Shkurt 16, 2016 06:02 CET

Me pwrshwndetje pwr ju tw nderuar dwgjues, po fillojmw emisionin tonw tw pwrjavshwm kushtuar zhvillimeve mw tw rwndwsishmw tw javws sw kaluar nw kontinentin europian Spikeri Javën e kaluar, rreth 7 mijë protestues të lëvizjes ksenofobe PEGIDA u mblodhën sërish në një protestë të dhunshme në Dresden të Gjermanisë, pasi Turqia paralajmëroi se mijëra refugjatë nga Siria kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare të Kilis pas largimit nga Alepo teksa bombardimet janë përshkallëzuar.

Protesta kundër ardhjes së mijëra emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika u organizuan edhe në vende të tjera të Europës por më të mëdhatë dhe të ashprat ishin ato në Dresden dhe në Pragë. Ata kritikuan Krerët e Shtetit gjerman, që sipas tyre po injorojnë frikën ndaj fluksit të emigrantëve myslimanë. “Ligji është shkelur 1 milionë herë në kufijtë tanë. Nuk ka më justifikime” tha Stefan, një protestues i PEGIDA-s. “Zgjidhja është që Europa të ngrejë një fortesë. Ne duhet të kontrollojmë kufijtë tanë, sepse këtu nuk po vijnë vetëm ata nga vendet e luftës. Duhet të vendosim kontrolle të rrepta dhe të respektojmë rregullat e ligjet” tha Bright, një tjetër protestues. Gjatë protestës u regjistruan edhe disa përplasje fizike mes forcave të policisë dhe protestuese. Grupimi i krahut të djathtë e sheh krizën e refugjatëve në Europë si një mundësi për të shpërndarë mesazhin e tyre. Që prej 20 tetorit të vitit 2014 në Dresden, që është edhe kryeqendra e tyre, anëtare të Lëvizjes Pegida kanë kundërshtuar hapur ismalizimin e Gjermanisë si dhe politikat e emigrimit dhe azil-kërkuesve në Gjermani por edhe në mbarë Europën. Ndërkohë nuk munguan edhe anti-protestat ku qytetarë të shumtë protestuan nën moton “Solidaritet në vend të përjashtimit” apo “S’ka vend për nazistë”. Sipas sondazheve më të fundit në shtetin më të madh të Europës, 80% e gjermanëve besojnë se qeveria e tyre e ka humbur tashmë kontrollin e krizës së refugjatëve dhe Angela Merkel po e humb besimin e tyre, duke bërë që në vend të rritet presioni ndaj kancelares, e cila deri më tani ka refuzuar të ndryshojë kurs. Numri i azilkërkuesve në Gjermani ka shkuar në një milion vetëm për këtë vit, duke çuar edhe në rënien e popullaritetit të kancelares gjermane Angela Merkel dhe partive që mbështesin e qeverinë e saj. Politikanët e dy partive, CDU dhe SPD kanë filluar të bëjnë thirrje për kufizim të numrit të klandestinëve që hyjnë në vend, përfshirë edhe kontrolle të rrepta kufitare dhe rishpërndarje të refugjatëve në vendet të tjera anëtare të Bashkimit Europian. Vetëm një ditë para protestës, Ankaraja zyrtare tha se mijëra sirianë kanë mbërritur në kufijtë e saj, ku vetëm nga Alepo janë nisur mbi 35 mijë refugjatë. Spikeri Spanja ende vijon të mbetet në një ngërç politik, pasi partitë kryesore të vendit nuk kanë arritur të bien dakord për krijimin e qeverisë së re. Asnjë prej forcave politike nuk arriti të sigurojë një shumicë të mjaftueshme në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 20 dhjetor të vitit 2015, ndaj zgjidhja e vetme është një koalicion i mundshëm. Megjithatë, edhe ky opsion duket tejet i vështirë. Në deklaratë për mediat, lideri i Partisë Socialiste, Pedro Sanchez, përjashtoi mundësinë e formimit të qeverisë Partinë e Popullit, lideri i së cilës është kryeministri i vendit gjatë katër viteve të fundit, Mariano Rayoi. Sanchez nënvijëzoi se nuk do të pranonte asnjë kandidat nga kjo forcë politike. Në këto kushte, shanset më të mëdha janë për një marrëveshje midis partisë Podemos, asaj Socialiste si dhe disa partive të tjera të vogla. Problemi i vetëm i këtij skenari mbetet çështja e Katalonjës. Lideri i Partisë Socialiste, Sanchez, e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një referendumi për pavarësinë e këtij rajoni duke e cilësuar një gjë të tillë si anti-kushtetuese, ndërkohë që