Roli i mediave në publikimin e lajmeve të rrejshme
Media luan një rol të rëndësishëm në kontrollin dhe drejtimin e opinionit publik. Shumica e këtyre mediave përpiqen të drejtojnë opinionin publik në drejtimin që ata dhe politikëbërësit e tyre kanë në mendje. Një shembull i qartë i këtij orientimi të opinionit publik mund të shihet më së shumti në mediat perëndimore.
Në këtë edicion do të flasim rreth rolit të mediave në publikimin e lajmeve të rrejshme.
Përshëndetje miq të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Lufta e Transmetimeve".
Media luan një rol të rëndësishëm në kontrollin dhe drejtimin e opinionit publik. Shumica e këtyre mediave përpiqen të drejtojnë opinionin publik në drejtimin që ata dhe politikëbërësit e tyre kanë në mendje. Një shembull i qartë i këtij orientimi të opinionit publik mund të shihet më së shumti në mediat perëndimore. Rrjedha mediatike perëndimore prej shumë vitesh ka marrë një rrugë për të hipnotizuar opinionin publik duke përdorur lloj-lloj taktikash dhe teknikash mediatike, prandaj, pavarësisht se në ditët e sotme në median perëndimore, rrallë hasim lajme që prezantohen saktë dhe të dokumentuara dhe që bazohen në statistika dhe shifra të besueshme, por megjithatë opinioni publik është i prirur drejt këtyre mediave. Duket se me kalimin e viteve të shumta të propagandës së mediave perëndimore dhe pavarësisht progresit në rritje të teknologjive në fushën e komunikimit dhe në fushën e shkencave të njohjes, fuqia e gjykimit dhe analizës së audiencës globale të këtyre mediave po shkon gjithnjë duke u reduktuar dhe duke rënë. Kjo ka bërë që edhe gënjeshtrat më të thjeshta në mediat perëndimore të shndërrohen në çështje e lajme të dokumentuara dhe të tretshme për dëgjuesit apo shikuesit dhe ky fenomen po shkakton shqetësime për analistët. Elizabeth Williamson, analiste e gazetës amerikane "New York Times", thotë: “Këtyre ditëve një cikël i natyrshëm është në rritje e sipër. Njerëzit janë të hutuar nga lajmet e rreme, veçanërisht lajmet që shohin në internet. Për personat viktima të kësaj strukture ka përfunduar periudha e njohjes së të vërtetës".
Në të gjitha degët e informacionit, veçanërisht në lajmet politike, gënjeshtra përhapet shumë më shpejt, më thellë dhe më gjerë se faktet dhe e vërteta. Ndikimi i lajmeve të rreme politike është shumë më i fortë se lajmet e rreme që lidhen me fatkeqësitë natyrore, çështjet shkencore ose çështjet penale. Një studim shkencor i publikuar në vitin 2018 nga revista "Science" konfirmoi të vërtetën e këtij pretendimi duke shqyrtuar miliona tweet-e nga 2008-2017. Çështje e jashtëzakonshme e këtij hulumtimi ishte se mohimet dhe përgënjeshtrimet e lajmeve të rreme nuk ndiqen kurrë nga lexuesit! Me fjalë të tjera, nëse supozojmë se rrjetet sociale si Twitter janë si një rrugë, në këtë rrugë lajmet e rreme lëvizin si një makinë luksoze dhe përgënjeshtrimet e tyre si makina skrap. Në këtë mënyrë, është e qartë se cilës do t'i kushtojnë vëmendje përdoruesit e këtij rrjeti social.
Sipas analizës së këtij hulumtimi në hapësirën e Twitter-it, e vërteta merr 6 herë më shumë kohë se gënjeshtrat për të arritur tek përdoruesit, dhe shumë përdorues në thelb nuk e kuptojnë nëse lajmi është i rremë apo i vërtetë dhe nuk mund t'i verifikojnë të gjitha lajmet pavarësisht sasisë së madhe të të dhënave. Edhe kufizimi në faqet dhe burimet zyrtare të lajmeve nuk mund të shpëtojë nga ky rregull, sepse informacione të gabuara mund të rrjedhin apo edhe të prodhohen në agjencitë zyrtare të lajmeve.
