Janar 21, 2024 14:27 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth planit të Emmanuel Macron, presidentit të Francës për zbatimin e reformave në ligjet për aktivitetin e institucioneve islamike në Francë.

Emmanuel Macron

Emmanuel Macron, presidenti i Francës, gjatë deklaratave të tij në lidhje me Islamin, ka bërë të ditur planin për zbatimin e reformave në ligjet përkatëse me Islamin dhe myslimanët në Francë. Presidenti i Francës në një intervistë me gazetën “Le Journal du Dimanche” të Parisit, deklaroi se ai ka hartuar programin dhe metodën për të çuar përpara planin e tij si një organizim i Islami në Francë të cilin do ta çojë përpara hap pas hapi dhe do ta zbatojë fazë pas faze. Macron duke theksuar nevojën e organizimit të aktiviteteve islamike në Francë, tha: “Planin tim në këtë drejtim do ta paraqes në tre muajt e parë të këtij viti”. Macron në vazhdim të intervistës tha se derisa të mos përfundojë plani i tij, nuk do të deklarojë detajet e këtij plani. Ai deklaroi se synon të krijojë një lidhje të sistemuar dhe të logjikshme mes Republikës së Francës dhe Islamit në atë mënyrë që vlerat e republikanizmit të respektohen në çfarëdo lloj të aktivitetit të organizatave dhe institucioneve islame në Francë. Presidenti i Francës tha: “Në shqyrtimet dhe analizat në bazë të këtij plani janë marrë parasysh dy çështje, e para është marrëdhënia e myslimanëve dhe Republikës së Francës dhe e dyta është organizimi i aktiviteteve fetare të tyre në këtë vend”.

Emmanuel Macron

Macron vitin e kaluar para liderëve të feve të mëdha në Francë kishte thënë se krijimi i reformave në strukturën e aktiviteteve islamike në këtë vend, është i pashmangshëm. Franca gjatë viteve të kaluara është përballuar me shumë sulme terroriste. Shumica e autorëve të këtyre sulmeve edhe pse ishin prej familjeve myslimane, mirëpo ata ishin lindur në Francë dhe ishin rritur në këtë vend. Shfaqja e grupit terrorist ISIS në Irak dhe Siri është bërë shkak që një numër i qytetarëve të Francës gjithashtu me dritën e gjelbër të organeve inteligjente dhe të sigurisë, të shkojnë në qendrat e krizës në rajonin e Lindjes së Mesme. Kjo është për arsye se politika e qeverisë së Francës ishte përqendruar në qëndrimin për rrëzimin e qeverisë legjitime të presidentit sirian Bashar Asad. Qeveria e Francës preferonte që ky qëllim të realizohej nëpërmjet disa myslimanëve të paidentitet francezë dhe nga shtetet e tjera evropiane të cilët mbanin vetëm emrin e Islamit ndërsa veprimet e tyre nuk kishin të bënin asgjë me mësimet dhe idetë islame. Disa qeveritarë të Francës besonin se me këtë veprim do të shpëtonin edhe nga e keqja e një numri të rinjsh ekstremistë që nxisin dhunën edhe do të realizonin qëllimin e tyre për rrëzimin e qeverisë së Bashar Asad në Siri. Në këtë kuadër, u zhvillua një propagandë në nivele të qarqeve politike dhe mediale të Francës në lidhje me grupin terrorist ISIS me qëllim të prishjes së imazhit të mëshirshëm të fesë Islame dhe gjithashtu për të arsyetuar politika ndërhyrëse dhe anti-islame të Francës dhe të shteteve të tjera evropiane në Siri dhe Irak në opinionin publik.

Krimet çnjerëzore të grupit terrorist ISIS krijuan një rast të artë për grupet e ekstremit të djathtë dhe islamofobiste të Francës dhe të shteteve të tjera evropiane. Ato grupe gjetën këtë rast të përshtatshëm për të arsyetuar mendimet dhe veprimet e tyre islamofobiste duke propaganduar se Islami është një kërcënim për shoqërinë franceze. Islamofobistët francezë dhe të shteteve të tjera evropiane u kanë bërë jehonë të gjerë krimeve të grupit terrorist ISIS, mirëpo kur dijetarët dhe politikanët myslimanë në shumë vende islame theksonin dhe insistonin në këtë çështje se veprimet çnjerëzore të ISIS nuk kanë kurrfarë lidhje me mësimet dhe idetë e Islamit, nuk i bënin fare jehon qëndrimeve të tilla. Islamofobistët në Francë dhe mediat e këtij vendi në nivel të gjerë emrin e ISIS e prezantonin si “Shteti Islamik” dhe “Xhihadistët” me qëllim që veprimet dhe krimet e këtij grupi terrorist t’i lidhin me mësimet islame. Si pasojë e kësaj propagande grupet e ekstremit të djathtë dhe islamofobiste në zgjedhjet e dy viteve të kaluara, kanë arritur një zhvillim të dukshëm duke fituar një mbështetje mjaft të gjerë në mesin e qytetarëve francezë sidomos në mesin e të rinjve dhe të shtresave të varfra.

Aktualisht politika e shteteve evropiane me mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë ndaj grupeve takfiriste dhe terroriste në Siri dhe Irak, ka dështuar në përballje me rezistencën e popujve mysliman të Sirisë dhe Irakut dhe me mbështetjen e vendeve si Republika Islamike e Iranit dhe grupeve të tilla si Hezbullahu i Libanit dhe myslimanët nga vendet e tjera. Kërcënimi i grupeve takfiriste dhe terroriste tani është drejtuar drejt shteteve evropiane. Të rinjtë evropiane duke përfshirë edhe ata francez të cilët me dritën e gjelbër të organeve të inteligjencës dhe të sigurisë në shtetet perëndimore kanë shkuar në Siri dhe Irak, ata që kanë mbetur gjallë dhe janë kthyer ose janë në rrugën e kthimit për në Evropë, posedojnë një eksperiencë të madhe në kryerjen e krimeve të ndryshme. Në një atmosferë të tillë, Emmanuel Macron tani ka filluar të mendojë për reforma në aktivitetin e organizatave dhe institucioneve islame në Francë dhe për të sistemuar marrëdhënien mes myslimanëve të Francës dhe qytetarëve të tjerë të këtij vendi.

