Korrik 09, 2017 09:45 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në këtë edicion do të vazhdojmë të prezantojmë veprat dhe idetë e Nasir Khosro, poet dhe filozof i njohur iranian i shekullit 5 hixhri kameri (11 të erës së re).

Thamë se Nasir Khosro, mendimtar dhe poet i njohur iranian i shekullit të pestë hixhri kameri (shek.11), për shkak të prirjeve dhe animit ndaj shkollës Ismailije, hoqi dorë nga funksionet shtetërore dhe të gjithë jetën e tij ia kushtoi përhapjes së ideve dhe bindjeve të shkollës Ismailije. Në këtë kuadër, ai 15 vitet e fundit të jetës së tij ia kushtoi shkrimit të veprave të çmuara që një numër i tyre i kanë mbijetuar kohës deri më tani dhe në edicionet e kaluara i kemi prezantuar ato shkurtimisht. Veprat poetike të Nasir Khosro si nga aspekti i të menduarit dhe si nga aspekti i stilit letrar, kanë karakteristika të rralla.

Nasir Khosro është një prej poetëve dhe shkrimtarëve me aftësi të mëdha të gjuhës persiane dhe zotëronte në nivel të lartë edhe shkencat filozofike, prandaj të gjitha veprat e tij konsiderohen pjesë e thesarit të çmuar të letërsisë dhe kulturës persiane. Ai kishte bindje dhe qëndrime të palëkundura në besimin në një Zot dhe në devotshmërinë fetare dhe bindjet e tij të sinqerta vërehen në të gjitha poezitë dhe veprat e tij.

Nasir Khosro ishte një personalitet me dinjitet, i kënaqur dhe modest. Ai gjatë jetës së tij ka treguar një durim të pashembullt përball zhvillimeve dhe ngjarjeve të vështira dhe vazhdimisht ka insistuar në rrugën për realizimin e qëllimeve të tij. Ai dëshironte një shoqëri të pastruar nga hipokrizia dhe të larguar nga korrupsioni moral dhe nga korrupsioni financiar. Ai besonte se një shoqëri e tillë nuk mund të ndërtohet, përveç nën qeverisjen e fesë dhe arsyes. Nasir Khosro në poezitë e tij mbështet në ajete kur'anore. Në shumë raste ajetet kur'anore i merr për temë të poezisë së vet.

Metoda e poezisë së Nasir Khosro është e veçantë nga të tjerët dhe mund të konsiderohet si një prej modeleve të dalluara të stilit të njohur me emrin e "Stili i Khorasanit" në të cilin ishin të njohur edhe poetët si Rudeki, Ferdosi, Unsuri etj.. Me këtë dallim që poezia e Nasir Khosro ishte larguar nga limitet dhe zakonet e përhapura dhe nuk përputhet shumë me shijen dhe shkollën e poetëve bashkëkohor të tij. Arsyeja e kësaj çështje është kjo që poezia për Nasir Khosro ishte vetëm një mjet për të shprehur bindjet fetare dhe filozofike dhe ka natyrën e këshillave dhe porosive. Nasir Khosro nëse flet për përshkrimin e qiellit, pranverës dhe vjeshtës etj. dhe nëse krijon edhe novacione në këtë përshkrim, ato i përdor vetëm për të paraqitur qëllim tjetër i cili kryesisht është këshillë filozofike ose lavdërim i shkencës dhe arsyes.

Odat e Nasir Khosr janë të gjata, solide dhe koherente. Krijuesi i këtyre poezive është i zotuar, racionalist, ka mendim të lirë dhe me të gjitha këta elementë, ai ka edhe forcë të mjaftueshme për imagjinime dhe iluzione poetike. Në veprat e tij nuk ka lavdërim të pushtetarëve. Nëse vërehet lavdërim, ai i kushtohet atyre që sipas bindjes së Nasir Khosro, Zoti i ka zgjedhur ata për udhëheqjen e popullit, si në këto vargje:

Unë jam ai i cili nuk e derdh pranë këmbëve të derrave

Këtë fjalë persiane si inxhi të çmuar

I mençuri përulët vetëm pranë atij që Zoti

E ka zgjedhur për udhëheqjen e popullit

Rima e poezisë së Nasir Khosro është e rëndë, e përkryer dhe e madhërishme. Nasir Khosro ka provuar poezinë edhe në sisteme shumë të vështira të rimës së poezisë. Nasir Khosro kishte një ndjeshmëri të çuditshme në zgjedhjen dhe respektimin e rimës për poezitë e tij dhe kjo ndjeshmëri e tij vërehet në të gjitha odat e tij. Ai për odat e tij jashtëzakonisht të bukura të cilat nganjëherë fillojnë me përshkrimin mahnitës të natyrës dhe përfundojnë me këshilla, qortime dhe polemika fetare dhe filozofike, ka zgjedhur rima shumë tërheqëse dhe qiellore.  

