Nëntor 28, 2016 08:20 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në SHBA.

Javën e kaluar, presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump filloi përpjekjet për formimin e administratës së re amerikane. Republikani Mike Pompeo pritet të jetë drejtori i ardhshëm i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA. Deputet i Kansasit nga radhët e Tea Party, Mike Pompeo mësohet se e ka pranuar detyrën në krye të agjencisë së spiunazhit.  Anëtar i përjetshëm i Shoqatës Kombëtare të Armëve, Pompeo ka qenë mes kundërshtarëve më të egër të reformës në shëndetësi “Obamacare” dhe kundër mbylljes së burgut famëkeq të Guantanamos.  Gjithashtu, ai njihet si një nga mbështetësit kryesorë të programit të përgjimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, NSA, të publikuar nga Edward Snowden. Ndërkohë, Trump ka emëruar edhe aleatin e tij konservator, senatorin e Alabamës, Jeff Sessions, si prokuror të përgjithshëm. Sessions, një ish-prokuror, ishte tërhequr nga detyra në vitin 1986 për shkak të disa komenteve raciste. Në një deklaratë, Trump e cilësonte atë një “mendje ligjore e klasit botëror”. “Jeff është një person i admiruar në qarqet ligjore dhe virtualisht, nga kushdo që e njeh”, tha Trump. I emëruari për postin e prokurorit të përgjithshëm, Jeff Sessions, rezulton i shkarkuar nga detyra e gjyqtarit federal në vitin 1986 për shkak të deklaratave raciste. Nga ana e tij, Sessions ka shprehur disa herë mbështetjen e tij për politikën “për një Amerikë të vetme” të Trump dhe zotimin e tij për barazi para ligjit.  Në vazhdën e emërimeve një tjetër emër ka dalë në dritë, gjenerali Michael Flynn do të shërbejë si këshilltar për sigurinë kombëtare për kreun e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të takohet me një nga kritikët më të ashpër të tij, Mitt Romney, ndërkohë që po vijon të formojë ekipin e tij. Mediat kanë spekuluar se në këtë takim mund të diskutohet edhe posti i sekretarit të Shtetit.  Gjatë fushatës elektorale, Romney e quajti Trump një “mashtrues” dhe një “hipokrit”, ndërsa miliarderi e cilësoi fushatën e Romney kundër Obama në vitin 2012 si “më të keqen në histori”. I pyetur për takimin me Romney-n, një zëdhënës i tranzicionit presidencial, u shpreh se Trump po rekruton personat më të aftë që do të ndihmojnë në progresin e vendit, pa bërë dallime mes atyre të cilët e mbështetën ose jo. Posti i Sekretarit të Shtetit është ende në diskutim, pavarësisht faktit se emri i ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani, mbetet ndër më të lakuarit nga media. Donald Trump duket shumë i interesuar ta ketë në radhët e administratës së tij gjeneralin në pension të marinës, James Mattis, i konsideruar tashmë si kandidati kryesor për postin e Sekretarit të Mbrojtjes. Zyrtarë të përfshirë në procesin e kalimit të pushtetit në Amerikë  thanë se Trump dhe Mattis u takuan për mbi një orë në Nju Xhersi. Burimet thonë se vendosja në krye të Pentagonit e gjeneralit me katër yje mbi supe nuk është vulosur ende, por presidentit të zgjedhur i ka bërë shumë përshtypje rezymeja e 66-vjeçarit. Mattis është vlerësuar lart sidomos për mënyrën se si udhëhoqi marinsat në betejën e Falluxhës ku forcat amerikane kanë përdorur masivisht municione me uranium të varfëruar dhe fosfor të bardhë, në vitin 2004, një ndër më të përgjakshmet e luftës së Irakut.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i ka siguruar shefit te NATO-s se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj aleancës ushtarake, edhe pse ka bërë kritika të mëdha gjatë fushatës së suksesshme presidenciale. Gjatë fjalimeve të mbajtura muajt e fundit, Trump u ka thënë përkrahësve se: “NATO është vjetërsuar dhe nuk përfaqëson më vlera pozitive për SHBA-ne”. Madje, Trump ka deklaruar  se shpërbërja e NATO-s nuk do të ishte aspak e keqe. Në atë që duket se është kthesa më e fundit e ndryshimit të qëndrimeve që kur u zgjodh president, Trump raportohet të jetë tërhequr nga kritikat e bëra ndaj aleancës ushtarake të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se kishte folur personalisht me Trump-in pasi u shpallen rezultatet e zgjedhjeve. “Trump me ka thënë mua dhe liderëve evropianë pas zgjedhjes i president se ai dhe Shtetet e Bashkuara do të mbesin të përkushtuara ndaj NATO-s dhe se garancia për sigurinë evropiane qëndrojnë,” ka thënë Stoltenberg.

