Novruzi në Iran
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i71546-novruzi_në_iran
Në këtë program do të njihemi me traditat dhe zakonet e Novruzit në mesin e iranianëve kurdë, baluç dhe bakhtjari.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Mars 23, 2018 10:09 Europe/Tirane

Në këtë program do të njihemi me traditat dhe zakonet e Novruzit në mesin e iranianëve kurdë, baluç dhe bakhtjari.

Irani me praninë e grupeve të ndryshme etnike, ka një formë të larmishme të popullsisë, mirëpo kremtimi i festës së Novruzit në mesin e të gjithë banorëve të Iranit dhe natyrisht në mesin e iranianëve me qëndrim jashtë vendit, konsiderohet faktor për bashkimin e dhe unitetin kombëtar. Në bazë të kësaj, Novruzi konsiderohet një prej festave më të rëndësishme kombëtare në Iran dhe grupet e ndryshme etnike iraniane larg fanatizmave etnike dhe fetare, ulën rreth një sofre dhe kremtojnë me dashuri këtë festë. Në programin e kaluar u njohëm me traditat e festës së Novruzit në mesin e disa grupeve iraniane si turqve azeri dhe fiseve endacake. Në këtë program do të përkushtohemi në njohjen me traditat dhe zakonet e festës së Novruzit në mesin e grupeve të tjera etnike iraniane. Iu ftojmë të na ndiqni në vazhdim.

Festa e Novruzit në mesin e turkmenëve të Iranit

Iranianët turkmenë, ashtu sikur bashkatdhetarët e tyre, nëpërmjet pritjes së vitit të ri dhe zhvillimit të ceremonive të Novruzit, tregojnë një vëmendje të veçantë ndaj kësaj feste. Në mesin e turkmenëve ekziston një proverbë e njohur e cila thotë: “Jiling goleni novruzdan beleli” që do të thotë se Novruzi lajmëron ardhjen e vitit të ri. Kjo proverbë tregon rëndësinë e lartë të festës së Novruzit në mesin e turkmenëve. Në muajin esfand (muajin e fundit sipas kalendarit iranian), bëhen përgatitje të ndryshme si mbjellja e barit të gjelbër, pastrimi i shtëpisë, larja e tapetave, ngjyrosja e shtëpive, blerja e rrobave, përgatitja e ëmbëlsirave dhe blerja artikujve të ndryshëm ushqimor si orizi dhe frutat e terura. Disa prej turkmenëve sipas një tradite të lashtë, marrin një pe të bardhë dhe një të zi e lidhin mes vete dhe mes tyre vendosin espand, kundër syrit të keq, rruaza, krip, daghdan (një lloj druri që konsiderohej i shenjtë në mesin e turkmenëve të lashtë) dhe pastaj e varin atë mbi portën hyrëse të shtëpisë. Zbukurimi i kafshëve si rregullimi i pajisjeve të kalërimit me zbukurime të ndryshme dhe ngjyra-ngjyra për kuajt, si dhe varja e zileve në qafën e deleve, janë shenja që tregojnë ardhjen e vitit të ri. Para ardhjes së vitit të ri në ditën e enjte dhe të premte, turkmenët shpërndajnë ushqime të ndryshme për shpirt të të vdekurve të tyre si dhe në kuadër të lëmoshës sepse besojnë se shpirti i të vdekurve kthehet në shtëpinë e tyre dhe nëse e she të pastër vendin e vet dhe të pasardhësve të tij të ndjejë aromë të bukur, bëhet i lumtur dhe i gëzuar dhe lutet për pasardhësit e vet, në të kundërtën ai pikëllohet dhe mërzitët. Për këtë arsye disa ditë para Novruzit, turkmenët në shtëpitë e tyre vendosin aroma të bukura. Para ndërrimit të vitit, gratë turkemene përgatisin ushqimet speciale si Samanu, bukë dhe ëmbëlsirat tradicionale të këtyre rajoneve si burak, ghatilama, patir dhe pasik dhe dy rrathë bukë i lidhin me një pe dhe i varrin në murin e dhomës në shenjë të begatisë. Në kohën e ndërrimit të vitit, turkmenët ndezin dritat dhe hapin dritaret në mënyrë që në shtëpi dhe dhoma të hyjë ajri i freskët pranveror dhe begatia të shtohet më shumë, ndërsa më i moshuari i familjes hap Kur’anin dhe lexon disa ajete kur’anore në mënyrë që viti i ri të jetë një vit frytdhënës dhe me plotë begati, me shëndet dhe mirësi për anëtarët e familjes dhe me plotë suksese. Në këtë ditë të gjithë anëtarët e familjes pastrohen dhe veshin rrobat të reja dhe falin dy rekat namaz në shenjë falënderimit. Familjet në fillim të vitit të ri shkojnë të vizitojnë varret e të parëve dhe duke therë dele dhe duke dhënë lëmosh dhe duke kryer vepra bamirësie, falënderojnë Zotin dhe luten pranë Tij për plotësimin e nevojave të tyre. Disa tradita dhe zakone si esbadvani, mundje, kërcim nga lartësia për të marrë fasuletën, lufta mes gjelave, lufta mes ballicave, janë tradita që kanë mbetur nga lashtësia dhe aktualisht zhvillohen më pak.

