Janar 21, 2017 09:07 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth kufijve të lirisë së shprehjes nga pikëpamja islame.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut".

Në edicionin e kaluar kemi folur rreth lirisë së shprehjes si një prej të drejtave më kryesore dhe më të rëndësishme të njeriut. Në shumë shoqëri liria e shprehjes luan rol themelor në realizimin e demokracisë. Kjo është për arsye se realizimi i shumë prej lirive varët nga gëzimi i lirisë së shprehjes. Të drejtat si liria e shtypit, liria feve, liria e fjalës, liria mbledhjeve dhe mitingjeve dhe e subjekteve të ndryshme, kanë rrënjë në lirinë e shprehjes. Nga ana tjetër, liria e shprehjes pasohet nga mundësia për kërkesat qytetare dhe ngritja e aftësive të qytetarëve. Gjithashtu thamë se në asnjë sistem juridik të botës shprehja e çdo lloj bindje nuk është e lirë në mënyrë absolute dhe çdo vend ka kufizime të caktuara për lirinë e shprehjes në përputhje me llojin e ideologjisë dhe me nivelin e respektimit të parimeve morale. Në këtë edicion do të shqyrtojmë kufijtë e lirisë së shprehjes nga pikëpamje e islamit.

Liria e shprehjes nuk është absolute dhe ka kufizime të caktuara të cilat janë paraqitur edhe në dokumentet e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar. Kufizimet e pranuara të lirisë së shprehjes vërehen në disa raste si në sigurinë kombëtare, sigurinë e përgjithshme, rendin publik, moralin e përgjithshëm dhe në fushën e të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Do të thotë se liria e shprehjes me të gjithë rëndësinë që ka, nuk duhet të shkelë këto kufizime. Prandaj, nëse shprehja e individëve shkel njërën prej këtyre të drejtave dhe lirive të të tjerëve, atëherë kufizimi është i pranuar dhe në realitet ai lloj i lirisë së shprehjes nuk respektohet dhe nuk mbështetet. Sipas profesor Alame Xhafari, liria e individit sidomos liria e shprehjes duhet të jetë e arsyeshme dhe jo e paarsyeshme. Ai lirinë e arsyeshme e interpreton në këtë mënyrë që të qenurit e arsyeshme ose e paarsyeshme nuk qëndron në vetë lirinë dhe ajo që e përshkruan lirinë me këto karakteristika është mënyra e gëzimit të lirisë. Çdo liri e shprehjes e cila shfrytëzohet në dëm material ose shpirtëror të njeriut, është e paarsyeshme dhe nëse ajo shfrytëzohet në përputhje me parimet dhe ligjet e dobishme njerëzore, është e arsyeshme.

Nga pikëpamja e islamit, të gjithë janë të lirë në shprehjen e bindjes së tyre, përveç në rast kur kjo bindje është në kundërshtim me interesat e njeriut. Interesat këtu përfshinë edhe interesat materiale, edhe interesat shpirtërore, edhe interesat e kësaj bote edhe të botës tjetër. Nga pikëpamja e islamit, liria e shprehjes ka fusha të caktuara dhe respektimi i tyre është i obligueshëm. Një prej këtyre kufizimeve, është ndalimi i ofezave ndaj simboleve të shenjta. Nëse qëllimin e lirisë së shprehjes do ta konsiderojmë transmetimin e bindjes dhe mendimit tek publiku për ta zhvilluar dhe emancipuar individin në shoqëri, atëherë ofendimi i simboleve të shenjta të të tjerëve dhe trajtimi i palogjikshëm, jo vetëm që nuk ndihmon në vërtetimin e pretendimit dhe çështjes, por do të pasojë edhe me urrejtjen dhe reagimin e ashpër të palës tjetër. Në bazë të kësaj, mësimet islame ndalojnë myslimanët nga ofendimi i simboleve të shenjta të të tjerëve. Kur'ani i shenjtë në ajetin 108 të sures En'am thotë: " Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) ata të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij)...". Ruajtja e nderit, fisnikërisë dhe dinjitetit të njerëzve dhe shmangia nga ofendimi i dinjitetit të anëtarëve të shoqërisë, është një tjetër kufizim i lirisë së shprehjes. Nga pikëpamja e islamit, nderi i myslimanëve por edhe i atij që lejohet vrasja e tij, është i respektuar dhe nevojitet që të mbrohet ai. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: "Secili që ofendon nderin e vëllait të tij, ai do të dënohet me zjarr".