Presidenti aktual amerikan Barack Obama përsëriti për botën këshillën: “Bëni durim dhe prisni që të shikoni çfarë qasjeje do të marrë presidenca e Donald Trump”. Megjithatë, ai paralajmëroi se pasi të lërë Shtëpinë e Bardhë mund të kundërshtojë veprimet e pasardhësit nëse ai kërcënon vlerat amerikane. Komentet e tij  u bënë gjatë takimit të krerëve të APEC-ut dhe në një kohë shqetësimesh në rritje mes grupeve të të drejtave të njeriut dhe atyre që lidhen me përzgjedhjet politike të Trump. Presidenti Barack Obama ende në detyrë u përpoq t'i qetësojë shtetet e APEC-ut. Ai u shpreh se zgjedhja e çdo presidenti sjell pasiguri. Obama kërkoi që t'i jepet një shans presidentit të ri. "Nuk është e njëjta gjë si të bësh fushatë elektorale dhe si të qeverisësh”, tha ai. Megjithatë emri Donald Trump lidhet drejtpërdrejt me proteksionizmin, të cilit i tremben shumë krerë shtetesh. Refuzimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë ishte tema qendrore në fushatën e Trump. Ndërkohë tani Kina kërkon që të nxisë bashkëpunimin në një projekt, ku të marrin pjesë të 21 shtetet e APEC-ut, nën drejtimin e Kinës. Kina nuk do të mbyllë dyert, ka thënë kreu i shtetit kinez, Xi Jinping. "Ne ndajmë qëndrimin, që të gjitha vendet pjesëmarrëse të APEC-ut, të punojnë në frymën e partneritetit për të krijuar një ekonomi botërore stabël, të qëndrueshme me një rritje ekonomike të ekuilibruar.”

Presidenti i zgjedhur Donald Trump deklaroi se SHBA do të ndërpresë marrëveshjen e Partneritetit Trans-Paqësor në ditën e parë të hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë. Partneriteti Trans-Paqësor është një marrëveshje e arritur në 2015, e arritur nga vende si Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja, Australia, Meksika etj, por nuk është ratifikuar ende nga vendet individuale. Reagimet mbi këtë deklaratë kanë qenë të menjëhershme. Kryeministri australian, Malcolm Turnbull, tha se Shtetet e Bashkuara, kishin marrë përsipër një angazhim të rëndësishëm strategjik me këtë marrëveshje. Gjithsesi, ai pranon se administrata dhe Kongresi i ri do të duhet të bëjnë vlerësimin e tyre dhe vetëm koha do të tregojë deri në çfarë pike kjo marrëveshje do të shtrihet, apo si ajo do të zhvillohet. Kryeministri Shinzo Abe u shpreh se marrëveshja do të jetë e pakuptimtë pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara. Fundi i TPP-së do të jetë një goditje e fortë për shumë vende aziatike në zhvillim, sepse u heq aksesin e tregut amerikan. Nga ana tjetër, një autoritet i lartë kinez ka njoftuar se në rast se presidenti i zgjedhur amerikan do t'i zbatojë në praktikë kërcënimet e tij të bëra verbalisht, Pekini do të kërkoj realizimin e të drejtave të tij nëpërmjet rregulloreve të OBT-së. Ai ka thënë se para se Trump të fillojë punën e tij zyrtare, duhet rikujtuar atij se Amerika duhet të respektojë marrëveshjet e nënshkruara si anëtare e OBT dhe se Kina si anëtare e kësaj organizate ka të drejtë të mbrojë të drejtat e saj.

Gazeta amerikane Huffington Post shkruante sot se programi ushtarak i presidentit të zgjedhur Donald Trump do të shtojë me 150 miliardë $ shpenzimet e qeverisë amerikane. Huffington Post duke u bazuar në një raport të Komitetit të buxhetit federal të SHBA, shkruan se projektet ushtarake të Trump deri në vitin 2026 do të kushtojnë mbi 450 miliardë $. Rritja e shpenzimeve ushtarake gjatë presidencës së Trump do të bëhet në kushtet kur ai synon të reduktojë angazhimin ushtarak të SHBA në NATO dhe në botë. Është një ndryshim që lëviz drejt një bote edhe më të rrezikshme. Mbylljen brenda vetes Amerika, kujton revista prestigjoze “The Economist”, e pa kur përfundoi Lufta e Parë Botërore dhe pasojat për vendin ishin katastrofike. Nuk duhet te parashikosh diçka kaq të zymtë që t’i druhesh nacionalizmit të ri të Trumpit sot, vazhdon artikulli i kësaj reviste. Brenda kufijve, ai prodhon intolerancë dhe ushqen dyshimet mbi virtytin dhe besnikërinë e minoriteteve. Për “The Economist”, ajo që Trump duhet të kuptojë është se mosangazhimi jo vetëm do ta shkëpusë Amerikën nga pjesa tjetër e botës, por dhe do ta bëjë të cënueshme nga trazirat e konfliktet.