Novruzi dhe lidhja e tij me njohjen e Krijuesit të Gjithësisë
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i71550-novruzi_dhe_lidhja_e_tij_me_njohjen_e_krijuesit_të_gjithësisë
Nga pikëpamja e atyre që kanë shije, pranvera është një rast i mirë për rileximin e librit të së vërtetës. Kjo është për arsye se kalimi i dimrit dhe ardhja e pranverës, është një lëvizje objektive dhe njeriu i cili është gjithashtu pjesë e natyrës, është krijuar për një qëllim të rëndësishëm.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Mars 23, 2018 10:11 Europe/Tirane

Nga pikëpamja e atyre që kanë shije, pranvera është një rast i mirë për rileximin e librit të së vërtetës. Kjo është për arsye se kalimi i dimrit dhe ardhja e pranverës, është një lëvizje objektive dhe njeriu i cili është gjithashtu pjesë e natyrës, është krijuar për një qëllim të rëndësishëm.

Pranvera dhe natyra e saj e bukur është një ekspozitë shumë e bukur dhe një tablo artistike e lexueshme nga libri i jetës që duke shfletuar fletët e tij si një erë e freskët, manifeston pamje të bukur të së vërtetës mbi pasqyrën e botës së krijimit. Ky manifestim i madhërishëm, është mësimi më i mirë për njohjen e Zotit. Po, me të vërtetë Zoti krijues ashtu sikur që ka shpallur urdhëresa për njohjen dhe udhëzimin e njeriut, ka shfaqur edhe një ekspozitë nga natyra e bukur për ata të cilët ndjekin arsyen në mënyrë që të kuptojnë sekretet dhe fshehtësitë e të vërtetës dhe nëpërmjet kësaj të arrijnë në njohjen dhe dashurinë e Zotit.

Vargje poetike:

Në atë ditë kur nuk ekziston dallim mes natës dhe ditës

Është shumë e bukur që të shikohet fusha dhe pamjet e pranverës

Thuaj sufiut që të dalë nga dhoma e asketizmit dhe të ngrejë një tendë në lulishte

Sepse tani nuk është koha që të qëndron në shtëpi i papunë

O bilbila tani erdhi koha e luleve, prandaj duhet të bërtisni nga entuziazmi

O i zgjuar, ti nuk je më pak i dehur se sa bilbili, prandaj bërtit

Krijimi i gjithi është qortim për të zotin e zemrës

Zemër nuk ka ai i cili nuk ka besim te Zoti

Pranvera është stina e bukurisë dhe lulëzimit. Në pranverë, pemët lulëzojnë dhe zhvillojnë gjethe të reja dhe japin fryte, prandaj me këtë ngjarje zbukurohet e gjithë natyre dhe ambienti. Një prej faktorëve që motivon njerëzit për të kaluar disa orë nga dita e tyre në natyrë, është pikërisht kjo bukuri e pranverës. Natyra ngjyra-ngjyra, krijimi i bukurive dhe atraktiviteti i pranverës, bëhet shkak që njeriu në bazë të natyrës së tij qenësore, ta pëlqejë stinën e pranverës. Mirëpo nga pikëpamja e atyre që ndjekin shijen, pranvera është libri i njohjes i cili për çdo vit hapet për njerëzit e urtësisë dhe shikimit të thellë në mënyrë që të shikojnë bukurinë e të Dashurit (Zotit) të tyre në fytyrën e lulëzimit të pranverës dhe me ripërtëritjen e shpirtit dhe mendimit të tyre, të harmonizohen me natyrën. Në realitet, viti i ri është një rast mirë që edhe njëherë t’i kujtojmë vetës kalimin e jetës në mënyrë që në entuziazmin pranveror të mos neglizhojmë dhe harrojmë faktin se po bëjmë një hap tjetër drejt fundit të jetës tonë, prandaj të mundohemi të çmojmë çdo çast të çmuar të jetës tonë.

