Shkurt 16, 2016 05:48 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Spikeri Viti i ri në Europë nisi me ndjenjën e frikës dhe pasigurisë. Në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, nuk kishte fishekzjarre dhe festime të tjera natën e ndërrimit të viteve, për shkak të rrezikut nga sulmet terroriste. Kryeministri belg, Charles Michel, tha se vendimi është marrë pas informacioneve për sulme të mundshme terroriste natën e ndërrimit të viteve. Po ashtu edhe kryebashkiaku i Brukselit, Yvan Mayeur, foli mbi vendimin për të anuluar festimet të enjten, duke thënë se ai është marrë pas një takimi që ai ka pasur edhe me Ministrin e Brendshëm. Një ditë para vitit të ri, dy persona janë arrestuar nga forcat belge të policisë, nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Bruksel në vigjiljen e ndërrimit të viteve. Belgjika vazhdon të mbetet në gjendje gatishmërie të lartë ndaj sulmeve terroriste, që prej ngjarjeve të dhunshme të 13 nëntorit në Paris. Një pjesë e mirë e organizatorëve të dhunës në kryeqendrën e Francës, bazat e tyre i kishin në Belgjikë. Nga ana tjetër, një lajmërim i bërë gjatë ndërrimit të viteve për një sulm terrorist, bëri që në Mynih të mbyllen dy stacione trenash, që bllokuan edhe transportin. Forcat policore ishin të shumta në qytet dhe mundësuan evakuimin e personave të ndodhur në stacionin kryesor të qytetit gjerman. Sipas informacioneve të publikuara në mediat ndërkombëtare, kërcënimet kishin ardhur nga anëtarë të ISIS. Policia konfirmoi se kishte informacione të sigurta për plane terroriste në Mynih, kryesisht ndaj stacionit kryesor të trenit, në pjesën perëndimore të tij. Menjëherë filluan edhe kërkimet për persona të mundshëm të lidhur me ngjarjen dhe dyshimet e para ranë mbi 7 shtetas irakianë. Spikeri Holanda mori më 1 janar Presidencën e radhës së një Bashkimi Europian të lodhur nga përballja me valën më të madhe të emigracionit, që prej Luftës së Dytë Botërore, hijen e terrorit me kërcënimet e sigurisë gjithmonë e më të pranishme në kontinentin e vjetër si dhe rritjen shqetësuese të ekstremit të djathtë. Sfidat nuk janë të vogla dhe për Holandën, e vendosur ta mbajë bllokun të bashkuar, e gjithë kjo sipërmarrje ka për të qenë një sprovë e vërtetë. Fluksi i emigrantëve, kërcënimi terrorist dhe ndryshimet gjeopolitike në Lindje po i krijojnë ngërçe të mëdha Bashkimit Europian, çfarë nxjerr në pah mes të tjerash edhe rrezikun e një fragmentimi të tij. Që Presidencës holandeze do t’i duhet të përballet me 6 muaj aspak të lehtë, këtë e pohoi hapur edhe shefja e Diplomacisë europiane, Federica Mogherini, gjatë vizitës së fundit në Hagë. Ndër prioritetet e kësaj presidence, Holanda ka renditur emigracionin dhe sigurinë, inovacionin e krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e financave e të Eurozonës në përgjithësi, si dhe përparësitë për politikat e klimës dhe energjisë. Euroskepticizmi ka marrë hov në Holande nën flamurin e zërit më të ndezur kundër emigracionit dhe Islamit, politikanit kontrovers, ksenofob dhe islamofob Geert Wilders. Nga ana tjetër, në mesin e Presidencës së saj të BE-së, do t’i duhet të përballet edhe me një referendum tepër të ndjeshëm kombëtar. Votuesve holandezë do t’ju kërkohet një qëndrim mbi marrëveshjet e tregtisë së lirë mes BE-së dhe Ukrainës. Votimi i muajit prill nuk është detyrues, megjithatë refuzimi i tij mund ta njollosë Presidencën holandeze. Spikeri Qeveria daneze reagoi shumë shpejt, pas vendimit të Suedisë për të kontrolluar pasaportat në kufi, duke paralajmëruar edhe ajo verifikime në kufirin që e ndan me Gjermaninë. “Ne nuk duam më të shohim përsëri refugjatë dhe emigrantë në autostradat tona. Ne duam qetësi dhe rend”, tha kreu i ekzekutivit danez, Lars Lokke Rasmussen, në fjalimin e tij të Vitit të Ri. Sfondi i fjalëve të tij, ishte paralajmërimi për kontrollet e pasaportave në kufirin danezo-suedez. Të tilla lëvizje dëshmojnë qarte se, klima për emigrantët në Europë po ashpërsohet. Për herë të parë që prej vitit 1950, të gjitha kompanitë që transportojnë pasagjerë nga Danimarka për në Suedi duhet të kontrollojnë tani, me urdhër të qeverisë, pasagjerët në trena, autobusë dhe anije. Sipas kryeministrit danez, kjo mund të sjellë si pasojë vendosjen e kontrolleve kufitare edhe me Gjermaninë. Për shtypin europian, kërcënimi i lëshuar në ndërrimin e viteve përshtatet me vijën e ashpër të qeverisë daneze. Duke