Nëntor 24, 2021 07:48 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth programit të partive të ekstremit të djathtë të Evropës për organizimin e një takimi në Republikën e Çekisë në mes të muajit dhjetor dhe ardhjes në pushtet të partive të ekstremit të djathtë në Evropë.

Ekstremistët e së djathtës në Republikën e Çekisë edhe pse akoma nuk kanë marrë qeverinë në dorë, kanë shpallur programin islamofobist të tyre. Ata në hapin e parë, kanë ftuar liderët e partive të ekstremit të djathtë në Evropë për të marrë pjesë në një takim në Pragë, kryeqytetin e Çekisë. Propozimi organizimin e kësaj konference është dhënë nga Tomio Okamura, lideri i partisë “Liria dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” të Çekisë. Kjo parti në zgjedhjet parlamentare të fundit në Çeki arriti të pozicionohet në vendin e dytë në Parlamentin e këtij vendi. Për pjesëmarrje në këtë konferencë janë ftuar figurat e njohura islamofobiste dhe kundërshtarë të emigrantëve si Marine Le Pen, liderja e partisë së ekstremit të djathtë “Fronti Kombëtar i Francës”, Geert Wilders, lideri i partisë së ekstremit të djathtë “Liria” të Holandës, Matteo Salvini, lideri i partisë “Unioni i Veriut” të Italisë, si dhe disa personalitete nga partia e ekstremit të djathtë “Liria” e Austrisë dhe disa përfaqësues të grupit politik “Popujt dhe Liritë e Evropës (ENF)”. Kjo konferencë pritet të zhvillohet më 15 dhe 16 dhjetor në Pragë të Çekisë. Partitë e ekstremit të djathtë në zgjedhjet e disa viteve të fundit në vendet evropiane kanë arritur të fitojnë pozita politike të mëdha dhe në shumë vende të Evropës kanë ndryshuar ekuacionet politike. Përballja e qeverive evropiane me krizën financiare, fluksi i gjerë i refugjatëve dhe emigrantëve drejtë Evropës dhe zgjerimi i kërcënimeve terroriste në Evropë; janë bërë shkak për shtrirjen e ndikimit të prirjeve ekstremiste kundër emigrantëve dhe islamofobiste në shumë vende të Evropës. Natyrisht politikat e qeverive dhe mediat evropiane kanë ndihmuar përhapjen e prirjeve të ekstremit të djathtë. Në realitet, partitë e së djathtës moderatore të Evropës për të mos humbur pozitën e tyre shoqërore, janë munduar të përsërisin programet dhe motot e partive të ekstremit të djathtë deri në atë masë sa që partitë e ekstremit të djathtë kanë akuzuar partitë e së djathtës moderatore për vjedhjen e motove të tyre.

Para zhvillimeve politike të disa viteve të fundit në Evropë, vota e qytetarëve të Evropës për partitë e ekstremit të djathtë, ishte votë negative dhe evropianët për të deklaruar pakënaqësinë e tyre nga puna e partive të së djathtës dhe të majtës moderatore, i jepnin votën partive të ekstremit të djathtë. Për këtë arsye, partitë e ekstremit të djathtë kishin një pozitë shoqërore të lëkundur dhe fitorja e tyre një herë në zgjedhje, nuk përsëritej në zgjedhjet e ardhshme. Aktualisht ky ekuacion ka ndryshuar. Partitë e së djathtës dhe të majtës moderatore kanë humbur pozitën e tyre shoqërore dhe në çdo zgjedhje po regjistrohet një rekord i paparë i humbjes së këtyre partive. Zgjedhjet parlamentare të Republikës së Çekisë, janë shembulli më i fundit në këtë drejtim. Partitë e ekstremit të djathtë dhe islamofobe kanë shënuar një fitore të paparë në këtë vend që nga koha e ndarjes së Çekosllovakisë në dy republika Çeki dhe Sllovaki. Para tyre ishin edhe zgjedhjet parlamentare në Austri ku partia e ekstremit të djathtë “Liria” shënoi një fitore të rrallë duke marrë 26% të votave dhe mori pozitën e dytë në Parlamentin e Austrisë. Partia “Populli” e Austrisë si fituese e këtyre zgjedhjeve, për formimin e koalicionit qeveritar ka vetëm një opsion dhe ai është koalicioni me partinë “Liria”. Partia Socialdemokrate e Austrisë pas dhjetë viteve të koalicionit me partinë “Populli”, ka deklaruar se më nuk do të marrë pjesë në koalicionin me partinë “Populli”. Në Republikën e Çekisë dhe në Austri partitë e ekstremit të djathtë janë në prag të hyrjes në koalicionin qeveritar. Një ndryshim tjetër i madh politik, është shtimi i reputacionit të partive të ekstremit të djathtë në Gjermani. Partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë”, në zgjedhjet e fundit ka arritur të fitojë 13% të votave dhe kështu mori 92 kursi në Parlamentin e Gjermanisë. Kjo është për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore që një parti me prirje ekstremiste hyjnë në Parlamentin e Gjermanisë. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore numri i përgjithshëm i votave të partive të së djathtës dhe majtës moderatorë të Gjermanisë, ishte rreth 54%. Në shtatë dekadat e kaluara pushteti endej në duart e këtyre dy krahëve politikë, mirëpo aktualisht pozita e tyre shoqërore ka shënuar rënie të madhe. Ndërkohë që në zgjedhjet e kaluara, numri i përgjithshëm i votave të këtyre partive ishte 70 deri 80%.

