Nata e Jaldasë, manifestim i ndriçimit dhe jetës
Nata e Jaldasë, është nata e mirëseardhjes dhe mirëpritjes. Nata e Jaldasë, është nata e mirëpritjes së ndriçimit dhe rrezeve të diellit.
Nata e Jaldasë, është nata e të dashuruarve që kanë humbur zemrën duke shpresuar në lindjen e rrezeve ndriçuese në qiellin e bukur të agimit të së nesërmes. Nata e Jaldasë, është nata e kremtimit dhe nata e festimit të iranianëve, është nata në të cilën festohet një prej festave të vjetra të kulturës iraniane.
Iranianët dhe të gjithë popujt të rajoneve të cilët kanë jetuar në territorin e kulturës iraniane, për shumë shekuj, në natën e fillimit të stinës së dimrit e cila është nata më e gjatë e vitit, festojnë këtë natë nëpërmjet veprimeve, sjelljeve dhe simboleve të ndryshme. Nata e Jaldasë është rezultat i vështrimit të kulturës iraniane ndaj këtij fenomeni natyror dhe konsiderohet festa më e rëndësishme iraniane pas Novruzit.

Historiku i shfaqjes së kësaj feste dimërore, daton që nga kohërat e lashta dhe mund ta konsiderojmë të lashtë aq sa është historiku i manifestimit të ditës së "Lindjes së Diellit" në ditën e parë të fillimit të revolucionit dimëror që në terminologjinë e vjetër quhet "Khorram Ruz". Kjo festë dimërore ka rëndësi të madhe në jetën e bazuar mbi bujqësinë dhe bagëtinë, prandaj ka qenë një prej festave më të përhapura iraniane në mesin e shtresave fshatare.
Çelësi i qëndrueshmërisë së festës së natës Jalda nga koha antike deri në kohën tonë, përfshinë disa faktorë që më të rëndësishmet prej tyre janë si në vijim: lidhja e natës së Jaldasë me natyrën dhe fillimi i stinës së re në ciklin e vitit që përsëritet me një sistem të përkryer natyror për çdo vit; varësia e kësaj feste natyrore me metodën dhe stilin e jetës dhe llojin e punës së shtresave bujqësore dhe fshatare iraniane; si dhe vazhdimësia dhe reflektimi i identitetit kulturor antik iranian në natyrën e kësaj nate.
"Jalda" është një fjalë nga gjuha Siriak që do të thotë "lindje". Sipas bindjeve të iranianeve të vjetër, dielli lind në natën e fundit të stinës së vjeshtës, do të thotë në natën e fundit të muajit "Azar". Ebu Rejhan Biruni, shkencëtar dhe astrolog i njohur iranian i shekujve 10-11 të eresë së re, këtë festë e ka quajtur me emrin "Milad Akbar" (Lindja e Madhe) dhe konsideron se qëllimi i kësaj feste është "lindja e diellit". Koha e saktë e kësaj "Lindje të Madhe" që ka për qëllim Biruni, mund të vërehet më së miri në veprën "Al-Tanbih va Al-Ashraf" të autorit Mas'udi. Mas'udi, historian dhe shkencëtar mysliman i shekullit 10 të erës së re, në këtë vepër ka bërë ndarjen e vitit në katër stinët dhe në këtë vepër kur flet për stinën e tretë ose vjeshtën, thotë se nata e fundit e vjeshtës është një natë para revolucionit dimëror ose dita e 22-të e muajit "kanun aval" të kalendarit Siriak që përkon me 22 dhjetor të kalendarit gregorian ose më 1 dej të kalendarit iranian. Biruni ditën e parë të muajt "dej" të kalendarit iranian e ka quajtur edhe me fjalën khur ndërsa në disa burime të tjera këtë ditë e kanë quajtur khurram ruz. Poeti i njohur iranian Firdosi duke u bazuar në burimet e tij, festimin e natës së Jaldasë ose festës "khur ruz" e ka lidhur me mbretin Hushang të dinastisë Pishdadi të Persisë së lashtë.
Nata e Jaldasë quhet edhe me emrin "Çele" (dyzetë) dhe kjo është për këtë arsye se periudha kohore nga dita e parë e muaj dej deri në ditën e 10-të të muajit bahman të kalendarit iranian që bëjnë gjithsej 40 ditë, quhet "dyzetëditëshi i madh" dhe në të kaluarën besohej se kulmi i acarit të dimrit është në këtë periudhë dyzetëditore. Në natën e Jaldasë, njerëzit gjithë natën e kalojnë duke pritur lindjen e diellit dhe duke treguar tregime legjendare dhe mitologjike, duke cituar tregime nga vepra Shahname e Firdosit, duke lexuar poezi nga Divani i Hafizit ndërsa në ushqimin kryesor gjatë kësaj nate dominojnë frutat e thara. Sipas një bindje të vjetër, dielli me lindjen e tij, do të ngadhënjejë mbi errësirën dhe të keqën e errësirës, ndërsa rrezet e tij ndriçuese do t'i largojnë të gjithë të këqijat e errësirës nga jeta e njerëzve.

