Të drejtat islame të njeriut
Puna e edukimit në familje është sikur mbrojtja e natyrës qenësore monoteiste të fëmijës. Kjo mbrojtje është një detyrë e madhe edukative dhe morale, prandaj kryerja e saj është funksioni më i rëndësishëm i familjes.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në këtë edicion në vazhdim të temës së edicionit të kaluar, do të flasim rreth të drejtave të tjera të fëmijëve.
Nëse babai dhe nëna do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të transmetuar bindjet e drejta te fëmija dhe për t’i mësuar atij sjelljet e drejta, në realitet i kanë ofruar të mirën atij dhe Zoti i madhëruar do t’i japë mëshirë atyre. Në lidhje me bindjet e drejta dhe transmetimin e tyre te fëmijët, është vendosur një detyrë dhe përgjegjësi e madhe mbi supe të prindërve, sepse ndikimi i bindjeve të cilat ekzistojnë në familje dhe induktohen ato për fëmijët, është i pamohuar në të ardhmen. Në një hadith të Profetit s.a.v.s. thuhet: “Zemra e fëmijës dhe e adoleshentit është sikur një fushë e përgatitur për mbjellje dhe ajo që mbjellët, do të korret”.
Puna e edukimit në familje është sikur mbrojtja e natyrës qenësore monoteiste të fëmijës. Kjo mbrojtje është një detyrë e madhe edukative dhe morale, prandaj kryerja e saj është funksioni më i rëndësishëm i familjes. Imam Saxhad (a.s.) në librin “Resale Al-Hukuk” ka thënë: “E drejta e fëmijës tënd është kjo që ti ta dish se ai është prej teje dhe çfarëdo që të jetë i mirë ose i keq, në këtë botë të përkohshme ai të përket ty dhe ti je përgjegjës për detyrat që ke ndaj tij. Në edukimin e mirë dhe në udhëzimin drejt rrugës së Zotit dhe për ta ndihmuar atë që t’i nënshtrohen Zotit në lidhje me ty dhe veten e vetë. Prandaj për këtë punë merr shpërblim nëse e kryen atë në mënyrë të drejtë dhe do të dënohesh nëse nuk vepron në mënyrë të drejtë. Kështu që edukoje fëmijën tënd në atë mënyrë që me ndikimin që ushtron mbi atë, të krijosh bukuri në këtë botë dhe duke kryer në mënyrë të merituar detyrat që ke ndaj tij, të jesh faqebardhë pranë Zotit sepse nuk ekziston asnjë fuqi tjetër, përveç fuqisë së Zotit”.
Në këtë mënyrë Imam Saxhad (a.s.) ka shpjeguar edukimin e mirë dhe mësimin e bindjeve monoteiste dhe ndihmën për të krijuar sjellje të drejta te fëmijët dhe pastaj ka thënë se kryerja e këtyre detyrave sjell lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër për prindërit.
Imam Aliu (a.s.) duke iu drejtuar djalit të tij ka thënë: “Prandaj të kam mësuar edukatën e mirë ty para se të forcohet zemra dhe arsye të vendoset nën kontroll të dëshirave të tjera. Pasi në punën tënde jam përkushtuar si një baba i dashur dhe i mëshirshëm dhe jam munduar të edukoj ashtu siç është rruga e drejtë dhe ky përkushtim i im të duhet në periudhën e rinisë tënde dhe në pranverën e jetës tënde kur qëllimi yt është akoma i pastër dhe nuk është ndotur me dëshirat e egos. Prandaj, së pari ty të kam mësuar Librin e Zotit dhe komentimin dhe interpretimin e tij, pastaj të kam bërë të qartë ty dispozitat e Sheriatit Islam duke të treguar se çka është e lejuar dhe çka është e ndaluar”.
