistojnë në botë dhe rreth 20 mijë prej tyre janë në posedim vetëm të Amerikës dhe Rusisë. Diplomacia ndërkombëtare në këtë fushë është bërë shkak që AP e OKB të miratojë disa rezoluta që më e rëndësishmja prej tyre është rezoluta 1665.

AP e OKB në këtë rezolutë ka theksuar nevojën e nënshkrimit të kësaj rezolute nga të gjitha vendet, e sidomos nga vendet poseduese të armëve bërthamore me qëllim të kontrollit dhe mos përhapjes së armëve bërthamore. AP e OKB në rezolutën numër 2028 të vitit 1965, gjithashtu ka kërkuar nga komiteti 18 anëtarësh për çarmatim që të përkushtohet në mënyrë urgjente në çështjet e mosshtimit të armëve bërthamore.

Traktati për mospërhapjen e armëve bërthamore i cili ka hyrë në fuqi për zbatim që nga viti 1970, kërkon nga poseduesit e armëve bërthamore që të shkatërrojnë armët e tyre. Ky traktat kërkon nga vendet poseduese të armëve bërthamore se përveç heqjes dorë nga prodhimi i armëve të reja bërthamore, gjithashtu, të mos transferojnë këto armë në vendet e tjera, të mos dislokojnë ato jashtë territorit të tyre dhe të shmangin bashkëpunimin me vendet e tjera për prodhimin e armëve bërthamore. Me gjithë faktin se çarmatosja bërthamore ishte prioritet i Kombeve të Bashkuara për gati gjysmë shekulli, mirëpo asnjëri prej 9 shteteve që posedojnë armë bërthamore, do të thotë Amerika, Rusia, Anglia, Kina, Franca, India, Pakistani, Koreja Veriore dhe regjimi sionist si poseduesi i vetëm i armëve bërthamore në Lindjen e Mesme, nuk kanë marrë pjesë në këto negociata. Shumica e vendeve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike (NATO), gjithashtu, nuk kanë marrë pjesë në këto negociata.

Sfida ekzistuese në rrugën e çarmatimit dhe kontrollit të armëve tregon se akoma nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i vërtetë në idetë rreth armëve bërthamore. Në këtë fushë veprimet sabotuese të Amerikës në fushën e çarmatimit dhe kontrollit, vërtetojnë më së miri këtë çështje. Largimi nga traktati për kufizimin e raketave anti-balistike, kundërshtimi me miratimin e traktatit për ndalimin e plotë të testimeve bërthamore dhe kundërshtimi me traktatin gjithëpërfshirës për ndalimin e armëve bërthamore, janë pasojat e kësaj politike.  

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit në një deklaratë e cila u publikua në faqen e internetit të DASH, në mënyrë të qartë ka deklaruar se Amerika nuk do të mbështet këtë traktat. Heather Nauert, zëdhënësi i DASH, në deklaratën e tij ka shkruar: "Negociatat në lidhje me një traktat i cili në mënyrë sipërfaqësore synon ndalimin e armëve bërthamore, kanë përfunduar më 7 korrik të vitit 2017 në Nju Jork. Amerika nuk ka marrë pjesë në këto negociata dhe nuk do ta përkrahë këtë traktat. Asnjë prej shteteve të cilat posedojnë armë bërthamore nuk kanë marrë pjesë në këtë traktat dhe asnjë prej aleateve të Amerikës të cilët mbështetën në mbrojtjen bërthamore afatgjate, nuk kanë përkrahur tekstin përfundimtar të këtij traktati".

Republika Islamike e Iranit shumë herë ka deklaruar se armët e shkatërrimit në masë si armët bërthamore, nuk kanë kurrfarë pozite në doktrinën e saj mbrojtëse. Në bazë të kësaj, Irani me pjesëmarrjen në qarqet ndërkombëtare përkatëse me Traktatin për Ndalimin e Përhapjes së Armëve Bërthamore, ka mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për shkatërrimin e plotë të armëve bërthamore dhe për realizimin e çarmatosjes së armëve bërthamore. Në këtë kuadër si shembull mund të përmendet pjesëmarrja aktive e Iranit në mbledhjet e OKB sidomos në mbledhjet e AP të OKB të zhvilluara në lidhje me çështjet përkatëse me çarmatimin bërthamor dhe ndjekjen e këtij procesi në OKB.

