May 18, 2024 19:52 CET

Kishin kaluar rreth gjashtë vjet nga lindja e Husejnit, të birit të Abdullahut, kur nëna e tij zuri shtratin e u sëmur. Edhe pse Abdullahu kishte sjellë mjekët më të mirë të Buharasë mbi shtratin e të sëmurës së tij, sëmundja e gruas së tij, Setare, zgjati ca. Më në fund, pas disa muajsh, pak nga pak, te Setareja u shfaqën shenjat e përmirësimit.  

Podkasti "Njeriu i mijëvjeçarit" Episodi 2 "Inxhinieri i vogël dhe gjykatësi pa mjekër"

Kishin kaluar rreth gjashtë vjet nga lindja e Husejnit, të birit të Abdullahut, kur nëna e tij zuri shtratin e u sëmur. Edhe pse Abdullahu kishte sjellë mjekët më të mirë të Buharasë mbi shtratin e të sëmurës së tij, sëmundja e gruas së tij, Setare, zgjati ca. Më në fund, pas disa muajsh, pak nga pak, te Setareja u shfaqën shenjat e përmirësimit.

Ndërsa mbante dorën e gruas së tij, Abdullahu e falënderoi Zotin për shërimin e saj dhe tha: "Në shenjë mirënjohjeje për këtë mëshirë të madhe hyjnore, duhet të bëj kurban delen për të cilën jam betuar dhe t'ua jap nevojtarëve."

Duke e ditur se shqetësimi më i madh i Setaresë ishte djali i tyre, Husejni, hodhi shikimin nga dhoma tjetër dhe vazhdoi: "Djali ynë është duke pritur, unë duhet të shkoj e t'u përgjigjem pyetjeve të tij."

Setareja tha: "Mendja e një fëmije nuk ka shumë kapacitet, alfabeti dhe suret e shkurtra të Kur'anit që ka mësuar mjaftojnë. Na lejo të vazhdojmë kështu pak e nga pak. Kur të ndihem më mirë, do ta mësoj se si të falë namazin."

Abdullai buzëqeshi dhe tha: "Nuk paske shumë haber, zonjë. Ai ka përparuar aq shumë sa nuk jam në gjendje t'u përgjigjem më pyetjeve të tij. Më duhet të gjej një mësues të mirë për të. Gjatë këtyre dy-tre muajve kur ishe e sëmurë, me urdhër të mjekut e larguam Husejnin prej teje dhe ai mësoi shumë shpejt të lexojë e të shkruajë persisht. Në të njëjtën kohë filloi të mësonte edhe Kur'anin. Dhe tani, ai shkon edhe më tej dhe më thotë: 'Duhet të më mësosh kuptimin e Kur'anit!' Kjo sëmundje e papritur dhe dashuria e pamasë e Husejnit për një nënë vetëflijuese si ti, është bërë shkak që ai të ketë një përparim dhe zhvillim të mahnitshëm. Edhe për mua është e pabesueshme, e lëre më për të tjerët, por është e vërtetë."

Ndërsa fytyra e saj ishte e lagur me lot gëzimi, Setareja e pyeti: "Si e ka shkaktuar sëmundja ime gjithë këtë përparim të Husejnit?"

Abdullahu u ngrit dhe duke ecur jashtë dhomës, tha: "Që atëherë kur me urdhër të mjekut e larguam Husejnin nga koka e shtratit tënd në një dhomë tjetër dhe ai e dinte se duhej të qëndronte për një kohë larg nënës së tij, papritmas u dëshpërua e u trishtua dhe për dy ditë as vuri gjë në gojë e as vuri gjumë në sy. Më pas, m'u desh ta sillja mjekun pranë tij. Para se mjeku ta pyeste, e pyeti Husejni i pari: 'Pse the që të mos qëndroj pranë shtratit të nënës sime?' Mjeku iu përgjigj: 'Sepse ajo është e sëmurë dhe nëse qëndron me të mund të prekesh prej sëmundjes së saj'. Husejni vazhdoi të bënte pyetje derisa arriti në pikën ku kuptoi se duke mësuar dijet, ai mund të njohë sëmundjet dhe t'i trajtojë ato. Që atëherë, Husejni gjeti rrugën e tij dhe nga ai çast ai lexon, shkruan dhe bën pyetje ditë e natë. Jam lodhur nga përpjekjet dhe këmbënguljet e tij. Ai nuk ndalet së eksploruari, praktikuari dhe përsërituri gjatë gjithë ditës. Tani është radha ime të shtrihem në këtë shtrat, por kur shoh që djali im bën punën e një muaji në pak ditë dhe në një muaj përparon sa për një vit, e harroj të gjithë lodhjen time. Ne duhet të shkojmë në Buhara sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kërkojmë ndihmë nga mësuesit atje për të edukuar Husejnin. Në këtë fshat të vogël, askush nuk di më shumë sesa Husejni ynë. Ai, së shpejti, do ta mbarojë mësimin e Kur'anit jo vetëm me lexim, por edhe me recitim e rregulla texhvidi, dhe është më i ditur se të gjithë njerëzit që pretendojnë dituri në Afshana. Madje, ai di edhe gjëra të tjera që këta nuk dinë."