përmendur ngërçin, që po i krijon kontinentit të vjetër vërshimi i emigrantëve, Rasmussen u shpreh për rishikimin e Konventës së OKB-së për Refugjatët. Danimarka i ka shtrënguar në mënyrë drastike kohët e fundit rregullat e azilit. Sipas rregullave të reja, refugjatët kanë të drejtë për bashkim familjar vetëm pas 3 vitesh. Përveç kësaj, policia mund t’i kontrollojë azilkërkuesit dhe bagazhet e tyre për parà dhe sende me vlerë, me të cilat ata mund të paguajnë qëndrimin e tyre. Ndërkohë, edhe Norvegjia duket se po planifikon ashpërsimin e legjislacionit të azilit. Refugjatët që dëshirojnë të hyjnë aty, nga vendi fqinj Suedia apo vendet e tjera të zonës “Schengen”, në të ardhmen do të refuzohen, njoftoi qeveria e qendrës së djathtë në Oslo. Masa është pjesë e një pakete legjislative, që ka për qëllim të kontribuojë për zvogëlimin e numrit të refugjatëve. Spikeri Javën e kaluar, Rusia prezantoi doktrinën e saj të sigurisë ku si kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë përmenden NATO dhe SHBA. Dokumenti, “Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Federatës Ruse”, u nënshkrua nga vetë Presidenti Vladimir Putin mbrëmjen e Vitit të Ri. Nisja e vitit të ri nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet Moskë-Perëndim, por përkundrazi i ka përkeqësuar ato. Ndër të tjera, aty përmendet fakti se roli i Rusisë në arenën ndërkombëtare, si dhe në zgjidhjen e problemeve globale, është rritur. Por, sipas dokumentit, ky angazhim i madh i Kremlinit ka shkaktuar reagim nga Perëndimi. “Forcimi i Rusisë vjen në sfondin e kërcënimeve të reja ndaj sigurisë kombëtare, të cilat kanë një natyrë komplekse. Kryerja e një politike të pavarur, ndërkombëtare dhe vendase, ka shkaktuar kundërveprim nga SHBA dhe aleatët e saj, të cilat po përpiqen të ruajnë të njëjtën dominancë të tyre në çështjet globale”, citohet nga dokumenti strategjik. Për Presidentin Vladimir Putin, kjo strategji e ndjekur nga Perëndimi ka gjasë të shkaktojë “presion politik, ekonomik dhe ushtarak” në Rusi. Dokumenti liston një sërë ankesash kundër NATO-s, duke përfshirë edhe “intensifikimin e veprimtarive ushtarake të vendeve anëtare”, “zgjerimin e mëtejshëm të aleancës”, si edhe “lëvizjen e infrastrukturës ushtarake shumë pranë kufijve të Rusisë”, gjë që e konsideron si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Ndër të tjera, Moska thotë se Perëndimi ka po vazhdon “politikën e standardeve të dyfishta, në luftën kundër terrorizmit”, çka është e qartë se i referohet politikës së jashtme të Perëndimit në Siri. Akuzat e Kremlinit kundër NATO-s dhe SHBA-ve, tashmë të dokumentuara në politikën zyrtare të sigurisë kombëtare të Rusisë, me shumë gjasë do të përshkallëzojnë më tej marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit. Spikeri Partia nacionalkonservatore polake e Jaroslav Kaczynskit do të sigurojë pushtetin duke reformuar Gjykatën Kushtetuese polake, me qëllim që të zbatojë me lehtësi axhendën e saj. Ndoshta nuk është një “grusht shteti i fshehtë”, siç pretendon opozita, megjithatë në fakt zhvillimet e fundit në Poloni përbëjnë me të vërtetë arsye për t’u shqetësuar. E vetmja parti në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” (PIS) nuk ka as katër javë të plota në detyrë dhe realizon në një ritëm shumë të shpejtë një ligj, që do të ketë pasoja të mëdha në balancën e pushtetit në Poloni. Kështu puna e Gjykatës Kushtetuese, e institucionit që kontrollon përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, nëse nuk do të paralizohet, të paktën do të ngadalësohet në mënyrë të konsiderueshme. Ligji u miratua me urgjencë brenda disa ditësh nga parlamenti dhe do të hyjë ndoshta në fuqi me efekt të menjëhershëm para fundit të vitit. Një vendim demokratik i menduar ka pamje tjetër. Riorganizimi i Gjykatës Kushtetuese do të forcojë pushtetin e partisë së Kaczynskit dhe do t’i lehtësojë asaj zbatimin e agjendës politike. Kjo përfshin ndër të tjera ristrukturimin e planifikuar të mediave publike në “institucione kombëtare kulturore” të kontrolluara nga qeveria. Kjo do të pasohet me një ligj të ri të shërbimit civil, që do të heqë parimin e paanësisë për shërbimin civil. Qëllimi i madh është revolucioni nacional-konservator, që bazohet te patriotizmi, anti-komunizmi dhe vlerat e krishtera, të shoqëruara nga bamirësitë sociale, si përfitimi ndihmës për fëmijët dhe ulja e moshës së pensionit.

Tags