Shkurt 16, 2016 05:59 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin e përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Spikeri Javën e kaluar, kryetarja e FMN është shprehur e shqetësuar nga dalja e mundshme e Anglisë nga Bashkimi Evropian dhe nga ndikimi i krizës së emigrantëve. Kristine Lagarde në një fjalim të mbajtur në Forumin botëror të ekonomisë në Davos shprehu dy shqetësimet kryesore të institucionit që ajo drejton tha se dalja e Anglisë nga Bashkimi Evropian dhe kriza e refugjatëve janë shqetësimet më të mëdha të FMN. Ajo shpresoi se Anglia do të bie dakord me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian për të qëndruar brenda këtij unioni. Ajo tha se një marrëveshje mes Anglisë dhe Bashkimit Evropian mund të shtojë akoma më shumë stabilitetin dhe rritjen e ekonomike në Evropë. Lagarde tha se pasojat e krizës së emigrantëve është një tjetër faktor që shqetëson FMN. Ajo vuri në dukje se nëse kriza e emigrantëve administrohet siç duhet atëherë në një fat të shkurtër emigracioni do të ketë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike të Evropës por në rast se administrimi nuk do të jetë i drejtë atëherë ai do të ketë ndikim negativ. Nga ana e tij, kryeministri anglez deklaroi se dalja e Anglisë nga BE kushtëzohet nga vendimi i popullit anglez. David Cameron deklaroi sot se nëse populli i Anglisë në referendumin që do të zhvillohet në vitin 2017 do të kërkojë daljen e Anglisë nga BE, qeveria angleze do të zbatojë verdiktin e popullit. Gjithashtu kryeministri anglez tha se nëse BE pranon kushtet e paraqitura nga Anglia, ka mundësi që rrethanat të ndryshojnë. Javën e kaluar, Ministri britanik i Mbrojtjes, Philip Hammond, është bërë anëtari i dytë i kabinetit britanik që mbështet publikisht daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Ai ka thënë se kryeministrit David Cameron duhet t’i jepet shansi që të rikthejë disa kompetenca për Britaninë, para se të nisë fushatën për largim nga blloku. Kohë më parë edhe sekretari i arsimit, Michael Gove, ka mbështetur daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Cameron është përballur me një rebelim në Partinë e tij Konservatore, në lidhje me Bashkimin Evropian. Rreth 100 ligjvënës konservatorë duken se janë të gatshëm të votojnë për masën, duke shprehur keqardhje që prioritetet e qeverisë për këtë vit nuk përfshijnë legjislacionin për referendum mbi anëtarësinë në BE. Spikeri Javën e kaluar Franca bëri të ditur se do të mbajë në fuqi gjendjen e emergjencës derisa të përfundojë lufta totale dhe globale kundër grupit terrorist ISIS. Kështu deklaroi kryeministri francez Manuel Valls në një intervistë për mediat. Gjendja e emergjencës hyri në fuqi në Francë pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris dhe u vendos për 3 muaj. Në këtë situatë, policia franceze ka më shumë fuqi për të kryer kontrolle dhe për të vendosur arreste shtëpiake. I pyetur për gjendjen e emergjencës, Valls tha se ajo do të zgjasë sa të jetë e nevojshme: “Për sa kohë ka kërcënim, ne duhet të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme. Ne do të luftojmë ISIS-in kudo që të jetë dhe lufta që po bëjmë duhet të jetë totale, globale dhe e pamëshirshme”. Kryeministri francez gjithashtu paralajmëroi se kriza e emigrantëve po e vendos në rrezik të madh Bashkimin Europian. Ai tha se Franca ishte në luftë dhe kjo do të thotë se duhen përdorur të gjitha mjetet pa shkelur demokracinë, për të mbrojtur popullin. Valls tha se Evropa nuk mund të pranojë të gjithë refugjatët e krizave në Lindjen e Mesme, përndryshe shoqëritë evropiane do të destabilizohen plotësisht. Spikeri Një muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Spanjë që rezultuan pa një fitues bindës, përpjekjet për krijimin e një qeveria koalicioni vazhdojnë të mos prodhojnë asnjë rezultat. Kryeministri konservator në detyrë, Mariano Rahoy, javën e kaluar braktisi përpjekjet e fundit për të krijuar një qeveri, por ai paralajmëroi se socialistët do të ziheshin ngushtë nga e majta ekstreme Podemos, e cila do të ishte pjesë e një qeverie të drejtuar nga socialistët. Dhe në fakt, vetëm disa orë më vonë socialistët akuzuan Podemosin për shantazhim. Partia e Pedro Sanchesit e bëri të qartë se nuk do të hynte në negociata me forca të tjera politike në përpjekjen për të krijuar një qeveri