Novruzi në Iran
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i71552-novruzi_në_iran
Programi "Novruzi në Iran" në dy edicione, do të shqyrtojë traditat e festës së Novruzit në mesin e iranianëve dhe do t'i prezantojë ato për dëgjuesit dhe është vazhdim i programit të kaluar.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Mars 23, 2018 10:11 Europe/Tirane

Programi "Novruzi në Iran" në dy edicione, do të shqyrtojë traditat e festës së Novruzit në mesin e iranianëve dhe do t'i prezantojë ato për dëgjuesit dhe është vazhdim i programit të kaluar.

Irani është një prej vendeve me larmi më të madhe kulturore në botë në të cilin jetojnë me mbi dhjetëra grupe etnike, fetare, fise të mëdha dhe fise endacake si kurd, baluç, turkmen, turq, lor, arab etj.. Të gjitha këto grupe me mijëra vjet kanë jetuar përkrah njëri-tjetrit në bashkëjetesë paqësore dhe mbrojnë Iranin dhe kulturën e tij të lashtë. Pavarësisht se secili nga këto grupe etnike dhe fetare ka traditat dhe zakonet e veta të veçante, mirëpo të gjitha ato kanë një të përbashkët në kremtimin dhe festimin e festës së Novruzit. Festa e Novruzit përgjatë shumë viteve dhe shekujve u shndërrua në një simbol për paqe, unitet dhe bashkëjetesë mes grupeve të ndryshme etnike dhe fetare iraniane. Edhe pse kryerja dhe zhvillimi i disa ritualeve tradicionale të festës së Novruzit, ka dallime të vogla mes grupeve etnike dhe fetare të ndryshme, mirëpo natyra e të gjitha këtyre traditave dhe veprimeve është e njëjtë. Në bazë të kësaj, Novruzi konsiderohet si një prej festave më të rëndësishme kombëtare në Iran dhe të gjithë iranianët larg fanatizmave etnike dhe fetare, ulën së bashku në një sofër dhe kremtojnë këtë festë dhe vazhdojnë të ruajnë traditat e saj. Kjo festë antike është simbol i unitetit dhe bashkimit ndërsa pavarësisht larmisë së madhe etnike dhe fetare, ajo forcon moralin kombëtar në vend. Në kohën e Novruzit, në mënyrë të përgjithshme bëjnë pastrimin e shtëpisë dhe ambientit ku jetojnë dhe me entuziazëm presin stinën e pranverës. Njerëzit në rajone të ndryshme të Iranit, në natën para të mërkurës së fundit të vitit ndezin zjarr dhe të gjitha pikëllimet dhe sëmundjet e tyre i hedhin në flakën e kuqe të zjarrit. Menjëherë pasi natyra vishet me rroba të reja, iranianët me blerjen e rrobave të reja, sjellin aromën e freskisë dhe ripërtëritjes në shtëpitë e veta. Stina e re e pranverës hyn në të gjitha shtëpitë e këtij vendi të gjerë dhe lajmëron fillimin e një viti të ri. Të gjithë njerëzit Novruzin e konsiderojnë simbol të ringjalljes dhe ndryshimit ndërsa pastrimin e zemrave nga urrejtja dhe armiqësitë dhe mosmarrëveshjet, e konsiderojnë faktor themelor për ta pritur vitin e ri. Prandaj e pamë të përshtatshëm që në këtë program të njihemi më shumë me traditat dhe zakonet e festës së Novruzit në mes grupeve etnike iraniane. Ju ftojmë të na ndiqni në vazhdim.

Zbatimi i traditave dhe ritualeve të Novruzit në mesin e turqve të Iranit, bëhet me një gëzim dhe gjallëri të veçantë. Edhe pse vendqëndrimi i grupeve etnike turke-azari në Iran ndodhet në rajone dhe qytete të ndryshme të Iranit, mirëpo provincat si Ardebil, Azerbajxhani Lindor, Azerbajxhani Perëndimor dhe Zanxhan janë qendrat me grumbullimin më të madh të grupeve etnike turke, pjesëtarët e këtij komuniteti në këto rajone me entuziazëm më të madh dhe me tradita më të dalluara presin festën e Novruzit. Traditat si "takom va takomçe" që në parim është këndimi i këngëve ose poezive që lajmërojnë ardhjen e festës së Novruzit dhe stinës së pranverës, ndiqet duke kënduar poezi të bukura të shoqëruar me muzikë. Ndezja e zjarrit në të mërkurën e fundit të vitit, dhënia e dhuratave, dërgimi i dhuratave për nuset dhe për dhëndurët, si dhe mbledhja e të gjithë anëtarëve të familjes rreth sofrës Haftsin në çastet e ndërrimit të motmoteve, përbëjnë traditat më të rëndësishme të festës së Novruzit në mesin e grupeve etnike turke-azari.

