Tetor 23, 2016 10:54 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth ceremonive më të përhapura të zimbajtjes për muajin Muharram në Iran.

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Muharrami dhe Ashura tek popujt e ndryshëm". Në këtë edicion do të prezantojmë format më të përhapura të ceremonive të zimbajtjes gjatë muajit Muharram në Iran.

Foto: Muharrmai dhe Ashura tek popujt e ndryshëm

Ashtu siç thamë në edicionet e kaluara, zimbajtja për tragjeditë që përjetuan imamët ma'sum, sidomos Imam Huseini (a.s.), që nga e kaluara është organizuar në forma të ndryshme në rajonet e ndryshme të Iranit. Në të vërtetë ritualet dhe zimbajtja e veçantë e ditëve të muajit Muharram janë pjesë e një varg traditash dhe zakonesh të cilat mund të vërehen në mënyrë të veçantë dhe të dalluar në kuadër të ritualeve dhe ceremonive fetare në Iran dhe në rajone të ndryshme të botës islame. Këto tradita gjithashtu përmbajnë edhe funksione të ndryshme. Një prej funksioneve të dukshme të ceremonive të zimbajtjes përveç marrjes shembull dhe model nga jeta dhe vepra dhe personaliteti i imamëve ma'sum, është edhe aspekti emocional dhe motivet për dashuri ndaj tjetrit në mesin e individëve të shoqërisë. Në ceremonitë e zimbajtjes për Imam Huseinin (a.s.), sjelljet bëhen të sinqerta, me dashuri dhe jo zyrtare dhe si rezultat krijohet një harmoni e përgjithshme, një unitet dhe bashkim më i madh mes pjesëmarrësve në ceremonitë e zimbajtjes.

Foto: Uniteti dhe bashkimi i grupeve të zimbajtjes

Ceremonitë e zimbajtjes në muajin Muharram të cilat organizohen në rajone të ndryshme të Iranit, janë shumë të gjera dhe të larmishme që në këtë edicion nuk ka vend për të prezantuar secilën prej tyre në mënyrë të veçantë. Prandaj, shkurtimisht do të bëjmë prezantimin e disa prej formave më të përhapura të ceremonive të zimbajtjes së Muharramit si këndimi i elegjive fetare që në terminologjinë fetare quhet "Rovde khani", pastaj vajtimi i përcjell me elegji, rrahja e gjoksit me duar, rrahja e shpatullave me zinxhir, ceremonia "sanxh va damam" (zile dhe kuduma), ndezja e qiriut, shëtitja e grupeve të zimbajtjes, mbrëmja e të panjohurve, si dhe rituali i dhurimeve për plotësimin e nevojave për muajin Muharram.

"Rovde khani" ose këndimi i elegjive është një term me të cilin përshkruhet organizimi i ceremonisë së zimbajtjes për Imam Huseinin (a.s.). Me këtë term gjithashtu përshkruhen edhe të gjitha ceremonitë e tjera që organizohen për të përkujtuar virtytet e larta dhe tragjeditë që kanë përjetuar imamët ma'sum ku trajtohen edhe çështje të tjera fetare. Këndimi i elegjive ka kuptimin e vajtimit për të vdekurin dhe përkujtimin e virtyteve të mira të tij dhe në terminologji do të thotë "një prej llojeve të poezisë lirike me temë pikëllimin dhe mallin për vdekjen e një personi ose për humbjen e diçka tjetër". Këndimi i elegjive në ceremoninë e zimbajtjes për të vdekurit, është një formë e zimbajtjes e zakontë që nga kohërat e kaluara tek popujt e ndryshëm dhe një pjesë e rëndësishme e elegjive në poezinë persiane në mënyrë të dalluar është krijuar për prijësit fetar dhe imamët ma'sum. Forma "nohe" gjithashtu është një formë e elegjive fetare e ngjashme me vajtimin e cila këndohet me ritëm dhe ton të veçantë në ceremonitë e zimbajtjes së Imam Huseinit (a.s.) duke u shoqëruar me rrahjen e gjoksit me dorë dhe me rrahjen e shpatullave me zinxhir. Këndimi i "nohe-s" që është një formë e vajtimit për dëshmorët e Qerbelas, është element përbërës i historikut të ceremonive të zimbajtjes me rastin e Ashuras. Duke marrë parasysh faktin se ceremonia e zimbajtjes organizohet me pjesëmarrjen e turmave të njerëzve dhe realizohet në formë të shfaqjes praktike dhe kolektive, këndimi i poezive të thjeshta me ritëm dhe në formë pikëlluese, konsiderohet forma më e mirë për ngjalljen e ndjenjave dhe për krijimin e njësimit dhe të harmonisë në mesin e turmës së njerëzve.

Kryesisht është zakon që organizimi i ceremonive të zimbajtjes për të afërmit, të fillohet me këndimin e një pjese nga Kur'ani i shenjtë dhe në vazhdim duke prezantuar të vdekurin dhe karakteristikat e tij, ceremonia shkon drejt përfundimit duke u shoqëruar me ndjenjën e solidaritetit dhe ndarjes së dhimbjes me të afërmit e të vdekurit. Ceremonia e zimbajtjes për Imam Huseinin (a.s.) dhe për dëshmorët e tjerë të Qerbelas e cila është inkurajuar në masë të madhe nga imamët ma'sum dhe konsiderohet një prej faktorëve për qëndrueshmërinë e fesë dhe për lidhjen shpirtërore dhe emocionale të njerëzve me prijësit fetarë, gjithashtu realizohet në këtë formë me qendër besimin në Zotin dhe pastaj paraqitjen e historisë së vërtetë rreth ngjarjeve që ndodhen në ditën e Ashuras nga ana e ligjëruesve dhe në fund manifestimi i ndjenjës së dashurisë për Ehli Bejtin (a.s.) duke kënduar elegji pikëlluese dhe duke vajtuar.

Në muajin Muharram, sidomos në dhjetë ditët e para të këtij muaji që quhen "Dhjetëditëshi i Muharramit", në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Iranit organizohen ceremoni të zimbajtjes në shtëpitë e disa dashamirësve të Ehli Bejtit (a.s.), në xhami, në huseinije dhe në teqe. Për të organizuar sa më mirë ceremoninë e zimbajtjes, para saj bëhen disa përgatitje të caktuara si përgatitja e vendit të ligjëratave në mënyrë të ndarë për meshkujt dhe për femrat, të ftuarit dhe caktimi i ligjëruesve dhe përgatitjet për ndarjen e ushqimit për pjesëmarrësit në ceremoninë e zimbajtjes.

Foto: Shembuj të ceremonive të këndimit të elegjive në Iran

Organizimi i ceremonive të zimbajtjes së veçantë për femra bëhet edhe nëpër shtëpi dhe konsiderohet një tjetër formë e ceremonive të zimbajtjes së veçantë për femrat iraniane dhe ka shumë ndikime të rëndësishme. Një prej këtyre ndikimeve është ky që femrat në jetën e tyre marrin shembull jetën e imamëve ma'sum dhe personaliteteve të tjera fetare si Hazretin Fatme (s.a.), Hazretin Zejnebe (s.a.) etj.. Edukimi i fëmijëve sipas metodës fetare dhe besimit në Zotin Një, gjithashtu janë ndikime të tjera të këtyre ceremonive, sepse nëse fëmijët do të njihen me çështje fetare që nga fëmijëria, padyshim se në moshën madhore më lehtë do të kryejnë obligimet fetare.