Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij
Në këtë edicion do të flasim rreth pozitës së feminizmit në konventat ndërkombëtare për ndalimin e diskriminimit ndaj grave dhe kontradiktat e feminizmit me mësimet fetare dhe kulturore të vendeve.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij". Në edicionin e kaluar paraqitem qëndrimet e disa mendimtarëve perëndimorë të cilët mendojnë se mendimet e feministëve nuk janë gjë tjetër, përveçse gënjeshtra dhe mashtrime. Thamë gjithashtu se vepra "10 gënjeshtrat e feminizmit" ose "Gjashtë intrigat e feminizmit" janë prej veprave të teoricienëve që janë shkruar për të zbuluar të vërtetat dhe gënjeshtrat e feministëve. Mirëpo për fat të keq, feministët për të përgjithësuar bindjet e tyre kanë përdorur mekanizmat dhe qarqet ndërkombëtare dhe pa marrë parasysh vlerat dhe kulturën e vendeve, qëndrimet e tyre në kuadër të konventave ndërkombëtare, i kanë imponuar për shoqëritë e tjera. Në këtë edicion do të flasim rreth pozitës së feminizmit në konventat ndërkombëtare për ndalimin e diskriminimit ndaj grave.
Ndikimi më i rëndësishëm i feminizmit si një prej valëve të rrymave intelektuale të botës bashkëkohore mbi shoqëritë dhe qarqet ndërkombëtare, është miratimi i deklaratave dhe konventave të ndryshme që më e dalluara prej tyre është konventa për mënjanimin e diskriminimit kundër grave. Këtu duket e domosdoshme paraqitja edhe e kësaj çështje se deri në vitet 1960-ta, barazia dhe liria e grave asnjëherë në mënyrë të pavarur nuk është vendosur temë e traktateve ndërkombëtare. Në vitin 1963 Asambleja e Përgjithshme e OKB ka kërkuar nga komisioni për pozitën e gruas dhe nga këshilli ekonomik dhe shoqëror që të hartojnë një deklaratë për mënjanimin e diskriminimit kundër grave dhe në fund në vitin 1967, me unanim votash u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB. Në vitin 1975, AP e OKB kërkoi nga komisioni për pozitën e gruas që ta përfundojë sa më shpejtë hartimin e tekstit të “konventës për mënjanimin e të gjitha formave të diskriminimit kundër grave” e cila që nga fillimi i këtij viti ishte vendosur në programin e punës së këtij komisioni. Prandaj ky vit u caktua viti ndërkombëtar i gruas dhe tetë marsi dita ndërkombëtare e gruas ndërsa nga viti 1976 deri në vitin 1985 u caktua dekada e kombeve të bashkuara për grat dhe u miratua gjithashtu një program i punës me titull “Konventa për zhdukjen e diskriminimit kundër grave me metoda efikase për zbatimin e saj”. Në fund konventa në fjalë u miratua më 18 dhjetor të vitit 1979 nga AP e OKB me qëllim të njësimit të ligjeve dhe rregulloreve rreth grave në vendet e ndryshme dhe me qëllim të zbatimit të plotë të barazisë së gruas dhe burrit.
Konventa për mënjanimin e diskriminimit kundër grave përbëhet nga një parathënie dhe tridhjetë nene. Në nenin e parë të saj thuhet se qëllimi nga shprehja “zhdukja e diskriminimit kundër grave” është zhdukja e çfarëdo lloji të dallimit, përjashtimit dhe kufizimit që bëhet në bazë të gjinisë. Nenet nga dy deri në 16-të i kësaj konvente, theksojnë barazinë e grave dhe burrave në të gjitha fushat. Deri më tani një numër i vendeve anëtare të OKB kanë pranuar këtë konventë. Natyrisht se disa çështje të kësaj konvente janë në kundërshtim me dispozitat islame, vlerat morale dhe ligjet e vendeve të ndryshme të botës. Për këtë arsye deri më tani shumë vende islame dhe jo islame nuk i janë bashkuar kësaj konvente ose e kanë pranuar atë në mënyrë të kushtëzuar. Për shembull, nga mesi i vendeve anëtare të OKB, Irani, Somalia, Sudani, Sudani Jugor dhe Tunga nuk i janë bashkuar kësaj konvente, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Palao kanë nënshkruar këtë konventë, mirëpo ende nuk i janë bashkuar kësaj konvente. Komiteti për mënjanimin e diskriminimit kundër grave është një organ për mbikëqyrjen e zbatimit të mirë të neneve të kësaj konvente, i cili është themeluar në bazë të nenit 17 të kësaj konvente dhe ka 23 anëtarë. Detyrë kryesore e këtij komiteti është shqyrtimi i raporteve të arritura nga vendet anëtare të konventës dhe paraqitja e propozimeve ose sugjerimeve të përgjithshme në bazë të shqyrtimit të raporteve. Raporti në komitet duhet të paraqitet një vit pas miratimit ose bashkimit të një vendi në këtë konventë dhe pastaj duhet të paraqitet një herë në katër vite ose në çdo kohë kur e kërkon ky komitet.