Gjuha e poezisë së Nasir Khosro është e pastër dhe e mbushur me fjalë origjinale persiane dhe komponime të bukura që tregojnë nivelin e gjerë të informacioneve dhe njohurive të thella, si dhe disiplinën e të menduarit të poetit. Preciziteti i Nasir Khosro në zgjedhjen e fjalëve të pasura dhe të qëndrueshme në shprehjen e ideve, është i veçantë. Edhe pse në periudhën e Nasir Khasro, gjuha persiane akoma nuk ishte kapluar nga sëmundja e sinonimeve dhe shprehjeve të gjata artificiale, por megjithëkëtë ai edhe në këtë drejtim, i ka dhënë një pozitë të veçantë poezisë persiane dhe pikërisht kjo çështje u bë shkak që veprat e tij të konsiderohen në mesin e veprave më të dalluara dhe të shkëlqyeshme të letërsisë persiane.  Një grumbull i madh i fjalëve janë në dispozicion të mendimeve filozofike dhe racionale të Nasir Khosro dhe ai me ndihmën e imagjinatës së hollë, i përdor ato me mjeshtri aq të madhe saqë shprehjen e mendimeve të tij filozofike e bënë mësimdhënëse në mënyrën më të mirë si një mrekulli. Për këtë arsye, një pjesë e poezive të Nasir Khosro janë vargje më të njohura të poezisë persiane si ky varg :  

Një ditë nga maja e një guri u ngrit një shqiponjë në qiell

Shtriu krahët dhe puplat për lakminë e vetë

Problemi ose mangësia e Nasir Khosro qëndron në këtë çështje se ai pavarësisht prirjeve në shkencë dhe racionalizëm, mirëpo ashtu si të gjithë ata të cilët kanë rrënjë në një bindje të caktuar, nuk bënë përjashtim nga thjeshtësia e zemrës dhe pikërisht kjo karakteristikë ka krijuar disa kontradikta në poezinë dhe në mendimet e tij.

Optimizmi dhe lavdërimi i tij ndaj Sulltanit dhe aparatit të tij është më tepër se sa masa që mund të pritet nga një personalitet intelektual siç ishte ai. Ai në bindjen e tij ndaj mbretërve të dinastisë Fatimije, është futur në një fanatizëm dhe ngurtësi të madhe për të cilën i kritikonte të tjerët.

Poezia e Nasir Khosro me të gjithë qëndrueshmërinë dhe madhështinë që ka, nuk është pa mangësi. Mangësia më e rëndësishme e poezisë së tij është përsëritja dhe zgjatja e temës. Përsëritjen ai e bënë me qëllim, për arsye se ai nëpërmjet kësaj metode dëshiron t'i ngulit çështjet si një gozhdë në kokën e lexuesit! Mirëpo zgjatjen e temës e bënë për arsye se ai e ndjek metodën argumentuese dhe shpjeguese në poezi.

Ndërsa, nga aspekti i tematikës, duhet thënë se ajo çfarë nuk vërehet në veprat poetike të Nasir Khosro, është lavdërimi dhe lirika dhe çdo gjë tjetër është përshkrim, këshillë, diskutim dhe kritikë. Nasir Khosro mundohet që me poezitë e tij, të fusë në mendjen e lexuesit konkludimet filozofike dhe etike të pranuara nga ai. Arsye e mungesës së poezive lirike në poezinë e Nasir Khosro, kanë qenë prirjet e mëdha të tij fetare dhe sidomos prirjet e tij ndaj shkollës Ismailije. Ai në pozitën "Khuxhet-e Khorasan" (argumenti i Khorasanit), vetëpërmbajtjen e kishte bërë metodë të jetës dhe veprimtarisë së tij dhe për këtë arsye ai nuk flet për verën dhe të dashurën dhe i konsideron të papëlqyeshme edhe të qeshurat.  Kritikët letrarë mendojnë se mungesa e lavdërimit në poezitë e Nasir Khosro është një virtyt i lartë dhe i veçantë i krijimtarisë së tij. Ai e urrente lavdërimin dhe largohej nga mbretërit dhe pushtetarët e tij. Në odat e tij ekzistojnë shumë vargje që qortojnë dhe kritikojnë mbretërit dhe guvernatorët, prandaj nga ky aspekt ai është i vetmi poet që ka sulmuar në mënyrë të pandërprerë mbretërit dhe guvernatorët.  