Në janar të vitit 2011, përhapja e një thashetheme si një shkëndijë zjarri, ndezi zemërimin në zemrën e shoqërisë siriane. Ngjarja lidhej me përballjen e forcave qeveritare siriane me nxënësit të cilët protestuan kundër qeverisë së këtij vendi duke shkruar parulla. Në një incident joprofesional, rrjeti informativ Al Jazeera filloi transmetimin e një interviste, vlefshmëria e së cilës vihej në dyshim. Lajmi është nisur nga fakti se një qytetar ka raportuar në këtë rrjet me anë të një kontakti telefonik duke thënë: “Në qytetin Daraa, që ndodhet në jug të Damaskut, janë arrestuar fëmijë të vegjël nga 10 deri në 15 vjeç. Arsyeja e arrestimit ishte se fëmijët kishin parë në televizione qytetarët e vendeve arabe duke brohoritur parulla kundër qeverive të tyre. Fëmijët me pafajësi të plotë filluan të shkruanin të njëjtat slogane liridashëse në murin e shkollës së tyre dhe policia i arrestoi".
Më tej, në media u publikuan fotografi të dyshimta, në të cilat pretendohej se këta nxënës u janë nënshtruar torturave më të rënda. Transmetimi i këtij lajmi krijoi një kaos gjithëpërfshirës në qytetin Daraa. Për shkak të problemeve të qeverisjes në këtë vend, flakët e këtij zjarri u përhapën shpejt në të gjithë vendin dhe krijuan terrenin për luftën civile në Siri. Një luftë që përveç shkatërrimit të infrastrukturës së Sirisë, shkaktoi shpërnguljen e afro 12 milionë njerëzve dhe vdekjen e rreth 500 mijë qytetarëve sirianë. Sigurisht që hulumtimet dhe hetimet pas kësaj krize konstatuan se as të arrestuarit në këtë ngjarje nuk ishin fëmijë dhe as videoja për torturimin e fëmijëve nuk ishte e vërtetë. Më vonë, në një intervistë për mediat opozitare të qeverisë siriane, një nga të arrestuarit në këtë incident konfirmoi se populli sirian kishte rënë viktimë e mënyrës së re të funksionimit dhe veprimit të mediave në luftëra. Do të thotë mënyrës se si mjeti i ndikimit ishte bërë një lajm tërësisht i rremë.
Themeluesi i faqes "WikiLeaks", Julian Assange tha: “Një nga gjërat interesante që zbulova është kjo se pothuajse çdo luftë që ka filluar në 50 vitet e fundit ka qenë rezultat i gënjeshtrave të medias. Mediat nëse do të hulumtonin dhe kërkonin, mund ta ndalonin atë luftë edhe nëse nuk do të dëshironin ta lexonin propagandën e mediave të shtypit qeveritar, por çfarë do të thotë kjo? Në thelb, njerëzit nuk e duan luftën dhe njerëzit duhet të mashtrohen në luftë, njerëzit nuk hyjnë në luftë me dëshirë dhe me sy hapur, prandaj, nëse kemi një mjedis të mirë mediatik, atëherë do të kemi një mjedis paqësor".
Iraku ka qenë gjithmonë i një rëndësie strategjike për Amerikën në aspektin gjeopolitik. Që nga viti 2001, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përpjekur të justifikojnë ndikimin dhe praninë e tyre në Irak në sytë e publikut nën mbulesën e qëllimeve të ndryshme dhe me taktikën e "krijimit të krizës". Në sulmin ushtarak amerikan në Irak, media amerikane ishte mjeti më i rëndësishëm për legjitimimin e këtij agresioni ushtarak. Sipas ekspertëve, mobilizimi amerikan i luftës kundër Irakut nuk mund të sillte me vete opinionin publik pa bashkëpunimin mediatik. Organizata “Fairness and Accuracy in Reportiny” (FAIR) thotë: "Çdo gënjeshtër që është mjaft e madhe dhe e përsëritur rregullisht, përfundimisht do të pranohet si e vërtetë".
