Shtator 28, 2017 11:28 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në këtë edicion do të vazhdojmë me prezantimin e poezive dhe ideve të poetit Anvari Abjurdi i cili ka jetuar në shekullin e gjashtë hixhri kameri (shek. 12 të erës së re) në territorin e gjerë të kulturës dhe letërsisë iraniane.

Thamë se Avhadudin Muhamed bin Ali Anvari është një prej poetëve të njohur iranian të gjysmës së dytë të shekullit të gjashtë hixhri kameri (shek. 12 i erës së re). Anvari rininë e tij e kaloi duke mësuar shkencat e kohës së tij dhe përveç letërsisë, ai kishte zotërim edhe në shkencat e tjera si filozofi, matematikë, muzikë dhe astrologji, prandaj mori edhe epitetin "Hakim". Anvari qysh në moshën e rinisë krijoi një famë në letërsi dhe poezi dhe në këtë  periudhë arriti të hyjë në oborrin mbretëror të Sulltan Sanxharit dhe aty punoi për 30 vite. Pastaj, ai u tërhoq nga oborri mbretëror dhe vendosi të ndjekë asketizmin derisa vdiq në fund të shekullit të gjashtë hixhri kameri (shek. 12 të erës së re). Ai vdiq në qytetin Balkh dhe u varros pranë varrit të Sulltan Ahmed Khadravije.

Gjithashtu thamë se Anvari është një prej poetëve më të mëdhenj dhe një prej atyre që gjatë periudhës së jetës së tij, u vërtetua dhe afirmua mjeshtëria dhe arti i tij në poezi dhe letërsi. Në periudhën në të cilën ka jetuar poeti Anvari, oda ishte zhanri më i përhapur dhe më i zhvilluar i poezisë, për arsye se ky profesion siguronte edhe burimet financiare për poetët, por edhe bëhej shkak që poetët dhe intelektualët të njiheshin më lehtë pranë Sulltanit dhe në oborrin mbretëror të mbretërve.

Rezultat i krijimtarisë së Anvari në fushën e poezisë dhe letërsisë është një Divan me 14700 vargje ku përfshihen odat, lirikat, pjesë poezish dhe rubairat e tij. Sipas Dr. Shafi’i Kadkani, “duke hedhur një vështrim mbi Divanin e poezive të Anvari, mund të kuptohen edhe kontradiktat e brendshme të poetit. Në këtë përmbledhje është folur edhe për asketizëm edhe për lakminë dhe mbledhjen e pasurisë. Ai nganjëherë ka folur për prirjet drejt vetmisë dhe nga njëherë ka folur për irracionalizmin. Te ai vërehet edhe një pasion i madh ndaj poezisë edhe një urrejtje ndaj saj”. Anvari ka krijuar në nivel shumë të bukur lloje të ndryshme të kuptimeve dhe temave si panegjirike dhe lavdëruese e deri te këshilla, alegoria dhe kritikat shoqërore. Dr. Xhafar Mahxhub beson se “Anvari para Sa’di Shirazi, mjeshtrit të madh të lirikave persiane, ka arritur ta zhvillojë lirikën dhe ta afrojë atë në përkryerje, prandaj ai është poeti i parë që në Divanin e tij është zhvilluar lirika”. Anvari përkrah pasionit të tij të madh ndaj poezisë, kishte një simpati dhe dashuri të madhe edhe për filozofinë-urtësinë deri në atë masë saqë atë e konsideronte më superiore se sa poetika dhe poetikën e konsideronte një profesion më të ulët se sa pozita e tij. Dr. Asghar Dadbeh, profesor i gjuhës dhe letërsisë persiane thotë: “Anvari ashtu sikur Platoni, është poet, mirëpo në mënyrë platonike i dëbon poetët nga “Utopia” e tij”. Anvari duke marrë parasysh pasionin e tij ndaj filozofisë, në poezitë e tij ka folur edhe rreth zanafillës së poezisë. Nga pikëpamja e Anvarit, zanafilla e artit, është një instinkt që krijon art. Anvari për ta shpjeguar zanafillën e poezisë, së pari e klasifikon atë, pastaj panegjiriken, satirën dhe lirikën, sipas radhës i konsideron produkt të lakmisë, zemërimin dhe egos. Ai pa folur fare për “poezinë e vërtetë”, ka numëruar karakteristikat e poezisë së pavërtetë dhe panegjiriken e konsideron pjesë të kësaj poezie. Vështrimi i Anvarit ndaj poezisë, është një vështrim në bazë të vlerësimit se çfarë është poezia. Sipas bindjes së Anvarit, poeti i vërtetë nuk duhet të marrë tematikën dhe përmbajtjen e poezive të tij nga poetët e tjerë dhe poezi duhet të jetë produkt i të menduarit të vetë poetit. Studiuesit e stilistikës së poezisë persiane mendojnë se stili i Anvarit në poezi, është një stil mesatar mes stilit të Khorasanit dhe stilit të Irakut. Muhamed Xhafar Mahxhub beson se Anvari duke përkryer stilin e poezisë së Abu Al-Faraxh Runi, ka krijuar kushtet për paraqitjen e stilit irakian.  Stili i Anvarit në poezi mund të studiohet në tre sfera: në gjuhë, në imazhet imagjinare dhe në krijimin e tematikës. Lidhja e gjuhës popullore me gjuhën e poezisë dhe letërsisë, sidomos në lirikë, është karakteristika më e rëndësishme e stilit të Anvarit. Studiuesi i njohur iranian Faruzanfar mendon se ky stil pas kalimit të rrugës së zhvillimit të tij një shekullor, është manifestuar në formën më të mirë me gjuhën e poezisë së Sa’di Shirazi. Sipas Dr. Shafi’i Kadkani, “sintaksa e gjuhës së Anvarit është një prej sintaksave më natyrore të gjuhës persiane dhe e pastruar nga çfarëdo lloj shtese dhe ai këtë e ka treguar edhe në gjuhën zyrtare dhe formale, do të thotë në oda edhe në gjuhën natyrore dhe të lirë popullore, do të thotë në pjesë të poezisë dhe në lirikat e tij”.

