Qershor 26, 2016 08:19 CET
  • Lëvizjet takfiriste, skenar destruktiv

Në këtë edicion do të flasim rreth rolit të falsifikimit të hadithit nga vehabistët selefist për të paraqitur një imazh të padrejtë të Islamit.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Lëvizjet takfiriste, skenar destruktiv". Në edicionin e kaluar arritëm deri në çështjen se si bëhet njohja e natyrës së selefizmit vehabist dhe thamë se për të njohur selefizmin vehabist para se gjithash duhet të njihet lëvizja e tradicionalizmit me prirje në hadith. Nuk ka dyshim se pas Kur'anit të shenjtë, suneti luan rol themelor në udhëzimin e njerëzve. Mirëpo në përkufizimin e sunetit profetik ekzistojnë mendime të ndryshme. Dijetarët sunitë besojnë se pas vdekjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s., profetit të nderuar të Islamit, pasi është ndërprerë shpallja hyjnore dhe nuk ekziston lidhje me Zotin e madhëruar, në të gjitha çështjet mjafton vetëm ajo që ka arritur tek ne nëpërmjet Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe çështjet e tjera të reja zgjidhen me konkludimin tonë. Mirëpo dijetarët e shkollës shiite besojnë se pavarësisht se është ndërprerë shpallja hyjnore, mirëpo për shpjegimin e ajeteve hyjnore dhe dispozitave fetare, kemi nevojë për imamët ma'sum (a.s.) në mënyrë që ata t'i shpjegojnë ato në mënyrë të drejtë për neve dhe të shpjegojnë atë çfarë është dispozitë e vërtetë hyjnore. Dijetarët sunitë i besojnë imamët ma'sum (s.a.) si udhëheqës shoqëror, mirëpo nuk i pranojnë ata në kuptimin e autoritetit fetar dhe në kuptimin e Velajatit. Dijetarët sunitë një pozitë të tillë nuk e pranojnë për asnjë personalitet islam, prandaj ata pastërtinë nga mëkati nuk e konsiderojnë si element të domosdoshëm tek imami dhe khalifja. Mirëpo dijetarët e shkollës shiite imamët e tyre i konsiderojnë të pastër nga mëkati. Shiitët besojnë se pas Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., imamët që ka zgjedhur Zoti për udhëheqjen e shoqërisë islame, posedojnë diturinë e Profetit s.a.v.s. dhe ata janë komentuesit e ajeteve kur'anore dhe të haditheve profetike dhe i japin përgjigjeje problemeve të shoqërisë islame. Prandaj, dijetarët e shkollës shiite duke u referuar diturisë së gjerë të imamëve ma'sum (a.s.), kanë arritur të gjejnë një bazë të fortë mbështetëse përballë problemeve dhe dilemave të reja pas vdekjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Sipas Aban bin Taghalub, dijetar suni, "Myslimanët shiitë janë ata të cilët atëherë kur njerëzit kishin mosmarrëveshje në urdhrat e Hazretit Muhamed s.a.v.s., janë bazuar në fjalët e Imam Aliut (a.s.), ndërsa atëherë kur pas vdekjes së tij njerëzit përsëri kishin mosmarrëveshje, myslimanët shiitë janë bazuar në fjalët e Imam Xhafer Sadik (a.s.)". Në kohën kur problemet e dijetarëve shiitë rreth çështjeve të paraqitura pas vdekjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s. janë zgjidhur duke u referuar tek Ehli Bejti (a.s.), dijetarët sunitë në këtë drejtim u përballen me probleme themelore. Ata pas Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. i konsideruan me vlerë vetëm hadithet e mbetura nga Hazreti Muhamed. Padyshim se një sasi kaq e madhe e haditheve profetike deri diku arritën të plotësojnë nevojat e dijetarëve sunitë në këtë drejtim, mirëpo ndalimi i shënimit të haditheve profetike nga ana e khalifëve, i rrëmbeu atyre burimet e nxënies së diturisë. Khalifi i parë dhe i dytë i Shtetit Islam për disa shkaqe të caktuara ndaluan shënimin e haditheve të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe ky veprim u bë shkak që të zhduket një sasi e konsiderueshme e hadithëve. Nga njëra anë, në mesin e dijetarëve sunitë nuk ekzistonte një autoritet i gjallë i cili do të mund t'i përgjigjej nevojave të përditshme dhe çështjeve të reja, ndërsa nga ana tjetër, suneti i Profetit s.a.v.s. mbeti i ngurtë dhe u ndalua shënimi dhe transmetimi i hadithëve profetike.