Amerika sulmoi Irakun duke pretenduar se Sadam Husejn kishte armë të shkatërrimit në masë. Një nga projektet më të rëndësishme të hartuara nga Pentagoni për pasqyrimin mediatik të luftës me Irakun, ishte projekti "Embedded Reporters". Në kuadër të këtij projekti dhe udhëzimeve të tij punuan 500 gazetarë. Sipas raportimeve, në vend të propagandës së drejtpërdrejtë, ushtria amerikane punësoi një kompani propaganduese të quajtur "Lincoln" për të prodhuar dhe publikuar lajme pro-amerikane dhe mite e gënjeshtra në lidhje me zhvillimin e demokracisë në Irak në gazetat irakiane.
Hassan al-Rabi'i, kreu i Qendrës së Studimeve "Taj al-Hadarah" të Irakut, e konsideron të rëndësishëm rolin e mediave në nxitjen e opinionit publik për të sulmuar Irakun dhe thotë: "Përpara vitit 2003, amerikanët përdornin tre gënjeshtra për të bashkërenduar opinionin publik me ta për të filluar agresionin ushtarak ndaj Irakut: së pari, duke përhapur gënjeshtra e spekulime se Iraku ishte i armatosur në masë të gjerë me armë shkatërrimit në masë; së dyti, roli i Irakut në incidentin e 11 shtatorit dhe së treti, bashkëpunimi i Irakut me al-Kaeda". Rezultat i agresionit ushtarak të Amerikës ndaj Irakut për popullin e këtij vendi, ishte pushtimi i territorit të këtij vendi, shkelja e të drejtave themelore qytetare, shkelja e të drejtave të njeriut, shpërnguljet e njerëzve dhe refugjatët dhe shkatërrimi i gjerë i infrastrukturës ekonomike, shëndetësore dhe arsimore. Në atë mënyrë që llogaritet se për rindërtimin e pjesshëm të Irakut, nevojiten 112 miliardë dollarë.
SHBA dhe aleatët e saj pas sulmeve të 11 shtatorit në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në zemër të Amerikës, sulmuan Afganistanin në tetor të vitit 2001 me pretekstin e luftimit të terrorizmit. Rezultati i pushtimit 20 vjeçar të Afganistanit për popullin e këtij vendi ishte vrasja e burrave dhe grave të pambrojtura dhe përhapja e pasigurisë në shoqërinë afgane. Në nëntor të vitit 2021, një artikull i shkruar nga Azeta Hatef u botua në revistën "Conversation" me titull "Si fotografitë e vuajtjeve afgane që shfaqen vazhdimisht, i japin vazhdimësi pabarazisë dhe dëmin*". Autorja gjatë hulumtimit të saj, arriti në përfundimin se "media të tilla si "Washington Post", "Boston Globe" dhe "Chicago Tribune" duke pasqyruar vuajtjen e popullit të Afganistanit, në realitet po i japin përjetësim pabarazisë dhe vuajtjeve të tyre. Në vend të imazheve të duhura dhe të vërteta të afganëve si persona të pavarur, ata shpesh përshkruhen si njerëz të pafuqishëm, të prapambetur ose si njerëz që janë në nevojë për shpëtim. Shpesh gjatë luftës ato media mbrojnë dhe justifikojnë veprimet e tyre ushtarake në këtë vend, duke u mbështetur në këtë “imazh” që paraqesin për situatën në Afganistan".
Në një raport, agjencia e lajmeve TRT World (kanali shtetëror i Turqisë) vuri në dukje gjithashtu shtrembërimet e mediave amerikane në pasqyrimin e zhvillimeve në Afganistan dhe, duke cituar prova, i konsideroi këto media si bashkëpunëtorë të Amerikës në krimet e saj 20-vjeçare në Afganistan dhe shtrembërimin e realiteteve të këtij vendi për qytetarët amerikanë: "Nuk ka rëndësi nëse i shikoni lajmet në CNN, Fox News ose NBC News. Të gjitha ato media publikojnë vetëm një transmetim dhe vetëm një version të lajmeve në lidhje me zhvillimet në Afganistan. Një transmetim në të cilin ushtarët amerikanë puthin fëmijët afganë, u japin fëmijëve afganë ëmbëlsira e çokolata dhe ujë dhe në përgjithësi janë në shërbim të popullit afgan. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhë kjo që ju mund të kryeni operacione agresive dhe të dhunshme në një vend tjetër për 20 vjet me radhë dhe më në fund të merrni imazhin e një shteti të huaj që po kryen një mision humanitar në atë vend të cilin e ka pushtuar me agresion ushtarak"...