Korrik 09, 2017 09:45 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në këtë edicion do të vazhdojmë të prezantojmë veprat e Nasir Khosro, poet dhe filozof i njohur iranian i shekullit 5 hixhri kameri (11 të erës së re).

Thamë se Nasir Khosr, mendimtar dhe poet i njohur iranian i shekullit të pestë hixhri kameri, që nga mosha e re ishte në shërbim të oborreve mbretërore si funksionar shtetëror derisa në moshën 43 vjeçare për shkak të një ëndrre, pësoi një ndryshim të madh shpirtëror dhe pas shtatë viteve larg nga vendlindja dhe pas vizitës së Shtëpisë së Zotit, u kthye në vendlindje dhe duke hequr dorë nga të gjitha funksionet shtetërore në oborret mbretërore, filloi të ndjek asketizmin, të përkushtohet në adhurimin e Zotit dhe në mësimin e filozofisë, urtësisë dhe shkencave të tjera. Nasir Khosro për shkak të prirjeve ndaj shkollës Ismailije, kishte shumë kundërshtarë dhe armiq, prandaj jeta e tij u bë shumë e vështirë. Ai për të arritur në qetësi dhe siguri, shkoi në luginën Jamagan në rajonin Badakhshan. Nasir Khosro përgjatë qëndrimit të tij 15 vjeçar në Jaomagan, ka shkruar shumë vepra dhe në edicionin e kaluar kemi prezantuar veprat e tij në prozë. Mirëpo veprat e tij në poezi, së pari është Divani i tij i cili është botuar disa herë dhe dy poema të tjera me titull "Roshenainame" me këshilla dhe urtësi dhe vepra tjetër titullohet "Seadatname" që sipas stilit dhe përmbajtjes është e njëjtë me poemën e parë. Të dy këto poema, gjithashtu, janë botuar shumë herë.

Divani i poezive të Nasir Khosro përmban mbi 11000 vargje dhe padyshim që në këtë vepër nuk janë përmbledhur të gjitha poezitë e tij. Kjo tregohet nga fakti se në burimet e tjera të letërsisë persiane gjenden shumë poezi të cilat thuhet se janë të Nasir Khosro, mirëpo që nuk janë përmbledhur në Divan. Divani i Nasir Khosro është një prej burimeve më të rëndësishme për të studiuar në lidhje me personalitetin shpirtëror dhe moral të Nasir Khosro.

Dy poemat e vogla "Roshenainame" dhe "Seadatname" që e para përmban 592 vargje dhe dyta mbi 300 vargje, kryesisht përmbajnë këshilla dhe porosi etiko-morale. Studiuesi i njohur i letërsisë persiane Maleku-Shoara Bahar në librin e tij "Stilistika", në lidhje me poemën "Seadatname", thotë se kjo poemë është e Nasir Khosro Sharif Esfahani që ka vdekur në vitin 753 hixhri kameri, jo e Nasir Khosro Ghabadjani. Mirëpo studiuesit e tjerë besojnë se kjo vepër është e Nasir Khosro. Vepra "Seadatname" në vitin 1880 është përkthyer në gjuhën franceze nga Fagnan dhe është botuar në revistën e Shoqatës Orientalistike të Gjermanisë. Një manuskript e "Roshenainame" është botuar nga Vladimir Ivanov në vitin 1949 në Liden.  

Nasir Khosro në krijimtarinë e tij letrare, edhe nga aspekti i formës dhe metodës së shprehjes artistike edhe nga aspekti i përmbajtjes dhe tematikës, ishte një artist novator. Poezia e tij plotësisht është në shërbim të atij mendimi të cilin e shkruan Nasir Khosro. Prandaj, poezia e tij sipas terminologjisë bashkëkohore, është një poezi e zotuar dhe poeti i saj gjithashtu është një poet i cili nuk është bërë i huaj ndaj veprës së tij. Nasir Khosro është zëri i ndërgjegjes së shekullit të tij i cili konsiderohet periudhë e përballjes së forcës së turqve dhe forcës feudale në civilizimin iranian. Ai është mendimi më i guximshëm dhe më i qartë protestues në letërsinë persiane dhe ai duhet të konsiderohet pionier i poezisë shkencore-gnostike në letërsinë persiane.

