Gusht 18, 2016 11:47 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet në Europë.

Javën e kaluar, Lëvizja Black Lives Matter ka protestuar në Londër kundër vrasjeve të personave me ngjyrë nga policia, duke shtrirë kështu protestat përtej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Protestuesit bllokuan rrugën që të çon drejt aeroportit Heathroë të Londrës, duke shkaktuar trafik të rënduar. Policia arrestoi disa persona. Lëvizja Black Lives Matter, ose Jetët e  Njerëzve me Ngjyrë Vlejnë, ka nisur protestat edhe në Britaninë e Madhe pas demontrimeve të shumta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të frymëzuara pas vrasjeve të shumta të njerëzve me ngjyrë nga policia amerikane. Protestuesit bllokuan rrugën që të çon drejt aeroportit Heathroë të Londrës, duke shkaktuar trafik të rënduar në aeroportin e frekuentuar europian. Protestuesit ishin shtrirë në autostradën me pesë korsi që lidh Londrën me Anglinë perëndimore. Në një deklaratë, policia tha se ka arrestuar disa persona, dhe pikërisht ata që bënin rezistencë, duke refuzuar ti binden urdhrit të policisë. Organizatori i protestës, Joshua Virasami, bëri thirrje për bashkim të komunitetit me ngjyrë për drejtësi dhe barazi në Britani. Lëvizja është rritur gjatë tre viteve të fundit me rritjen edhe të vrasjeve të komuniteit me ngjyrë nga ana e policisë amerikane. Protestat erdhën një ditë pas përvjetorit të pestë të vrasjes së  Mark Duggan nga policia në veri të Londrës, duke shkaktuar trazira që u përhapën në disa qytete të Britanisë së Madhe. Në vitin 2014, një hetim gjyqësor arriti në përfundimin se zoti Duggan ishte vrarë në mënyrë të ligjshme nga policia, por familja e tij ka fituar të drejtën e ankimit në tetor të 2015. Muajin e kaluar qindra njerëz marshuan në qendër të Londrës në shenjë proteste për vrasjen e dy burrave me ngjyrë  nga ana e policisë në SHBA. Sakaq shumë vende amerikane janë përfshirë nga trazirat gjatë dy viteve te fundit si pasoje e vrasjeve të cilësuar nga komuniteti me ngjyrë, raciste.

Javën e kaluar, Theresa May kryeministre e Anglisë ka kundërshtuar kërcënimet e disa anëtarëve të dhomës së Lordëve të cilët kanë kërcënuar me ndërprerjen e procesit të Brexit. May duke e cilësuar të papranueshëm çdo lloj kërcënimi rreth daljes së Anglisë nga BE tha se është populli anglez ai që mori vendim për dalje nga BE dhe procesi duhet realizuar. Patuience Ëheatcrooft, një prej anëtarëve të dhomës së lordëve që ka kundërshton fuqishëm daljen e  Anglisë nga BE, ka kërkuar të parandalohet miratimi i ligjit për nenin 50 të traktatit të Lisbonës dhe nisjen e procesit të largimit të Anglisë nga BE. Më herët Angela Merkel e ka mbështetur vendimin kontrovers të Theresa May-t rreth shtyrjes së fillimit të nenit 50, mekanizmit formal për largim nga BE-ja, deri vitin e ardhshëm. Duke folur në një konferencë për shtyp në Berlin, përkrah lideres gjermane, znj. May tha se do të sigurohet për një dalje të ndjeshme dhe të rregullt nga BE-ja. Kryeministrja tha: "Që të gjithë neve do të na duhet kohë që të përgatitemi për këto bisedime dhe Britania nuk do ta iniciojë nenin 50 derisa të jenë të qarta objektivat tona. Britania dëshiron shtyrjen e hapjes së bisedimeve formale Merkel u përgjigj duke thënë se kjo ishte tërësisht e kuptueshme, që Britania dëshiron shtyrjen e hapjes së bisedimeve formale për dalje nga BE-ja. Është në të mirën tonë që Britania ta definojë qëndrimin e saj negociues në detaje dhe qartësi, duke nënvizuar qartë se si e sheh të ardhmen dhe raportin e saj me BE-në, tha Merkel. Zonja May kryeministre e Anglisë, tha: "Kam qenë e qartë që Brexit dmth Brexit. Por, po ashtu dua që të jem e qartë këtu dhe në tërë Evropën gjatë javëve në vijim, se ne nuk do të largohemi nga miqtë tanë evropianë. Të gatshme për thellimin e partneritetit ushtarak Britania do të mbetet një vend i hapur dhe Gjermania do të mbetet një partner vital dhe mik i veçantë për ne. Ajo tha se ka ardhur në Berlin me një shpirt konstruktiv, për vënien e themeleve të një raporti të fortë gjatë muajve dhe viteve të ardhshme. Të dyja palët duan t'i ruajnë raportet sa më të ngushta ekonomike midis dy vendeve. Bile, ajo tha se Britania dhe Gjermania janë të gatshme për thellimin e partneritetit ushtarak dhe të veprojnë bashkërisht në çështjet ndërkombëtare, sikur që është terrorizmi dhe imigrimi.  Presidenti francez Francois Hollande ka deklaruar se e kupton që Britanisë i duhet kohë për t’u përgatitur rreth negociatave për Brexit. Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian. Zgjedhja është e tyre, ndërsa ne e respektojmë atë vendim, tha Hollande.  Por, e kuptoj që Britanisë i duhet kohë për t’u përgatitur për negociata, shtoi ai. Por, po e përsëris. Sa më shpejt, aq më mirë. Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, menjëherë pas marrjes së detyrës është zotuar që do të angazhohet për kufizimin e migracionit në Britani.