Setareja, e cila e kishte humbur qetësinë nga lumturia dhe emocionet, tha: "A e di që unë jam e vetmja nënë në botë që e ka fëmijën më të zgjuarin e qytetit që në moshën gjashtëvjeçare?! O Zot i mëshirshëm, mos na e merr këtë mëshirë dhe begati të madhe!"

Disa vite më vonë, Abdullahu planifikoi të shiste disa nga kopshtet e tij në Afshana për të financuar arsimimin e djalit të tij. Setareja dhe dy djemtë e saj, Husejni dhe Mahmudi, po përgatiteshin gjithashtu të shkonin nga Buharaja në Afshana për disa ditë dhe të vizitonin të afërmit. Si gjithmonë, Husejni po i bënte nënës pyetje të ndryshme, kur biseda mes nënës dhe fëmijës u ndërpre nga një zhurma e një përplasjeje në shtëpi. Abdullahu hyri në shtëpi me një mesoburrë dhe Husejni, duke i parë ata, u lumturua dhe i tha nënës së tij me buzëqeshje: "Nënë! Unë e njoh këtë njeri. Është i njëjti shitës që lexon libra dhe që ka një dyqan perimesh në krye të tregut të floririt. Ai është një llogaritar i mirë." Shitësi llogaritar duhej të llogariste sipërfaqen e tokave, në mënyrë që shitja të mund të bëhej me saktësi dhe pa të meta.

Në Afshana, Husejni tetëvjeçar ishte i etur për të ndihmuar në matjen e tokës dhe llogaritjen e distancave. Abdullahu, i habitur tha: "Husejn xhan, ti nuk i njeh numrat dhe gjeometrinë! Kjo është një shkencë për të cilën pak njerëz janë të vetëdijshëm."

Husejni ngriti kokën, mori frymë thellë dhe tha: "Unë e njoh mirë këtë shkencë dhe i di të gjitha simbolet e saj. Numërimin, leximin dhe shkrimin e kësaj teknike e kam mësuar nga vetë mjeshtër Mahmudi, i cili është llogaritar dhe lexues i rregullt, dhe i jam mirënjohës për këtë."

Abdullahu i hodhi një shikim mjeshtër Mahmudit dhe një tjetër Husejnit dhe tha: "Kur?! Ku?! Mjeshtër Mahmudi nuk ka ardhur ndonjëherë në shtëpinë tonë!"

Husejni i hodhi një gjysmëvështrim mjeshtrit dhe u përgjigj me një djallëzi fëminore: "Porse unë kam vajtur shpesh tek dyqani i mjeshtrit. Herë pas here mamaja më dërgonte të blija perime. Ndonjëherë shkoja në dyqanin e mjeshtrit për fqinjët dhe në vend të të tjerëve dhe nuk humbisja asnjë rast, qoftë edhe të shkurtër."

Kur biseda mbërriti në këtë pikë, mjeshtër Mahmudi, duke u gjunjëzuar për të puthur ballin e lartë të Husejnit, tha: "Por edhe ti ishe dhe je mësuesi im i mirë... Duhet të të jem mirënjohës ty dhe librave të tu që më jepje hua, sepse nëse të kam mësuar një fjalë apo një numër prej numrave, unë kam mësuar disafishin e tyre nga ty. Mjerisht, njerëzit e kohës sonë e masin dijen, teknikën dhe artin në raport me moshën dhe pamjen e jashtme dhe nuk pranojnë që dija dhe njohuria nuk varet nga mosha."