Në periudhën e sundimit të khalifit të dytë të Shtetit Islam, u përhap në masë të madhe lëvizja për djegien e haditheve profetike. Njerëzit të cilët nuk kishin marrë seriozisht urdhrin e khalifit, në mënyrë të kufizuar vazhduan të shënojnë hadithet profetike. Në vazhdën e këtij procesi e informuan Omar bin Khatabin se në mesin e myslimanëve ekzistonin libra dhe përmbledhje të haditheve profetike. Ai u zemërua për këtë gjë dhe në një fjalim publik tha: "O njerëz! Më kanë informuar mua që në mesin tuaj ekzistojnë shkrime të hadithit. Dijeni se më i qëndrueshmi prej besimtarëve është më i dashuri pranë Zotit. Të gjithë shkrimet dhe përmbledhjet e haditheve që keni bërë, sillini pranë meje në mënyrë që unë t'i shqyrtoj ato". Njerëzit menduan që khalifja dëshiron t'i shqyrtojë dhe t'i krahasojë ato me dorëshkrimet më të vërteta në mënyrë që të mënjanohen mosmarrëveshjet, mirëpo khalifja të gjitha ato i futi në zjarr. Në periudhën e sundimit të khalifit të tretë dhe në periudhën e sundimit të Muavije bin Sufjan situata ka qenë e njëjtë dhe personalitetet si Abu Dhar i cili kishte dëgjuar hadithe drejtpërdrejtë nga Profeti s.a.v.s., ishte ndaluar që të transmetojë hadithe. Sidomos në periudhën e sundimit të Muavijes, situata në fushën e hadithit u përkeqësua edhe më shumë për arsye se u paraqiten edhe shumë shpikës dhe falsifikues të haditheve. Periudha e ndalimit të shënimit të haditheve zgjati gati 100 vite deri në vitin 100 ose 101 hixhri kameri, sundimtari i dinastisë Emevite Omar bin Abdulaziz dha leje për mbledhjen e haditheve të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Mirëpo duke marrë parasysh periudhën e shkurtër të sundimit të tij (rreth dy vite e gjysmë), metoda e tij në mbledhjen e haditheve profetike u përballë me sfida serioze. Një shekull ndalim të mbledhjes dhe të shënimit të haditheve dhe përpjekjet e armiqve për të devijuar bazat islame, ka lënë pasoja shumë negative. Ndalimi i mbledhjes dhe i shënimit të haditheve u bë shkak që shumë hadithe me vlerë të varrosen në gjoksin e sahabeve dhe gjeneratat e ardhshme u privuan nga ky thesar. Nga shumë prej sahabëve të cilët për një kohë të gjatë kanë shoqëruar Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s. ka mbetur një pjesë shumë e vogël e haditheve. Sipas Umu Selma, bashkëshortja e Hazretit Muhamed s.a.v.s., në një rast Profeti s.a.v.s. kërkoi një copë lëkurë. Aliu (a.s.) e solli një copë lëkurë pranë Profetit s.a.v.s.. Pastaj Hsazreti Muhamed s.a.v.s. diktonte dhe Imam Aliu (a.s.) shkruante derisa e gjithë ajo copë lëkur edhe para edhe mbrapa u mbush me të shkruar. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në lidhje me Imam Aliun (a.s.) ka thënë: "Aliu është porta e diturisë time". Mirëpo sipas Ibën Hazem, në burimet e dijetarëve sunitë nga Imam Aliu (a.s.) janë transmetuar vetëm 596 hadithe. Prandaj është për tu çuditur se një personalitet si Imam Aliu (a.s.) i cili ka shoqëruar Profetin s.a.v.s. në të gjitha çastet, është transmetuar vetëm një numër kaq i vogël i haditheve profetike. Gjithashtu nga Imam Hasani (a.s.) në burimet e dijetarëve sunitë janë transmetuar vetëm 13 hadithe, ndërsa nga Imam Huseini (a.s.) në këto burime janë transmetuar vetëm tetë hadithe.

Ibën bin Ka'b ka qenë një prej sahabëve të dalluar të Profetit s.a.v.s. dhe lexues dhe hafëz i njohur i Kur'anit të shenjtë. Megjithëkëtë Ibën Hazem, një prej historianëve islam thotë: "Nga Ibën Ka'b janë transmetuar 164 hadithe profetike". Ndërkohë nga Selman Farisi për të cilin Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Tek ai është mbledhur dituria e paraardhësve dhe e pasardhësve", në burimet sunite janë transmetuar vetëm gjashtë hadithe dhe nga Abu Dharr janë transmetuar vetëm 281 hadithe, ndërsa nga disa sahabe të mëdhenj të cilët kanë kaluar kohë të gjatë në shoqërim të Hazretit Muhamed s.a.v.s. siç është Zijad bin Handhale nuk është transmetuar as edhe një hadith. Nga ana tjetër është për tu çuditur fakti se nga një person siç është Abu Hurejra i cili ka qenë bashkëkohanik i Profetit s.a.v.s. vetëm dy vjet, janë transmetuar 5974 hadithe. Kjo është në kohën kur disa dijetarë të njohur sunitë duke u mbështetur në Kur'an dhe në transmetimet e tjera profetike, kanë shprehur dyshime serioze në lidhje me vërtetësinë e haditheve