May 09, 2016 11:24 CET

Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar miq, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.

Javën e kaluar, në Iran filloi viti i ri sipas kalendarit diellor. Ajetollah Khamenei, Lider suprem i revolucionit islamik, në një mesazh me rastin e festës së Nevruzit që shënon dhe fillimin e vitit të ri 1395 sipas kalendarit diellor, uroi vitin e ri dhe Nevruzin për të gjithë iranianët dhe në veçanti për familjet e nderuara të dëshmorëve dhe duke nderuar kujtimin e dëshmorëve dhe të Imam Khomeinit (ra), vitin e ri e emëroi '' Viti i ekonomisë rezistente, veprim dhe implementim''. Ajetollah Khamenei duke folur mbi shpresat, mundësitë dhe kërcënimet që parashtrohen gjatë vitit të ri theksoi: '' Duhet që rastet dhe mundësitë të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë dhe kërcënimet të kthehen në raste në mënyrë që në fund të vitit në vend të krijohen ndryshime të mëdha dhe sigurisht që për realizimin e shpresave duhet të bëhen përpjekje të pareshtura dhe të punohet ditë e natë.'' Lideri suprem i revolucionit islamik duke përmendur pikat kryesore të lëvizjes së përgjithshme të popullit iranian, tha: ''Populli iranian duhet të përpiqet që të mos dëmtohet nga kërcënimet e armiqve dhe t'a çojë në zero mundësinë e dëmtimit nga presionet dhe kërcënimet e armikut.'' Ajetollah Khamenei prioritetin kryesor dhe emergjent të kësaj lëvizjeje të rëndësishme konsideroi çështjen e ekonomisë dhe shtoi:'' Nëse populli, qeveria dhe të gjithë funksionarët arrijnë të kryejnë punë efikase e të programuara në sektorin e ekonomisë, ekziston shpresa që këto punë të ndikojnë edhe në çështje të tjera si problemet sociale dhe në çështjet morale e kulturore. Ajetollah Khamenei, ekonominë rezistente e konsideroi si kurën më të mirë për problemet ekonomike dhe për realizimin e pritjeve të popullit dhe theksoi: ''Me ekonominë rezistente mund të luftohet papunësia dhe recesioni, të ndalet shtrenjtësia, të qëndrohet përballë kërcënimeve të armiqve dhe të krijohet raste e mundësi të shumta ekonomike për vendin.'' Lideri suprem tha se kushti për arritjen e këtyre qëllimeve është puna dhe përpjeka e vazhdueshme në bazë të ekonomisë rezistente dhe shtoi: ''Raportet e qeverisë tregojnë se në këtë fushë janë kryer punë të shumta, por ato janë paraprake dhe përfshijnë urdhra dhe direktiva për organe të ndryshme.'' Ajetollah Khamenei ''Ekonominë rezistente, veprimin dhe implementimin'' i konsideroi si një rrugë e drejtë dhe e qartë për plotësimin e nevojave të vendit dhe duke falënderuar të gjithë ata që përpiqen në këtë fushë, theksoi: ''Sigurisht që nuk pritet që ky veprim dhe implementim të zgjidhë brenda një viti të gjitha problemet, por nëse veprimi dhe implementimi shoqërohen me programim të saktë, padyshim që në fund të vitit do të vërehen efektet e kësaj pune.'' 

Edhe presidenti i Republikës Islamike të Iranit theksoi në zbatimin e politikave të ekonomisë rezistente. Javën e kaluar, Hasan Ruhani në një takim me drejtues të institucioneve të ndryshme të pushtetit ekzekutiv deklaroi: Qeveria, në vitin e ri që u emërua nga Lideri suprem i RI si “Viti i ekonomisë rezistente, veprimit dhe implementimit”, do të përshpejtojë procesin e reformave ekonomike dhe do të shfrytëzojë mundësitë e reja të krijuara pas heqjes së sanksioneve. Presidenti iranian e vuri theksin në përkrahjen e prodhimit të brendshëm, në përpilimin e programeve të reja, në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë, në bashkëpunimin konstruktiv me botën dhe tërheqjen e investimeve dhe teknologjive të reja. Ai shtoi se pas heqjes së sanksioneve është krijuar një bashkëpunim konstruktiv mes Iranit dhe botës dhe janë hapur horizonte të reja zhvillimi për popullin iranian. Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se paragrafi i 11-të i politikave të ekonomisë rezistente i kushtohet zonave të lira dhe rolit të tyre në forcimin e bazës ekonomike të Iranit duke thithur teknologjinë dhe investimin me qëllim të zgjerimit të eksportit dhe të prodhimit. Z. Ruhani shtoi se në këtë takim do t’u jepet një dinamizëm më i madh programeve për zbatimin e paragrafit të 11-të të politikave të ekonomisë rezistente. Presidenti iranian foli për arritjet e rëndësishme të popullit iranian gjatë vitit të kaluar dhe vitin 1395 e emëroi ''Viti i shpresës dhe përpjekjeve'' me qëllim që gjatë këtij vitit të ndërtohet një Iran që e meriton populli i madh iranian.

