Imam Husejni (a.s.), prijësi i moralit dhe virtyteve njerëzore
(last modified Sat, 27 Apr 2019 07:59:51 GMT )
Prill 27, 2019 09:59 Europe/Tirane
  • Imam Husejni (a.s.), prijësi i moralit dhe virtyteve njerëzore

Me rastin e përvjetorit të lindjes së imamit të tretë të myslimanëve shiitë dhe prijësit të liridashësve të botës, Imam Husejnit (a.s.) shprehim urimet tona për të gjithë myslimanët e botës!

Speciale me rastin e përvjetorit të lindjes

Në ditën e tretë të muajit sha'ban të vitit të katër hixhri kameri, në një prej shtëpive dhe familjeve më të mira mbi rruzullin tokësor, u dha lajmi për lindjen e një foshnje të dashur, lajm ky i cili mbushi me plotë gëzim zemrën e Hazretit Muhamed s.a.v.s., profetit të nderuar të Islamit. Kjo foshnje ishte Husejni, fëmija i dytë i Aliut dhe Fatimes. Ai ka ardhur në këtë botë që të  vazhdojë rrugën të cilën e ka filluar Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s.. Në këtë ditë të bekuar, duke uruar përvjetorin e lindjes së Imam Husejnit (a.s.) për ju miq të nderuar, do të hedhim një vështrim mbi disa fraza të jetës së tij.

Transmetohet nga Imam Xhafer Sadik (a.s.) i cili ka thënë: "Kur ka lindur Imam Husejni (a.s.), Xhibrili besnik është urdhëruar nga Zoti i madhëruar që së bashku me njëmijë engjëj të zbresë në tokë për ta uruar lindjen e foshnjës së Hazreti Fatime Zahra (s.a.)". Emri i nderuar i Husejnit (a.s.) në Teorat është përmendur me fjalën "Shabar" dhe "Shabir" dhe në Inxhil me fjalën "Tab" dhe Tajib". Epiteti i Imam Husejnit është Eba Abdullah dhe "Sejed Shebab Ehli Xhene".

Personaliteti i Imam Husejnit (a.s.) gëzon privilegje të veçanta. Ai është nga loza e Profetit të nderuar të Islamit. Gjashtë vjet ka jetuar pranë Hazreti Muhamedit s.a.v.s., prandaj pastërtia dhe shenjtëria e gjyshit të tij të nderuar ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm mbi atë. Në një lutje dedikuar atij zotërie lexojmë: "O zotëria im! O Eba Abdullah! Unë dëshmoj se ti je një dritë nga loza e baballarëve të lartë dhe nënave të pastra dhe injoranca me të gjitha papastërtitë e saj nuk ka arritur të depërtojë në ty!".

Image Caption

Një prej karakteristikave më të bukura dhe më të dalluara të Imam Husejnit (a.s.) është përkushtimi dhe dashuria e madhe dhe e pashembullt e Hazretit Muhamed s.a.v.s. ndaj tij dhe ndaj vëllait të tij të nderuar Imam Hasanit (a.s.). Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. një herë me një grup të shokëve të tij shkonte në një gosti. Në rrugë e pa Imam Husejnin (a.s.) i cili ishte duke lozur në rrugicë. Shkoi para që ta marrë atë në përqafim, mirëpo ai si fëmijë filloi të ikë dhe Hazreti Muhamed s.a.v.s. sa do që e ndiqte, ai ikte në një anë tjetër. Hazreti Muhamed s.a.v.s. duke qeshur vazhdoi ta ndiqte atë derisa e zuri dhe e mor në përqafim. Pastaj përkëdheli kokën dhe fytyrën e tij dhe e puthi në faqe dhe tha: "Husejni është nga unë dhe unë jam prej Husejnit. O Zot! Duaje atë që e do Husejnin!"