të transmetuara nga Abu Hurejra dhe i kanë konsideruar ato të pavërteta. Ibën Ebi Al-Hadid në shpjegimin e librit Nahxhul-Balagha shkruan: "Abu Jusef nxënësi i Abu Hanife thotë: "I kam thënë Abu Hainfes: ekzistojnë disa transmetime nga Profeti s.a.v.s. të cilat nuk përputhen me analogjinë tonë, si t'i konsiderojmë ato? Ai u përgjigj: nëse transmetimet janë bërë nga njerëz të besueshëm, ato duhet t'i zbatoni dhe t'i lëni anash mendimet personale. Unë e pyeta: çfarë është mendimi yt në lidhje me transmetimet e Ebu Bekrit dhe të Omarit? Ai u përgjigj: unë të këshilloj që të mos i lësh anash ato. Pastaj e pyeta: po transmetimet e Aliut dhe Othmanit? Më tha: edhe ato janë në të njëjtin nivel. Kur e pa që po e pyes për secilin prej sahabëve, atëherë më tha: "Sahabët e Profetit s.a.v.s. të gjithë janë të drejtë me përjashtim të disa personave të cilët pastaj i numëroi me emra dhe mes tyre ishte Abu Hurejra dhe Malek bin Enes". Historiku i falsifikimit të haditheve profetike daton që nga koha e Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Krijimi i thënieve të pavërteta dhe përhapja e tyre në emër të haditheve profetike në mesin e myslimanëve në kohën e Profetit s.a.v.s., ishte bërë deri në atë masë saqë Hazreti Muhamed s.a.v.s. në lidhje me këtë ka thënë: "O njerëz! Thëniet e pavërteta që më vishen mua po përhapen në masë të madhe, por ai që e bënë këtë me qëllim, padyshim se vendi i tij do të jetë në zjarr". Pas vdekjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s., falsifikimi i haditheve profetike mori përmasa edhe më të gjera. Për të përcaktuar më qartë përmasat e falsifikimit të haditheve, mjafton që të hedhim një vështrim mbi mënyrën e mbledhjes së transmetimeve dhe haditheve nga ana e dijetarëve të mëdhenj sunitë. Hadithet profetike janë në numër aq të madh saqë këta studiues të haditheve janë detyruar të zgjedhin vetëm një numër të kufizuar të tyre si hadithe të vërteta të Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Për shembull dijetari i njohur Abu Davud në veprën e tij "Sunen" ka shënuar vetëm 4800 hadithe dhe ka thënë se këto hadithe i ka zgjedhur nga 500 mijë hadithe. Vepra "Sahih" e dijetarit Bukhari me heqjen e përsëritjeve, ka vetëm 2761 hadithe të cilat ai i ka zgjedhur nga 600 mijë hadithe. Vepra tjetër "Sahih" e dijetarit Muslim duke përjashtuar përsëritjet, ka vetëm 4000 hadithe të cilat studiuesi i njohur Muslim i ka zgjedhur nga 750 mijë hadithe. Ahmed bin Hanbel në veprën e tij të njohur "Musned" ka transmetuar 90 mijë hadithe të cilat i ka zgjedhur nga 750 mijë hadithe profetike. Thuhet se ai kishte mësuar përmendësh një milion e gjysmë hadithe profetike dha nga të gjitha ato ka zgjedhur 900 mijë hadithe dhe ka shkruar shumë vepra në komentimin e Kur'anit të shenjtë, në dispozitat e Sheriatit dhe në rregullat e tjera fetare. Statistika të tilla rreth transmetimeve dhe haditheve profetike dhe zgjedhja e vetëm një numri të kufizuar të tyre si hadithe të vërteta nga studiuesit e haditheve, tregojnë kulmin e tragjedisë së krijuar në falsifikimin e haditheve profetike. Kjo është në kohën kur ende ekzistojnë shumë dilema serioze në dokumentimin e vërtetësisë së transmetimit të këtyre haditheve në burimet e dijetarëve sunitë.

Ajo që është më tepër për tu çuditur është vështrimi plotësisht kontradiktor i selefistëve vehabistë ndaj hadithtit. Në periudhën e ndalimit të shkrimit të haditheve me arsyetime të tilla si lënia anash e Kur'anit të shenjtë, jepeshin moto se "na mjafton Libri i Zotit" dhe si pasojë e kësaj suneti i Profetit s.a.v.s. u la në harresë për 100 vjet. Aktualisht lëvizjet takfiriste selefizmi vahabist të gjitha burimet fetare duke përfshirë edhe Kur'anin e shenjtë, i vendos pas hadithit. Qëllimi ynë në diskutimin e çështjes se si janë mbledhur hadithet profetike është ky që të tregohet se tradicionalizmi dhe prirja ndaj haditheve profetike deri në çfarë mase mund të ketë perceptim të devijua rreth Islamit duke marrë parasysh numrin e madh të haditheve të falsifikuara dhe duke mos marrë parasysh Kur'anin e shenjtë dhe transmetimet e imamëve ma'sum. Prandaj lëvizjet takfiriste aktualisht duke u bazuar në hadithe të falsifikuara profetike, paraqesin një imazh të Islamit i cili është në kontradiktë të plotë me mësimet e Islamit burimor.