Javën e kaluar, presidenti i RII zhvilloi një vizitë zyrtare në Pakistan. Presidenti i RII dhe presidenti i Pakistanit në takimin e tyre në Islamabad diskutuan mbi çështjet më të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe dhe mbi çështjet rajonale e ndërkombëtare. Hasan Ruhani në takim me presidentin e Pakistanit deklaroi se Irani mirëpret zgjerimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me Pakistanin. Në vazhdim, presidenti iranian shtoi: ''Irani është i gatshëm të garantojë nevojat e Pakistanit për energji dhe periudha pas sanksioneve është rasti më i mirë për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në sektorët e energjisë, petrokimisë dhe në sektorin bankar.'' Ruhani theksoi se krijimi i zonave të lira tregtare në rajonet kufitare do të ndihmojë në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dhe në vendosjen e sistemit të tregtisë së lirë mes Iranit dhe Pakistanit. Duke theksuar mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë, presidenti iranian tha:'' Kufijtë e Iranit janë të sigurtë për Pakistanin dhe pala pakistaneze duhet të shtojë përpjekjet për evitimin e pasigurive në kufi me Iranin.'' Nga ana e tij, presidenti i Pakistanit z. Mamnun Husein tha se Pakistani është i gatshëm të zgjerojë marrëdhëniet me Iranin në të gjitha fushat dhe shtoi se vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve nga 1 miliardë $ në vit, duhet të arrijë në 5 miliardë $ në vit. Z. Mamnun Husein tha se forcimi i bashkëpunimit Teheran-Islamabad do të jetë një hap i madh në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në rajon. Presidenti i RII u takua edhe me kryeministrin e Pakistanit ku deklaroi se Irani dhe Pakistani kanë vullnet dhe seriozitet të përbashkët për zgjerimin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes tyre. Dr. Hasan Ruhani pas nënshkrimit të 6 marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Iranit dhe Pakistanit në Islamabad, u deklaroi gazetarëve se gjatë takimit të tij me kryeministrin pakistanez Navaz Sharif është biseduar për çështjet ekonomike e në veçanti për bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe eksportimit të gazit dhe energjisë elektrike nga Irani në Pakistan. Presidenti iranian tha se zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, plotësimi i kushteve të tregtisë së lirë, krijimi i zonave të lira tregtare në rajonet kufitare dhe bashkëpunimi në sektorin e porteve ishin çështje të tjera të diskutuara gjatë takimit me z. Navaz Sharif. Në vazhdim, presidenti i RII theksoi se siguria e Pakistanit është edhe siguria e Iranit, prandaj të dyja vendet bashkëpunojnë seriozisht në luftën kundër terrorizmit. Ai tha se Irani dhe Pakistani kanë pikëpamje të njëjta sa i përket bashkëpunimit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjes paqësore të krizave aktuale në rajonin e LM.

z. Muhamed Xhevad Zarif, ministri i punëve të jashtme të Iranit, javën e kaluar zhvilloi një vizitë në Turqi, ku është takuar me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan. z. Zarif dhe Erdogan janë shprehur të kënaqur me zgjerimin e marrëdhënieve dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimeve gjatë muajve të fundit mes dy vendeve, ndërsa kanë shkëmbyer mendime rreth krijimit të kushteve për dhe zgjerimin e fushave për një bashkëpunim më të madh tregtar deri në kohën kur kryeministri turk do të zhvillojë një vizitë në Iran. Të dyja palët në këtë takim kanë biseduar edhe për forcimin e bashkëpunimeve tregtare ku shprehen se deri në fund të vitit 2016 këto shkëmbime duhet të kapin shifrën 30 miliardë dollarë. Erdogan dhe Zarif me këtë rast kanë theksuar edhe për lehtësimin dhe mënjanimin e pengesave të tregtarëve dhe kompanive që veprojnë në këtë drejtim. Ministri i punëve të jashtme të Iranit dhe presidenti i Turqisë gjithashtu kanë mirëpritur organizimin e takimit të 24 të komisionit të përbashkët ekonomik të dy vendeve gjatë këtij muaji. Gjatë këtij takimi gjithashtu është diskutuar edhe rreth zhvillimeve rajonale dhe globale si dhe ato në nivel të botës islame si situata në Siri, Irak, Afganistan dhe Egjipt. Të dyja palët theks të veçantë kanë treguar rreth krizës në Siri ku kanë theksuar për forcimin e qëndrimeve dhe marrjen e masave të përbashkëta për të ndihmuar zgjidhjen e kësaj krize nëpërmjet rrugëve politike. Z. Zarif në këtë takim gjithashtu ka përcjellë edhe përshëndetjet e ngrohta të presidentit iranian për presidentin e Turqisë.

Drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të RII deklaroi se testet raketore të RII nuk kanë asnjë lidhje me marrëveshjen bërthamore. z. Hamid Baidinezhad, drejtor politik i Ministrisë së Jashtme të RII, tha se Amerika kur nuk mundi të marrë miratimin e KS të OKB për dënimin e testeve raketore të Iranit, u detyrua të bllokojë llogaritë bankare të disa kompanive iraniane dhe të huaja, mes të cilave edhe dy kompani angleze. Duke reaguar ndaj sanksioneve të reja të SHBA kundër Iranit, z. Baidinezhad theksoi se amerikanët e dinë shumë mirë se të tilla veprime kanë vetëm karakter propagandistik dhe nuk mund të dëmtojnë programin raketor të RII. Drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të RII tha se megjithë presionet dhe sanksionet e SHBA, programi raketor i Iranit do të vazhdojë me shpejtësi dhe intensitet më të madh. Josh Ernest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, në një konferencë për shtyp deklaroi se Irani i ka zbatuar angazhimet e tij dhe ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes bërthamore me G 5+1, por shtoi se ndaj programit raketor të Iranit janë vendosur sanksione, të cilat së shpejti do të hyjnë në zbatim.


Tags