Ambienti në të cilin ka lindur Imam Husejni (a.s.) dhe në të cilin është edukuar, ishte qendra për të cilën përkujdeseshin Aliu (a.s.) dhe Fatime Zahra (s.a.). Imam Husejni (a.s.) në këtë ambient ishte i lidhur ngushtë dhe drejtpërdrejtë me thelbin kryesor të drejtësisë, mirësisë, virtyteve dhe parimeve më të larta morale që manifestoheshin në qenien dhe jetën e atyre të nderuarve. Ai nga logjika e edukatorëve të mëdhenj të tij mësoi se jeta pa ideale të larta  është e barabartë me vdekjen dhe nëse e vërteta nuk mishërohet me jetën, atëherë jeta është e pakuptimtë. Me fjalë të tjera, Imam Husejni (a.s.) që nga fillimi i fëmijërisë ishte pranë burimit të pashtershëm të mëshirës dhe mirësisë hyjnore dhe ai ka arritur ta kuptojë jetën e drejtë dhe njerëzore. Ai në shumë raste, ka qenë i pranishëm në çastet kur zbriste shpallja hyjnore mbi Profetin s.a.v.s. dhe me sytë e tij në ato çaste ka shikuar fytyrën e ndritur hyjnore të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe nga shkëlqimi i asaj bukurie të pastër dhe të shndritur, ka përfituar kapitalin më të mirë për vete dhe ka mbledhur virtytet e larta njerëzore dhe morale në personalitetin e vet deri në atë masë sa që u njoh si personaliteti më i madh pranë të gjithëve, edhe pranë armiqve të tij.

Figura dhe pamja e Imam Husejnit (a.s.) ishte e dashur dhe tërheqëse dhe fjalët e tij të qarta dhe tingëlluese që gjallëronin kujtimin e Imam Aliut (a.s.) në zemrat e besimtarëve. Ai që nga fillimi i fëmijërisë së tij, me trimëri dhe maturi, mbrojtjen ndaj fesë Islame dhe ndaj udhëheqësisë e konsideronte prej parimeve të rëndësishme të jetës së vet. Nga pikëpamja e Husejn bin Ali (a.s.), nxënia e diturisë është kusht paraprak për ngritjen dhe përkryerjen e njeriut. Ai vet ishte një ditë i diturive dhe njohurive dhe ishte i njohur me të gjitha çështjet dhe fenomenet e botës. Imam Husejn (a.s.) ka thënë: "Ne jemi ata të cilët posedojmë shkencën dhe diturinë e Kur'anit dhe shpjegimin e të gjithë asaj që ndodhet në këtë libër. Ajo që është në dispozicionin tonë nuk gjendet te asnjë prej krijesave të Zotit, sepse ne jemi ruajtës të sekretit të Zotit". Bashkimi i diturisë dhe gnosticizmit në qenien e Imam Husejnit (a.s.), e ka bërë shpirtin e tij të butë dhe të sigurt. Zemra e tij rrahtë për njerëzit e dobët dhe të privuar dhe kur lutej pranë Zotit të madhëruar, lutjet e tij gnostike manifestoni një dete të tërë me njohuri dhe dashuri.

Kishin kaluar vetëm 50 vite nga vdekja e Hazretit Muhamed s.a.v.s. kur në shoqërinë islame e pavërteta u shfaq nën petkun e të vërtetës. Një grup i njerëzve që kishin ambicie vetëm për këtë botë materiale, njerëz me urrejtës dhe zemërguri, me intriga dhe mashtrime filluan të poshtërojnë njerëzit dhe ta devijojnë fenë e Zotit. Imam Husejni (a.s.) e dinte se nëse nuk do të merrte masa dhe nëse nuk do të vepronte në kohën e duhur, e pavërteta dhe rruga e humbur do të përhapej dhe të gjithë njerëzit do t'i bëjë viktimë e kënaqësive të përkohshme materiale. Ai e dinte mirë këtë çështje se edhe nëse e vërteta do të lihet anas, ideali i të vërtetës kurrë nuk do të mposhtet, por gjithnjë do të jetë gjallë dhe do të shkëlqejë mbi qiellin e historisë. Kryengritja e Imam Husejnit (a.s.) është shembull i qartë i këtij ajeti të Kur'anit të shenjtë i cili thotë: "Në ato dy grupe të cilat përballen mes vete në mejdanin e luftës, për ka shenja dhe argumente mësimdhënëse. Një grup luftonte në rrugën e Zotit dhe grupi tjetër ishin jobesimtarët...". (Pjesë nga ajeti 13 i sures Ali Imran). Me fjalë të tjera, Imam Husejni (a.s.) dhe Jezidi ishin simbole të dy lëvizjeve, të së vërtetës dhe të pavërtetës që janë përballur me njëra-tjetrën.