Abdullahu, i cili ishte zhytur në një ndjenjë të paqartë habie, gëzimi dhe krenarie, papritmas, me një të qeshur me zë të lartë, tha: "Pra, ne paskemi pasur një inxhinier të vogël në shtëpi dhe një tjetër të madh në shtëpinë ngjitur dhe nuk e paskemi ditur!"

Jashtë tregut të erëzave, afër shtëpisë së Abdullahut, pati një zhurmë dhe një turmë që tërhiqte vëmendjen e çdo kalimtari. Dy burra me shkopinj në duar po godisnin derën e një shtëpie dhe bërtisnin: "Me urdhër të gjykatësit, hapeni derën!"

Një grua e re, e frikësuar kishte nxjerrë kokën nga dritarja dhe thoshte me zë të pafuqishëm e rënkues: "O myslimanë! Kini mëshirë për mua të ngratën! Përse doni të dëboni një grua dhe një fëmijë të pafuqishëm nga shtëpia e tyre e trashëguar? Çfarë fetarie është kjo? Çfarë kërkoni prej meje?"

Në të njëjtën kohë, u dëgjua edhe zëri i disa personave që po bërtisnin duke kundërshtuar: "Hesht dhe dil nga kjo shtëpi! Trashëgimtarët e vërtetë jemi ne. Edhe e ke uzurpuar shtëpinë, edhe urdhrit të gjykatësit nuk i bindesh."

Zëri i gruas që qante dhe vajtonte vazhdonte të dëgjohej ende, kur një nga oficerët e ekzekutimit të vendimit iu drejtua njerëzve të pranishëm dhe u tha: "O njerëz, dëshmoni se kjo grua nuk e ka zbatuar vendimin e zotit gjykatës dhe ne jemi të detyruar ta thyejmë derën e shtëpisë e ta zbatojmë vendimin me dhunë."

Spektatorët qëndronin të heshtur dhe indiferentë duke parë herë këtej e herë andej. Papritur, u dëgjua zëri protestues i një kundërshtari, duke folur i zemëruar porse me fjalë të ndara: "Për cilin vendim të jemi dëshmitarë? Ne nuk e dimë se për çfarë bën fjalë vendimi i gjyqtarit. Përse nuk e lexoni vendimin me zë të lartë që të dëgjojmë dhe të zbulojmë të vërtetën e mosmarrëveshjes? Nëse nuk mund ta lexoni vetë, ma jepni mua ose dikujt tjetri ta lexojë."

Kokat u kthyen nga vinte zëri. Në majë të një kodrine të vogël nga ku mund të shihte të gjithë turmën, kishte hipur dhe fliste një djalosh 10-12 vjeç. Ai ishte Husejni i biri i Abdullahut. Fliste me aq forcë dhe vendosmëri, saqë edhe populli e kërkoi leximin e vendimit.

Ulërimat dhe britmat e njerëzve bënë punën e tyre dhe vendimi i gjyqtarit kaloi dorë më dorë derisa mbërriti në duart e djaloshit protestues mbi kodrinë. Edhe rojet e sigurisë dolën përpara dhe e panë Husejnin me dyshim e mosbesim. Pasi e lexoi aktgjykimin, ai tha me zemërim dhe keqardhje: "Ia kanë sqaruar gabim çështjen gjykatësit. Ky vendim është i gabuar. Zoti gjykatës duhet të paraqitet këtu dhe ta pengojë këtë padrejtësi."

U bë një zhurmë në mes të turmës dhe oficerët e gjykatësit nxituan drejt Husejnit duke e sharë, por duart që dridheshin të një plaku flokëbardhë i ndaluan ata. Plaku me fytyrë të gjerë pyeti me një ton të qetë: "Biri im, a nuk mendon se këto fjalët e tua janë mungesë respekti ndaj gjykatësit, i cili duhet të shfaqet këtu me urdhër të një fëmije që e konsideron vendimin e tij të gabuar?"

Husejni iu përgjigj menjëherë: "Puna dhe detyra e gjykatësit është të eliminojë padrejtësinë dhe të vërë në vend drejtësinë. E nëse nuk vjen, ai është zullumqar dhe bashkëpunëtor i zullumqarëve."

