Shkurt 12, 2024 13:49 CET
  • Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore

Një prej rajoneve të largëta që për herë të parë iranianët myslimanë ushtruan ndikimin e tyre, ishte rajoni i Evropës Jugore dhe territori i Andaluzisë në Spanjë të cilin myslimanët e pushtuan në fund të shekullit të parë hixhri kameri.

Në këtë edicion do të flasim rreth zgjerimit të depërtimit të kulturës iraniane pas Islamit dhe rreth rritjes së pushtetit të turqve në Shtetin Islam.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenaria botërore". Në edicionet e kaluara kemi folur rreth territorit gjeografik nën ndikimin e kulturës së Iranit në një pjesë të madhe të botës gjatë periudhës para Islamit. Gjithashtu kemi thënë se me rënien mbretërisë së Sasanitëve dhe me pranimin e fesë islame nga populli iranian, ndikimi i gjerë i kulturës iraniane jo vetëm nuk u reduktua, por u zgjerua edhe me shumë dhe iranianët duke marrë postet kyçe në dinastinë emevite dhe në dinastinë abasite, zgjeruan ndikimin e tyre edhe në rajonet më të largëta të botës. Një prej rajoneve të largëta që për herë të parë iranianët myslimanë ushtruan ndikimin e tyre, ishte rajoni i Evropës Jugore dhe territori i Andaluzisë në Spanjë të cilin myslimanët e pushtuan në fund të shekullit të parë hixhri kameri. Iranianët me të gjitha karakteristikat kulturore dinamike të tyre së bashku me myslimanët e tjerë çlirues të Spanjës, hyrën në këtë territor dhe morën pjesë në procesin e përhapjes së Islamit dhe në udhëheqjen administrative, fetare dhe shkencore, ashtu siç vepruan në territoret e tjera të Shtetit Islam. Në këtë periudhë qindra juristë, muxhtehid, komentues të Kur'anit, studiues të hadithit, gjykatës, guvernatorë dhe politikanë nga Khorasani dhe nga qytetet e tjera të Iranit shkuan në Spanjë dhe me veprimtarinë e tyre mbetën të pavdekshëm në qytetet e Andaluzisë. Burimet historike dëshmojnë ndikimin e gjerë të iranianëve në këtë rajon deri në shekullin e pestë hixhri kameri. Në bazë të burimeve të vlefshme historike, në këtë shekull në Spanjë jetonin mbi 150 dijetarë iranianë të fushave të ndryshme. Iranianët e Khorasanit të cilët kishin fituar besimin e khalifëve abasitë, që nga koha e sundimit të khalifit Abasit Mahdi kanë luajtur një rol të rëndësishëm në administrimin e çështjeve politike dhe ushtarake të Egjiptit dhe të rajoneve të tjera të Afrikës Veriore, të Marokut dhe të ishujve të Turqisë së sotshme. Në këtë mënyrë iranianët përsëri ringjallen kulturën iraniane në Egjipt pas sundimit të perandorisë Akamenide. Në periudhën pas Islamit me një trashëgimi të madhe të kulturës dhe civilizimit depërtuan gjithashtu deri në rajonet më të largëta të Azisë Juglindore si në Malajzi dhe Indonezi. Depërtimi i kulturës iraniane-islame në Indonezi dhe Malajzi vërehet në mënyrë shumë të qartë, për arsye se predikuesit fetarë në këtë rajon më së shumti kanë qenë iranianë dhe gjithashtu shumica e literaturës islame që është përkthyer në gjuhën malaja, ishin vepra të gjuhës persiane. Një prej zhvillimeve të rëndësishme të brendshme pas hyrjes së Islamit në Iran ishte transferimi i qendrës kulturore të Iranit nga perëndimi në lindje të Iranit. Në periudhën e dinastisë emevite shumica e aktivistëve kulturorë dhe e mendimtarëve iranianë ishin përqendruar kryesisht në rajonet qendrore, perëndimore dhe jugore të Iranit, mirëpo për shkak se këto rajone ishin edhe qendra të konflikteve ushtarake mes iranianëve dhe arabëve, ata ishin shpërngulur në Khorasan dhe Transoksiani në verilindje të Iranit të asaj kohe. Kjo shpërngulje ishte bërë shkak që këto rajone të kenë një zhvillim dhe lulëzim të veçantë në historinë e civilizimit iranian-islamik nga ajo periudhë e këndej.

