Muharrami dhe Ashura tek popujt e ndryshëm
Në këtë edicion do të flasim rreth historikut të zimbajtjes për Imam Huseinin (a.s.).
Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhë së programit "Muharrami dhe Ashura tek popujt e ndryshëm" ku do të hedhim një vështrim mbi historikun e zimbajtjes për martirët e Qerbelas.
Ceremonia e zimbajtjes për Imam Huseinin (a.s.) për herë të parë është mbajtur në ditën e 11 të muajit Muharram të vitit 61 hixhri kameri, pranë trupave të pajetë dhe të masakruar të martirëve të Qerbelas nga ana e Ehli Bejtit (a.s.).
Në kohën kur Omar bin Sa'd urdhëroi që të nxjerrin Ehli Bejtin (a.s.) nga tendat dhe të nisen drejt Kufës, nënat, grat dhe vajzat e martirëve u përshëndetën me trupat e gjakosur të martirëve duke vajtuar dhe duke mbajtur zi për ata. Në krye të këtyre grave ishte Hazreti Zejnebe (s.a.) e cila në vendin ku kishin rënë martirët me fjalët e saj të zjarrta dhe përvëluese, i bënte të vajtonte të gjithë miqtë dhe armiqtë. Me këtë rast ajo tha: "
O Muhamed! Mbi ty qofshin përshëndetjet e engjëjve të qiellit! Tani ky është Huseini i cili ka rënë në tokë, i zhytur në gjakun e vet dhe trupi i tij është masakruar. O Muhamed! Këto janë vajzat e tua të cilat janë robëruar, këta janë fëmijët e tu që mbi trupat e të cilëve po frynë era e shkretëtirës!".
Pastaj, në kohën kur karvani i robërve hyri në Kufe, Imam Zejnulabedin (a.s.) dhe Hazreti Zejenebe (s.a.) dhe Umul-Kulthum mbajtën fjalim për popullin e Kufës që kishin dalë për të shikuar robërit e Qerbelas. Pas këtyre fjalimeve, u ngrit zëri i vajtimit dhe britmës nga shtëpitë dhe banorët e Kufës që në një farë mënyrë konsiderohej zimbajtje dhe vajtim për dëshmorët e Qerbelas dhe skandal për pushtetin Emevit.
Karvani i robërve të Qerbelas pasi hyri në Sham dhe pas ligjëratës të Imam Saxhad (a.s.), Jezidi e lejoi familjen e Imam Huseinit (a.s.) që të vajtojë dhe të mbajë zi dhe familja e Imam Huseinit (a.s.) për tre ditë në mënyrë zyrtare ka mbajtur zi në Sham. Si pasojë e asaj ligjërate dhe e kësaj zimbajtje, në Sham u paraqit një revolucion i madh dhe shumica e njerëzve krijuan mendim të keq dhe negativ ndaj pushtetit Emevit.
Zimbajtja tjetër u organizua në Medine. Familja e Imam Huseinit (a.s.) pasi arriti në Medine, në këtë qytet u shpall zi publike dhe vajtuan të gjithë banorët e Medinës. Në vazhdim të këtyre ngjarjeve, u krijuan rrethe të zimbajtjes nga personalitete dhe figura të njohura myslimane. Një prej këtyre figurave që organizuan zimbajtje në Medine, ishte Hazreti Zejnebe (s.a.). Kjo zimbajtje e vendosi qytetin e Medinës në prag të shpërthimit të një lëvizje të përgjithshme. Omar bin Sa'd i raportoi këtë ngjarje Jezidit dhe deklaroi: "Në bazë të hetimeve, ekzistenca e Zejnebe Kubra (s.a.) në Medine po nxit mendjet të këtij qyteti sepse ajo është një oratore e madhe, e ditur dhe e zgjuar. Ajo dhe njerëzit që e shoqërojnë atë kanë për qëllim të organizojnë kryengritje për hakmarrje për gjakun e Huseinit". Si pasojë e këtij veprimi të Omar bin Sa'd, Hazreti Zejnebe (s.a.) u dëbua nga Medina në Sham ose Egjipt deri në vdekje.
Pas martirizimit të Imam Huseinit (a.s.), imamët ma'sum vet organizonin zimbajtje dhe inkurajonin myslimanët shiitë që të mbanin zi dhe të vajtonin për martirizimin e Imam Huseinit (a.s.).