Konventa për mënjanimin e diskriminimit kundër grave për shkak se mbi atë sundon një frymë që buron nga vizionet feministe, po përballet me shumë sfida dhe aktualisht gjithnjë zhvillohen polemika në lidhje me këtë konventë. Disa besojnë se shkatërrimi i familjes dhe humbja e rëndësisë së moralit në shoqëritë, tregon mosefikasitetin e kësaj konvente. Kjo është për arsye se një prej modeleve që sundon mbi këtë konventë është modeli i barazimit dhe njësimit juridik. Ky model në praktikë duke anashkaluar rolin e grave si bashkëshorte dhe nënë, është bërë shkak për lëkundjen e themeleve të familjes, për martesën me vonesë, kryerjen e marrëdhënieve jashtëmartesore në moshë të re etj.. Një prej karakteristikave të rëndësishme të kësaj konvente gjithashtu është edhe fakti se në këtë konventë sundon një frymë juridike vetëm e të drejtave duke i dhënë prioritet vetëm çështjeve juridike, ndërsa është treguar plotësisht neglizhencë ndaj elementeve fetare, morale dhe kulturore. (Natyrisht se kjo karakteristikë është e veçantë vetëm për shoqëritë moderne perëndimore). Për shembull kjo konventë në asnjë mënyrë nuk merr ndonjë qëndrim kundër prostitucionit dhe amoralitetit.
Thamë se disa nene të konventës janë në kontradiktë me dispozitat islame, me vlerat morale dhe me ligjet e vendeve të ndryshme. Për këtë arsye shumë vende islame dhe jo islame nuk i janë bashkuar kësaj konvente, ose e kanë pranuar atë me disa kushte. Republika Islamike e Iranit gjithashtu nuk ka pranuar disa nene të kësaj konvente, sidomos nenet nga një deri në 16 sepse këto nene janë në kundërshtim me mësimet e Kur’anit të shenjtë, me dispozitat e jurisprudencës islame, si dhe me Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit. Vlen të theksohet se Kushtetuta e Republikës Islamike të Iranit duke marrë parasysh pozitën e lartë që ka gruaja në të menduarin dhe në sistemin islamik, ka paraparë të drejta dhe pozitë të veçantë për grat. Në këto ligje në kuadër të standardeve islame, u është kushtuar një vëmendje e madhe të të drejtave të grave për pjesëmarrje në proceset qeverisëse dhe në veprimtarit shoqërore, politike, kulturore dhe ekonomike. Në bazë të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit, femra nuk është një qenie që mund të përdoret si vegël, por duke marrë parasysh detyrën shumë të madhe dhe me plotë vlerë si nënë dhe rolin kryesor që luan në familje, ajo ka një vlerë dhe dinjitet shumë të lartë. Prandaj kundërshtimi i kësaj konvente nga vendet islame më shumë bëhet për shkak të kontradiktave të neneve të saj me vizionet dhe me interesat kombëtare dhe fetare të këtyre vendeve. Kur vendet dëshirojnë t’i bashkohen një traktati, sëpari shqyrtojnë mirë këto çështje se një traktat i tillë a është në interes të tyre? Një traktat i tillë a është në përputhje me vlerat dhe normat e atyre vendeve? Është e natyrshme se disa nene të kësaj konvente janë në kundërshtim me sistemin ideologjik dhe me të menduarin që sundon në vendet islame. Mirëpo duke marrë parasysh faktin se parimet ideologjike që sundojnë në vendet perëndimore dhe në disa institucione ndërkombëtare janë të bazuara mbi idetë liberaliste, atëherë nenet kryesore të kësaj konvente gjithashtu pranohen nga këto vende.
Një prej problemeve të konventës për mënjanimin e diskriminimit kundër grave është se kjo konventë e përball institucionin e familjes me sfida të mëdha. Padyshim se institucioni i familjes është institucioni më themelor shoqëror dhe nga aspekti i pozitës dhe vlerës, ka një pozitë të dalluar. Kjo është në kohën kur kjo konventë burrin dhe gruan i konsideron si qenie të pavarura që nuk kanë nevojë për njëri-tjetrin. Një vështrim i tillë gjithashtu redukton edhe zotimet e burrit dhe gruas ndaj njëri-tjetrit dhe dobëson themelet e familjes.
Konventa për mënjanimin e diskriminimit kundër grave në mënyrë të përsëritur dhe sipërfaqësore flet për zhdukjen e pabarazisë mes gruas dhe burrit. Nga pikëpamja e konventës, gjithashtu duhet të zhduket çfarëdo lloj diskriminimi kundër grave dhe ato duhet të gëzojnë të drejta të barabarta me burrat. Sipas disa neneve të kësaj konvente, gjithashtu çfarëdo lloj dallimi i bërë në bazë të gjinisë mes gruas dhe burrit, konsiderohet diskriminim dhe kjo konventë kërkon zhdukjen e këtyre dallimeve. Mirëpo këtu ka nevojë të theksohet se parimi për t’i konsideruar të njëjtë burrin dhe gruan dhe mospërfillja e dallimeve mes këtyre dyve, është prej rrënjëve të kulturës humaniste dhe sekulariste perëndimore. Prandaj disa teoricienë të parimit për t’i konsideruar të njëjtë burrin dhe gruan në perëndim, kanë gabuar në njohjen e të vërtetës së këtyre dy qenieve dhe rolit të vërtetë të tyre në sistemin e krijimit, prandaj nuk kanë mundur ta vendosin drejtësinë mes këtyre dy gjinive. Realiteti është ky që në botën e perëndimit, gratë më së shumti kanë pësuar dëme nga motoja se burri dhe gruaja janë të njëjtë. Me pretekstin se burri dhe gruaja janë të barabartë, përgjegjësitë familjare janë ndarë në mënyrë të njëjtë pa marrë parasysh veçoritë psikologjike dhe fizike të secilit prej tyre. Kjo çështje i ka detyruar grat që për ta fituar pozitën e tyre shoqërore, të vërsulen në tregjet e punës dhe ky proces është bërë shkak që grat nga aspekti fizik dhe shpirtëror të lodhen më shumë se burrat dhe të pësojnë dëme.