Nasir Khosro është një njeri i madh dhe një shembull i cili në mënyrë mahnitëse ka bashkuar veprimin me fjalën dhe është një prej themeluesve të një beteje me të cilën më vonë do të bëhet e pandashme letërsia njëmijë vjeçare persiane. Kjo betejë paraqet luftën kundër hipokrizisë, mashtrimit dhe ndjekjes së sipërfaqësores.

Karakteristikë më kryesore e poezisë së Nasir Khosro, është përkushtimi i tij më i madh në këshilla filozofike dhe ai në këtë drejtim padyshim se ka ndjekur rrugën e paraardhësit të tij poetit Kesai Marvazi. Periudha e fundit e jetës së poetit Kesai ka përkuar me periudhën e parë të jetës së poetit Nasir Khosro dhe në kohën kur Nasir Khosro punonte në administratën shtetërore në Marv, në atë rajon Kesai akoma ishte një poet dhe mendimtar me famë dhe poezitë e tij ishin të njohura në nivel të gjerë. Padyshim se metoda poetike e poetit Kesai ka ushtruar ndikim mbi krijimtarinë e poetit Nasir Khosro nga aspekti gjuhës së pastër dhe precizitetit në përshkrimin e natyrës, por edhe nga aspekti i përkushtimit të tij në këshilla filozofike-morale dhe në kritikën ndaj pushtetarëve. Për këtë arsyeje Nasir Khosro edhe nga aspekti i mendimeve të urta dhe asketike, edhe nga aspekti i stilit dhe metodës së shprehjes, ishte nën ndikim të poezisë dhe ideve të poetit Kesai. Nasir Khosro gjithashtu, vetë e ka pohuar këtë çështje se vazhdimisht e kishte parasysh poetin Kesai. Megjithëkëtë nga aspekti cilësor i krijimtarisë letrare, ekziston dallim i madh mes këtyre dy poetëve dhe veprave të tyre. Ky dallim është deri në atë masë saqë Nasir Khosro poezinë e vetë e përshkruan të butë kurse poezinë e Kesai e përshkruan të vrazhdë.

Nasir Khosro padyshim është një prej poetëve me aftësi shumë të mëdha dhe orator i shkëlqyeshëm i gjuhës persiane. Ai kishte një natyrë të fortë poetike dhe një oratori të fuqishme që ndiqte një stil të rrallë dhe të veçantë. Sipas shumë studiuesve, gjuha e këtij poetit është e afërt me gjuhën e poetëve të periudhës së fundit të dinastisë Samanite, prandaj stili i oratorisë së tij përmban elementë shumë më të vjetër se sa gjuha e poezisë së periudhës së parë të dinastisë Ghaznevite. Në Divanin e tij ekzistojnë shumë fjalë dhe komponime të cilat përdoreshin në masë të madhe në gjuhën persiane të fundshekullit të katërt hixhri kameri. Kjo duket sikur faktori kohë të mos ketë ushtruar kurrfarë ndikimi mbi krijimtarinë letrare të këtij poeti të madh. Megjithëkëtë, Nasir Khosro në çdo rast kur është paraqit nevoja, në poezinë e tij ka përdorur kompnime të reja dhe fjalë të gjuhës arabe që deri në atë kohë nuk ishin futur akoma në poezinë e gjuhës persiane.

Nasir Khosra pasi pësoi ndryshimin e madh shpirtëror dhe filloi të ndjek tërësisht shkollën Ismailije dhe morri përgjegjësi predikimin e ideve të kësaj shkolle në Khorasan, për poezinë e vet fitoi një kapital të ri që përbëhej nga mendimet dhe mësimet fetare. Ky mision i poetit u bë shkak që ai në shprehjen e ideve fetare si një predikues fetar, gjithnjë në radhë të parë e kishte prioritet predikimin fetar dhe pikërisht për këtë arsye shumë prej odave të tij, më tepër i ngjajnë fjalëve të një predikuesi fetar se sa të një poeti.

