Korrik 09, 2017 09:45 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore".

Në këtë edicion do ta prezantojmë poetin dhe gnostikun e njohur iranian Abul-Maxhd Adem Senaji Ghaznavi, i cili ka jetuar në shekullin e pestë dhe në fillim të shekullit gjashtë hixhri kameri (shek. 11 dhe 12 të erës së re) në territorin e gjerë të kulturës dhe letërsisë iraniane.

Thamë Abul-Maxhd Adem Senaji Ghaznavi, poet dhe gnostik i madh i cili ka jetuar në shekullin e pestë dhe në fillim të shekullit gjashtë hixhri kameri (shek. 11 dhe 12 të erës së re), ka një pozitë të lartë, të rëndësishme dhe me ndikim në gjuhën dhe letërsinë persiane. Ai është një prej poetëve të mëdhenj të letërsisë persiane dhe themelues i stilit të poemave gnostike dhe inspirues i Atar Nishaburi dhe i Mevalana.

Abul-Maxhd Adem Senaji Ghaznavi ka lindur në vitin 464 hixhri kameri në qytetin Ghazne dhe ka vdekur më 11 sha'ban 525 hixhri kameri (8 maj 1131 të erës së re) dhe është varrosur po ashtu në qytetin Ghazne i cili në atë kohë ishte pjesë e territorit të Iranit dhe aktualisht ndodhet në lindje të Afganistanit. Veprat "Hadikatul-Hakika", "Sejrul-ibad ila al-mead", "Karnameje Belkh" dhe "Mekatibe Senaji", konsiderohen veprat kryesore të tij.

Qyteti Ghazne në kohën kur ka jetuar Senajiu në të cilën akoma sundonte dinastia e Sulltan Mahmud Ghaznevi dhe pasardhësve të tij, ishte në kulmin e zhvillimit dhe lulëzimit. Gnostikët dhe asketikët ishin larguar nga jeta dhe luksi i këtij qyteti dhe ishin vetmuar në qoshe me lutjet dhe adhurimet e tyre, ndërsa poetet duke ndjekur rrugën e paraardhësve të vet në oborrin mbretëror, merreshin me lavdërimin e mbretit, princave dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë. Mirëpo në këtë mes Senaji ishte një prej personaliteteve të vetëdijesuar të kohës së tij i cili nuk arriti të mbetet i ngujuar në këto të mira të përkohshme të kësaj bote materiale dhe të kalojë të gjithë jetën e tij në gjumë dhe neglizhencë. Duke i hedhur një vështrim poezive të Senajiut, sidomos poezive të cilat i krijoi ai pas revolucionit mendor të tij, mund të kuptohen më së miri bindjet e tij. Ai me poezitë e tij ka bërë përpjekje që të zgjojë njerëzit nga gjumi i neglizhencës. Thirrjet protestuese të Senajiut ndaj neglizhencës së kohës dhe shoqërisë së tij, janë plotë me dhimbje, rënkime, frikë, pesimizëm dhe qortim. Ai e shikonte botën e kohës së tij dhe vështronte njerëzit të cilët ishin hutuar pas saj dhe me zemërim dhe irritim bërtiste duke thënë se këtu nuk ka kurrfarë shprese. Ai, ashtu si Nasir Khosro, ka paralajmëruar njerëzit nga zhytja në baltën e jetës së kësaj bote materiale dhe ka kritikuar korrupsionin dhe veprimet negative duke i kujtuar njerëzve vdekjen.

Ai në disa vargje thotë:

Para se t'i ndalet fjala këtij shpirti që sjell pretekste

Para se të mbyllen këta sytë që shikojnë, merr mësim!

Deri kur duhet të lakmojmë në mashtrimin e zhvillimit të botës

Sytë e tu si sytë e nargesit (të brengosur), duart tua si duart e rrapit (duke pritur diçka)

Me një vështrim në poezitë e Senajiut, me lehtësi mund të bëjmë dallimin mes poezive që ka krijuar ai para revolucionit mendor, dhe poezive të cilat i ka krijuar pas revolucionit mendor. Kjo është për arsye se sipas shumë studiuesve dhe kritikëve të veprave të tij, poezitë e kësaj periudhe të jetës së tij nga aspekti i fuqisë dhe ndikimit të thellë dhe gjithashtu nga aspekti kuptimor, kanë dallim të madh nga poezitë e periudhës së më hershme të tij.

Ai në periudhën e fillimit të krijimtarisë poetike, krijonte poezi sipas metodës së poetëve paraardhës të tij si Farukhi dhe Nasir Khosro dhe poetëve të tjerë. Mirëpo pas revolucionit mendor dhe shpirtëror, gjegjësisht në periudhën e dytë poetike të tij, edhe në metodën e shprehjes, edhe në gjuhë dhe mendim, Senajiu është nevator dhe shpikës deri në atë masë saqë disa poetë pasardhës si Khakani, Xhami dhe Amir Khosro Dahlavi e kanë imituar atë.

Tematikat dhe imazhet e tij novatore, komponimet e reja dhe me rimë të bukur, janë disa prej karakteristikave të dalluara të poezive të Senajiut të cilat pas tij kanë tërhequr vëmendjen e shumë poetëve dhe gnostikëve të njohur iranianë.

Senaji mund të konsiderohet shpikës i një metode të re të poezisë. Një metodë që sipas fjalëve të Khakanit, poetit të njohur të letërsisë persiane të shekullit 6 hixhri kameri (shek. 12 të erës së re), është metodë asketike. Senajiu në këtë lloj të poezive të tij, ka shpjeguar kuptimin e asketizmit, njëshmërisë dhe gnosticizmit në formën e shprehjeve poetike.

