May 18, 2024 19:45 CET

Në një kohë jo aq të largët, qielli nuk ishte thjesht një pamje e bukur dhe tërheqëse. Përkundrazi, yjet e tij luanin një rol të rëndësishëm në përcaktimin e fateve të njerëzve dhe veprimeve të tyre.

Podkasti "Njeriu i mijëvjeçarit"   Episodi 1 "Qielli ishte vrima-vrima"

Në një kohë jo aq të largët, qielli nuk ishte thjesht një pamje e bukur dhe tërheqëse. Përkundrazi, yjet e tij luanin një rol të rëndësishëm në përcaktimin e fateve të njerëzve dhe veprimeve të tyre.

Duhet të keni kaluar shumë netë duke parë qiellin dhe duke vështruar yjet e tij të pafund. Qielli, në netët kur moti është i kthjellët dhe i pastër ka një pamje të gëzueshme, spektakolare dhe mahnitëse, dhe rrallë mund të gjesh një pamje që të ketë madhështinë dhe bukurinë e tij.

Mjerisht, këto ditë, shkëlqimi i dritave elektrike dhe akumulimi i tymit dhe pluhurit në qytetet e mëdha na kanë privuar të shohim pamjen e këndshme të qiellit të pastër. Nëse vëzhgoni qiellin natën në shkretëtirë ose në rrëzë të malit, do të shihni se mijëra, madje miliona yje të kuq, të verdhë e të bardhë "na e shkelin syrin" nga afër dhe larg.

Në një kohë jo shumë të largët, qielli nuk ishte thjesht një pamje e bukur dhe e këndshme, por yjet e tij luajtën një rol të rëndësishëm në përcaktimin e fatit dhe veprave të njerëzve. Puna kryesore dhe më e rëndësishme e astronomëve dhe astrologëve ishte përcaktimi i mbarësisë (ditëve të mira) dhe tersllëkut (ditëve të këqija), në mënyrë që njerëzit të dinin se kur ishte e përshtatshme ose e papërshtatshme për të filluar një punë. Vendndodhja e yjeve në qiell dhe mënyra se si ata ishin vendosur pranë njëri-tjetrit tregonin se cila ditë dhe cila orë e ditës apo e natës ishte fatkeqe dhe cila kohë ishte fatlume. Ndër të gjitha gjendjet e yjeve, astronomët njihnin një që ishte shumë e veçantë dhe që ndodhte shumë rrallë. Në atë gjendje, shumica e yjeve të mbarë dhe të njohur për mirë ishin të gjithë së bashku në pozicionin e tyre më të mirë në qiell. Astronomët thonin se një situatë e tillë mund të ndodhte një herë në një mijë vjet. Ithtarët e Zarathustrës (zoroastrianët) në Iran ishin të mendimit se kjo gjendje është e njëjtë me gjendjen fillestare të krijimit të qiellit dhe tokës, kur gjithçka ishte në formën e saj më të mirë dhe nëse përsëritet, në ato momente, çdo ngjarje është e mbarë dhe do të përfundojë mirë dhe nëse do të lindte një fëmijë në këtë kohë, ai do të ishte i lumtur dhe i famshëm.

Ne nuk e dimë se kur është fillimi i këtij njëmijëvjeçari dhe nuk e dimë se në këtë kohë të mbarë, në të gjithë botën, do të lindë vetëm një person i famshëm apo një person në çdo rajon. Por ne e dimë se njëri prej këtyre mijëvjeçarëve të mbarë ka ndodhur pikërisht në ditën e tretë të muajit Safar të vitit 370 hixhri hënor. Në ditën kur Dielli, Hëna, Venusi, Jupiteri dhe shumë trupa të tjerë qiellorë ishin të gjithë së bashku në pozicionin e tyre më të mirë qiellor. Në një ditë të tillë, në një cep të Iranit lindor lindi një fëmijë dhe tani, pas më shumë se dhjetë shekujsh, askush tjetër në mesin e njerëzve të zakonshëm nuk ka lindur si ai, dhe të gjithë njerëzit e urtë e të ditur, madje edhe kundërshtarët e tij, e kanë lavdëruar inteligjencën e tij.

Ai lindi fatlum dhe jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij me dinjitet dhe respekt dhe vdiq i famshëm dhe pa i patur kujt nevojën. Natyrisht, emri i tij është ende i gjallë dhe i popullarizuar në botën e sotme, jo vetëm midis njerëzve të thjeshtë, por edhe midis dijetarëve, mendimtarëve dhe të urtëve.

Pak muaj pas lindjes së këtij vogëlushi emërmirë, një ditë nëna e tij e çoi në oborr që vogëlushi i saj ta shihte mirë  botën. Ishte pasdite dhe dielli po perëndonte dhe fëmija ia kishte hequr mendjen të ëmës me shikimet dhe buzëqeshjet e tij jetëdhënëse. Papritur, gruas së re iu kujtua namazi. Setareja kënaqej me këtë detyre fetare dhe duket se kjo ishte hera e parë që ajo e harronte namzin deri vonë. E shtriu me nxitim fëmijën e saj të dashur mbi tapetin ku ishte ulur dhe duke e mbajtur të zënë me duar e me shenja, largohej dalëngadalë duke ecur mbrapsht drejt hauzit. Ajo hoqi byzylykun e saj të çmuar prej floriri dhe e la në anë të hauzit për të marrë abdest, por u shqetësua nga zhurma e një sorre që u afrua aty. Derisa ajo të mbaronte namazin, kishte mundësi që sorra e zezë t'i bënte keq foshnjes së saj të dashur. Në raste të tilla mendja të tregon të bësh kujdes. E hutuar, Setareja mori një sitë që ndodhej në cep të oborrit, e shtroi mbi fëmijën dhe filloi të falej e qetë.

