May 07, 2016 13:53 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi ngjarjet më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Sulmet terroriste në zemër të Europës kanë shkaktuar shqetësim të madh mbi standardet e sigurisë në vendet europiane. Në sulmet terroriste në aeroportin dhe në metronë e Brukselit 35 persona humbën jetën dhe rreth 300 të tjerë u plagosën. Autoritetet belge bënë me dije se Brahim el Bakraoui është përgjegjës për shpërthimin që ka ndodhur në aeroportin e Brukselit, ndërsa vëllai i tij Khalid për aktivizimin e bombës në njërën e metrosë së këtij qyteti. Policia belge njoftoi se njëri pre terroristëve dyshuar për aktet terroriste në Bruksel i quajtur Najim Laachraoui, është gjetur i vdekur në aeroport. Nuk dihen rrethanat e vdekjes së Laachraoui-t, i cili për momentin ishte një ndër terroristët më të kërkuar në botë. Ai dyshohet se ka prodhuar bomba që janë shpërthyer në Paris më 13 nëntor dhe besohet se ka krijuar bomba tjera që vranë 35 persona dhe plagosën qindra tjerë në Bruksel. Grupi terrorist ISIS ka thënë se qëndron prapa sulmeve dhe ka paralajmëruar sulme të tjera. Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për “rreziqet potenciale” të udhëtimit në Evropë. Sulmet terroriste në Bruksel kanë ndodhur katër ditë pas arrestimit të Salah Abdeslamit në Bruksel. Hetuesit thonë se Abdeslam ka qenë i përfshirë në sulmet terroriste në Paris, nëntorin e kaluar. Belgjika ka rritur alarmin e terrorizmit në nivelin më të lartë. Transporti në Bruksel është paralizuar pas shpërthimeve, ndërsa Aeroporti ende nuk është hapur. Kryeministri belg, Charles Michel, ka thënë se ky sulm terrorist ka qenë “një ditë e tragjedisë, një ditë e zezë” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë “qetësi dhe solidaritet”. Udhëheqësit botërorë kanë dërguar po ashtu ngushëllime dhe mesazhe solidariteti. 

Sulmet terroriste në Bruksel nxorën në pah punën e dobët të organeve të sigurisë së Belgjikës dhe standardet e ulëta në fushën e sigurisë. Javën e kaluar, ministri belg i Drejtësisë, Koen Geens, dhe ai i Brendshëm, Jan Jambon, ofruan dorëheqjen në valën e kritikave se nuk munden të parandalonin dot sulmet terroriste të Brukselit. Provat se autoritetet belge ishin paralajmëruar prej muajsh nga Turqia për një skenar të tillë, ishin edhe arsyeja kryesore përse ministrat kërkuan të tërhiqeshin. Ankaraja ka akuzuar Brukselin se e ka nënvlerësuar faktin se Ibrahim El Bakraui ishte identifikuar për lidhjet e tij me terroristët në Siri dhe Irak. Rrënjët e lidhjeve të terroristëve të Brukselit, duket se kanë qenë edhe më të thella sesa arrestimet e fundit në Belgjike, Francë apo Gjermani. Kritikave për punën e dobët të organeve belge të rendit u shtohet edhe fakti që nuk i kanë dhënë rëndësi të dhënave të dërguara nga antiterrori grek një vit më parë për veprimtarinë e terroristit Abdelhamid Abaaud. Ai ishte arrestuar njëherë nga policia greke, por me kërkesën e Belgjikës ai është lënë sërish i lirë. Disa javë më vonë kur Brukseli zbuloi lidhjet e tij terroriste, kërkoi arrestimin e Abaaud, por ishte shumë vonë, ai kishte humbur gjurmët. Publikimi i raportit të KE-së për mungesën e masave të sigurimit si dhe bashkëpunimit midis shërbimeve antiterroriste në 28 vende anëtare të BE-së, ka nxitur verifikimet e reja. Gjithashtu shqetësim ka krijuar edhe lajmi se roja i sigurisë së një centrali bërthamor belg është vrarë në Charleroi, në një distancë të vogël nga Brukseli. Mjeti i tij identifikimit për të hyrë në impiant është vjedhur bëri të ditur e përditshmja belge Derniere Heure. Kjo vrasje tregon se terroristët shumë lehtë mund të kryejnë sulme edhe në centralet bërthamore që nuk janë të pakta në vendet e BE.

Ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë së Bashkimit Europian, u mblodhën javën e kaluar në një takim emergjent në Bruksel ku u zotuan për të përshpejtuar të gjithë procedurat e lëna pezull ,për sa i përket ndarjes së informacionit që ka Inteligjenca europiane për terroristët. Shpërthimet e Brukselit shfaqën haptazi pamjaftueshmërinë e bashkëpunimit europian sa i përket sigurisë. Thirrja e përbashkët e ministrave të Brendshëm ishte unanime: “Bashkëpunim më i madh. Është thelbësore që Sistemi i Informacionit të Zonës Shengen të ushqehet nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, deklaroi ministri i Brendshëm francez, Bernard Kaznev. Këtë e përforcoi edhe homologu i tij gjerman, Thomas De Maizere, i cili deklaroi se shkëmbimi i informacionit në lidhje me sigurinë në mesin e shteteve anëtare ka nevoje të përforcohet. Shtetet anëtare dhe ligjvënësit e BE-së arritën ne marrëveshjen për regjistrimin e të dhënave të pasagjerëve, por miratimi përfundimtar i ligjit do të bëhet në Parlamentin Europian. De Maiziere i kërkoi Parlamentit të ratifikojë marrëveshjen si një çështje urgjente. Ndërkohë, drejtori i Europol, Rob Ëainëright, shprehu shqetësimin e thellë se ISIS është një rrjet më i madh sesa ata vetë e parashikonin. “Militantët kanë fuqinë për të trembur 500 milionë qytetarët e Bashkimit Europian”, shtoi ai. “Është e vështirë të kuptojmë sa terroristë janë aktivë për të përgatitur sulme në Europë, por jemi të shqetësuar se komuniteti prej 5 mijë personash që kanë udhëtuar në Irak dhe Siri , ndoshta jo të gjithë, por një pjesë e tyre janë kthyer mbrapsht. Kjo kërcënon jo vetëm Francën dhe Belgjikën, por një numër shtetesh europiane në të njëjtën kohë”, tha shefi i Europolit. Ndërkohë, zyrtarët turq kanë akuzuar qeveritë europiane se kanë dështuar për të frenuar rekrutimin e të rinjve në radhët e ISIS. Po ashtu, Ankaraja thotë se vendet e BE-së kanë dështuar në verifikimin e dokumenteve të atyre që janë kthyer nga zonat e luftës si edhe theksojnë se ka neglizhencë dhe mungesë kontrolli në pikat e kalimit kufitar.

