Shkurt 16, 2016 07:15 CET

Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.

Javën e kaluar, Lideri suprem i Revolucioni Islamik të Iranit në takim me imamët e namazit të së premtes në qytete dhe rajone të ndryshme të Iranit, deklaroi se zgjedhjet kanë qenë të shëndosha në të gjitha periudhat, por është e mundshme që në ndonjë rast të jetë bërë edhe ndonjë shkelje, por nuk janë bërë shkelje të organizuara që ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve. Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, deklaroi se zgjedhjet në nivelin e brendshëm forcojnë ndjenjën e pavarësisë, forcojnë identitetin dhe ndikimin e popullit, ndërsa në nivelin rajonal dhe global, forcojnë nderin dhe kredibilitetin e vendit dhe të sistemit të Republikës Islamike të Iranit. Ajetullah Khamenei në vazhdim shpjegoi konceptin e gjerë të së drejtës së qytetarëve në zgjedhje. Ajetullah Khamenei tha se respektimi i të drejtës së qytetarëve është që nëse një person e meriton dhe plotëson të gjitha kushtet e nevojshme si kandidat, ai nuk duhet refuzuar dhe duhet të krijohen kushtet që edhe ai të japë kontributin e tij, ndërsa nëse një person që paraqitet si kandidat për zgjedhjet parlamentare ose për zgjedhjet e Kuvendit të Ekspertëve dhe nuk e meriton një gjë të tillë dhe nuk i plotëson kushtet e caktuara me ligj, nuk duhet lejuar të hyjë në këto institucione. Mospërfillja e këtyre dy çështjeve, shkel të drejtën e qytetarit. Në vazhdim, Ajetullah Khamenei theksoi se të menduarit burimor islam është përhapur në rajone të ndryshme të botës dhe ka edukuar personalitete të forta anembanë botës, prandaj kundërshtarët e Islamit për ta luftuar këtë realitet, kanë filluar të sulmojnë politikisht Republikën Islamike të Iranit me anë të propagandave të ndryshme. Faktorët e huaj duke shfrytëzuar provokimin e brendshëm dhe propagandën politike, mjetet materiale dhe metodat e tjera të ndryshme, po bëjnë përpjekje të depërtojnë në shoqërinë islame të Iranit, prandaj të gjithë duhet të jenë vigjilentë përballë depërtimit të armikut në Iran. Ajetullah Khamenei në fund të fjalimit të tij vuri në dukje ambiciet e Amerikës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe shtoi: "Amerikanët, ashtu sikur edhe ne, kërkojnë ndryshim dhe zhvillim, mirëpo ne kërkojnë ndryshime dhe zhvillime të cilat do të reduktojnë distancën e vendit dhe shoqërisë me qëllimet e Islamit dhe të Revolucionit Islamik, ndërsa amerikanët qëndrojnë pikërisht në pikën e kundërt të këtij zhvillimi të kërkuar nga populli iranian, sepse ata synojnë të largojnë shoqërinë iraniane sa më shumë nga qëllimet e Revolucionit Islamik dhe synojnë të afrojnë Iranin sa më shumë pranë qëllimeve të tyre". Ajetullah Khamenei theksoi se amerikanët për realizimin e këtij qëllimi kanë ambicie të veçanta në zgjedhjet në Iran, mirëpo populli iranian është vigjilent dhe në zgjedhje, ashtu si në çështje të tjera, vepron plotësisht kundër dëshirave të armiqve dhe ashtu si në të kaluarën, do t'i jap përgjigje të fortë armiqve. 

Lideri suprem i Revolucionit islamik ka theksuar se edhe përkundër ekzistimit të presioneve të ndryshme, Revolucioni Islamik i Iranit ka mundur t’i ruajë parimet dhe idealet e veta. Ajetollah Khamenei, Lideri suprem i Revolucionit islamik javën e kaluar gjatë një takimi me mijëra qytetarë dhe dijetarë në Kom, me rastin e përvjetorit të revoltës së datës 19 Dej (janar 1976) të popullit të Komit, duke mbështetur autoritetin e lidershipit suprem, si dhe duke shpjeguar shkaqet dhe faktorët e qëndrueshmërisë së Revolucionit, ka deklaruar: “Qëndrueshmëria e Revolucionit, qetësia e popullit dhe fitorja përballë komploteve të armiqve, ka qenë e mundur vetëm në sajë të vetëdijes dhe vigjilencës së popullit dhe zyrtarëve të RII”. Ajetollah Khamenei ka shtuar: “Amerikanët pas zgjedhjeve presidenciale në vitin 2009, menduan se do të kenë sukses sikurse në disa vende tjera që përmes zgjedhjeve dhe duke shfrytëzuar pakicat dhe duke ndihmuar financiarisht, të realizojnë qëllimin e tyre, por një gjë e tillë nuk u realizua falë pranisë masive të popullit në zgjedhje, i cili bëri të dështojë grusht shteti amerikan". Lideri suprem i Revolucionit islamik ndjenjën e përgjegjësisë së popullit për të qenë i pranishëm në zgjedhje e konsideroi si arsye e “qëndrueshmërisë së revolucionit” dhe duke theksuar se riafirmimi i nevojës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Ekspertëve dhe ato parlamentare, ka shtuar: “Ashtu sikurse në të kaluarën, të gjithë, bile edhe ata të cilët nuk e pranojnë Republikën Islamike të Iranit, të dalin të votojnë, sepse zgjedhja i takon popullit, Iranit dhe sistemit". Ajetollah Khamenei tha se pjesëmarrja masive në zgjedhje do të forcojë stabilitetin dhe do të rrisë reputacionin e Iranit para syve të armiqve të RII. Ajetollah Khamenei duke theksuar mbi pozitën e lartë të Parlamentit islamik në fushën e çështjeve të brendshme dhe ndërkombëtare, ka deklaruar: “Çdo deputet i Parlamentit është i përfshirë në formimin e qeverive dhe të qëndresës së popullit dhe qytetarët e të gjitha provincave janë të obliguar të kenë kujdes në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, sepse me zgjedhje të saktë dhe të rregullt, ata do të jenë më të sigurt”. Ajetollah Khamenei e quajti si shumë të rëndësishëm Kuvendin e Ekspertëve dhe theksoi: “Ky Kuvend në momentin kur Lideri nuk do të mund të jetë aktiv, do ta zgjedhë Liderin e ri, pra udhërrëfyesin e revolucionit dhe kjo përgjegjësi është shumë e rëndësishme”. 