Nën sitë, fëmija shikonte ngado dhe po mbante nën vëzhgim fluturimin e sorrës. Pak nga pak, errësira hodhi hije dhe u bë natë. Zëri i bezdisshëm i sorrës ende dëgjohej. Setareja kërkoi byzylykun e saj në buzë të hauzit të ujit, por nuk e gjeti. Atë natë, të nesërmen dhe në ditët në vijim, Setareja e ktheu shtëpinë përmbys, por nuk arriti të gjente ndonjë gjurmë të byzylykut me të cilin ishte shumë e lidhur. Sikur ta kishte përpirë dheu.

Setareja nuk e harroi kurrë këtë incident që ndodhi në një mënyrë kaq misterioze. Herë pas here shikonte në ndonjë cep, tundte kokën dhe thoshte: “Është për të ardhur keq!"

Nën përkujdesjen e Setaresë, dita-ditës fëmija bëhej më i madh e më i bukur, më i ëmbël dhe më vigjilent. Qëndronte në këmbë, ecte, hapte gojën e tij dhe fliste fjalë të ëmbla bebesh. Rritja e tij e shpejtë dhe zhvillimi i inteligjencës së tij i kishte mahnitur të gjithë.

Kishin kaluar tre vite nga humbja e byzylykut kur papritur zhurma e sorrës u dëgjua mbi tarracën e shtëpisë. Sorra i kujtoi sërish Setaresë byzylykun e humbur. Psherëtiu përsëri dhe nën zë tha: “Është për të ardhur keq! Është për të ardhur keq! Ishte kujtim prej nënës sime."

Fëmija kureshtar, i cili i kishte dëgjuar disa herë këto fjalë nga e ëma, e pyeti me një gjuhë të ëmbël dhe me këmbëngulje:

- Nënë, çfarë është për të ardhur keq?  

Duke psherëtirë dhe duke treguar kyçin e dorës, Setareja tha me keqardhje:

- Asgjë! Byzylyku im! Më ka humbur!

Fëmija bërtiti nga gëzimi dhe ndërsa nuk i dilnin fjalët nga lumturia, tregoi me shenjë nga dora e nënës së tij dhe tha:

- Ai byzylyk i kuqërremtë që mbaje në dorë?! E di unë ku ndodhet. 

Me nxitim dhe me habi, nëna e pyet:

- Qysh?! Nga e ke parë ti?! Ka nja dy-tre vite që ka humbur. Jo, more shpirt i mamit, po e ngatërron me një gjë tjetër. 

Fëmija, me emocion dhe belbëzim, tha:

- Nënë, po them të vërtetën, kam dashur shumë herë të të tregoj, por nuk ia dija emrin. Po atë ditë, sorra e kapi atë me sqep në anë të hauzit dhe e vendosi midis degëve të pemës. Ngrihu dhe shiko! 

Sytë e Setaresë u mbushën me lot gëzimi dhe zemra e saj u mbush me mijëra drita shprese, dhe ndërsa e shtrëngonte fëmijën e saj të dashur në kraharor duke e puthur, thoshte me gulçim:

- Kur? Ku e pe atë, në çfarë dite? Tani nuk po mundem ta marr më veten, jam e shokuar. 

Fëmija u tërhoq nga krahët e nënës së tij dhe u përgjigj:

- Nuk e di çfarë dite, por atë ditë qielli ishte i errët dhe vrima-vrima! 

Nëna, e cila sapo ishte kujtuar për atë ditë, tha e gëzuar:

- Ke të drejtë biri im! Si munde ti, një fëmijë katër-pesë muajsh nën një sitë, të shikosh këtë vjedhje të sorrës së keqe dhe ta mbash mend?! 

Djali shikoi nënën e tij dhe u përgjigj me vendosmëri:

- Nëna ime, nuk kam parë sitë dhe nuk e di se çfarë është? Por më kujtohet mirë që në atë mbrëmje, qielli ishte vrima-vrima.

A mendoni se historia që ju tregova ishte një mit apo e vërtetë? A është e mundur që një fëmijë 4-5 muajsh të jetë kaq vigjilent dhe të ketë këtë sasi njohjeje dhe memorieje? Ndoshta tregimtarët e kanë shpikur këtë histori dhe naivët e kanë përcjellë gojë më gojë. Por sido që të jetë, kjo histori është treguar për dikë, fëmijëria dhe rinia e të cilit janë plot surpriza, dhe këtu ne iranianët themi: "Ku ka zë, nuk është pa gjë!"

A është vërtet e gjitha kjo inteligjencë dhe mprehtësi mendore rezultat i rrotullimit të yjeve në qiej dhe mënyrës së pozicionimit të tyre? A mendoni se lumturinë dhe mjerimin e njerëzve e përcaktojnë yjet në qiell? Apo kjo punë lidhet më shumë me përpjekjen, këmbënguljen, zgjuarsinë dhe mendimin e njerëzve?

Ndoshta njohja e historisë së këtij fëmije të famshëm iranian është një përgjigje për pyetjen tonë. Ky fëmijë nuk është askush tjetër pos Husejn ibn Abdullah ibn Sinasë. Ai që të gjithë e njohin si Shejh Er-Reis, Ebu Ali Sina, një mendimtar i madh iranian i shekullit të 5-të hixhri hënor.

Tags