Festa e natës së Jaldasë
Një prej karakteristikave të veçanta të kësaj nate, është parashikimi i fatit dhe i të ardhmes. Ky veprim është një prej traditave të lashta të popullit iranian i cili bëhet edhe në çdo fillim të stinës së re të vitit. Ali Bulukbashi, shkrimtar dhe studiues iranian, në lidhje me këtë, shkruan: "Kjo traditë ka ekzistuar edhe në civilizimet më të lashta si ai babilonas, siç ishte parashikimi i së ardhmes ose i fatit në festën "Akitu" me qëllim të njohjes së fatit. Iranianët në natën e Jaldasë për manifestimin e kësaj tradite, përdorin poezinë e poetit të njohur iranian Hafiz për të parashikuar të ardhmen dhe fatin sepse ky është një prej llojeve më të përhapura të shikimit të fatit nëpërmjet poezive të poetit Hafiz në mesin e iranianëve. Njerëzit duke shikuar fatin e tyre nëpërmjet poezive të poetit Hafiz, kërkojnë ndihmë te poezitë e tij për tu njohur me rrugëzgjidhjet në lidhje me fatin dhe të ardhmen e tyre. Këndimi i poemës së Shahnames dhe transmetimi i tregimeve epike të Firdosit, është një traditë tjetër e përhapur në natën e Jeldasë. Përveç kësaj, në natën e Jeldas vërehen edhe tradita dhe zakone të tjera që manifestohen në mesin e popullit iranian që nga kohërat e lashta e deri më sot. Këto tradita dhe zakone gjithashtu kanë aspekte të veçanta për rajone dhe kultura vendore dhe mund të jenë të ndryshme nga një rajon në rajonin tjetër".
Megjithatë, ajo çfarë është e njëjtë në mesin e të gjithë iranianëve, është mbledhja e anëtarëve të familjes, miqve dhe të afërmeve së bashku në natën e Jaldasë në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe kalimi i natës së fundit të vjeshtës së bashku me njëri-tjetrin. Njerëzit duke ndjekur traditën e vjetër të të parëve të tyre, në këtë natë shtrojnë një sofër dhe ulën rreth saj dhe festojnë kalimin nga stina e vjetër në stinën e re. Në disa rajone të Iranit këtë sofër e quajnë "khan shab çere" e cila në çdo rajon ka ndryshime të dukshme sipas nevojave klimatike, shoqërore dhe kulturore të ambientit dhe shoqërohet me tradita kulturore të ndryshme. Mirëpo në përgjithësi kjo sofër stoliset me ushqimet dhe fruta vjeshtore të përhapura në rajon dhe sidomos në këtë sofër dominojnë tre fruta kryesore: molla, shega dhe shalqiri duke u shoqëruar me një kombinim frutash të terura ose të thara. Ngrënia e shalqirit dhe e shegës në natën e Jaldasë ka kuptim enigmatik dhe simbolik sepse shalqiri dhe shega të kuqe dhe të rrumbullakët, konsiderohen simbol i diellit të ngrohtë në të ftohtin e dyzetëditëshit të dimrit dhe ngrënia e këtyre frutave e ndihmon shëndetin e njeriut në stinën e ftohtë të dimrit. Një prej frutave të thara që përdoret në natën e Jaldasë, është fara e lulediellit. Ky frutë hahet duke kujtuar këtë bimë që simbolizon diellin dhe konsiderohet si frutë i bekuar. Në Iran për shkak të ngjashmërisë që ka luledielli (Helinanthus annuus) me diellin dhe rrotullimi i saj gjithmonë me fytyrë përball diellit, quhet luledielli.

Frutat e thara sidomos fara e lulediellit, është një prej ushqimeve të veçanta të natës së Jaldasë.
