Shkurt 16, 2016 05:56 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Spikeri Java e kaluar u karakterizua nga rritja e presionit ndaj refugjatëve të huaj në disa vende europiane. Plani për të konfiskuar asetet e azilkërkuesve është mes masave të reja mbi emigracionin që po diskutohen mes ligjvënësve në Parlamentin e Danimarkës. Propozimet janë dënuar nga një agjenci e OKB-së për refugjatët dhe grupet e tjera të të drejtave të njeriut, të cilat deklarojnë se ato bien ndesh me ligjeve ndërkombëtare mbi refugjatët. Shumë analistë dhe organizata të të drejtave të njeriut, këtë veprim e kanë krahasuar me veprimet e Gjermanisë naziste ndaj hebrenjve. Kryeministri danez Lars Lokke Rasmussen e ka cilësuar planin si “projektligjin më të keqkuptuar në historinë e Danimarkës”. qeveria daneze siguroi shumicën parlamentare se do të alternojë legjislacionin për t’u mundësuar autoriteteve të sekuestrojnë paratë dhe sendet e tjera personale të emigrantëve me vlerë mbi 1.340 euro ose 1.450 dollarë. Unaza e martesës dhe sendet e tjera me vlerë sentimentale nuk do të përfshihen në listën e sendeve të konfiskueshme. Ndërkohë, në zhvillime të tjera qeveria daneze njoftoi të mërkurën zgjatjen me 20 ditë të kontrolleve të përkohshme në kufi me Gjermaninë. Sipas njoftimit, 31 mijë kontrolle janë kryer që prej 4 janarit dhe 200 personave u është refuzuar hyrja në vend. Ndërkohë, edhe Zvicra ka vendosur t’u imponojë refugjatëve dorëzimin e sendeve të tyre me vlerë deri në 10 mijë franga zvicerane, rreth 9 mijë euro, për të paguar shpenzimet e qëndrimit. Lajmin e bëri të ditur radioja zvicerane SRF, që saktësoi se me të mbërritur në kufi refugjatëve u dorëzohet një broshurë ku shkruhet me gërma të qarta: “dorëzoni sendet tuaja në këmbim të një kuponi”. Qëndrimi i ashpër ndaj refugjatëve në Europë u vazhdua edhe nga presidenti çek Milos Zeman, i cili fajësoi kulturën islamike për sulmet e natyrës seksuale në Këln të Gjermanisë dhe në një deklaratë mjaft të ashpër përcolli bindjen që në Europën lindore nuk e ndan vetëm ai: integrimi i myslimanëve në kulturën e Perëndimit është praktikisht i pamundur. “Eksperienca e shumë shteteve të Europës perëndimore tregon se ato kanë geto, kanë zona të vetat të shkëputura nga të tjerët, krejtësisht të veçuara. Kjo për mua është dëshmi e faktit se komuniteti mysliman nuk integrohet. Ndaj them, lërini ta ndjekin kulturën e tyre në vendet e veta dhe të mos e sjellin në Europë, përndryshe do të përfundojmë të gjithë si Këlni. Integrimi është i mundur mes kulturave të ngjashme dhe ky nuk është rasti”, ka deklaruar Zeman. Zëri i Zeman ka qenë një ndër më të fortët ndaj valës së emigrantëve në Europë dhe nuk ka ngurruar edhe t’i akuzojë refugjatët e varfër se shfrytëzojnë fëmijët e tyre për të siguruar azil në Bashkimin Europian. Spikeri Javën e kaluar, Komisioni Evropian ka hapur një hetim të paprecedent ndaj një vendi anëtar. Bëhet fjalë për Poloninë, për të cilën Brukseli dyshon se ligjet e reja të miratuara nga ky vend shkel rregullat demokratike të BE-së. Zv.presidenti i KE, Frans Timmermans njoftoi kryerjen e një “mbikëqyrjeje paraprake” në bazë të “mekanizmit ligjor të rregullave” të Unionit. Hetimi ka të bëjë me ndryshimet që qeveria polake e krahut të djathtë ka bërë në ligjet për Gjykatën Kushtetuese dhe mediat. Mekanizimi i BE-së i lejon Komisionit që të ushtrojë presion ndaj një vendi anëtar për të ndryshuar çdo masë që konsiderohet një “kërcënim sistematik” ndaj vlerave themelore të BE-së. Ky hap i Brukselit vjen pasi presidenti polak Andrzej Duda aprovoi ligjet e kontestueshme që i lejojnë partisë konservatore për Ligj dhe Drejtësi të caktojë krerët e televizionit dhe radios publike, si dhe të zgjedhë gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese të Polonisë. Duke iu drejtuar parlamentit polak, kryeministrja e Polonisë Beata Szydlo mohoi akuzat që qeveria e saj të ketë shkelur normat demokratike. “Demokracia në Poloni është shëndosh e mirë”, theksoi ajo, duke shtuar se qeveria po vazhdon realizimin e një programi të mbështetur nga polakët në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit, që sollën në pushtet partinë për Ligj dhe Drejtësi. Spikeri Javën e kaluar, Katalonja bëri një hap më pranë shkëputjes nga Spanja. Anëtarët e Asamblesë së Katalunjës po përgatiten të zgjedhin presidentin e ri rajonal, pasi partitë pro-pavarësisë arritën marrëveshjen për krijimin e koalicionit. Partia antikapitaliste “CUP” dhe aleanca “Junts pel