Varg poetik:

Me një të dashur më të freskët se sa një tufë lule

Mos e humb gotën me verë dhe trupin e lules

Sepse të gjitha të mirat e jetës janë të përkohshme

Këmisha e jetës tonë është sikur këmisha e lules

Edhe Kur’ani i shenjtë, jetën e njeriut e krahason me një shi i cili bie nga qielli në tokë dhe pikat e tij që i japin jetë çdo gjëje, i vënë në lëvizje tokat e përgatitura. Nëpërmjet këtij shiu, zhvillohen bimët e llojllojshme dhe më pas lulëzimet dhe frutat dhe degët e tyre, zbukurojnë tokën dhe manifestojnë një skenë me plotë dinamizëm nga jeta. Njeriu duke shikuar këto fenomene të bukura, mund të zhytet në krenari dhe të mendojë se kjo sofër e shtruar, gjithmonë do të jetë në dispozicion të tij. Ndërkohë që pikërisht kjo bukuri e gëzueshme, mund të zhduket dhe shkatërrohet në një ditë të zdritur ose në një natë të errët.

Pranvera e cila është stina e jetës dhe stina zhvillimit dinamik, me shkëlqimin e fytyrës së natyrës dhe me ndryshimin e klimës dhe me manifestimin e gjallërisë dhe ripërtëritjes, ka shumë mesazhe për ata që ndjekin shijen, mesazhe që nuk mund t’i përfshimë të gjithë në këtë program. Prandaj, shkurtimisht do t’i paraqesim disa prej këtyre mesazheve.

Mesazhi më i rëndësishëm i Novruzit dhe pranverës, është mesazhi për njohjen e Zotit. Njohja e Zotit është një term i cili nuk është i paqartë për asnjë mysliman në mënyrë që të dëshirojë të paraqesë një përkufizim për këtë, sepse ai nga çfarëdo mënyre si nga feja, dëgjimi etj., dhe sidomos duke menduar në qenien e vet, e kupton më së miri këtë të vërtetë. Zoti i madhëruar në lidhje me këtë thotë: “Dhe në qenien tuaj (të njerëzve, ekzistojnë argumente të qarta dhe fakte të pamohueshme për njohjen e Zotit dhe për të kuptuar fuqinë e tij). A nuk po shikoni?”. Prandaj, Novruzi është stina për të menduar në fuqinë krijuese të Zotit. Është stina për të shikuar me sytë e zemrës. Që të shikojmë se si lulet me qetësi nxjerrin veten nga kërcellet e njoma dhe të bukura të pemëve dhe bimë e reja dalin jashtë nga theu i lagësht. Të shikojmë lulen Jasemin dhe të dehur nga aroma e saj, të mendojmë se kush e krijuar dhe e zbukuroi atë kaq bukur dhe e mbushi me aromë?! Kur’ani i shenjtë, e konsideron pranverën si shenjë të fuqisë dhe forcës së Zotit të madhëruar dhe shndërrimin e stinës pa gjallëri të dimrit në një stinë me gjallërim të pranverës e paraqet si argument të qartë për jetën tjetër në ditën e Kiametit. Në ajetin 9 të sures Fatir thuhet: “Zoti i madhëruar është Ai i cili ka dërguar erërat që të krijojnë re dhe pastaj retë i dërgojmë tokës së thatë dhe të vdekur dhe nëpërmjet reshjes së shiut e ringjallim tokën pasi ajo të jetë e vdekur”. Edhe dita e Ringjalljes është në këtë mënyrë dhe në disa ajete të tjera të Kur’anit të shenjtë thuhet: “Tokën po e shikoni të ngrirë dhe të pashpirt, mirëpo atëherë kur sjellim mbi atë ujin e shiut, ajo fillon lëvizjen duke zhvilluar lloje të ndryshme të bimëve të bukura dhe mahnitëse. Zoti është i vërtetë dhe Ai është i cili u jep jetë trupave të vdekur dhe Ai është i cili ka fuqi absolute mbi çdo gjë”. (Surja Haxh, ajetet 5 dhe 6).

Pas mesazhit për njëshmërinë e Zotit, mund të përmendet durimi si mesazh tjetër i pranverës. Kur Novruzi jep freskinë shpirtërore të tij trupit të vdekur të tokës, natyra e pashpirt pasi ka duruar shumë goditje të ftohta dhe të rënda të dimrit, më në fund merr shpërblimin e durimit dhe qëndresës së vet dhe kjo na kujton këtë thënie hyjnore e cila thotë: “Zoti i madhëruar së shpejti pas vështirësive, vendos lehtësinë”. (Surja Talak, ajeti 7). Në të vërtetë Novruzi gjithashtu pas kalimit të dimrit të vështirë dhe të ftohtë, nga kjo e vërtetë e paraqet një imazh të gjallë i cili tregon se me durim mund të arrihet fitorja.