Ruajtja e sistemit të shoqërisë dhe respektimi i ligjeve, është një domosdoshmëri fetare dhe racionale, prandaj në fushën e lirisë së shprehjes ndalohet çfarëdo lloj shkelje e rregullave mbi të cilat bazohet ruajtja e sigurisë dhe e interesave të shoqërisë islame. Kufizimi i lirisë së qytetarëve përballë rregullave, nuk është specifikë vetëm për shtetin islam, por ajo theksohet në masë të madhe nga shumica e sistemeve shtetërore të botës. Pas ligjit, morali në fenë islame ka një rol të rëndësishëm. Jeta shoqërore ka nevojë për norma dhe vlera morale. Nga pikëpamje e islamit, njeriu nuk mund ta përligj të drejtën e lirisë së shprehjes duke anashkaluar parimet dhe standardet morale dhe vlerat që sundojnë në shoqërinë islame. Prandaj, shprehja e çfarëdo mendimi që njollos parimet dhe standardet morale të shoqërisë ose publikimi i materialeve ose i pamjeve që janë në kundërshtim me normat e përgjithshme, dëmtojnë normat morale dhe është në kundërshtim me lirinë e shprehjes.

Një tjetër kufizim i lirisë së shprehjes është ky që asnjë qytetar nën dritën e publikimit dhe të predikimit të mendimeve individuale dhe partiake, nuk duhet të ndjek qëllime të destruktive politike dhe nuk duhet të bëjë komplote kundër shtetit islamik. Përndryshe sistemi shtetëror islamik do të lejohet që të parandalojë shprehjen e mendimeve dhe lirinë e shprehjes së individëve të tillë. Ngjarja e shkatërrimit dhe djegies së "Xhamisë Darar" me urdhrin e Profetit s.a.v.s. është bazuar në këtë argumentim se një grup i caktuar me qëllime komplotiste, synonte të shfrytëzojë këtë xhami si strehë dhe çerdhe për jobesimtarët dhe si bazë depërtuese për të huajt. Në atë rast nuk kishte mbetur vend për tolerancë dhe për t'i lënë ata individë të lirë, sepse nuk ishte çështja e shprehjes së bindjes, por prishja e sigurisë shoqërore dhe organizimi i kryengritjes së armatosur kundër qeverisjes fetare.