Si” - apo “Të bashkuar për pro-në”, - pritet të mbështesin në këtë detyrë Carles Puigdemont. Dy forcat politike kishin mosmarrëveshje mes tyre, nëse Artur Mas duhej të vazhdonte të mbetej president pas zgjedhjeve, ndaj ai vet vendosi të bënte mënjanë në favor të Puigdemontit, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja. Përplasjet mes dy partive proshkëputjes nga Spanja, që fituan shumicën në votimet rajonale të shtatorit, kishin bllokuar deri më tani krijimin e qeverisë së re katalanase. Gjithashtu Parlamenti i Katalonjës kaloi një rezolutë që bën thirrje për shkëputje nga Spanja, me qëllim formimin e Republikës brenda 18 muajve dhe nisjen e procesit të krijimit të insitucioneve shtetërore të tilla si zyra e taksave etj. KNga ana e tij, ryeministri i Spanjës, Mariano Rahoi, deklaroi se qeveria e tij ka paraqitur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kërkon zhvlerësimin e kërkesës së Asamblesë së Katalonjës për të nisur procesin e pavarësisë së rajonit. Rahoi shtoi se rajoni verilindor nuk do të lejohet të ndahet nga Spanja dhe do të jëtë pikërisht ai që do ta ndalojë një gjë të tillë. Sipas tij, qëllimi i krerëve të Katalonjës është dhënia fund e demokracisë e sundimit të ligjit. Kushtetuta e Spanjës nuk lejon shkëputjen e asnjë rajoni në vend dhe nësë Gjykata Kushtetuese miraton shqyrtimin e apelit të qeverisë, rezoluta e Asamblesë së Katalonjës do të pezullohet për disa muaj. Nëse liderët e Katalonjës vijojnë planet e tyre të pavarësisë në këto rrethana, me shumë gjasa marrëdhënia mes Barcelonës dhe Madridit do të tensionohet. Spikeri Javën e kaluar, shtatë vende të BE pezulluan përkohësisht traktatin Schengen duke shkaktuar spekulimet për një fund të shpejtë të këtij traktati të lëvizjes së lirë. Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker deklaroi në konferencën e parë për shtyp të këtij viti, të njoftuar si rrallë herë vetëm 45 minuta përpara mbajtjes së saj, se “zhvillimi ekonomik dhe punësimi mbeten prioriteti kyç” për ekzekutivin europian, ndërsa shpjegoi dhe lidhjen e brishtë të tyre me funksionimin e Schengenit. “Schengen është një prej arritjeve më të mëdha të procesit të integrimit europian. Pa Schengen, pa lëvizjen e lirë të punëtorëve, pa lirinë e qytetarëve europianë për të udhëtuar, euro nuk ka kuptim. Ngjashëm qëndron lidhja mes Schengen, lëvizjes së lirë dhe tregut unik. Më pak Schengen do të thotë më pak punësim e më pak zhvillim ekonomik”, deklaroi Juncker. Udhëheqësi i vjetër i Luksemburgut u shpreh se, “nuk ka shumë iluzione për 2016-n”, pasi sipas tij, “gjithçka do të jetë edhe më e vështirë”. Por kreu i ekzekutivit europian theksoi se nuk dorëzohet kur bëhet fjalë për gjetjen e zgjidhjes europiane në vend të vendimeve nacionale, si rivendosja e kontrolleve kufitare. “E refuzoj idenë se ky është fillimi i një fundi”, tha Juncker. Nga ana tjetër, ai u shpreh i bindur se gjatë muajit shkurt do të arrihet një marrëveshje me Britaninë e Madhe, çka do të mundësojë që ky shtet, edhe pas referendumit, të mbetet anëtar i BE-së. Spikeri Javën e kaluar u zhvilluan zgjedhjet për kryesinë e partisë Demokracia e Re që është partia më e madhe opozitare në Greqi. I ka surprizuar të gjithë në raundin e dytë dhe kundër gjithë parashikimeve është bërë kryetari i dhjetë në historinë e Demokracisë së Re. Kiriakos Mitsotakis ka arritur një fitore të pastër për lidershipin e partisë së dytë më të madhe të Greqisë duke siguruar mbi 51, 6% të votave ndaj 48, 4% që përqendroi rivali i tij Vangjelis Meimarakis. Lideri i ri me një profil modern, vjen nga një familje me ndikim të madh në politikën e Greqisë. Është djali i ish-kryeministrit Konstandinos Mitsotakis dhe vëllai i ish-ministres së Jashtme, Dora Bakojanis. Ai arriti të merrte përsipër pikërisht sfidën për rinovimin e Demokracisë së Re pas humbjeve të njëpasnjëshme elektorale të kësaj force vitin e kaluar, si dhe të sfidojë kryeministrin e majtë grek Aleksis Tsipras, sidomos para një prej reformave më të rëndësishme që pritet të miratojë Parlamenti, atë të pensioneve. Mitsotakis ka arritur të mundë një figurë historike të Demokracisë së Re, i cili kishte përkrahjen e dy prej ish-kryeministrave të fundit të kësaj partie dhe ka fituar shumicën e votave edhe në zonat ku ata kishin influencë të madhe në Greqinë e veriut. Synimi i tij kryesor, siç ka deklaruar, është të bashkojë forcat e djathta dhe ato të qendrës rreth Demokracisë së Re në kushtet e vështira që kalon Greqia.

Tags