Javën e kaluar, ministrat e jashtëm të Iranit dhe Irakut kanë analizuar marrëdhëniet dypalëshe dhe rrugët e zgjerimit të këtyre marrëdhënieve. Muhamed Xhavad Zarif ministër i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit dhe Ibrahim Xhafari ministër i jashtëm i Irakut mbajtën një takim ku diskutuan mbi mënyrën e zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet në rajon dhe çështjet ndërkombëtare. Pas këtij takim dy ministrat e jashtëm zhvilluan një konferencë të përbashkët shtypi. Në këtë konferencë ministri i jashtëm z. Zarif vuri në dukje se politika e Iranit konsiston në bashkëpunimin me fqinjët dhe tha se në 2 vitet e kaluara janë bërë përpjekje të shumta për krijimin e mirëkuptimit dhe lidhjeve vëllazërore mirëpo për fat të keq Arabia Saudite ka ecur në krah të kundërt. Shefi i diplomacisë iraniane dënoi dënimin me vdekje të sheik Nemer Bagher Al Nemer, klerikut të njohur shiit në Arabinë saudite dhe tha: Veprimi që është bërë ndaj këtij personaliteti nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë, pasi edhe në botë ky veprim ka ngjallur urrejtje dhe është dënuar publikisht. Muhamed Xhavad Zarif, tha se veprimet e qeverisë saudite në kohën e negociatave bërthamore të Iranit kanë qenë në përputhje me regjimin sionist dhe janë veprime kundër popullit dhe veprime për të ulur çmimin e naftës dhe shoti se Irani në këtë aspekt ka vepruar me durim. Ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit foli edhe mbi sulmin ndaj ambasadës dhe konsullatës së Arabisë saudite në Teheran dhe tha: Ajo çka ndodhi mbrëmjen e shtunës në Teheran dhe në Mashhad nuk janë të pranueshme në asnjë mënyrë dhe ky veprim është dënuar nga të gjithë funksionarët e Republikës Islamike të Iranit. Zarif ndër të tjera shtoi: Irani veten e konsideron përgjegjës për ruajtjen e diplomatëve të të gjithë vendeve dhe të gjitha ata persona që kanë kryer sulmin ndaj ambasadës saudite do të përballen me ligjin. Muhamed Xhavad Zarif tha se Irani dhe Iraku kanë marrëdhëniet të gjera mes tyre dhe shtoi se marrëdhëniet tona janë marrëdhënie të forta ku bëhen përpjekje të përbashkëta në kuadër të luftës kundër radikalizmit dhe terrorizmit. nga ana e tij ministri i jashtëm i Irakut z. Ibrahim Xhaafari tha: Qeveria irakiane vazhdon të përpiqet për të vendosur sigurinë dhe paqen në rajon. Xhafari dënimin me vdekje të sheik Nemer Bagher Al Nemer, duke qenë se ai ishte një njeri i paqes, e konsideroi veprim kriminal. Iraku është i mendimit se për zgjidhjen e problemeve të rajonit, vendet rajonale duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, tha në fjalën e shefi i diplomacisë irakiane. 

Sejed Hasan Kazizade Hashemi, ministri i shëndetësisë së RII në krye të një delegacioni të lartë të mërkurën ka vizituar Libanin, kurse të enjte ka mbërritur në Damask (kryeqytet i Sirisë). 