Popullata e provincës Azerbajxhani Perëndimor akoma muajin esfand, muajin e fundit të vitit sipas kalendarit iranian, e quajnë "Muaji i Festës". Sipas traditave të lashta dhe të vjetra të popullatës së provincës Azerbajxhani Perëndimor, java e parë e muajit esfand quhet "Çele Kuvan" që do të thotë java e cila e dëbon dyzetëditëshin (arbainin) e dimrit ose "Jallançë Çaharshanbe" që do të thotë e mërkura e rrejshme dhe me rituale të caktuara, festojnë përfundimin e stinës së dimrit. Në të kaluarën popullata e këtij rajoni gjithashtu të mërkurën e javës së dytë muajit esfand e quanin "Kule Çaharshanbe" që do të thotë e mërkura e shkurtë. Ndërsa të mërkurën e fundit e quanin "Myshtylykçi Çaharshanbe" që do të thotë e mërkura lajmëtare ose "Kara Çaharshanbe" që do të thotë e mërkura e zezë ose e madhe. Në studimet antropologjike që janë zhvilluar deri më tani, vërehet se secila prej këtyre katër të mërkurave të muajit esfand, ka qenë simbol i katër elementëve do të thotë ujit, tokës, erës dhe zjarrit të cilët lidhen ngushtë dhe përshtaten shumë mirë me natyrën bujqësore të provincës Azerbajxhani Perëndimor, prandaj njerëzit në këtë rajon me tradita dhe zakone të veçanta, kremtonin secilën nga këto të mërkura.

Ceremonia tradicionale për këndimin e këngëve për Novruzin në fshatin Namhil Heshxhin të provincës Ardebil

Një prej traditave më të rëndësishme të festës së Novruzit në këto provinca me popullatë azeri në Iran e cila edhe aktualisht është ruajtur në shumë familje të këtij rajoni, është dërgimi i ushqimit për vajzat e martuara nga shtëpia e babait në shtëpinë e burrit  në të cilën jetojnë ato. Tradita "Bajram Paji" që do të thotë urimi i festës nga ana e nënës për vajzat e martuara e cila zbatohet jo vetëm në vitet e para të martesës së vajzës, por vazhdon të ndiqet deri në kohën kur prindërit janë gjallë. Që nga 20 ditë para festës së Novruzit e deri te e mërkura e fundit e vitit, në një prej netëve, në njërën natë secila prej familjeve të afërta të vajzës së martuar si xhaxhallarët, dajallarët, vëllezërit dhe sidomos familja e vajzës, përgatisin ushqime dhe së bashku me dhurata të ndryshme si rroba etj., i dërgojnë në shtëpinë e vajzës së martuar.

Shtruarja e një sofre me emrin "Sofra e Festës" ose "Sofra e Ushqimit" për të mirëpritur mysafirët dhe gjithashtu me emrin "Sofra Haftsin", gjithashtu është një tjetër traditë e rëndësishme e festës së Novruzit që zbatohet në qytete dhe fshatra të provincave Azerbajxhani Lindor, Azerbajxhani Perëndimor dhe Ardebil. Sofra e ushqimit përbëhet nga lloje të ndryshme të frutave të terura ose thara dhe ëmbëlsira nga më të ndryshmet dhe kryesisht nga kuzhina tradicionale.