Një prej qëllimeve të edukimit dhe arsimimit të fëmijës në shtëpi dhe në shkollë, është përgatitja e tij për jetë në shoqëri dhe për të ndjekur qëllimet e shoqërisë hyjnore. Për këtë arsye, disa lloje të mësimit janë të domosdoshme për fëmijën dhe që nga shtëpia duhet të fillojë mësimin e tyre. Shembull më i dalluar i këtyre mësimeve është përmendur në një transmetim nga Imam Aliu (a.s.) ku thuhet: “Mësojuni fëmijëve tuaj notin dhe qitjen me hark”. Nëse do të pranojmë se këto dy lëndë mësimore janë për shkak që fëmija duhet të përgatitet për kryerjen e detyrave shoqërore, atëherë natyrisht se nuk mund të mjaftohemi vetëm me këto dy lëndë, por në përputhje me kohën dhe në përshtatshmëri me nevojat e shoqërisë islame, duhet marrë parasysh edhe lëndë të tjera të ndryshme mësimore. Në edukimin e fëmijës ashtu si në fushat e tjera të jetës, duhet të ndahen parimet e pandryshueshme nga çështjet e ndryshueshme dhe duhet patur parasysh kjo e vërtet se disa lloje të edukimit dhe ana sipërfaqësore e jetës pësojnë ndryshme dhe si rrjedhojë ndryshojnë edhe marrëdhëniet morale dhe nevojat e jetës shoqërore. Edukimi i fëmijës duhet të bëhet me vetëdije nga dallimi që ekziston mes vetes dhe fëmijës nga aspekti i atmosferës kulturore dhe marrëdhënieve shoqërore. Fëmijën duhet përgatitur që të respektojë parimet e pandryshueshme morale në përshtatshmëri me rrethanat kohore dhe vendore të jetës së tij. Kjo përgatitje i jep aftësi atij për tu përballur me induktimet e helmuara dhe garanton sigurinë morale të tij në periudhën e adoleshencës dhe pas saj.
Sot në botën e zhvilluar, fazat e para të arsimimit përbëjnë një çështje të domosdoshme dhe në këtë rrugë merren hapa me ndikim të madh dhe në konventën e të drejtave të fëmijëve, sipas nenit 28, vendet që nënshkruajnë këtë konventë zotohen: “Të njohin zyrtarisht të drejtën e fëmijëve për edukim dhe arsimim dhe për realizimin gradual të kësaj të drejte dhe për të krijuar kushtet e barabarta për të gjithë, duhet të marrin këto masa: bërjen obligative dhe falas e shkollimit fillor për të gjithë, inkurajimin në forma të ndryshme të shkollimit të mesëm dhe vendosjen e arsimit të lartë në dispozicion të të gjithëve në bazë të aftësive dhe në mënyrë të përshtatshme”.
Në Islam nxënia e diturisë dhe shkencës është një obligim dhe detyrë për të gjithë deri në atë masë saqë Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: “Mësojeni diturinë nga djepi deri në varrë”. Hazreti Muhamed s.a.v.s. mësimin e diturisë e konsideron një prej të drejtave të fëmijëve të cilën duhet ta respektojnë dhe realizojnë prindërit dhe thotë: “Një prej të drejtave të fëmijëve që duhet të realizohet nga babai, është mësimi i shkrim-leximit”.
Në realitet babai dhe nëna tregojnë respekt ndaj fëmijës së tyre, atëherë kur u mësojnë atyre shkrimin dhe leximin dhe edukatën e bashkëjetesës. Duke marrë parasysh faktin se personaliteti i fëmijëve në fazat e para të jetës formohet në familje, mësimi i diturisë (shkrimit dhe leximit) për fëmijët, është përgjegjësi e prindërve në mënyrë që në fillim të jetës ata duhet t’i armatosin me armën e diturisë në mënyrë që me anë të saj, fëmija të ngadhënjejë mbi problemet e ardhshme. Kjo është detyra më e vogël që pritet të kryhet nga prindërit në kuadër të të drejtave ndaj fëmijëve.
Realiteti është ky që lëvizja dhe veprimi është themel dhe bazë e çdo veprimi instinktiv dhe bazë për detyrat e jetës. Sidomos gjatë periudhës së fëmijërisë kur infrastruktura fizike e njeriut është duke marrë formën e saj. Në lidhje me këtë çështje Imam Xhafar Sadegh (a.s.) ka thënë: “Shtatë vitet e para të jetës, fëmijët duhet t’i kalojnë në mënyrë të lirë duke lozur dhe lëvizur”.