Sejed Hasan Kazizade Hashemi në aeroportin e Damaskut ka theksuar në mbështetjen e gjithanshme të Republikës Islamike të Iranit ndaj Sirisë përballë terroristëve të grupit ISIS. Ai deklaroi se Siria është vendi më i përshtatshëm për investim në fushën e shëndetësisë dhe të medikamenteve për kompanitë që veprojnë në këtë industri, për arsye se kriza një ditë do të përfundojë dhe duhet të mendohet për të ardhmen. Kazizade Hashemi në takim me Ajad Jazxhi ministrin e shëndetësisë së Sirisë, tha se Teherani qëndron përkrah qeverisë dhe popullit sirian në luftën kundër terrorizmit dhe do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar Sirinë në luftën kundër terroristëve. Ministri i shëndetësisë së Iranit gjithashtu ka theksuar se Irani Islamik do të ndihmojë dhe trajtojë në aspektin mjekësor luftëtarët sirianë që po luftojnë në linjën e parë të frontit të luftës kundër terrorizmit. Ministri iranian i shëndetësisë para vizitës në Siri, të mërkurën ka zhvilluar një vizitë edhe në Liban dhe është takuar me kryeparlamentarin libanez, me ministrat e shëndetësisë, të industrisë dhe me një grup aktivistë ekonomikë dhe investitorë të Libanit. Sejed Hasan Kazizade Hashemi dhe Sejed Hasan Nasrullah, sekretari i përgjithshëm i Hezbullahut të Libanit janë takuar të mërkurën në Bejrut ku kanë diskutuar në lidhje me zhvillimet politike në rajon. 

Takimi trepalësh mes Iranit, Zvicrës dhe Sirisë u mbajt javën e kaluar në Teheran për të analizuar gjendjen më të fundit të krizës siriane. Në këtë takim trepalësh që u mbajt në nivel zv/ministrash të jashtëm të Iranit, Zvicrës dhe Sirisë, u diskutua mbi situatën humanitare në Siri. Gjatë vizitës së muajit të kaluar në Zvicër të Husein Amir Abdulahian, shefit të departamentit për çështjet arabe dhe afrikane në Ministrisë së punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, është rënë dakord për organizimin e takimit trepalësh në Teheran. Gjatë qëndrimit në Zvicër, Amir Abdulahian u takua me Voflgang Brulehart asistent i ministrit të jashtëm të Zvicrës për çështjet e rajonit të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së veriut. 

Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit ka theksuar se rruga e kurimit të problemeve të Afganistanit është uniteti i grupeve etnike dhe uniteti i funksionarëve politikë të këtij vendi. Ajetollah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, javën e kaluar në takim me Abdullah Abdullah, kryetar ekzekutiv i qeverisë së Afganistanit, vuri në dukje të kaluarën dhe potencialet e shumta të bashkëpunimit të Iranit dhe Afganistanit dhe shtoi: "Irani, sigurinë dhe progresin e Afganistanit e konsideron si siguri dhe progres të tij". Ajetullah Khemenei duke kujtuar mbështetjen e Republikës Islamike të Iranit ndaj popullit të Afganistanit si kundërshtimi i pashembullt i Republikës Islamike të Iranit ndaj pushtimit të Afganistanit nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe mbështetjen ndaj muxhahidinëve në atë periudhë dhe shtoi: "Irani aktualisht gjithashtu, po qëndron përkrah Afganistanit dhe aktualisht ka strehuar mbi 3 milionë refugjatë afganë". Ajetullah Khamenei tha se prania e 16 mijë studentëve afganë dhe të diplomuar afganë në Iran është një rast i çmuar për Afganistanin dhe deklaroi: "Qeveria e Afganistanit duhet të bëjë përpjekje për të krijuar rrethana të përshtatshme të cilat do t'i tërheqin studentët afganë që të kthehen në vendlindje dhe të japin kontribut më të madh për zhvillimin e vendit të tyre". Ajetullah Khamenei tha se zgjerimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve mes Iranit dhe Afganistanit është në favor të dy vendeve dhe me bashkëpunim dhe sinqeritet duhet të zgjidhen disa mosmarrëveshje siç është çështje e ujërave kufitare". Lideri suprem i Revolucionit Islamik gjithashtu duke kritikuar politikën për izolimin e muxhahidinëve të Afganistanit gjatë viteve të kaluara, ka theskuar: "Izolimi i muxhahidinëve me pretekste si faktorë luftësnxitës, është politikë e gabuar, sepse në një vend i cili po përballet me kërcënime dhe sulme ushtarake dhe përçarje të gjera, vet populli i tij me moral të luftës duhet të përgatitet për të mbrojtur vendin". Duke vërë në dukje krimet dhe vrasjet e Amerikës në Afganistan dhe dëmet e mëdha të shkaktuara në këtë vend, Ajetullah Khamenei saktësoi: "Amerikanët ende nuk po heqin dorë nga Afganistani, mirëpo duke marrë parasysh faktin se tek populli i Afganistanit ekziston akoma një moral i thellë i rezistencës dhe zbatimit të mësimeve fetare i cili është njohur edhe gjatë historisë, asnjë okupator nuk ka mundur të qëndrojë gjatë në Afganistan". 

 

 

Tags