Ky lloj i tematikave revolucionare të poezive të Nasir Khosro, vërehet shumë rrallë në poezitë e poetëve të tjerë të asaj kohe. Mirëpo përmbajtja kryesore e këshillave të Nasir Khosro, nga aspekti i vizionit progresist të sotëm, është pozitive në disa prej tyre dhe negative në disa të tjera. Këshilla pozitive është kjo që ai me pasion të madh e lavdëron shkencën dhe arsyen. Këshilla negative është kjo që ai e qorton në mënyrë asketike botën dhe trupin. Duhet lavdëruar shkenca dhe arsyeja dhe ajo duhet të bëhet mjet për zbukurimin e shpirtit dhe trupit në jetën reale të kësaj bote. Mirëpo Nasir Khosro, shkencën dhe arsyen e konsideron vetëm kapital të asaj bote dhe mjet për shpëtimin e njeriut në botën tjetër, ndërsa rreth kësaj bote materiale dhe trupit, përsërit vetëm disa fjalë asketike, si në këtë varg:

Pema jote nëse merr barrën e diturisë

Atëherë do të sundon edhe qiellin e kaltër   

Në përgjithësi duhet thënë se qortimi i Nasir Khosro ndaj mbretërve dhe guvernatorëve, kritika e tij ndaj klerikëve dhe hipokritëve, lavdërimi i tij ndaj shkencës dhe arsyes, mosbesimi i tij ndaj besëtytnive, dëshira e tij ndaj drejtësisë dhe urrejtja e tij ndaj dhunës dhe dashuria e tij ndaj bukurive të natyrës, është bërë shkak që kritikët letrarë, veprat e Nasir Khosro t'i konsiderojnë pjesë të thesarit të çmuar të letërsisë persiane.

Vizionin e Nasir Khosro e kanë konsideruar nën ndikim të metodës racionale të kohës së tij. Në këtë vizion, arsyeja është një mjet për t'i kuptuar të vërtetat dhe për t'i refuzuar të gjitha pretendimet e kundërshtarëve. Shkolla Ismailije për të tërhequr vëmendjen e kundërshtarëve të Khalifatit, është munduar të prezantojë vetën si simpatizante e filozofisë greke dhe metodës racionale të shkollës Mu'tezile. Prijësit e kësaj shkolle me përzierjen e fesë dhe logjikës, besimit dhe filozofisë, si  dhe duke ndjekur zakonin e interpretimit dhe zbulimit të brendësisë së ajeteve të Kur'anit dhe haditheve të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., janë mundur të krijojnë një lëvizje të përshtatshme me prirjet e kohës dhe sipas Nasir Kosro, ata "argumentin e arsyeshëm" e kanë vendos në vend të pretendimit të thjeshtë.

Vizioni i shkollës Ismailije në përgjithësi është reflektim i mendimit dhe moralit të rezistencës së iranianëve kundër khalifatit arab dhe në mënyrë të veçantë reflektim i lëvizjes së shtresave të mesme dhe të ulëta të shoqërisë kundër guvernatorëve turq dhe borgjezëve iranianë servil ndaj pushtetit. Kjo ideologji fetare përkrah filozofisë dhe gnosticizmit dhe bindjeve popullore iraniane, në realitet ishte vetëm një prej llojeve intelektuale të rezistencës së gjerë që kanë treguar qytetarët iranianë kundër pushteteve të huaja hegjemoniste. Sekreti i përhapjes në masë të madhe të metodës së shkollës Ismailije që nga shekulli i tretë hixhri në Iran duke tërhequr pas vete edhe mendimtarë të njohur si Nasir Khosro, qëndron në lëvizjen e bazuar në arsye dhe rezistencë përballë pushtetarëve të padrejtë.

Në veprat e Nasir Khosro, sidomos në poezitë e tij, ekzistojnë shumë çështje të cilat tregojnë se pas khuxheteve ismailitë të Nasir Khosro, ndodhet një personalitet tjetër i fshehur i cili mendon më thellë dhe më lartë. Kritikët besojnë se nëse një ditë veprat e Nasir Khosro dhe sidomos Divani i poezive të tij, do të studiohen me një precizitet të lartë sipas metodologjisë shkencore, atëherë do të dalë në skenë brendësia e vërtetë këtij "thelbi" i cili synonte që nëpërmjet interpretimit dhe komentimit të ajeteve dhe të haditheve, të nxjerrë shprehje dhe mendime në përputhje me dëshirën e shkollës Ismailije. Padyshim se në këtë thelb, ne do të përballemi me një mendimtar racionalist i cili me të gjithë kuptimin e fjalës, mund të konsiderohet një prej modeleve të mendjes kritike dhe revolucionare të kohës së tij. Ky mendimtar mund të bëhet shembull për të pasur besim dhe për të luftuar në rrugën e besimit të tij, pavarësisht çfarëdo lloj vështirësie.

Tags