kryetari i Podemos, Pablo Iglesias, ka deklaruar se e ardhmja duhet të vendoset nga qytetarët katalanas. Partia Popullore e Rayoi fitoi zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, por arriti të sigurojë vetëm 123 mandate në parlamentin me 350 vende. Ai kërkon të krijojë një koalicion të madh me socialistët që kanë 89 vende në parlament dhe partinë qytetarët, me 40 vende. Por lideri socialist ka ide të tjera. Ai do të krijojë një aleancë të majtë ku do të përfshihet edhe Podemos, parti e cila në zgjedhje siguroi 65 mandate dhe gjithashtu e majta e bashkuar me 2 vende në parlament. Një koalicion i tillë do të kërkonte edhe mbështetjen e partive të vogla nacionaliste baske e katalanase, në mënyrë që ti mbijetonte votëbesimit nëse do të humbnin mbështetjen e partisë qytetarët. Spikeri Javën e kaluar, Parlamenti Evropian ka rezervuar më shumë se katër orë për të folur për rrezikimin e zonës së Shengenit, për mungesën e solidaritetit, për premtimet e shkelura dhe për rolin e Greqisë dhe të Turqisë në vazhdimin e vërshimit të refugjatëve.Ata që kanë ende shpresë për një zgjidhje ishin të të njëjtit mendim: zgjidhja duhet të vijë javët e ardhshme, përpara se në pranverë ta marrin rrugën edhe më shumë njerëz. Deputetë të tjerë konstatuan, se përballë këtyre sfidave, BE ndodhet para dështimit. Në një kohë tepër të turbullt për zonën e lëvizjes së lirë, eurodeputetët kanë bërë thirrje për masa të rrepta kundër emigracionit, në mënyrë që të shpëtohet zona “Schengen”. Kriza më e rëndë e refugjatëve dhe emigrantëve që ka prekur Europën, që prej Luftës së Dytë Botërore, ka bërë që të rikthehen kontrollet në disa prej kufijve të brendshëm të Bashkimit Europian. Duke qenë se kriza e emigrantëve mbetet parësore në axhendën politike të BE-së, një eurodeputet holandez tha se të ashtuquajturit emigrantë “ekonomikë” duhet të përjashtohen dhe të kthehen mbrapsht, në mënyrë që të ruhet mbështetja e publikut për njerëzit që u largohen zonave të luftës. Në Parlamentin Europian u diskutua gjithashtu menaxhimi i shumëpërfolur, që Greqia po u bën ditët e fundit kufijve të saj. Rekomandimet e reja i kërkojnë Athinës që të veprojë në përputhje me rregullat e zonës “Schengen”, ku përfshihen procedurat e regjistrimit të refugjatëve, skanimi i shenjave të gishtërinjve, e njëherazi verifikimi i ndonjë lidhjeje të tyre me terrorizmin. Komisari i BE për Refugjatët, Dimitris Avramopoulos tha se ishte shumë e thjeshtë paraqitja e refugjatëve si kërcënim për rendin publik, siç bënë disa pas ngjarjeve të Këlnit. "Ne ose i mbledhim forcat së bashku, ose do të biem pas në një të kaluar, të cilën nuk ka qejf askush që ta përjetojë sërish." Me këtë ai e kishte fjalën për deklaratën për përdorimin e armëve të zjarrit kundër refugjatëve, të kryetares së Alternativës për Gjermaninë, Frauke Petry dhe zëvendëses së saj, Beatrix von Storch. Të tjerë u shprehën më qartë, si kryetari i Liberalëve në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt: thirrja për të hapur zjarr kundër refugjatëve është "thjesht e tmerrshme", tha ai. Ndërsa socialdemokrati Gianni Piatella foli për "fjalë të turpshme" dhe për një "erë të mbrapshtë në Evropë", ku qarkullon virusi i frikës. Ndërkohë, kryeministri italian Matteo Renzi u shpreh sot se “Ata që duan të shkatërrojnë Schengenin duan të shkatërrojnë Europën dhe ne italianët nuk do e lejojmë”. Ishin fjalë të ashpra këto të kryeministrit italian Matteo Renzi, i cili nuk ndal kritikat e tij ndaj një pjese të përfaqësuesve të Bashkimit Europian, ata që ai i konsideron si profesionistë të polemikave. "Nëse duam të zgjidhim problemin e emigrantëve duhet një strategji afatgjatë dhe jo polemika të rëndomta. Ka mbaruar koha kur Europa na thoshte ç’duhet të bënim, ne i japim Brukselit njëzet miliardë dhe marrim prej tij njëmbëdhjetë ” deklaroi ai. Pasi Italia bëri të ditur se do të marrë pjesë në fondin prej 3 miliardë