Ëmbëlsirat tradicionale të turkmenëve për festën e Novruzit

Popullata baluçe ashtu si grupet e tjera etnike të Iranit, festojnë pranverën e natyrës dhe lulëzimin e luleve pranverore dhe gjatë këtyre ditëve përveç festimit dhe zhvillimit të ceremonive të ndryshme të festës së Novruzit dhe festës së natyrës, zbatojnë edhe tradita dhe zakone të ndryshme.

Ceremonia speciale e pranverës dhe festat e stinës pranverore dhe të festës së Novruzit në rajonin Makran të Baluçistanit në të shumtën e rasteve janë të lidhura me pemën e hurmave dhe pallmave. Në shenjë të fillimit të stinës së pranverës qysh në fillim dhe para ndërrimit të viteve, mbi portat e shtëpive e tyre, banorët e këtij rajoni i zbukurojnë ato duke vendosur degë me gjethe të gjelbëruara të pemës së hurmës dhe pallmës. Një tjetër zakon i ditëve të Novruzit në rajonin Makran të Baluçistanit është mbjellja e fidanëve të hurmave dhe pallmës në ditën e parë të pranverës dhe të festës së Novruzit. Për këtë qëllim, banorët e këtij rajoni degët dhe fidanët e pemës së pallmës dhe të hurmave të cilat më parë sipas zakonit të veçantë dhe me mjete speciale i kanë ndarë nga trupi kryesor i pemës së hurmave dhe pallmave dhe i kanë vendosur në ujë për t’u gjelbëruar dhe përgatitur për mbjellje, në ditën e parë të pranverës dhe gjatë ndërrimit të viteve, këto fidanë nga ana e më të mëdhenjve dhurohen si dhuratë e Novruzit për më të vegjlit. Ata gjithashtu i udhëzojnë më të vegjlit se si duhet t’i mbjellin në tokat bujqësore. Këto fidanë të hurmave dhe pallmave të cilat mbillen me dorën e personit, quhen “daste nahal” dhe fidani i mbjell që nga kohe e mbjelljes i përket personit i cili e ka mbjell atë.

Popullata e rajonit Baluçistan në stinën e pranverës dhe në ditët e Novruzit, të gjithë janë të gëzuar dhe të lumtur dhe shfrytëzojnë çdo rast për manifestimin e gëzimit të tyre. Pikërisht në këto ditë feste organizohet edhe dasmat dhe martesat e çifteve të reja dhe me rastin e këtyre gazmoreve, organizohet ceremonia e kërcimit dhe valleve tradicionale për shtatë ditë e shtatë net. Në ditët e festës së Novruzit zhvillohet edhe ceremonia e këndimit të epëve për çdo natë nga ana e rapsodëve nëpër kuvende dhe oda të prijësve të fiseve. Rapsodët këndojnë poezi dhe këngë nga historia e kaluar dhe përkujtojnë trimëritë e burrave dhe sakrificën e popullatës Baluç përball agresorëve të huaj dhe pastaj me përshkrimin e atdheut dhe bukurive të tij natyrore, përshkruajnë edhe pranverën dhe festën e Novruzit dhe në fund të çdo kuvendi të mbrëmjes pas këndimit të epëve me pjesëmarrjen e prijësve të fiseve, zhvillohet edhe vallja tradicionale. Me ardhjen e pranverës, natyra e rajonit Baluçistan fillon një jetë të re dhe popullata baluçe gjallërohet ashtu siç gjallërohet edhe natyre e këtij rajoni, prandaj me unitet dhe solidaritet zhvillojnë vizitat nëpër të afërmit e tyre dhe më lëmoshë dhe bamirësi të ndryshme, gjallërojnë zemrat dhe largojnë urrejtjet dhe mosmarrëveshjet duke filluar kështu një jetë të pastër në shoqërinë spirituale dhe me plotë vlera njerëzore.