Prej karakteristikave të tjera të rëndësishme të stilit të Anvarit, është krijimi i metaforave dhe krahasimeve të reja me ndihmën e të cilave ai ka trajtuar tematika të reja. Imagjinimet e Anvarit janë të ngjeshura, do të thotë se ai ka komponuar disa imazhe imagjinare në një vend së bashku dhe kjo karakteristikë i jep një bukuri të veçantë poezisë së tij. Imazhet imagjinare të Anvarit janë të reja dhe novatore në krahasim me poetët bashkëkohanikë dhe paraardhës së tij, sepse poeti elementët e imagjinimit i ka huazuar nga poetët e tjerë dhe i ka paraqitur ato me një formë tjetër. Ai gjithashtu edhe në imazhet e tij novatore, ka përfituar edhe nga shkencat e kohës. Prandaj, të kuptuarit e poezisë së Anvarit është i lidhur në mënyrë serioze me njohjen e shkencave dhe njohurive që ka zotëruar ai. Shfrytëzimi i idiomave dhe shembujve, është karakteristikë tjetër e stilit të poezisë së Anvarit. Kjo karakteristikë është e dalluar dhe e rëndësishme deri në atë masë saqë shumë thënie të tij janë shndërruar në shembuj që natyrisht janë produkt i strukturës natyrore të gjuhës së poetit. Dr. Sirus Shamisa, profesor i gjuhës persiane, thotë: “Krijimi i temave dhe nxjerrja e kuptimeve të reja nga mesi i ajeteve, transmetimeve, aluzioneve por edhe të thënieve të zakonshme, janë karakteristika të dalluara të stilit të Anvarit”.

Nga pikëpamja e kritikës klasike, Anvari përkrah Firdusit dhe Nizamiut, konsiderohet një prej tre “profetëve” të poezisë persiane. Në bazë të kësaj, secili prej biografëve e kanë lavdëruar atë me një gjuhë duke vlerësuar një prej karakteristikave të artit të tij. Anvari gjithashtu në rolin e kritikut ndaj poezisë së vet, ka vlerësuar me krenari gjuhën, mendimin, zgjuarsinë dhe shijen e artit poetik të tij dhe duke krahasuar vetën me poetët e mëdhenj si Sanaij dhe Adib Sabir, ka lavdëruar magjinë e tij në artin e poezisë.

Nga pikëpamja e kritikës moderne është hedhur poshtë teoria se Anvari është një prej tre ose pesë poetëve të mëdhenj të letërsisë persiane. Mirëpo, njëkohësisht me këtë, të gjithë kritikët modernë pajtohen për pastërtinë, thjeshtësinë dhe qartësinë e gjuhës poetike të Anvarit dhe nuk dyshojnë se ajo është e pastër nga çfarëdo lloj shtese. Dr. Shafi’i Kadkani thotë: “Zotërimi i Anvarit në zhanrin pangjirik dhe përdorimi i kuptimeve dhe fjalëve në poezinë e tij, është deri në atë masë saqë shumë rrallë mund të gjendet ndonjë fjalë e pavend në odat e tij dhe poeti në shumicën e odave të tij panegjirike ka paraqitur një oratori novatore”.

Shumica e kritikëve bashkëkohor kanë pohuar se Anvari ishte një prej figurave të dalluar të poezisë në kohën e tij dhe konsiderohet një shtyllë e fortë e poezisë persiane, si dha ka një talent të madh për kultivimin e kuptimeve dhe tematikave të llojllojshme. Sipas mendimit të këtij grupi të kritikëve, Anvari në satirë dhe parodi, është mjeshtër i madh. Anvari është një krijues shumë i zgjuar i imazheve dhe në Divanin e tij ka paraqitur të gjitha imazhet e mira dhe të këqija të shoqërisë në të cilën ka jetuar ai. Anvari ka krijuar satira dhe parodi për figurat e të gjitha shtresave të shoqërisë dhe nuk ka patur frikë nga posti dhe funksioni i tyre shtetëror dhe shoqëror. Anvari me gjuhën e tij të mprehtë ka trajtuar shumë probleme të shoqërisë së tij. Në këtë kategori të poezive të tij, Anvarin mund ta vërejmë si zë i shtresave të shtypura të shoqërisë.

Tags