Image Caption

Imam Husejni (a.s.) ishte një njeri trim, i mëshirshëm, i dashur dhe shumë modest; deri në atë masë sa që ai ulej edhe në sofrën e të varfërve dhe nevojtarëve. E pranonte ftesën e tyre dhe i ftonte edhe ata në sofrën e vet. Imam Husejni (a.s.) paguante borxhin e borxhlinjve, gjithmonë ishte mbështetës i njerëzve të shtypur ndërsa nga aspekti i diturisë ashtu sikur babai i tij i nderuar Imam Aliu (a.s.), zotëronte të gjitha dituritë e kohës. Në përshkrimin e Husejnit (a.s.) janë thurur shumë fjalë dhe janë shkruar shumë vepra në histori, jo vetëm nga myslimanët, por edhe jomyslimanët në mënyra të ndryshme kanë treguar respektin e tyre për Imam Husejnin. Një prej tyre është edhe Antoine Bara, gazetar dhe hulumtues i krishterë, i cili në një intervistë thotë: "Duhet përfituar shumë nga energjia spirituale dhe e fshehtë në shpirtin e kryengritjes së Husejnit. Kjo energji është amanet në mesin e myslimanëve dhe ajo duhet prezantuar për të gjithë botën si një ideal dhe simbol i cili ka qëllime të mëdha. Ajo energji është një kapital dhe një trashëgimi e madhe e cila i përket të gjithë botës, prandaj duhet të prezantohet sa më shumë për njerëzimin". Ai në librin e tij me titull "Husejni në të menduarin e krishterë", vlerëson lartë personalitetin e Imam Husejnit (a.s.) dhe shkruan: "Ne sa do që të dëshirojmë të përshkruajmë personalitetin e Husejnit (a.s.) dhe ta prezantojmë atë, përsëri nuk mund të themi as një të dhjetën e madhërisë së fjalëve që ka thënë Profeti i nderuar i Islamit në lidhje me Husejnin, i cili ka thënë se Husejni është zotëria i të rinjve të parajsës. Unë kam bindjen se Imam Husejni është drita e Islamit. Një dritë e cila ka ndriçuar rrugën e shpëtimit për miliona myslimanë në të gjithë botën dhe i ka shpëtuar ata nga rënia në vorbullën e rrugës së  humbur, si dhe ka mbrojtur bindjet dhe spiritualitetin e fesë nga çfarëdo lloj dobësie dhe dëmtimi e ofendimi. Prandaj nëse nuk do të ishte ai, Islami si një parim nuk do të zhvillonte rrënjë në brendësin dhe ndërgjegjen e njerëzve. Një shprehje tjetër e cila është më e rëndësishme se sa përkufizimet e tjera, është kjo që me të vërtetë Husejni është ndërgjegjja e të gjitha feve deri në fund të historisë. Husejni me këtë qëndrim të pashembullt që ka thënë: "Betohem në Zotin se unë kurrë nuk ua jap atyre dorën e poshtërimit dhe nuk arratisem si skllevërit", ka shpjeguar konceptin e lartë të dinjitetit dhe ka pushtuar të gjithë të zotët e mendjes".

Sot, po festojmë përvjetorin e lindjes së Husejnit në kohën kur nga jeta, mendimi dhe kryengritja e tij, kemi mësuar mësimet më të pavdekshme. Në përvjetorin e lindjes së atij zotërie, pohojmë këtë të vërtetë se njerëzimi i zhytur në jetën mekanike, në epokën në të cilën po humbin vlerat morale njëra pas tjetrës, ka gjetur këtë rast që të njihet me këtë personalitet të madh dhe ta lexojë historinë e Imam Husejnit (a.s.) jo vetëm një herë, por disa herë dhe idealet dhe qëllimet e larta të tij, t'i bëjë prioritet në jetën dhe punën e vet. Me të vërtetë Imam Husejni (a.s.) është një e vërtetë e pavdekshme që mund t'i njehë njerëzit me konceptet më të larta ndriçuese për jetën e njerëzve.

Tags