Festa e Novruzit në mesin e popullatës baluçe

Festa “Bahargahi” (koha e pranverës) është një prej ceremonive që zhvillohet në rajonin e Baluçistanit. Kjo ceremoni tradicionale festuese vazhdon të zhvillohet në mesin e shumicës së popullatës baluçe duke përfshirë banorët e zonave urbane, rurale dhe fiset endacake. Kjo festë tradicionale në Baluçistan më së shumti zhvillohet në mënyrë kolektive dhe me një sistem dhe rend të veçantë dhe duke marrë parasysh faktin se popullata baluçe përbëhet nga shumë fise dhe grupe të ndryshme familjare, secili prej tyre me ftesë të prijësve të fiseve, merren me programimin dhe organizimin e këtyre festave të cilat u kanë lënë etërit dhe gjyshërit e tyre si festat më të rëndësishme të popullatës baluçe. Në Baluçistan nëse gjatë ditëve të festës së Novruzit lind një fëmijë mashkull, atë e emërojnë “Novruz” ose “Nabruz”. Nëse fëmija do të jetë femër, atë e emërojnë me emrin e luleve ose të bimëve kuruese të cilat zhvillohen në atë rajon.

Ceremonia “Halak ladi” ose “Dadom Ladi” ka kuptimin e transferimit të vendbanimit dhe të tendave të fiseve endacake nga zonat dimërore në kullosat pranverore dhe verore. Kjo ceremoni zhvillohet në territorin e rajonit Baluçistan. Në këtë mënyrë gjatë një ceremonie të veçantë tendat mblidhen nga vendbanimi i mëparshëm dhe me mbledhjen e të gjithë pjesëtarëve të fisit në një valle në formë rrethi, këndohen këngë tradicionale të veçanta të cilat quhen “Liku”. Në këtë mënyrë fisi endacak përshëndetët me vendbanimin dimëror dhe pas marrjes së lejes nga më të moshuarit, niset drejt vendbanimit të ri pranveror. Pas arritjes në kullosat pranverore, përsëri me zhvillimin e një ceremonie të veçantë “Bahargahi” dhe me këndimin e këngëve në mënyrë kolektive me tematikë përshkrimin e kullosave dhe natyrës së gjelbëruar, pjesëtarët e fisit fillojnë ngritjen e tendave.

Ceremonia Bahargahi në mesin e popullatës baluçe

Kurdët si një prej grupeve etnike iraniane, festën e Novruzit e kremtojnë në mënyrë madhështore dhe në kremtimin e kësaj feste të lashtë, ndjekin tradita dhe zakone të veçanta të cilat tregojnë historinë dhe kulturën e lashtë të këtij grupi etnik. Mirnovruzi, ndezja e zjarrit, vizita e të afërmeve dhe lojërat e lashta tradicionale, janë disa prej traditave dhe zakoneve të veçanta për festën e Novruzit në mesin e kurdëve. Banorët e Kurdistanit një muaj para ardhjes së festës së Novruzit, duke ndjekur traditat e të parëve, me mbjelljen e farërave të grurit ose të drithërave të tjera në enë të ndryshme, mirëpresin festën e Novruzit. Dallimi i festës së Novruzit në Kurdistanin e Iranit me atë të rajoneve të tjera të Iranit, qëndron këtu se kurdët në natën e Novruzit ndezin zjarr mbi çati të shtëpive dhe mbi bjeshkë ose kodrina rreth qytetit apo fshatit. 

Ceremonia tradicionale “Hame Lave Malave” është një prej ceremonive të veçanta për rajonet e banuara me popullatë kurde dhe zhvillohet në ditët e fundit të vitit ku aktorë kryesorë të kësaj ceremonie janë fëmijët dhe adoleshentët. 