të qëndrueshme, veçanërisht kur propozimet vijnë përmes shantazhimeve. Sipas saj, për të krijuar një projekt të ri kombëtar, bisedimet mbi politika dhe ide specifike nuk duhet të zhvillohen mbi bazën e taktikave, interesave partiake apo vendimeve të imponuara në mënyrë të njëanshme. Lideri i Podemosit, Pablo Iglesias ka kërkuar të jetë zv.kryeministër në qeverinë e drejtuar nga socialistet. Partia Popullore e Rahoit fitoi zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, por arriti të sigurojë vetëm 123 mandate në parlamentin me 350 vende. Ai kërkon të krijojë një koalicion të madh me socialistët që kanë 89 vende në parlament dhe partinë qytetarët, me 40 vende. Por lideri socialist ka ide të tjera. Ai do të krijojë një aleancë të majtë ku do të përfshihet edhe Podemos, parti e cila në zgjedhje siguroi 65 mandate dhe gjithashtu e majta e bashkuar me 2 vende në parlament. Një koalicion i tillë do të kërkonte edhe mbështetjen e partive të vogla nacionaliste baske e katalanase, në mënyrë që ti mbijetonte votëbesimit nëse do të humbnin mbështetjen e partisë qytetarët. Spikeri Forumi Botëror Ekonomik në Davos që zhvilloi punimetjavën e kaluar, me pjesëmarrjen e elitës politike dhe ekonomike botërore, kishte në fokus krizën e refugjatëve dhe sfidat e Europës . Kryeministri francez, Manuel Valls paraqiti një pamje pesimiste „Projekti europian mund të ndërrojë jetë së shpejti“, tha Valls, „jo për disa dhjetëvjeçarë ose vite, por shumë shpejt.“ Vendimtare është që Europa të gjejë një rrugë të përbashkët për të mbajtur nën kontroll problemet e sigurisë për shkak të terrorizmit. Edhe kriza e refugjatëve mund të zgjidhet vetëm po të jemi të bashkuar. Por veprimi i njëanshëm i Austrisë për mbylljen e kufijve, tregon edhe njëherë qartazi se sa të pabashkuar janë europianët aktualisht. Ndërkohë që koha nuk pret, tha kryeministri holandez, Mark Rutte. ''Kemi vetëm gjashtë deri në tetë javë për ta vendosur nën kontroll imigracionin“, tha Rutte. Në janar të vitit të kaluar erdhën në Europë 1600 refugjatë, vetëm në tre javët e këtij viti kanë ardhur 35.000 refugjatë, sipas Rutte. Kur të vijë pranvera, do të rritet në mënyrë drastike numri i refugjatëve – këtë nuk e përballojmë dot më.“ Ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schäuble propozon një program miliardësh investimesh e pikërisht në rajonet nga vijnë refugjatët. Kjo mund të çojë në „uljen e presionit tek kufijtë e jashtëm europianë në atë mënyrë që Europa të mos kthehet në një fortesë.“ Ky do të ishte turp për Europën, thotë kryeministri grek, Aleksis Tsipras. Për europianët që edhe tani lëngojnë nën kursin e kursimeve, kjo do të thotë një kosto tjetër e lartë. “Do të na kushtojë, shumë më tepër se sa kemi menduar deri më tani”, tha Schäuble. “Kemi menduar se problemet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme e në Afrikë nuk janë problemi ynë. Tani shohim, po është problemi ynë. Problemi ynë europian.“ shtoi Schäuble. Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk i tha Parlamentit Evropian se shtetet anëtare kanë më në dispozicion "jo më shumë se muaj" për të menaxhuar krizën e refugjatëve. Dështimi në këtë menaxhim mund të rezultojë në kolapsin e zonës së udhëtimit pa pasaporta të Shengenit, tha ai. Tusk, që shërben si kryetar i liderëve evropianë, gjithashtu tërhoqi vëmendjen se BE mund të "dështojë si projekt politik", nëse blloku me 28 anëtarë nuk do të kontrollojë si duhet kufijtë e tij të jashtëm. BE po lufton për të menaxhuar krizën e më shumë se një milion refugjatëve, shumica e të cilëve kërkuan azil në Gjermani. Por BE në vitin 2016 do të përballet edhe me sfidën e largimit të Britanisë nga ky union. Një parantezë e ardhur në momentin e duhur për kryeministrin britanik, David Cameron, i cili në Davos theksoi edhe njëherë se sa të nevojshme janë reformat. „Ne çalojmë shumë mbrapa Shteteve të Bashkuara përsa i përket teknologjisë dhe produktivitetit. Duhet të rrisim aftësinë e konkurrencës të firmave dhe ekonomive tona dhe jo ta zvogëlojmë atë.“ Cameron u shpreh se ai shpreson në një ujdi për reforma në BE deri në samitin e ardhshëm në shkurt. Po qe se deri atëherë “kemi një marrëveshje të mirë, do ta pranoj“, tha Cameron. Vetëm atëherë kryeministri britanik do të angazhohet me të gjitha forcat që Britania e Madhe të qëndrojë në BE.

Tags