Shkurt 12, 2024 13:48 CET
  • Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore

Në këtë periudhë për herë të parë në historinë e Iranit dhe të kulturës iraniane, gjuha persiane u bë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e gjerë të dinastive turke nga India deri në Azinë e Vogël si gjuhë zyrtare e oborreve mbretërore dhe gjithashtu e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në këtë edicion do të flasim rreth zgjerimit të Islamit dhe të kulturës iraniane nëpërmjet dinastive turke-iraniane.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore”. Në edicionin e kaluar folëm rreth zgjerimit të zonës gjeografike të kulturës iraniane pas pranimit të fesë islame. Gjithashtu shqyrtuam edhe mënyrën e depërtimit dhe sundimit të fiseve turke nomade në Iran me dinastinë Ghaznevite dhe pastaj Selxhukiane, ku thamë se sunduesit turq pa kurrfarë vartësie etnike dhe fisnore, vepronin si sulltanët iranianë dhe disa prej tyre edhe falsifikuan lozën e origjinës familjare duke pretenduar se kanë origjinë iraniane. Turkmenët selxhukianë që kishin pranuar fenë islame në fillim depërtuan në rrafshnaltat e Iranit për shkak të kushteve të vështira të jetës dhe për shkak të mungesës së kullotave për bagëtitë e tyre, ndërsa me dobësimin e dinastisë Ghaznevite, ata u forcuan dhe më në fund me sulmet e vazhdueshme në rajonin Kharezm dhe Transoksiani, gradualisht morën nën kontroll qytetet njëri pas tjetrit dhe në fund me ngadhënjimin kundër Sulltan Masud Ghaznavi, u bënë sundues të rrafshnaltave të Iranit. Selxhukianët pas uzurpimit të fronit mbretëror të dinastisë Ghaznevite, nuk ndryshuan strukturën administrative të ghaznevitëve dhe shumicën e funksionarëve iranianë që drejtonin administratën shtetërore në përgjithësi i mbajtën në postet e tyre. Selxhukjanët e preferuan sistemin mbretëror dhe civilizimin iranian më shumë se sa varësitë dhe lidhjet e tyre fisnore, si dhe kanë bërë përpjekje që të pengojnë fiset e tjera nomade turke nga sulmet kundër rajoneve dhe vendbanimeve më të zhvilluara. Mirëpo shumë prej këtyre fiseve nomade nuk pranuan të jetojnë në një vend të caktuar si banorë të qyteteve dhe fshatrave. Pushteti selxhukjan për tu siguruar përball sulmeve të fiseve nomade dhe për të zgjeruar territorin e tij dhe me pretekst të luftës fetare kundër jomyslimanëve, vendosi që t’i drejtojë këto fise nomade drejt Azisë së Vogël dhe territoreve krishtere të Bizantit. Në këtë periudhë sulmet ushtarake të Shtetit Islam për zgjerimin e territorit nga kufijtë e Transoksianisë u transferuan në Azinë e Vogël dhe në Indi, për arsye se shumica e fiseve turke të Transoksianisë dhe të Azisë gjendeshin në krye të Shtetit Islam. Turkmenët selxhuk gradualisht pushtua shumicën e territoreve të Bizantit dhe forcën e perandorisë Bizantine e kufizuan vetëm në Kostandinopojë dhe në rajonet e tij. Këto fise turkmene edhe pas rënies së dinastisë së Selxhukëve dhe të Kharezmit, themeluan një shtet të pavarur në Azinë e Vogël me emrin “Selxhukët e Rumit” i cili ishte në fuqi deri në themelimin dhe forcimin e Perandorisë Osmane. Selxhukët e Rumit ashtu si selxhukët në Iran, ishin nën ndikimin e kulturës iraniane dhe për këtë arsye gjuha zyrtare dhe gjuha e pallatit mbretëror të tyre ishte gjuha persiane dhe sulltanët e tyre emëroheshin edhe me emra persianë. Që nga shekulli i pestë hixhri kameri, dinastitë iraniane njëra pas tjetrës humbën pushtetin e tyre dhe që nga ajo kohë deri në periudhën e sundimit të dinastisë Pahlavi, pushteti ushtarak dhe politik në Iran ka qenë në duar të sulltanëve turq, ndërsa iranianët shpatën ua dhanë turqve dhe penën e mbajtën për vete.