Kryeministri në detyrë i Spanjës Mariano Rajoy ka deklaruar se javën e ardhshme, Konservatorët do të votojnë reformën politike të kërkruar nga Siudadanos, si një kusht për formimin e qeverisë së re. Në një konferencë shtypi, ai tha se më 17 gusht Komiteti ekzekutiv do të mblidhet për të votuar reformën politike me 6 pika kundër korrupsionit, të kërkuar nga Partia “Qytetarët”. Pas 7 muajve ngërç, Partia Qytetarët vendosi t’i ofronte mbështetje Rajoy si kryeministër pas dy raundeve zgjedhje që dështuan në formimin e qeverisë. Megjithatë për të formuar koaliconin qeveritar, Rajoit sërish i duhej edhe mbështetja e Socialistëve. “Nëse zoti Pedro Sanchez nuk ndryshon qendrim, nesë ai nuk e ndryshon “Jo” si përgjigje, krijimi i qeverisë është i pamundur plotësisht dhe ju të gjithë e dini këtë. Për këtë arsye jam gati që të ulemi e të zhvillojmë bisedime sa më shpejt. Unë do të bëj gjithcka që kam në dorë, për të arritur një marrëveshje. E kam thënë edhe më përpara, se vendimi do të jetë në të mirë të Spanjës”. Ndërkohë takimit me Rajoy, lideri i “Siudadanos” Albert Riviera deklaroi në një konferencë shtypi se zgjedh të mbështëse kryeministrin në formimin e qeverisë si e keqja më e vogël për Spanjën. “Për të mirën e qytetarëve spanjollë pranoj të ulem në negociata me këta të dy, të cilë në opinionin tim nuk e meritojnë të drejtojnë vendin, pasi nuk kanë bërë asgjë në gjithë këto vite për të luftuar korrupsionin. Por ka vetëm dy zgjidhje, ose një qeveri që nuk e pëlqej ose pa qeveri. Midis këtyre dy mundësive, zgjedh të keqen më të vogël.” Rajoy nënvizoi se data për formimin e qeverisë së re do të njoftohet pas mbledhjes se Komitetit ekzekutiv.

Javën e kaluar, Kompania e linjave ajrore "Air France" ka pësuar humbje 90 milionë euro për shkak të grevave. Frederic Gagey, drejtori ekzekutiv i "Air France", të martën deklaroi se kanë kaluar shtatë ditë nga greva e stiuardezëve dhe punonjësve të kësaj kompanie dhe deri më tani dëmi i shkaktuar për këtë kompani ka arritur koston 90 milionë euro. Këto nuk janë statistika të mira dhe natyrisht se si pasojë e kësaj greve kanë mbetur në rrugë 180 mijë pasagjerë. Vlen të theksohet se dy sindikata kryesore të Air France në shenjë proteste kundër kushteve të kontrata të reja të punës dhe reduktimin e shërbimeve, kanë organizuar greva. Kompani e linjave ajrore Air France e cila po përballet edhe me krizë financiare, për t'iu shmangur falimentimit deri më tani ka larguar nga puna një numër të madh të pilotëve dhe të punonjësve të saj.