Me ndjekjen e procesit nga vendet islame dhe sidomos nga vendet e rajonit të Lindjes së Mesme si Republika Islamike e Iranit, një rezolutë u miratua në konferencën për rishikim të zhvilluar në vitin 1995, e cila thekson krijimin e një rajoni të pastër nga armët bërthamore në Lindjen e Mesme.

Republika Islamike e Iranit prodhimin dhe përdorimin e këtij lloji të armëve e konsideron në kundërshtim me parimet dhe bindjet e saj dhe si një veprim jomoral dhe jonjerëzor.

Imam Khomejni (ra), themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, gjatë një deklarate dënoi politikën e poseduesve të armëve bërthamore dhe tha: "Nëse ata do të prodhojnë sasi të madhe të armëve bërthamore, bota mund të shkojë drejt shkatërrimit. Prandaj, të gjithë aktivistët, shkrimtarët, intelektualët, universitarët dhe shkencëtarët në të gjithë botën ku do të që të jenë, duhet të informojnë qytetarët për rrezikun e armëve bërthamore në mënyrë që turmat e popujve të qëndrojnë përballë fuqive bërthamore dhe të mos lejojnë përhapjen e armëve bërthamore".

Rezoluta e propozuar nga Republika Islamike e Iranit rreth zbatimit të zotimeve të vendeve anëtare të Traktatit për Ndalimin e Përhapjes së Armëve Bërthamore me temë kryesore pastrimin e rajonit të Lindjes së Mesme nga armët bërthamore, është një prej planeve që u miratua në takimin e 66-të të AP të OKB. Rezoluta e propozuar nga Republika Islamike e Iranit u bënë thirrje vendeve poseduese të armëve bërthamore që t'i përshpejtojnë masat për shkatërrimin e plotë të armëve bërthamore në bazë të parimeve të transparencës, të moskthimit dhe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Republika Islamike e Iranit në zbatimin e këtij traktatit, gjithnjë ka theksuar dy parime të rëndësishme dhe themelore. Parimi i parë, është zbatimi pa diskriminim i të gjitha rregullave për të gjitha vendet anëtare të traktateve të tilla. Parimi i dytë, është moskrijimi i pengesave në rrugën e përdorimit paqësor të lëndëve dhe teknologjisë atomike për zhvillimin dhe mirëqenien e vendeve në zhvillim.

Pjesëmarrja në konferencat për rishikimin e traktatit për ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe shoqërimi me vendet anëtare të grupit NAM në çuarjen përpara të procesit për çarmatim bërthamor, i cili organizohet një herë në pesë vite, janë prej veprimeve nëpërmjet të cilave Irani është përkushtuar në këtë fushë dhe deri më tani këto veprime kanë rezultuar të suksesshme në nivelin ndërkombëtar.

Irani me paraqitjen e çështjeve të reja në këto takim, për herë të parë ka arritur të konfirmojë çështje të tilla si moszbatimin e rregullores së këtij traktati nga ana e vendeve bërthamore dhe të disa vendeve perëndimore.

Në fund duhet thënë se Republika Islamike e Iranit për shkak të kundërshtimit parimor me armët bërthamore dhe si një vend anëtar i traktatit për ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore, ka bërë shumë përpjekje për realizimin e çarmatosjes bërthamore në të gjitha qarqet ndërkombëtare përkatëse, sidomos në konferencat për rishikimin e traktatit dhe në takimet e organeve të OKB. Mbështetja e Republikës Islamike të Iranit ndaj traktatit të plotë për ndalimin tërësisht të ndërtimit, testimit, prodhimit, përfitimit, posedimit, deponimit, transferimit, përdorimit dhe kërcënimit me përdorim të armëve bërthamore në takimin e OKB në Nju Jork, gjithashtu është bërë në kuadër të këtyre parimeve.