Në periudhën e imametit të Imam Muhamed Bagher dhe të Imam Xhafer Sadik (a.s.), pushteti Emevit u dobësua më shumë dhe në fund u rrëzua nga abasitët. Në këtë periudhë në fillim kishte sjellje më të butë me pasardhësit e familjes së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., prandaj këta dy imam të mëdhenj për çdo vit duke organizuar ceremoni për zimbajtje për martirizimin e Imam Huseinit (a.s.). Më vonë pas përhapjes së këtyre ceremonive të zimbajtjes, pushteti Abasit reagoi dhe pengoi ashpër përhapjen e kësaj zimbajtje. Kjo situatë vazhdojë në këtë mënyrë deri në periudhën e imametit të Imam Reza (a.s.). Në këtë periudhë myslimanët shiitë ishin në një pozitë më të mirë, prandaj ceremonitë e zimbajtjes organizoheshin në kushte më të qeta. Mirëpo pas martirizimit të Imam Reza (a.s.), imamët ma'sum përsëri u përballen me masa të ashpra të pushtetit dhe nuk kishin mundësi të organizimin ceremonitë e zimbajtjes. Ceremonia e zimbajtjes në mënyrë të hapur gjatë kohës së imamëve ma'sum organizohej vetëm pranë varrit të Imam Huseinit (a.s.) në Qerbela dhe myslimanët shiitë për të mbrojtur jetën e tyre, ceremonitë e zimbajtjes i organizonin vetëm brenda në shtëpitë e tyre. Zimbajtja gjithashtu bëhej vetëm në formën e këndimit të elegjive dhe vajtimit.
Në shekullin e tretë, të katërt dhe të pestë hixhri kameri njëkohësisht me formimin e dinastive Ale Buje në Irak dhe Iran dhe Hamdanij në Siri dhe Fatimij në Egjipt, shkolla shiite filloi të përhapej më shumë dhe njëkohësisht me këtë u përhapën edhe ceremonitë e zimbajtjes për dëshmorët e Qerbelas në shumë qytete dhe rajone ku shpallej edhe pushim publik.
Në Egjipt në vitin 353 hixhri kameri, Muizudovlet Dejlami urdhëroi që të mbyllen dyqanet dhe shpalli pushim zyrtar në mënyrë që njerëzit të mbajnë zi për Muharram dhe ceremonitë u organizuan me pjesëmarrjen e gjerë të njerëzve në rrugë. Në këtë mënyrë zimbajtja publike në mesin e myslimanëve shiitë u bë një traditë. Në këtë periudhë, poezitë krijoheshin në formën e odës. Në këto poezi kujtohej dhuna dhe padrejtësia e pushtetit Emevit dhe Abasit dhe gjithashtu vlerësohej pozita dhe rëndësia e Ehli Bejtit (a.s.). Njerëzit në ceremonitë e zimbajtjes dhe poetët në poezitë e tyre, përkushtimin më të madh e tregonin për Velajatin e Ehli Bejtit (a.s.).
Sunduesit e dinastisë Selxhuke ishin dashamirës të Ehli Bejtit (a.s.). Mbreti i kësaj dinastie i quajtur Malekshah sëbashku me Khaxhe Nidhamul-Mulk në vitin 479 hixhri kameri, vizitoi qytetet Kadhemin, Naxhaf dhe Qerbela. Muhamed bin Abdullah Balkhi, shkrimtar i asaj periudhe, mbante fjalime në lidhje me Qerbelan për dijetarët, përgjegjësit dhe studentët e shkollës Nidhamije dhe pastaj këndonte elegji dhe tregonte padrejtësitë dhe dhunën që u bë ndaj Ehli Bejtit (a.s.). Ceremoni të tilla kanë vazhduar të organizohen në Bagdad dhe në disa qytete të Iranit deri në fillim të sundimit të mbretit Togrol të dinastisë Selxhuke.
Sundimtarët e dinastisë Ilkhanite që ishin me origjinë mongole dhe fëmijë të Çangizkhanit, morën pushtetin në gjysmën e dytë të shekullit të shtatë hixhri kameri. Në këtë periudhë myslimanët shiitë gjetën rrethana shumë më të përshtatshme për organizimin e ceremonive të zimbajtjes dhe në fund në kohën e sundimit të mbretit Ulxhajtu, medhhebi shiit u shndërrua në medhhebin zyrtar të vendit. Myslimanët shiit në muajin Muharram me liri të plotë mund të organizonin ceremonitë e zimbajtjes për muajin Muharram. Edhe në shekullin 9 hixhri kameri në kohën e sundimit të Tejmurkhanit, në Hirat që ishte kryeqytet i dinastisë Tejmuriane, në muajin Muharram o vetëm populli i thjeshtë por edhe princat dhe funksionarët e lartë shtetëror visheshin në zi dhe merrnin pjesë në ceremonitë e zimbajtjes për martirizimin e Imam Huseinit (a.s.). Për tu njohur më shumë me historinë e zimbajtjes për Imam Huseinin (a.s.) ju ftojmë të na ndiqni në edicionin e ardhshëm.