Në shprehjen e çështjeve filozofike, Nasir Khosro nuk është përmbajtur nga përdorimi i termëve të ndryshëm. Sipas studiuesve të veprave të tij, çështjet shkencore në poezinë e Nasir Khosro, nuk kanë krijuar tematik, por ato janë përdorur vetëm si mjet për të paraqitur dhe kuptuar mësimet dhe bindjet e tij. Kjo do të thotë se çështjet e rëndësishme filozofike të cilat zakonisht kanë qenë vazhdimisht polemike, ai i ka paraqitur në poezinë e tij dhe në gjuhën e vështirë të poezisë me mjeshtri të plotë duke i shqyrtuar ato dhe nxjerr konkludime. Përgatitja e lartë shkencore e poetit u bë shkak që ai në shprehjen e mësimeve dhe qëllimeve të tij, të bie në masë të madhe nën ndikim të shkollës së logjikës. Fjalët e tij shoqërohen me analogji dhe argumente logjike dhe gjithashtu janë plotë me konkludime racionale, por njëkohësisht me këtë, ato janë të mbushura në të njëjtin nivel me entuziazëm poetik dhe me imagjinime të holla dhe të sakta të poetëve.

Parimisht, Nasir Khosro nuk i ka kushtuar vëmendje atyre elementëve që tërheqin dhe mahnitin poetët, do të thotë të bukurës dhe të madhërishmes dhe aspekteve mashtruese të personave, por vështrimi i tij më tepër është përqendruar në të vërtetat racionale, në baza dhe në bindjet fetare. Prandaj, edhe përshkrimet natyrore në poezinë e tij janë përdorur si hyrje ose parathënie për të hyrë në diskutimet rreth çështjeve racionale dhe fetare.

Nasir Khosro nuk është poet oborrtar dhe ose atëherë kur ai ishte i tillë, asnjë vepër nga ajo periudhë e tij nuk i ka mbijetuar kohës dhe tani nuk ekziston. Ai është një ndër poetët më të vjetër që ka krijuar poema të plota për paraqitjen e urtësisë dhe këshillave filozofike. Odat e tij kurrë nuk kanë mbetur larg këtyre ideve. Ai në lidhje me këtë ka thënë: "Fjalën e çmuar persiane nuk e hedh kurrë në gojën e derrave!". Ai, gjithashtu, kishte hequr dorë nga bukuritë e kësaj bote materiale dhe ishte lidhur në shkollën e Ehli Bejtit (a.s.).

Përshkrimi i natyrës në poezi, ishte shumë i përhapur në kohën e Nasir Khosro, prandaj divanet e poezisë së poetëve të asaj kohe janë të mbushur me përshkrime të pranverës, vjeshtës, qiellit me plotë re, kopshteve me plotë lule etj.. Mjeshtrit e mëdhenj të poezisë persiane si Farokhi dhe Manuçehri, kanë lënë kryevepra në këtë fushë. Megjithëkëtë Nasir Khosro edhe në këtë fushë ka një pozitë të veçantë. Përshkrimet e tij janë artistike dhe kanë një thellësi filozofike dhe precizitet të madh dhe mahnitës. Çështje me rëndësi në poezitë përshkruese të Nasir Khosro është kjo që ai pavarësisht se ndiqte një filozofi e cila e konsideronte botën të pavlerë dhe përshkrimin e pranverës dhe luleve e konsideronte mendjelehtësi e kokës së zbrazur, megjithatë ai vet është i pasionuar pas bukurisë së natyrës dhe konsiderohet një prej piktorëve të pashembullt të saj.

Temën do ta vazhdojmë në edicionin tjetër.  

Tags