Në këtë ceremoni shumica e fëmijëve shkojnë pranë portës së shtëpive dhe duke trokitur atë, në gjuhën kurde thonë: “Hame Lave Malave, djali juaj u bëftë dhëndër ose vajza juaj u bëftë nuse”. Pastaj i zoti i shtëpisë u jep dhurata fëmijëve. Në të kaluarën dhurata më e mirë që mund të merrnin fëmijët, ishin vezë. Kjo ceremoni aktualisht zhvillohet akoma në fshatra.

Ceremonia “Kuse Gardi” është një ceremoni tjetër tradicionale e vjetër në Kurdistan e cila zhvillohet një nata para ndërrimit të viteve. Një ceremoni e ngjashme me këtë ekziston edhe në zonat e banuara me popullatë turke-azari e cila quhet “Kuse Golin”.

Kjo ceremoni është një prej lojërave dhe shfaqjeve e cila si një lajmëtar i pranverës dhe përfundimit të dimrit dhe gjallërimit të natyrës, zhvillohet nga një grup katër personash. Në këtë ceremoni një kukull në formën e një kafshe e cila mban në dorë një drapër, niset në rrugë dhe një person tjetër që ka vendosur një litar në qafën e kukullës, e tërheq atë pas vetes. Kjo ceremoni gjithashtu, aktualisht zhvillohet në fshatra.

Ceremonia Kuse Gardi

Popullata Bakhtjari me pastrimin e shtëpive që fillon zakonisht dy javë para Novruzit, përgatiten për ta pritur Novruzin dhe vitin e ri. Mbjellja e grurit në një enë për ta përdoruar atë si gjelbërim në sofrën Haftsin, kryesisht fillon dhjetë ditë para Novruzit.

Në rajonin Bakhtjari, për shkak të pozitës gjeografike dhe klimës së përshtatshme për bujqësi, njerëzit i japin rëndësi të madhe gjelbërimit dhe besojnë se gjelbërimi është shenjë e fillimit të vitit të gjelbëruar dhe me plotë begati sidomos në fushën e bujqësisë.

Në të kaluarën e largët, barin e gjelbër për sofrën Haftsin e shkulnin nga toka dhe pastaj e vendosnin në një enë me dhe ndërsa për të qëndruar i gjelbër, e ujitnin atë.

E mërkura e fundit e vitit që quhet “Çaharshanbe Suri” në këtë rajon gjithashtu ka një histori të lashtë. Të mërkurën mbrëma ose në mbrëmjen para të mërkurës së fundit të vitit, njerëzit duke ndezur zjarr dhe duke kaluar mbi zjarr, luten për shëndet, furnizim dhe për mbarim të pikëllimit.

Përgatitja e grurit të pjekur i cili quhet “Gandom Budade”, është një ceremoni tjetër tradicionale e lashtë në këtë rajon. Për përgatitjen e grurit të pjekur, grurin pas larjes, e ziejnë me qumësht dhe pastaj e përgatisin në tavë me saç ose furrë. Grurin e pjekur e përziejnë me oriz dhe pastaj në ditët e festës së Novruzit e vendosin në tryeza të mysafirëve. 

Ceremonitë tradicionale të Novruzit në mesin e popullatës Bakhtjari

Para ndërrimit të viteve, e shtrojnë sofrën Haftsin. Fiset endacake të popullatës Bakhtjari njëkohësisht me ndërrimin e viteve, shpërngulen në rajonet më të gjelbëruara dhe në ato rajone ndërtojnë tendat e tyre. Në kohën e ndërrimit të viteve, personi më i moshuar në familje merr Kur’anin dhe lexon disa ajete kur’anore duke u lutur që të gjithë pjesëtarët e familjes dhe fisit të kenë një vit të begatshëm.

Babai i familjes më parë vendos monedha në mes faqeve të Kur’anit dhe pas ndërrimit të viteve, ato i ndan mes pjesëtarëve të familjes. Këto monedha janë shenjë e begatisë dhe furnizimit të mirë.

Një prej ceremonive të tjera që zhvillohet në mesin e popullatës Bakhtjari në stinën e pranverës, përbëhet nga organizimi i lojërave tradicionale vendore të cilat shoqërohen edhe me vegla muzikore.