Jeta në fiset endacake Ghashghai zhvillohet sipas bredhjes nga një rajon në rajonin tjetër. (Fiset Ghasghai përbëjnë një popullsi rreth 2 milionë banorë dhe kanë një historik të paktën 700 vjeçar). Këto fise në vjeshtë dhe dimër për të mbrojtur jetën dhe bagëtitë e tyre, vendosen në zona të nxehta dhe pas përfundimit të stinës dimërore, vendosen në vendbanimet e tyre verore dhe në ato zona e kalojnë stinën e pranverës dhe verë. Zakonisht duke marrë parasysh kushtet klimatike dhe kullosat, jeta në zonat e ngrohta vazhdon deri në fillim të prillit, prandaj këto fise festën e Novruzit dhe traditat e vjetra përkatëse me këtë festë i zhvillojnë në po këto zona.

Festa e Novruzit në mesin e fiseve endacake Ghasghaji që quhet "Novruz Bajram", ka një historik të lashtë dhe ndoshta mund të konsiderohet një prej ditëve më të rëndësishme dhe të paharrueshme dhe një prej ditëve më të gëzuara në mesin e këtyre fiseve endacake. Festa e Novruzit shoqërohet me ringjalljen e natyrës dhe për këtë arsye për fiset endacake konsiderohet si një frymëzim për jetë. Kjo ditë për ata është një lajmëtar që tregon përfundimin e ditëve të ftohta të dimrit dhe acarit të egër dhe vrasës për jetën e fiseve endacake. Nëse dimri ka qenë i begatshëm dhe ka pasur reshje të mjaftueshme të shiut dhe dëborë të madhe, atëherë zakonisht në vendbanimet e fiseve endacake në zonat e ngrohta, pranvera shfaqet më herët dhe të gjitha fushat dhe kullosat mbushen me gjelbërim dhe lule të bukura dhe trëndafil të egër që banorët e këtyre zonave e quajnë atë "Novruz Goli" që do të thotë lulja e Novruzit dhe gëzimi i fiseve endacake është më i madh dhe morali i tyre është më i lartë. Pranvera është stina e lëvizjeve më të mëdha dhe ka dhurata natyrore më shumë për blegtorinë e këtyre fiseve endacake sepse jeta e tyre varet nga zhvillimi i blegtorisë. Prandaj për këtë arsye këto fise endacake në shenjë falënderimi për të mirat e natyrës, zhvillojnë një ceremoni gëzimi e hareje.

Noruz Goli

Një ditë para ndërrimit të motmoteve, grat e këtyre fiseve me miell, hurma dhe vaj përgatisin ëmbëlsirën speciale dhe në ditën e fundit të vitit, e shpërndajnë atë për shpirt të të vdekurve dhe këtë ditë e quajnë "Arafe. Nëse në afërsi të tyre ndodhet ndonjë varrezë ose ndonjë tyrbe, ata shkojnë pranë tyre dhe këndojnë lutje. Për natën e festës së Novruzit, ato përgatisin ushqime të ndryshme duke therë kafshë. Në natën e festës së Novruzit me patjetër çdo kush duhet të qëndrojë në shtëpinë dhe pranë familjes së vetë dhe nëse ata ndodhen në udhëtim, bëjnë përpjekje që sa më shpejtë të kthehen në shtëpi dhe besojnë se nata e parë e vitit të ri duhet të kalohet me tapetë, qelima të ri dhe gjëra të tjera të punuara me dorë, me oxhak të ndezur dhe ushqim të plotë, bëhet shkak për zhvillim dhe vazhdimin e begatisë së familjes në vitin e ri. Familjet e fiseve endacake gjatë ditëve të festës së Novruzit, tendat e tyre i zbukurojnë më gjërat më të bukura dhe me artizanale të punuar me dorë. Këto fise gjithashtu ngjyrosin një pjesë të trupit të deleve të tyre. Pjesëtarët e familjeve të këtyre fiseve me rastin e festës së Novruzin veshin rroba të bukura dhe vizitojnë të afërmit e tyre duke filluara paraditen e parë të festës nga më të afërmit dhe pastaj kjo traditë e vizitave zgjerohet edhe më shumë. Së pari ata shkojnë për të vizituar më të meshuarit ose plakun e tyre dhe të gjithë mblidhen në një vend. Gjatë këtyre vizitave për mysafirët ofrohet lloje të ndryshme të ëmbëlsirave tradicionale dhe frutave të terura. Gjithashtu shkëmbehen edhe dhurata të ndryshme mes familjeve dhe miqve. Në ditët e festës së Novruzit zakonisht bëhen edhe dakordime për fejesa dhe martesa mes çiftëve.