 

Javën e kaluar, ministri grek i Emigracionit, Yannis Mouzalas, ka thënë se Greqia është shumë e shqetësuar dhe duhet në çdo rast të kemi një plan B për krizën e emirgantëve. Mouzalas, gjithsesi, bëri thirrje edhe për një shpërndarje të barabartë të refugjatëve në Europë, shumica e të cilëve vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani, e që kanë për destinacion përfundimtar Gjermaninë dhe Suedinë. Por shumë vende të BE-së, si Hungaria dhe Sllovakia, kanë kundërshtuar ashpër sistemin e kuotave të propozuar nga BE-ja, për shpërndarjen e drejtë të tyre anembanë bllokut. “Refugjatët duhen shpërndarë në mënyrën më të drejtë në të gjitha vendet e BE-së, e jo vetëm te disa shtete”, tha ministri grek. Më shumë se 257 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë hyrë në Europë përmes detit nga fillimi i këtij viti deri më 27 korrik, ndërsa të paktën 3.000 kanë humbur jetën në të tilla udhëtime të rrëzikshme me gomone të papërshtatshme për lundrim. Këto shifra janë më të fundit të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit (IOM), shifra të cilat përfaqësojnë një rritje të ndjeshme nga e njëjta periudhë e vitit 2015.

Javën e kaluar, është plagosur lideri separatist i pjesës lindore të Ukrainës, Igor Plotnitsky,. Plotnitsky, shef i grupit që veten e quan Republika Popullore e Luhanskut, “është plagosur nga një eksplodim i fuqishëm, që ndodhi afër veturës së tij”, ka raportuar agjencia zyrtare e lajmeve e separatistëve, që mbështeten nga Rusia. Mëtutje, raportohet se Plotnitsky po trajtohet në një spital lokal, së bashku me disa njerëz të tjerë që janë plagosur nga shpërthimi në qytetin Luhanks. Por, bashkëpunëtorë të Plotnitskyt theksuan se ai nuk është në rrezik jete. Zëdhënësi i operacioneve të qeverisë së Ukrainës në pjesën lindore, Oleksandr Motuzyanyk, tha se pala ukrainase nuk ishte e involvuar në këtë sulm. Nga luftimet ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në rajonet lindore Donjeck dhe Luhansk, prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 9,500 vetë.

 

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm kroat, Miro Kovaç ka deklaruar se Serbia nuk mund të futet në Bashkimin Europian pa u çliruar më parë nga “virusi agresiv jugosllav i Serbisë së madhe”. Deklarata e tij ka ardhur pas atyre të krerëve të qeverisë serbe, lidhur me zanafillën e konflikteve luftarake të viteve ’90 në Ballkan.  Për shefin e diplomacisë kroate, pushtetarët e sotëm në Beograd janë të njëjtët që shekullin e kaluar nisën luftën kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes dhe Kosovës.  “Sot, në vend që të përballen me përgjegjësitë e tyre për nisjen e konflikteve, marrjen e qindra mijëra jetëve dhe shkatërrimin e ekzistencave, zyrtarët serbë nxisin ndjenjat e hakmarrjes, duke i bërë thirrje popullit të tyre që të dalë kundër popujve të tjerë, duke penguar kështu vendosjen e rendit dhe të fqinjësisë së mirë në rajon, në kuadër të frymës europiane”, ka thënë Kovaç.  Ai i është referuar këtu deklaratës së kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç më 4 gusht  në Zemun, ku foli për “vuajtjet e popullit serb” nga operacioni “Shtrëngata” i trupave kroate.

 

“Por Vuçiç nuk tha se bëhej fjalë për një territor kroat, apo për përndjekjen, torturimin dhe vrasjen e qindra mijëra kroatëve”, ka thënë Kovaç.