Stina e pranverës, është stina e bujarisë dhe faljes. Në stinën e pranverës, shiu pranveror bie me bujari në bjeshkë dhe në fusha ua shuan etjen çdo gjëje. Ky shi me bujarinë e tij të gjerë përfshinë të gjitha bjeshkët dhe fushat, detet dhe oqeanet duke mos përjashtuar asgjë. Prandaj është detyrë e jona që ta kuptojmë këtë mesazh pranveror dhe t’i duam të gjithë pa marrë parasysh gjininë, etninë, racën etj., ndërsa me pretekste të kota të mos largojmë asnjë njeri nga vetja. Prandaj duke bërë pranveror fjalët, sjelljen dhe veprimet tona, t’i gëzojmë edhe zemrat e të tjerëve.

Stina e pranverës, është stina e ripërtëritjes, prandaj edhe Novruzi është tregimi i ripërtëritjes dhe i ringjalljes. Kjo është për arsye se me pranverën e gjithë bota ringjallet përsëri. Njeriu besimtar nën dritën e zbatimit të mësimeve të Kur’anit të shenjtë dhe ndjekjes së udhëzimeve hyjnore, mund të rregullojë vizionin dhe të menduarin e tij në atë mënyrë që të gjitha katër stinët e jetës së tij, të jenë pranverë. Kjo do të thotë se njëkohësisht me bukurinë e natyrës, shpirti e paraqet veten të bukur. Kjo bukuri nuk humbet ashtu siç humbet bukuria e pranverës me kalimin e kohës, por ajo bukuri bëhet e pavdekshme me njeriun. Natyrisht se njeriu ka gjendje të ndryshme. Nganjëherë ai anon drejt çështjeve materiale dhe nganjëherë anon drejt natyrës së vet qenësore. Me pamjet dhe manifestimet e ekzistencës, njeriu gjen një qetësi psikologjike dhe fenomenet e bukurisë së natyrës i japin atij qetësi dhe siguri. Mund të thuhet se njeriu pas synon një interpretim estetik rreth ekzistencës dhe dëshiron të perceptojë drejtë bukurinë. Bukuritë artistike të cilat janë përdorur në ekzistencën, e zhysin njeriun në mendim duke e mahnitur atë. Kjo mahnitje është fillim i një ndryshimi dhe e drejton njeriun drejt përkryerjes. Në këtë mënyrë, pranvera me natyrën e re dhe të freskët të saj, përgjatë shekujve me radhë është bërë shkak për ndryshim dhe zhvillim dhe ka mbetur e qëndrueshme në traditat dhe zakonet e njerëzve.

Stina e pranverës

Pranvera është stina e ndryshimit dhe revolucionit në natyrë, për çdo ditë, për çdo orë dhe për çdo çast në atë ndodh një ndryshim pozitiv. Pemët gjelbërohen dhe lulëzojnë dhe japin frute. Prandaj edhe njeriu për çdo vit, për çdo stinë, për çdo ditë dhe për çdo orë, duhet të bëjë përpjekje për ndryshim pozitiv në veten e tij. Prandaj, një prej mesazheve të rëndësishëm të pranverës, është ndryshimi dhe revolucioni të cilin duhet ta dëgjojmë me veshët e shpirtit. Njeriu i cili është krijesa më e privilegjuar, njëkohësisht me shtimin e njohjes dhe robërimit të vetë ndaj Zotit, duhet të shtojë më shumë shërbimin e tij ndaj krijesave të Zotit në mënyrë që në fund të arrijë në pranverën e vërtetë e cila është pikërisht afrimi pranë Fronit Hyjnor, do të thotë të kalojë rrugën drejt Zotit dhe të lirohet nga robërimi në prangat e dëshirave të egos dhe të çlirohet nga të gjitha varësit e kësaj bote materiale.