Plaku tha: "Supozo se gjykatësi ka ardhur këtu për të shmangur padrejtësinë dhe pret të dëgjojë argumentet e tua. Çfarë dëshiron t’i thuash?"

Djaloshi tha: "Së pari, kjo grua nuk u soll para gjykatësit. Nga gjendja e saj është e qartë se ajo nuk është njoftuar aspak për këtë çështje dhe nuk di absolutisht asgjë për pretendimin. Së dyti, sipas vendimit të gjykatësit, pronari i kësaj shtëpie u divorcua nga gruaja e tij gjatë kohës që ishte gjallë, dhe ajo grua u martua përsëri katër muaj pas vdekjes së burrit të saj dhe lindi një fëmijë. Kështu që, i ndjeri nuk kishte grua apo fëmijë tjetër në kohën e vdekjes së tij që të bëheshin trashëgimtarë të tij. Prandaj, sipas kësaj, kjo shtëpi do t'i takonte një trashëgimtari tjetër, që do të ishte prej të afërmve të të ndjerit. Mirëpo, duhet ta dini se i gjithi ky vendim është i gabuar nga fillimi deri në fund. Para së gjithash, data e shkurorëzimit është e njëjtë me vdekjen e burrit dhe kanë kaluar dhjetë muaj nga vdekja e burrit të parë dhe nuk kanë kaluar më pak se gjashtë muaj nga rimartesa e kësaj gruaje. Ndërkohë që kjo grua ka një fëmijë njëmuajsh dhe asnjë fëmijë nuk lind për pesë muaj. Pra, duket qartë që ky fëmijë është nga burri i parë dhe është trashëgimtar i tij."

Njerëzit mbetën të shtangur dhe po vështronin nga plaku dhe i riu. Askush nuk bënte zë. Plaku e drejtua pak trupin dhe tha: "Të lumtë o kërkues dhe folës i të vërtetës! Mëshira e Zotit qoftë mbi prindërit dhe mësuesit e tu! Është e qartë se në këtë moshë ku adoleshentët nuk kanë gjë tjetër në mendje veç lojës, ti po bën hapa me shumë dhimbje e mundim dhe shumë zgjuarsi në shkencën e jurisprudencës dhe në dispozitat e sheriatit islam duke patur mundësi të gjykosh kaq imtësisht dhe të japësh verdikt të saktë. Më thuaj, ku dhe nga kush e mësove shqyrtimin e dispozitave të fesë?"

"Tek juristi i madh i Buharasë, imami Ismail Zahid", ia ktheu djaloshi.

Papritur, zëri i burrit akuzues u ngrit, dhe me ironi dhe sarkazëm tha: "Vendimi i gjykatësit të sheriatit është bërë vegël talljeje për mendjelehtët. Vetëm një myfti e gjykatës pa mjekër e mustaqe kishim mangët dhe tani e kemi mes nesh. Mjerë për banorët e Buharasë për të cilët jep verdikte një fëmijë!"

Juristi plak bëri një gjest dhe kur turma heshti, tha me zë të lartë dhe shprehës: "O njerëz! Mesa duket, ky njeri që na qahet kështu nuk mund ta shtierë më në dorë pronën e asaj gruaje dhe foshnje të pambrojtur. Por bëri një përshkrim të mirë dhe tha fjalë me vend ky djaloshi 10-12 vjeçar. Nga një gjykatës i drejtë dhe i ditur vetëm mustaqet dhe mjekrën ka mangët."

Pastaj u kthye nga oficerët e gjykatësit dhe shtoi me ton urdhërues: "Thuajini gjykatësit se babai yt kërkon që t'ia largosh menjëherë padrejtësinë kësaj gruaje dhe të mos e bezdisësh më. Nga tani e tutje, për zbatimin e vendimit, duhet të dërgosh oficerë dhe ndihmës asnjanës e të devotshëm që sillen mirë dhe me drejtësi me njerëzit."

Pas një reflektimi të shkurtër, plaku vazhdoi duke thënë: "Thuajini gjykatësit dhe theksojani që tani e tutje të gjykojë me vetëdije e vizion mes njerëzve dhe të bëjë kujdes që mjekra dhe mustaqet e tij të mos bien në dorën e këtij gjykatësi dhe myftiu pa mjekër e mustaqe dhe t’ia shkulë ato nga rrënjët."

Tags