Shumë mendimtarë islamë në veprat e tyre juridike dhe në mendimet fetare, kanë paraqitur kriteret dhe kufizimet e lirisë së shprehjes së mendimit dhe bindjes. Morteza Motahari pohon se liria e shprehjes ka vlerë dhe pozitë të veçantë. Ai beson se njeriu duhet të jetë i lirë në mënyrë që të arrijë zhvillimin dhe përkryerjen ndërkohë që ky zhvillim dhe kjo përkryerje ka nevojë për tre faktorë: edukimin, sigurinë dhe lirinë. Sipas mendimit të tij, njerëzit e lirë janë ata të cilët luftojnë me pengesat që ndodhen përpara zhvillimit dhe përkryerjes së tyre. Ata janë njerëz që nuk dorëzohen përpara pengesave, prandaj ai i cili në emër të lirisë mundohet të përhap degjenerimin dhe virtytet e ulëta morale, është kundër lirisë. Ai i cili mundohet t'i shkatërrojë vlerat shoqërore, edhe pse mbulohet me petkun e lirisë, ai nuk është përkrahës i lirisë. Ai i cili përhap degjenerimin dhe të keqën, nuk është përkrahës i lirisë, sepse këto përpjekje nuk bëhen në kuadër të zhvillimit, ngritjes dhe përkryerjes së njeriut. Në bazë të kësaj, Morteza Motahari në lidhje me kufizimin e lirisë së shprehjes thekson në dy çështje. Së pari, liria duhet të jetë në rrugën e përkryerjes. Së dyti, liria e shprehjes në kuptimin e përgjithshëm të saj, duhet të jetë larg mashtrimit. Ai thotë: "Liria rezulton edhe në të menduarin rreth çështjes së lirisë së shprehjes... ; natyrisht se duhet të merret parasysh se ndeshja e mendimeve dhe e bindjeve, është diçka tjetër nga mashtrimi. Mashtrimi është një punë e shoqëruar me gënjeshtër dhe propagandë të padrejtë.  Në bazë të kësaj në islam është ndaluar shitblerja e librave devijuese që shkaktojnë humbjen e njerëzve. Librat kundër fesë dhe kundër islamit ndahen në dy grupe: disa janë të bazuara mbi një logjikë dhe të menduar të veçantë, do të thotë që dikush në mënyrë reale paraqet mënyrën e të menduarit të tij dhe në këtë rast është liria e shprehjes, prandaj trajtimi i këtyre duhet të jetë në kuadër të edukimit, udhëzimit dhe paraqitjes së logjikës së drejtë, mirëpo nganjëherë paraqitet çështja e mashtrimit për shembull nëse dikush në librin e tij citon një ajet kur'anore ose një çështje historike në mënyrë të devijuar për të arritur ndonjë qëllim të dëshiruar. Atëherë ndalimi i publikimit të një libri të tillë a mund të konsiderohet pengim i lirisë së shprehjes? Liria e shprehjes së mendimit dhe bindjes, do të thotë shprehja e asaj që me të vërtetë i beson njeriu dhe jo në emër të kësaj, individi të gënjen dhe për shembull nën petkun e islamit, të predikojë mendime të devijuara duke i mashtruar njerëzit".

Alame Xhafari në lidhje me ndalimin e fesë islame ndaj shprehjes dhe publikimi të bindjeve të devijuara, ka thënë: "Nëse ngritje intelektuale e njeriut të ketë arritur deri në atë masë që edhe shprehësi nuk paraqet gjë tjetër përveç të vërtetës dhe realiteti, por edhe dëgjuesi, lexuesi dhe studiuesi i atij mendimi të ketë informacione të mjaftueshme dhe mendim vigjilent, atëherë në mënyrë absolute nuk do të ekzistonte kurrfarë problemi në lirinë e shprehjes. Mirëpo a është realiteti në këtë mënyrë? Shprehësit, dëgjuesit, lexuesit në shoqëri a janë të gjithë në shkencë dhe filozofi si Abu Rejhan Biruni, Farabi, Ibën Sina dhe mendimtarët e tjerë të dalluar të cilët të gjithë atë që e shprehin, të jetë në bazë të llogarisë së saktë dhe njohurisë? A mund të mbrohet liria absolute e shprehjes pa kurrfarë kushti dhe të lejohet ajo për çdo kënd në çdo kushte dhe rrethanash?".

Liria e shprehjes me kuptimin e lirisë së individëve të ndryshëm të shoqërisë për të shprehur bindjet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me çështjet fetare dhe politika, konsiderohet një prej të drejtave dhe vlerave më të rëndësishme që ka ndikim shumë të madh në zhvillimin dhe lulëzimin e talenteve individuale dhe në përkryerjen shpirtërore të individit dhe të shoqërisë dhe në reformimin e strukturave të saj të ndryshme. Prandaj, mësimet islame, ajetet e shumta  kur'anore dhe jeta dhe vepra e imamëve mas'sum (a.s.), e kanë quajtur atë jo vetëm një të drejtë, por një përgjegjësi dhe detyrë fetare dhe të gjithë janë të obliguar që ta gëzojnë këtë mirësi hyjnore. Nga pikëpamja e mësimeve islame, e burimeve të të drejtave themelore dhe e shumë e shumë mendimtarëve të botës, liria e shprehjes posedon aftësinë për funksione të ndryshme të saj vetëm në kohën kur ajo të realizohet në kuadër të disa kritereve dhe kushteve të logjikshme, sepse liria e pakufishme dhe e pakontrolluar shkakton dëm.

Tags