eurosh që do t’i jepet Turqisë për menaxhimin e situatës së emigrantëve, kreu i qeverisë së Romës shprehu hapur pakënaqësinë e tij për trajtimin e pabarabartë: "Është absurde, u shpreh ai, që shpenzimet e përballuara për të shpëtuar fëmijët nga Eritreja që mbërrijnë në Sicili, të konsiderohen në mënyrë tjetër nga ato që duhen për të shpëtuar fëmijët që mbërrijnë në Greqi në brigjet e Egjeut”. Disa herë ai ka përsëritur se emigrantët janë të gjithë njëlloj dhe se Italia ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish, ndërsa Europa kthente sytë tjetërkund. Spikeri Javën, e kaluar, Greqia është paralizuar nga grevat dhe protestat popullore. Mijëra protestues kanë dalë në sheshet kryesore në Athinë dhe Selanik për të protestuar kundër reformave të qeverisë për pensionet. Protesta ka degjeneruar deri në përplasje me uniformat e policisë, duke u hedhur bomba zjarri dhe gurë. Përleshjet erdhën pasi Sindikatat greke kanë organizuar një grevë mbarëkombëtare të përgjithshme. Fluturimet janë anuluar, tragetet dhe transporti publik nuk funksionin, shkollat, gjykata dhe farmacitë janë mbyllur. Për herë të dytë brenda 4 ditëve, mbi 150 traktorë kanë hyrë në qendër të Selanikut, duke bllokuar për orë të tëra disa prej rrugëve kryesore të qytetit dhe duke shkaktuar një kaos të vërtetë në qarkullimin e automjeteve. Kjo është forma e re që kanë gjetur fermerët e 4 pikave nevralgjike përreth qytetit verior, në ditën e 22-të të protestës së tyre, me anë të së cilës kundërshtojnë reformën e re të pensioneve dhe të sistemit të taksave, e cila siç shprehen ata, gjunjëzon të gjithë të punësuarit në sektorin e bujqësisë. Gjatë ditës së sotme, për shumë orë është mbyllur autostrada kryesore që lidh Athinën me Selanikun në vendin e luginës së Tebit, ndërsa i bllokuar nga 800 traktorë vazhdon të jetë edhe kryqëzimi i Malgares, 22 km në Perëndim të Selanikut, një nyje nevralgjike nga e cila kalojnë gjithë automjetet me destinacion Shqipërinë dhe Greqinë kontinentale, drejt Jugut e ishujve dhe anasjelltas. Përshkallëzimi i protestës së fermerëve do të kulmojë mesditën e së shtunës. Sipas ultimatumit, që përfaqësuesit e tyre i kanë dërguar kryeministrit grek, Alexis Tsipras, do të bllokohen për 24 orë në fundjavë të 62 pikat, ku ata kanë nxjerrë mbi 10 mijë traktorët e tyre, nëse qeveria nuk merr mbrapsht projektligjin e reformave në fjalë. Por presion të madh ndaj qeverisë majtiste të kryeministrit Tsipras po ushtron edhe BE, i cili e akuzon Athinën se nuk ka marrë masat e duhura për mbrojtjen e kufijve të saj dhe për ndaljen e valës së refugjatëve. BE e ka kritikuar Greqinë për neglizhimin e detyrimeve të saj në kontrollin dhe pajisjen me dokumenta të refugjatëve, ndërsa disa anëtarë të Unionit kanë kërkuar për këtë arsye edhe pezullimin e saj të përkohshëm nga zona e Schengenit. Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos ka deklaruar se Athina zotohet për të përshpejtuar regjistrimin dhe identifikimin e refugjatëve duke përfunduar krijimin e pesë pikave të hyrjes së tyre në ishujt grekë pranë bregdetit turk, si dhe të dy kampeve të pritjes për disa mijëra emigrantë në Greqinë kontinentale. “Disa prej europianëve mund të dëshirojnë që ta shndërrojnë Greqinë në një kamp përqendrimi, apo në një depo për njerëzit. E pra, ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, ka thënë Kamenos. “Nuk luftova që të shmang largimin e Greqisë nga eurozona, që të lejoj daljen e saj nga Schengen”, ka deklaruar nga ana tjetër presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili ka theksuar se Brukseli kërkon ta ndihmojë Athinën që të përmbushë angazhimet që i takojnë, si pjesëtare e zonës Schengen. Ndërkohë, megjithë detin e trazuar dhe motin e ftohtë, vetëm brenda janarit të këtij viti mbi 62.000 refugjate nga zonat e luftës si Siria, Iraku dhe Afganistani kanë mbërritur në ishujt grekë nga brigjet turke.

Tags