Që nga periudha e selxhukianëve e më pas, nga lindja deri në perëndim të botës së civilizuar, do të thotë nga India deri në Azinë e Vogël, sunduan sunduesit turq, mirëpo gjatë gjithë kësaj periudhe gati 1000 vjeçare dhe në të gjitha territoret që sundoheshin nga turqit, iranianët kishin në duar çështjet administrative, financiare, fetare, si dhe çështjet shkencore dhe letrare. Edhe pse pas dinastisë së Selxhukjanëve, në botën iraniane-islame nuk u krijua asnjë perandori tjetër e madhe, mirëpo perandori më të vogla si Principatat e Egjiptit, dinastia e Ilkhanëve, Perandoria Mongole e Indisë dhe Selxhukët e Rumit sunduan gati në të gjithë botën islame dhe në krye të të gjitha këtyre shteteve të vogla qëndronin sundues turq të cilët kishin pranuar kulturën, civilizimin dhe gjuhën persiane. Selxhukët e Rumit në inkurajimin e përhapjes së kulturës dhe gjuhës persiane shkuan deri në atë masë sa që simbolin antik persian të luanit dhe diellit e bënë simbol zyrtar të dinastive të tyre mbretërore. Në këtë periudhë për herë të parë në historinë e Iranit dhe të kulturës iraniane, gjuha persiane u bë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e gjerë të dinastive turke nga India deri në Azinë e Vogël si gjuhë zyrtare e oborreve mbretërore dhe gjithashtu e marrëdhënieve ndërkombëtare. Si rezultat, edhe kultura iraniane u zgjerua nëpërmjet përdorimit të gjuhës persiane në botën e civilizuar duke përfshirë një territor aq të gjerë saqë ishte i paparë në të gjithë historinë e vjetër të Iranit. Në periudhën e perandorive Akamenide, Parthiane dhe Sassaniane të cilat kishin nën sundimin e tyre një territor shumë të gjerë të botës, nuk kishin arritur të zgjerojnë deri në këtë masë kulturën dhe dialektet e gjuhës persiane, mirëpo një gjë e tillë ndodhi në periudhën e sundimit të dinastive të sulltanëve turq. Historia e Iranit vërtetoi këtë gjë se zotërimi dhe superioriteti kulturor mund të fitohet edhe pa fitore dhe triumfe ushtarake. Kultura dhe civilizimi i Iranit me sundimet dhe pushtimet ushtarake të turqve të iranizuar, e hapi rrugën për të depërtuar në territoret e ndryshme të lindjes dhe perëndimit. Krijuesit e kulturës iraniane në shoqërim të pushtuesve turq u shpërndanë në të gjitha rajonet e botës myslimane të asaj periudhe dhe kishin një prani aktive në çdo rajon të botës i cili kishte marrëdhënie ndërkombëtare dhe shkëmbime artistike, tregtare dhe shkencore, me përjashtim të disa rajoneve të thella të Kinës, Afrikës dhe Evropës të cilat kishin mbetur larg shkëmbimeve kulturore globale. Ibën Batuta, historiani i njohur mysliman, në shekullin e gjashtë hixhri kameri kishte bërë udhëtime më shumë se sa Marko Polo në shekujt më pas. Në shumicën e qyteteve ku kishte udhëtuar Ibën Batuta, iranianët kanë qenë prezentë dhe kanë pas në dispozicion funksione të rëndësishme kulturore dhe administrative. Nëse i hedhim një vështrim Udhëpërshkrimit të Ibën Batuta-s (Sefername), do të vërejmë se të pakta janë ato vende që kishte vizituar Ibën Batuta dhe në ato vende të mos kishte qenë ndonjë iranianë i njohur në sfera të ndryshme shoqërore, politike, fetare ose kulturore. Shumica e këtyre iranianëve kishin emra arabë, mirëpo për shkak se në atë kohë ishte zakon që mbiemri i personave të jetë sipas vendlindjes së tyre, shumë lehtë bëhet e qartë origjina dhe prejardhja e tyre. Në këtë mënyrë në atë kohë iranianët me mbiemra si Esfahani, Samarkandi, Kharezmi dhe Tabarestani ishin shpërndarë në të gjitha territoret e botës islame duke kryer funksione të rëndësishme në sferat shoqërore. Iranianët e shekujve 10 deri 17 ishin të pranishëm edhe në disa vende të Afrikës si Kenia, Etiopia, Afrika Qendrore dhe Tanzania dhe në këto vende kanë përhapur kulturën dhe civilizimin iranian. Në Afrikë është zbuluar edhe një qytet i cili deri para 300 viteve ishte qendër kryesorëve e iranianëve në këtë rajon.