Përhapja dhe suksesi i së djathtës ekstreme në Evropë

Viti 2017, ishte viti i fitores dhe suksesit të partive të ekstremit të djathtë. Ato kanë arritur t’i ndryshojnë ekuacionet politike në Evropë dhe të thyejnë atmosferën politike me dy pole që sundonte në shumicën e vendeve evropiane. Tani janë prishur kufijtë e partive në Evropë. Përballja e Evropës me lloje të ndryshme të krizave politike, ekonomike, sociale dhe të identitetit, ka krijuar kriza të vështira edhe për partitë politike të Evropës. Motot dhe programet e partive të majta dhe të djathta moderatore të Evropës nuk kanë përgjigje të mjaftueshme për zgjidhjen e krizave të Evropës. Pikërisht për këtë arsye, shumë prej programeve dhe motove të këtyre partive më nuk kanë tërheqje dhe as atraktivitet. Kundërshtimi i një partie të majtë ose të djathtë tradicionale që është në pushtet, më nuk bëhet shkak që njerëzit të anojnë drejt partisë opozitare të majtë ose të djathtë tradicionale. Qytetarët e Evropës kërkojnë ide të reja për ndryshime politike dhe ekonomike në vendet e tyre dhe mendojnë se partitë e ekstremit të djathtë mund të krijojnë një ndryshim të tillë në vendet e tyre. Ndërkohë që ata harrojnë se prirjet drejt partisë së ekstremit të djathtë, vendet evropiane dhe Bashkimin Evropian e kanë përballur me probleme të shumta duke i vendosur ato në prag të krizave të reja. Sfida më e rëndësishme është vendosja në rrezik e projektit për integrim evropian. Përveç kësaj, është edhe vendosja në rrezik e bashkëjetesës mes popujve dhe emigrantëve me prirje të ndryshme sidomos myslimanëve përkrah qytetarëve të tjerë të Evropës me kultura të ndryshme. Rreth 20 milion myslimanë jetojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nëse partitë e ekstremit të djathtë dëshirojnë t’i qëndrojnë besnikë programeve dhe motove islamofobiste, atëherë Evropa do të përballet me një krizë serioze të identitetit të saj. Një prej krenarive të shoqërive evropiane, është përpjekje për të krijuar një shoqëri multi-kulturore. Në Kartën e Evropës dhe në ligjet e vendeve evropiane, respekti ndaj prirjeve fetare është njohur zyrtarisht si një prej të drejtave qytetare më kryesore.

Zhvillimet globale janë përkundër proceseve politike në Evropë. Kufijtë gjeografik, më nuk janë vija ndarëse të vendeve. Partitë e ekstremit të djathtë me anë të politikave kundër emigrantëve dhe islamofobiste, nuk mund ta ndajnë dhe dallojnë vendin e tyre nga vendet e tjera të botës dhe të ndërtojnë një mur rreth vetes. Një komb i cili mund të bashkëpunojë me botën dhe në brendësinë e tij të ketë potenciale për tërheqjen e individëve me prirje të ndryshme fetare dhe etnike, më mirë mund ta ruajë zhvillimin e kulturës së vet. Vendet evropiane ndodhen në një zonë gjeografike në të cilën nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve rreth tyre si në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Vendet evropiane kanë nevojë të madhe për fuqinë punëtore dhe elitën e emigrantëve. Pa marrë parasysh këtë nevojë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, shoqëritë evropiane brenda kufijve të tyre dhe gjithashtu në marrëdhëniet me vendet fqinjë të tyre në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, do të përballen me kriza serioze.