Ekzistojnë shumë arsye që të mos jemi optimistë për planet e Macron për reformimin e ligjeve të aktivitetit të myslimanëve në Francë. Minoriteti më i madh i myslimanëve në Evropë ndodhet në Francë. Popullsia myslimane në Francë përbënë mbi 6 milionë banorë. Islami pas krishterizmit është feja e dytë më e madhe në Francë. Kjo është në kohën kur Franca është pioniere në miratimin e ligjeve kufizuese për myslimanët.

Për herë të parë ishte në Francë kur në fillim të viteve 2000, u ndalua hyrja e nxënëseve myslimane me hixhab në shkolla me pretekst të shkeljes së ligjeve laike. Në mandatin presidencial të Nikolla Sarkozi, këto kufizime janë shtuar edhe më shumë duke marrë parasysh motot dhe propagandën islamofobiste të Frontit Kombëtar të Francës. Në realitet Sarkozi sa i përket politikës islamofobiste, zhvillonte një konkurrencë me partinë anti-islame të ekstremit të djathtë, “Fronti Kombëtar i Francës” i drejtuar nga Jean Mari Le Pen dhe pastaj nga vajza e tij Marine Le Pen. Kjo konkurrencë shkoi deri në atë nivel sa që partia Fronti Kombëtar akuzonte Sarkozin se po i vjedhë motot islamofobiste të kësaj partie. Marine Le Pen gjatë fushatës elektorale për zgjedhje presidenciale të fundit, e akuzonte Emmanuel Macron për pasivitet ndaj Islamit dhe deklaronte se ai nuk ka kurrfarë programi për t’u përballur me sfidën e Islamit në Francë. Emmanuel Macron me kalimin e tetë muajve nga marrja zyrtarisht të mandatit presidencial në Francë, tani synon të sistemojë marrëdhëniet e komunitetit të myslimanëve me ligjet laike të Francës. Duke marrë parasysh faktin se ligjet laike të Francës janë bazë për çdo plan dhe program të aktiviteteve të miliona myslimanëve në Francë, atëherë sipas shumë gjasave qeveria e Francës synon të zgjerojë kompetencat e mbikëqyrjes dhe vëzhgimit mbi vendet dhe institucionet islame me qëllim të kufizojë sa më shumë myslimanët në jetën e tyre sipas mësimeve islame. Në realitet, Macron ashtu si Zhak Shirak, synon të bëjë Islamin “francez” dhe ta përshtati atë me ligjet laike të Francës. Çdo plan i Macron që vendoset në zbatim në lidhje me ligjet e reja të aktivitetit të myslimanëve ashtu sikur masat e tjera kufizuese si ndalimin e hixhabit në shkolla për nxënëset myslimane, do të bëhet shembull për vendet e tjera evropiane.

Si pasojë e deklaratave të Emmanuel Macron në lidhje me reformimin e ligjeve për aktivitetin e institucioneve arsimore islame, Ahmed Ogras, kryetari i Këshillit të Myslimanëve të Francës (CFCM), ka paralajmëruar për qëllimin e keq që fshihet prapa deklaratave të Emmanuel Macron.

Ahmer Ogres

Kryetari i Këshillit të Myslimanëve të Francës shtoi: “Franca është një shtet sekularist dhe Macroni duhet të mjaftohet vetëm me dhënien e sugjerimeve dhe porosive, ndërsa zbatimi i reformave është përgjegjësi e vetëm Këshillit të Myslimanëve”. Ogres gjithashtu dënoi luftën mediale kundër Islamit dhe myslimanëve në Francë. Qeveria e Francës dhe shtetet e tjera evropiane me të vërtetë nëse janë të shqetësuara për animin e të rinjve myslimanë drejt ekstremizmit, veprimeve të dhunshme dhe terrorizmit, duhet të rishikon qëndrimet në marrëdhëniet e tyre me disa vende islame si me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të cilat janë përhapëse dhe mbështetëse ideologjike, politike, financiare dhe ushtarake të grupeve takfiriste dhe terroriste siç është ISIS. Kjo është një çështje të cilën e kanë pohuar shumë qeveritar dhe funksionarë të lartë francezë, britanezë dhe gjermanë, mirëpo në veprim nuk kanë bërë kurrfarë veprimi konkret në këtë drejtim. Përkundër kësaj shtetet evropiane gjithmonë e përmendin Arabinë Saudite si aleate strategjike të tyre. Shtetet evropiane duke përfshirë edhe Francën janë prej eksportuesve kryesor të armatimeve të tyre në Arabinë Saudite. Nëse shtetet evropiane me të vërtetë synojnë të luftojnë rrënjësisht ekstremizmin, atëherë duhet të luftojnë kundër burimit kryesor të përhapjes së ekstremist në mesin e shoqërive myslimane. Mirëpo një vullnet i tillë nuk ekziston as në Francë dhe as në shtetet e tjera perëndimore. Këto shtete kanë nevojë që ta paraqesin Islamin si fe ekstremiste dhe të dhunshme me qëllim që të arsyetojnë vazhdimin e politikave të tyre ndërhyrëse në rajonin e Lindjes së Mesme si një prej rajoneve më strategjike të botës.