Mongolët ishin pushtuesit e parë jo iranianë të cilët në periudhën e parë të pushtimit të Iranit sulmuan zonën kulturore të Iranit vetëm për të plaçkitur dhe për të shkatërruar civilizimin dhe pasi plaçkitën, vranë dhe mblodhën pasuri të mëdha, u kthyen në vendin e tyre. Para mongolëve, të gjithë pushtuesit e botës sulmonin Iranin për të mbetur në territorin e tij dhe pas një periudhe të shkurtër të pushtimit të Iranit, ata pranonin kulturën dhe civilizimin iranian. Periudha e parë e pushtimit të Iranit nga Perandoria e Mongolisë nuk pati kurrfarë pasoja pozitive dhe konstruktive për kulturën iraniane dhe për iranianët. Gjatë këtij pushtimi bazat materiale dhe burimet kulturore të Iranit pësuan një goditje aq të madhe shkatërruese saqë kjo kulturë kurrë nuk arriti të ngrihej përsëri në atë pozitë ku ishte më parë. Periudha e dytë e pushtimit të mongolëve filloi me agresionin ushtarak të Halaku Khanit kundër Iranit për të pushtuar tërësisht territoret e Iranit. Mongolët kësaj radhe qëndruan në Iran dhe që nga fillimi i pushtimit të tyre drejtuesit dhe funksionarët iranianë si ata nga familja Xhuvejni, bashkëpunuan me mongolët dhe arritën të marrin funksione të larta shtetërore në dinastinë Ilkhan të mongolëve. Në këtë periudhë iranianët dhe kultura iraniane nëpërmjet mongolëve, depërtoi edhe në territorin e Kinës. Në kohën kur familja Xhuvejni kishte marrë funksione të larta në oborrin mbretëror të dinastisë Ilkhan dhe pavarësisht vështirësive të mëdha iranizonte mongolët, ministrat dhe funksionarët e tjerë iranianë përkrahë funksionarëve të tjerë kinezë, filluan të përhapin kulturën iraniane në territoret e pushtuara kineze nga perandoria e Mongolisë me në krye Kubilaj Ghaan. Në bazë të burimeve historike, padyshim se iranianët ishin të parët ata që përhapën fenë islame në Kinë dhe gjithashtu përhapen edhe gjuhën persiane në Kinë. Profesori francez Shifer, shumicën e myslimanëve kinezë e konsideron të racës iraniane të cilët para periudhës së sundimit mongol në mënyrë vullnetare kishin shkuar në Kinë, ndërsa gjatë sundimit të perandorisë mongole ata ishin të detyruar të kryejnë veprimtari të ndryshme të territorin e Kinës. Marko Polo në udhëpërshkrimet e tij ka treguar se një numër i madh i iranianëve jetojnë dhe veprojnë në Kinë duke kryer funksione të ndryshme shtetërore, shoqërore dhe kulturore. Ai gjithashtu tregon se ekzistojnë edhe toponime të rajoneve të ndryshme me emra iranianë në Kinë. Një prej shkaqeve të zgjerimit të territorit kulturor të Iranit përveç pushtimeve ushtarake të sunduesve, ishin edhe gnostikët dhe mistikët iranianë. Rrugëtimi shpirtëror i gnostikëve dhe mistikëve gjithnjë është shoqëruar me udhëtime të gjata për të vizituar dijetarët dhe njerëzit e urtë në të gjithë botën islame. Kjo lëvizje dhe dinamizëm teorik dhe pragmatik i mistikëve iranianë të cilët ishin edhe bartës dhe transmetues të kulturës dhe të civilizimit iranian, u bë shkak për zhvillimin e madh të kulturës iraniane në nivel botëror. Shumë gnostikë të mëdhenj iranianë kanë lindur në një rajon të territorit të gjerë të Iranit dhe kanë vdekur në një vend krejtësisht tjetër. Përhapja e Islamit në Nënkontinentin Indian nuk është bërë vetëm me forcën e shpatës së sulltanëve dhe të mbretërve, por nëpërmjet veprimtarisë së këtyre mistikëve iranianë të cilët kanë punuar me vite të tëra në predikimin e fesë islame tek fiset e ndryshme të Indisë. Shumë dijetarë dhe mendimtarë iranianë nuk qëndronin në qytetin ku kishin lindur, por ata shkonin në çdo vend ku shikonin të përshtatshme atmosferën për zhvillimin e veprimtarisë intelektuale dhe shkencore të tyre. Kështu kanë vepruar edhe shkencëtarët e njohur si Tabari, Farabi dhe Ibën Sina të cilët kanë vdekur dhe janë varrosur në një vend shumë larg vendlindjes. Temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm.