May 07, 2016 13:59 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet në Europë.

Javën e kaluar, pas publikimit të mega-skandalit të Panama Papers, kryeministri britanik David Cameron ka pranuar përfshirjen e babait të tij në aferat e Mossack Fonseca. Cameron pranoi se ai ka qenë pjestar i kompanisë offshore, The Baltimore Holdings me pronar babain e tij dhe se ka përfituar prej saj bashkë me bashkëshorten e tij. Ngjarja erdhi pak muaj përpara referendumit ku do të përcaktohet nëse Britania e Madhe do të dalë apo do të vazhdojë të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Kryeministri anglez David Cameron mbajti përgjegjësi për përfshirjen e babait të tij në mega-skandalin e “Panama papers” duke deklaruar se duhet ti mbikëqyrte më mirë kompanitë e familjes së tij. Deklarata erdhi pas sulmeve mediatike ndaj tij dhe thirrjeve për dorëheqje. Cameron pranoi se prej babait të tij ai kish përfituar rreth 300 mijë paund, por pa qartësuar nëse ato të ardhura vinin nga kompania e krijuar në Panama. Cameron po ashtu shtoi se i ati i tij zotëronte edhe një tjetër kompani në Jersey të Francës, një vend që është nën vartësinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe që ka një ligj të veçantë për taksat. Ai ka folur për herë të parë në Parlament në lidhje me skandalin e Panamasë, pas presioneve të vazhdueshme nga deputetët opozitarë. Cameron deklaroi se që prej zgjedhjes si Kryeministër nuk ka patur më të ardhura nga kompani të tilla, por theksoi se kapitali i është shtuar në mënyra të tjera të ligjshme, të cilat janë deklaruar edhe në autoritetet përkatëse. Por e menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigjia e kreut të Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn. Corbyn u shpreh se një numër mjaft i lartë shtetasish britanikë përdornin parajsat fiskale dhe kompanitë off-shore për të shmangur detyrimet e tyre taksore. Ai tha se pret mbështetjen e Kryeministrit si dhe të të gjithë anëtarëve të parlamentit për të luftuar këtë dukuri e cila sipas tij është e pandershme dhe dëmton rëndë ekonominë vendase. Gjithashtu, Partia Laburiste akuzoi David Cameron për hipokrizi dhe kërkoi dorëheqjen e tij pasi ai pranoi se kishte zotëruar dikur aksione në një kompani jashtë vendit të krijuar nga babai i tij. Dokumentat e Panamasë tregojnë se Ian Cameron, babai i ndjerë i kryeministrit, ishte një prej pesë drejtuesve të kompanisë që merrte pjesë në takimet e bordit në Bahamas apo Zvicër. Mediat britanike shkruajtën se kompania “Blairmore Holdings” ishte një fond për investitorët që deri në vitin 2006 përdorte bono thesari që i paguhen mbajtësit për të mbrojtur identitetin e klientëve. 

Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës deklaroi se kundërshtimi i holandezëve ndaj marrëveshjes së përbashkët mes Ukrainës dhe Bashkimit Evropian nuk do të pengojë integrimin evropian të vendit të tij. Petro Poroshenko deklaroi se referendumi në Holandë, që u organizua në bazë të kushtetutës holandeze, nga aspekti strategjik nuk do të pengojë rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Votuesit në Holandë hodhën poshtë me votë në referendum marrëveshjen e partneritetit të Bashkimit Evropian për të hequr barrierat tregtare me Ukrainën. Pjesëmarrja ishte e ulët, me 32.2%, por e kaloi pragun prej 30% në mënyrë që referendumi të ishte i vlefshëm. Marrëveshja u refuzua nga 61.1% e votuesve krahasuar me 38.1% që ishte në favor. Kryeministri holandez Mark Rutte tha se Qeveria mund të rishikojë marrëveshjen, edhe pse vota e referendumit nuk ka vlerë detyruese. “Pikëpamja ime është se nëse pjesëmarrja është më shumë se 30%, me një fitore të tillë për kampin kundër, ratifikimi nuk mund të shkojë përpara pa diskutim,” tha Rutte në një reagim televiziv. Vlen të theksohet se të 27 shtetet anëtare të BE-së kanë ratifikuar marrëveshjen me Ukrainën. Referendumi në Holandë konsiderohej gjerësisht si një “matje pulsi” e ndjesisë së holandezëve për unionin dhe rezultati është mjaft i qartë. Vota “Jo” në referendum krijon dhimbje serioze koke për qeverinë holandeze, e cila pavarësisht se mbështet paktin e BE-së me Ukrainën, nuk mund të injorojë zërin e popullit, duke qenë se zgjedhjet e përgjithshme janë më pak se një vit larg. Për më tepër, mesazhi i Holandës krijon nervozitet edhe mes udhëheqësve europianë, që po luftojnë fort të ruajnë unitetin përballë paqëndrueshmërisë ekonomike dhe krizës së emigrantëve. Holanda ishte vendi i vetëm i BE-së, që iu dha mundësinë qytetarëve të tij të shpreheshin për paktin me Ukrainën, ndaj dhe euroskeptikët po e përdorin votën kundër, për të thënë se kur populli e ka mundësinë i thotë jo Bashkimit Europian. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se, referendumi holandez është i rëndësishëm dhe vota “Jo” mund të shkaktojë një krizë më të madhe në bllokun 28-anëtarësh. Edhe më radikal ka qenë politikani i njohur holandez, Gret Vilders, kreu i partisë së Lirisë, që është antieuropian dhe antiislamik, i cili tha se rezultati i referendumit është fillimi i fundit për Bashkimin Europian.

Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë mbështetjen ndaj marrëveshjes së BE-së për lidhje më të ngushta me Ukrainën, pavarësisht refuzimit që i bënë holandezët paktit përmes një referendumi. Një angazhim i tillë erdhi nga Presidenti francez, Francois Hollande, gjatë një takimi të përbashkët të dy qeverive, që shtoi se akordi duhet të aplikohet në të dyja vendet. Takimi i zhvilluar në Metz, në lindje të Francës, pati në qendër të diskutimeve ekonominë europiane, evazionin fiskal, antiterrorizmin dhe krizën e refugjatëve. Të dy krerët e shteteve theksuan nevojën për të siguruar kufijtë e jashtëm të BE-së, por edhe nevojën për të rihapur kufijtë e brendshëm, pas mbylljes së disa të tillëve për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore. “Duhet t’u rikthehemi sa më shpejt të jetë e mundur procedurave të ‘Schengen’-it, ndërkohë që të garantojmë edhe rikthimin e dinjitetshëm të atyre që nuk patën mundësi për t’u strehuar në Europë{-theksuan liderët e Francës dhe Gjermanisë. Franca e Gjermania kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për qeverinë e unitetit të Libisë, që po has pengesa për të rishpallur autoritetin e saj nga Tripoli. Presidenti francez tha se, Libia në kaos u jep trafikantëve të qenieve njerëzore mundësinë që të sjellin dhjetëra mijëra njerëz në Europë.

Mijëra grekë kanë marshuar javën e kaluar në rrugët e Athinës dhe Selanikut, duke protestuar në kuadrin e një greve të thirrur nga Konfederata e Nëpunësve të Administratës Publike kundër reformës së pensioneve, që kërkon të miratojë Qeveria e kryeministrit Tsipras. Në grevë kanë marrë pjesë të gjithë nëpunësit e sektori shtetëror, të administratave lokale, të organeve të Tatim-Taksave, mësuesit, juristët, gazetarët, spitalet shtetërore që kanë vendosur personel sigurie, mjetet e shërbimit publik urban, si dhe nëpunësit e kontrollit ajror. Pasi kanë marshuar duke mbajtur në duar pankarta e duke hedhur parulla, grevistët janë mbledhur në sheshin para Parlamentit. Sipas demonstruesve, me projektligjin e ri Qeveria rrit shumë më tepër taksat e drejtpërdrejta dhe ato jo të tilla, për të siguruar të ardhura shtesë prej gati dy miliardë eurosh në vitet 2016 dhe 2017. Prej fillimit të krizës në Greqi, në fund të viti 2008, numri i nëpunësve shtetërore është reduktuar nga 900 mijë, në më pak se 590 mijë, ndërsa edhe të ardhurat e tyre kanë pësuar një shkurtim prej gati 40%. Sindikalistët paralajmëruan Qeverinë “Tsipras” se këto masa gjunjëzojnë të gjithë të punësuarit, varfërojnë më tej klasën produktive dhe janë shkak që mbi 200 mijë të rinj grekë me arsim të lartë të kenë emigruar në vendet e tjera europiane, në 5 vitet e fundit. Kjo ishte greva e katërt që kjo konfederatë organizon prej dhjetorit të kaluar, teksa ka paralajmëruar se do të përshkallëzojë protestat e saj, kur projektligji do të dërgohet në Parlament për miratim.

Javën e kaluar, në Maqedoni u shpërbë parlamenti dhe u shpall data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor, por partitë në opozitë deklaruan se ende nuk janë plotësuar kushtet për proces të ndershëm e demokratik elektoral. Kryeparlamentari maqedonas Trajko Veljanovski shpalli shpërbërjen e Parlamentit. Partia opozitare LSDM është e prerë në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit. “Me muaj të tërë po luftojmë për zgjedhje të lira dhe demokratike, luftojmë të kthehet sistemi një njeri - një votë. Nikolla Gruevski në vazhdimësi shkelte Marrëveshjen e Përzhinës, presionet po vazhdojnë. Ne nuk heqim dorë nga parimet tona. Në emër të demokracisë, LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje”, ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev. Ai për vendimin e partisë ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, vlerëson, se Komisioni Shtetëror Zgjedhor duhet ta bëjë punën me përpikmëri, ndërsa BDI do t'i japë përkrahje për zbatim shembullor të zgjedhjeve. Ahmeti ka ftuar edhe partitë e tjera politike që mos ta pengojnë procesin në çfarëdo mënyre. Nga ana e tij, Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi thotë se nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, por me rëndësi është të plotësohen kushtet e nevojshme. Ndërsa edhe partitë jashtëparlamentare shqiptare janë shprehur kundër zgjedhjeve të qershorit. Njëzëri edhe partitë opozitare maqedonase janë shprehur kundër zgjedhjeve më 5 qershor. Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk kanë dhënë asnjë vlerësim nëse janë përmbushur kushtet për zgjedhje korrekte. Anëtarët e këtij komisioni kanë dallime të mëdha rreth mundësisë së pastrimit të listës zgjedhore nga votuesit e dyshimtë në afatin e paraparë. Përderisa anëtarët e VMRO-DPMNE-së në KSHZ thonë se ka ngelur edhe pak punë për pastrimin e listës, kolegët e tyre nga LSDM-ja thonë se ky proces vetëm sa ka nisur dhe është e pamundur të përfundojë në kohë. Vendimin e LSDM-së për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit, eurodeputeti Ivo Vajgl e sheh si goditje serioze jo vetëm për procesin e demokratizimit të vendit, por edhe për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të vendit. Megjithatë, për Vajgl, ende ka hapësirë kohore për tu implementuar disa nga reformat më të rëndësishme, me qëllim të plotësimit të kërkesave të të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.


Tags