Nata e Jaldasë ka një reflektim të gjerë në fushën e letërsisë persiane dhe në artin e Iranit dhe artistët iranianë në periudha të ndryshme historike, në shumë raste kanë paraqitur traditat dhe zakonet e ndryshme të kësaj feste. Për shembull, fjala "Jalda" është përdorur në raste të ndryshme në pozitë dhe veprat e poetëve dhe shkrimtarëve iranianë si Unsuri, Mevlana, Hafiz Shirazi, Sa'di Shirazi, Atar Nishaburi, Naser Khosro Ghobadjani, Saeb Tabrizi dhe Mas'ud Sa'd Selman. Këta poetë fjalën "Jalda" e kanë përdorur në kuptimin figurativ me kuptim "e gjatë dhe e errët". Përveç kësaj, disa poetë me imagjinatë dhe poetikë të bukur, në poezitë e tyre bistakun e gjatë dhe të zi të femrave të bukura e kanë krahasuar me natën e Jaldasë. Mirëpo Sa'di Shirazi, mjeshtri i oratorisë, në një prej poezive të tij ka respektuar edhe këtë traditë poetike, por edhe ka vë ndukje dy tradita dhe festa iraniane. Ky poet i madh në poezinë e tij ka thënë:
Shikimi i fytyrës tënde për çdo mëngjes, është sikur festa e Novruzit
Nata e ndarjes nga tij, kurdo që të jetë, është sikur një natë e Jaldasë
Me të gjithë përshkrimet që bëmë në lidhje me këtë traditë iraniane, ndoshta ju mund ta shtroni edhe këtë pyetje se në botën e shekullit 21 në të cilën po jetojmë ne, manifestimi i festave si nata e Jaldasë ose i festës së Novruzit, çfarë mesazhi mund të ketë për njeriun e sotëm ose çfarë mund të jetë roli dhe funksioni shoqëror i këtyre festave në jetën e njerëzve?!
Realiteti është ky që bota në të cilën jetojmë ne sot, na ka preokupuar neve aq shumë dhe na ka zhytur neve aq shumë në problemet e saj saqë është shumë vështirë të lirohemi nga këto preokupimeve. Edhe aty-këtu dëgjohen zëra se bota po bënë hapa në rrugën e racionalizmit dhe arsyes, mirëpo kjo rrugë ka ndarë njerëzit nga njëri-tjetri dhe ka reduktuar dhe shkëputur pak a shumë lidhjet e tyre të dashurisë dhe komunikimit. Në këtë kuadër në mënyrë graduese po humbin rëndësinë edhe pretendimet të cilat insistonin se me daljen në skenë të rrjeteve sociale po forcohet lidhja mes njerëzve, sepse me kalimin e kohës është vërejtur se këto mjete komunikimi vetëm po e shtojnë vetminë e njeriut. Në bazë të hulumtimeve më të fundit, individët në këto rrjete sociale vetëm po paraqiten se janë në gjendje të mirë dhe kanë kushte të përshtatshme. Rezultati i këtyre hulumtimeve ka treguar se individët të cilët mbi 58 herë kontrollojnë rrjetet sociale gjatë javës, ndjehen të vetmuar tre herë më shumë se individët të cilët gjatë javës 9 herë kontrollojnë rrjetet sociale.
Në kushte të tilla nëse njeriu me të gjithë racionalizmin, dëshiron të ketë një jetë të qetë dhe një shpirt të shëndoshë në botën e sotme, është i detyruar të informohet rreth thelbit të kulturës së vjetër të shoqërive të cilat kanë ndërtuar njeriun tradicional të djeshëm dhe njeriun modern të sotshëm dhe e kanë edukuar atë në gjirin e vetë. Festa e natës së Jaldasë dhe festat e tjera iraniane të cilat që të gjitha kanë ardhur nga periudha e kulturës së lashtë persiane, secila prej tyre me traditat e veta të veçanta në formë simbolike, i japin kuptim dhe vlerë vazhdimit të jetës në vend dhe kohë. Roli dhe funksioni më i vogël i këtyre festave, ndoshta është pikërisht mbledhja e individëve dhe anëtarëve të familjes dhe miqve në një vend së bashku dhe forcimi i lidhjeve familjare dhe i marrëdhënieve shoqërore mes pjesëtarëve të shoqërisë dhe largimi nga vetmia. Mirëpo roli dhe funksioni i këtyre festave i cili duket më themelor dhe më i rëndësishëm, është krijimi i unitetit dhe bashkimit kulturor mes të gjithë individëve të shtresave të ndryshme të shoqërisë së Iranit, pa marrë parasysh se çfarë grupi etnik dhe feta i takojnë, si dhe forcimi i identitetit kulturor dhe kombëtar të iranianëve në të gjithë botën e kulturës iraniane. Në këtë mënyrë, festa e natës së Jaldasë mund të shikohet nga ky aspekt dhe manifestimi i saj të konsiderohet si një prej nevojave të kushteve jetësore të njeriut.