Vetëm disa ditë para së të hyjë në fuqi edhe praktikisht marrëveshja midis BE-së dhe Turqisë për riatdhesimin e refugjatëve që kanë kaluar nga Turqia në Greqi, gjendja në disa qendra pritjeje apo kampe konsiderohet e tensionuar dhe kaotike. Sipas opinionit publik dhe disa analistëve në media, janë shumë të paktë ata që besojnë se Turqia do të fillojë të zbatojë marrëveshjen dhe do të marrë pas qindra e mijëra refugjatë, ndaj dhe Komisioneri për Emigracionin, Avramopoulos ka planifikuar një vizitë urgjente në Ankara. Një tjetër pengesë serioze, sipas organeve greke, është edhe fakti që BE nuk ka dërguar as gjysmën e specialistëve në Greqi, të cilët janë ngarkuar me proceset e ridërgimit pas të refugjatëve, që kanë hyrë në ishujt grekë në 11 ditët e fundit dhe që tashmë konsiderohen ilegalë. Qeveria greke vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë emigrantëve që jetojnë në kushte dramatike me anë të fletushkave dhe thirrjeve me altoparlantë në tre gjuhë të ndryshme të largohen drejt qendrave të tjera të pritjes, pasi kufijtë nuk do të hapen. Sipas të dhënave të fundit, në gjithë vendin ndodhen 50360 refugjatë. Marrëveshja e firmosur mes qeverisë së Ankarasë dhe Bashkimit Evropian do të nisë të implementohet më datë katër prill kur është parashikuar edhe kthimi mbrapsht i valës së parë prej 500 emigrantësh, nga Greqia drejt Turqisë. Refugjatët e parë që do të kthehen do të jenë sirianët të cilët nuk kanë kërkuar azil, afganët dhe pakistanezët. Turqia dhe Bashkimi Europian nënshkruan marrëveshjen që synon të ndalojë emigrantët të kalojnë në Greqi. Sipas marrëveshjes, të gjithë klandestinët që hyjnë në Greqi do të kthehen pas në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil apo nëse kërkesa e tyre refuzohet. Megjithatë numri i emigrantëve që hyjnë në Greqi jo vetëm që nuk është ulur, por është rritur më shumë dhe llogaritet që çdo ditë 766 refugjatë mbërrijnë në Greqi nga Turqia. Me nisjen e zbatimit të marrëveshjes BE-Turqi pritet të reduktohet numri i refugjatëve në Greqi, por analistët janë të mendimit se edhe kjo marrëveshje nuk do të mundë të zgjidhë krizën e rëndë të refugjatëve dhe kjo krizë mund të zgjidhet vetëm me mobilizim ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon ka kërkuar që të gjithë shtetet e globit të luajnë rolin e tyre, për t’u bërë pjesë e një plani që ka si synim rishpërndarjen e 480.000 refugjatëve brenda tre viteve të ardhshme. Ai tha se pret një përgjigje solidare nga krerët e shteteve për t’i dhënë përgjigjen e duhur qindra mijëra azil-kërkuesve që po largohen nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftës. Por duket se edhe kjo thirrje e sekretarit të përgjithshëm të OKB do të bjerë në vesh të shurdhër.

Mundësia e daljes së Britanisë nga BE ka shtuar shqetësimet e qarqeve ekonomike dhe tregtare në Britani. Megjithatë një grup i krerëve tregtarë të Anglisë, javën e kaluar ka përkrahur idenë e daljes së Anglisë nga BE. Ky grup prej 250 personash mes të cilëve edhe ish drejtori i bankës HSBC, theksoi se vazhdimi i anëtarësimit të Anglisë në BE do të jetë në dëm të ekonomisë angleze. Por në bazë të studimeve, dalja e Anglisë nga BE do t'i japë një goditje serioze ekonomisë angleze dhe sektori i prodhimit në Angli do të pësojë një humbje prej 100 miliardë paund, që është e barabartë me 5% të prodhimit të brendshëm bruto. Në rast të daljes së Anglisë nga BE, është parashikuar se do të humbasin mbi 900 mijë vende pune në Angli. Nga ana tjetër, sipas disa dokumenteve të publikuara së fundmi, Skocia dhe Uellsi po zhvillojnë bisedime paraprake për tu ndarë nga Britania nëse Londra vendos të dalë nga BE. Rrjeti informativ Indipendent njoftoi se posedon fakte që dëshmojnë se deputetë të Parlamentit të Uellsit dhe qeveria e Skocisë kanë zhvilluar bisedime të fshehta në lidhje me ndarjen nga Britania dhe për krijimin e një shteti të ri. Sipas këtij raporti, në këto bisedime është diskutuar realizimi i një projekti për ndërtimin e një ure apo tuneli në ishullin Man për lidhjen direkte mes Skocisë dhe Uellsit. Parashikohet që ky projekt i quajtur ''Ndarje e përbashkët'', të kushtojë 7 miliardë paund. Funksionarët e Skocisë dhe të Uellsit vazhdimisht janë shprehur të shqetësuar mbi planet e Anglisë për të dalë nga BE. Kohët e fundit, Partia Kombëtare e Skocisë paralajmëroi se dalja e Britanisë nga BE do të çojë në ndarjen e Skocisë nga Britania.

     


Tags