Në realitet, në fazat e para të jetës, nuk duhet të pritet nga fëmijët që ta ndërrojnë botën e tyre plotë me gëzime dhe gjallëri me botën e të mëdhenjve, por duhet që ata të lihen të lirë në lojëra dhe zbavitje në mënyrë që të mos dëmtohen shëndeti fizik i tyre. Në bazë të porosisë së Profetit të nderuar të Islamit, duhet ndihmuar fëmijët në lojërat e tyre fëmijërore dhe në një rast ai thotë: “Ai pranë të cilit ndodhet një fëmijë, duhet të ndjekë sjellje fëmijërore”.
Islami edhe mësimin e lojërave dhe sporteve si kalërimi, noti dhe qitja me hark për fëmijët, e konsideron prej detyrave të prindërve. Në lidhje me këtë çështje Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: “Babai ka përgjegjësi në kuadër të të drejtave të fëmijës që t’i mësojë fëmijës shkrimleximin, notin dhe qitjen me hark”. Në nenin 31 të konventës për të drejtat e njeriut thuhet: “Vendet të cilat nënshkruajnë këtë konventë duhet ta njohin zyrtarisht dhe të respektojnë të drejtat e fëmijëve për zbavitje, qetësi, lojë, sjelljen morale në përputhje me moshën e tyre dhe pjesëmarrjen e lirë në jetën kulturore dhe artistike”.
Nga një anë tjetër, dhuna fizike dhe shpirtërore, është një prej faktorëve që shkatërron personalitetin e fëmijëve. Për këtë arsye, sipas paragrafit 1 të nenit 19 të konventës për të drejtat e fëmijëve, vendet që kanë nënshkruar konventën e të drejtave të fëmijëve janë zotuar si në vijim: “Veprimet ligjore, ekzekutive, shoqërore dhe arsimore duhet të hartohen dhe zbatohen për të mbështetur fëmijët përball të gjitha formave të dhunës fizike dhe shpirtërore dhe dëmtimeve dhe kequshqyerjes”.
Në fenë islame i është kushtuar rëndësi serioze kësaj çështje të rëndësishme dhe në një rast kur një burrë kishte shkuar pranë Imam Aliut (a.s.) dhe ishte ankuar për djalin e tij, Imam Aliu (a.s.) kishte thënë: “Mos e rrah atë, por distancohu pak nga ai, hidhërohu për një kohë, por jo për shumë kohë të gjatë”.
Në realitet, kjo thënie tregon se nëse ka nevojë për marrjen e masave ndëshkuese, atëherë më mirë është që këto masa ndëshkuese, të mos përfshinë ndëshkimin fizik, por të shfrytëzohen ndjenjat e fëmijëve. Kjo është për arsye se ndëshkimi fizik bëhet shkak për probleme shpirtërore dhe sentimentale të shumta si thyerja e personalitetit të fëmijës, mirëpo kur prindi distancohet pak nga fëmija, ai gradualisht e kupton gabimin e vetë. Natyrisht se ky distancim nuk duhet të bëhet i gjatë, sepse mund të ndodhë që nga njëra anë ky distancim të ushtrojë ndikim të thellë dhe të krijojë probleme psikologjike dhe nga ana tjetër, për shkak të gjatësisë së këtij distancimi, kjo masë ndëshkuese të humbë efektin e saj edukativ. Në bazë të kësaj, Imam Aliu (a.s.) pasi urdhëron zbatimin e kësaj mase ndëshkuese, porosit që ky distancim i prindërve nuk duhet të jetë i gjatë.
I Dërguari i Zotit s.a.v.s. në lidhje me këtë thotë: “Zoti nuk zemërohet me asgjë, përveçse për shkak të grave dhe fëmijëve”.
Feja Islame i kushton një përkushtim të veçantë fëmijëve. Në Ajetin 9 të sures Al-Duha të Kur’anit të shenjtë thuhet: “Kurrë mos e hidhëro jetimin”. Kur’ani i shenjtë gjithashtu ka ndaluar uzurpimin e pasurisë së jetimeve dhe ka në ajetin 152 të sures En’am thuhet: “Dhe kurrë mos u afroni pranë pasurisë së jetimit dhe ...”.
Ajeti 6 i sures Nisa në Kur’anin e shenjtë gjithashtu thotë: “Sprovoni jetimët derisa ata të arrijnë në moshën për martesë dhe pastaj nëse e vëreni se ata janë të pjekur, atëherë kthejuni pasurinë e tyre dhe...”.