Njëshmëria e Zotit, lavdërimi i Kur'anit, përshkrimi i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe theksimi dhe tërheqja e vërejtjes ndaj atyre që konsiderohen parime morale, përbëjnë temat kryesore të poezive asketike të Senajiut. Ai në këtë lloj të poezive, duke shfrytëzuar vlerësimet precize dhe të sakta dhe duke mos anashkaluar asnjë detaje, ka krijuar kuptime të bukura të cilat janë të pashembullta në llojin e tyre.

Senajiu është mendimtar i cili irritohet nga humbja dhe shfrenimi i përgjithshëm i pjesëtarëve të shoqërisë dhe kritikon ashpër jetesën luksoze dhe dëfrimet e ulëta të njerëzve të kohës së tij, sidomos të oborrtarëve të pushtetit. Mirëpo ai të gjitha këto kritika i paraqet me një gjuhë të bukur dhe me shprehje gnostike dhe të qarta duke u kujtuar njerëzve që jeta kalon sepse është kalimtare. Ai kritikon edhe çështjet politike dhe shoqërore të kohës së tij dhe u jep këshilla dhe rirrëfen të gjitha baticat dhe zbaticat e shoqërisë në të cilën jeton. Sipas fjalëve të Dr. Shafi'i Kadkani në lidhje me këtë çështje, Senaji është një poet i dalluar i cili nuk ka homolog as para tij dhe as pas tij.

Vdis o i urtë! Nga një jetë e tillë

Sepse nëse vdesësh nga kjo jetë, do të mbetesh

Nga kjo jetë, nuk ngritët jetesa

Sepse kjo është ujk dhe nga ujqit nuk del shpëtimi

Të qenurit kalimtare e kësaj bote, heqja dorë nga kjo botë, nevoja për t'i mos dhënë rëndësi të mirave të kësaj bote dhe vlera e lartë njerëzore, janë tematikat aktuale të poezive të Senaji. Kjo kategori e poezive të Senajiut të cilat përbëjnë të gjithë veprën Hadika dhe një pjesë të madhe të Divanit të tij, njihen me emrin "Zohdiat" (asketikat), Dr. Abdulhusejn Zarinkub, studiues dhe mendimtar bashkëkohor, në lidhje me këtë lloj të poezive, beson se: "Hadikatul-Hakika e cila njihet edhe me emrin "Ilahiname", është një poemë 2000 vargjesh dhe temë kryesore ka Njëshmërinë e Zotit, gnosticizmin dhe moralin. Senaji në këtë libër ndjek një qëllim të caktuar dhe ky qëllim është pikërisht mësimi i qëllimeve gnostike dhe epistemologjike dhe ai këto qëllime dhe ide të tij i ka shprehur me një metodë romantike dhe poetike. Vepra Hadika me një fjalë tjetër, mund të konsiderohet edhe "enciklopedi gnostike" e cila është shkruar në formën e poezisë".

Senaji është një prej mjeshtërve të mëdhenj të poezisë asketike dhe sipas mendimit të shumë studiuesve të veprave të Senajiut, personalitetin e tij të lartë mund ta vërejmë si një njeri të madh në këtë lloj të poezive të tij. Në raste të tilla, Senaji paraqitet këso personaliteti: një personalitet i madh fetar, një reformator që dëshiron të reformojë shoqërinë, do të thotë një reformim i cili fillon nga shpirti i njeriut. Në këtë kategori të poezive, Senaji është në pozitën e një Murshidi (udhëzuesi) i cili është pastruar nga të gjitha mangësitë dhe virtytet e ulëta. Ai në shpirtin e tij mbanë flakën e dashurisë hyjnore dhe i fton të tjerët në këtë dashuri. Senajiu duke kritikuar virtytet e ulëta të njeriut dhe lakminë dhe dëshirat e tij kafsharake dhe njerëzor, dëshiron t'i udhëzojë njerëzit në rrugën të cilën e konsideron të vërtetë. Senaji në poezitë panegjirike të cilat i ka shkruar në gjendje të tillë, si një personalitet shumë i dashur dhe i sinqertë, këshillon personin që e lavdëron.

Senaji në krijimin e poezive me tematika të lartpërmendura, tregon një aftësi dhe talent të madh. Ai me sukses ka trajtuar çështje shumë delikate gnostike dhe ndjenjat fetare me shprehjet më të mira dhe më të mrekullueshme dhe në të njëjtën kohë ka arritur t'i bëjë të kuptueshme ato për lexuesin në poezi. Edhe pse në gjendje të tillë, nganjëherë ka përdorur edhe fjalë të papërshtatshme. Senaji me sukses dhe me një talent të pashembullt, nëpërmjet poezisë, ka arritur t'i trajtojë dhe të shprehë tematikat gnostike që deri në atë kahe disa prej tyre ishin futur në poezinë persiane nga poetët si Khaxhe Abdullah Ansari dhe më pas Abu Sa'id Abul-Khajr dhe Ahmed Xham. Bukuria e poezive të tilla është e pakrahasueshme me bukurinë e poezive të poetëve bashkëkohorë të tij. Në letërsinë e Iranit Senajiu me veprën e tij Hadika, është poeti i parë i cili ka krijuar një poemë të madhe me tematika gnostike

Miq të nderuar temën do ta fillojmë në edicionin e ardhshëm.

 

Tags