Rajoni i Transoksianisë në fillim të periudhës islame ishte një rajon i populluar nga iranianët dhe ende konsiderohet një prej zonave të civilizimit iranian. Mirëpo në rajonin e Transoksianisë jetonin edhe popuj luftarakë jomyslimanë të cilat gjithnjë e kërcënonin këtë rajon të zhvilluar duke plaçkitur dhe shkatërruar vendbanimet e popullatës. Khorasani verior dhe Transoksiania në shekujt e parë të Islamit konsideroheshin kufijtë e fundit të botës islame në rajonet më veriore të Azisë. Me pranimin e Islamit nga populli iranian, Khorasani dhe Transoksiania kishin për detyrë mbrojtjen e këtyre kufijve dhe të xhihadit kundër fiseve nomade turke që akoma nuk kishin pranuar fenë islame. Në shekujt e parë të Islamit, myslimanët në kufijtë e Transoksianisë u ndeshën me fiset nomade turke. Këto fise nomade pas një rezistence që treguan në fillim përballë forcave myslimane, më në fund pranuan fenë islame dhe gradualisht hapën rrugën për të depërtuar deri në nivelet më të larta të administratës shtetërore të myslimanëve. Natyrisht se një pjesë e tyre merreshin si robër gjatë luftimeve me myslimanët dhe pastaj përdoreshin si luftëtarë nga guvernatorët e Shtetit Islam. Karakteristika më e dalluar e këtyre myslimanëve të rinj turq, ishte shkathtësia, trimëria dhe forca e tyre luftarake. Shumë shpejt, shumë prej guvernatorëve dhe sunduesve myslimanë kuptuan forcën luftarake të nomadëve turq dhe për shkak se nuk kishin besim në forcat e veta, mblodhën rreth vetes këto forca të reja luftarake që vinin nga fiset nomade turke. Secili prej sunduesve myslimanë në radhët e ushtrisë së vet kishte organizuar njësi luftarake të përbëra nga robërit turq që njiheshin me emrin “Gholam”. Sunduesit myslimanë gholamët turq dhe fëmijët e tyre i mbanin si gardë e sigurisë personale. Këta gholamë turq gradualisht shfrytëzuan sistemin e hapur klasor në shoqërinë islame dhe duke treguar kapacitetet ushtarake dhe besnikërinë pranë zotërinjve të tyre që mbanin funksione të larta shtetërore, kaluan procesin e integrimit në shoqërinë myslimane dhe morën funksione të larta shtetërore duke arritur deri në guvernator, komandantë ushtarakë dhe pastaj në pozitën e Sulltanit. Besnikëria e gholamëve turq pranë sunduesve myslimanë nuk pati jetë të gjatë, për arsye se ata pasi avancuan në shkallët e larta ushtarake dhe kuptuan forcën e tyre, filluan të bëjnë ndërhyrje në nivele të larta shtetërore si dhe të marrin iniciativa për rrëzimin e guvernatorëve dhe të sunduesve të Shtetit Islam. Sipas burimeve historike, thuhet se për herë të parë khalifët e dinastisë Abasite si khalifi Motesam e bëri traditë shfrytëzimin e gholamëve turq në radhët e ushtrisë islame. Mirëpo në librin “Historia e Iranit” të Kambrixhit duke cituar burime më të besueshme të mbetura nga ajo kohë, thuhet se para khalifeve abasitë, princat iranianë dhe myslimanët në rajonin e Transoksianisë dhe në rajonin Soghd (i cili përfshinë një pjesë të territorit aktual të Taxhikistanit dhe Uzbekistanit), nomadët turq i shfrytëzonin si forca mercenare për të mbrojtur kufijtë e territoreve të tyre. Më vonë sunduesit e dinastisë së Safarianëve dhe të Samanianëve gjithashtu kanë ndjekur këtë politikë të shfrytëzimit të gholamanëve luftëtarë turq në radhët e forcave të gardës së sigurisë personale. Saboktagin, babai i Sulltan Mahmud Ghaznavi, ishte një prej gholamëve në oborrin mbretëror të dinastisë së Samanianëve, i cili në bazë të kapacitetit të tij ushtarak avancoi deri në pozitën e komandantit të forcave ushtarake të Khorasanit dhe ai për herë të parë themeloi dinastinë e turqve në Iran. Ghaznevitët arritën të themelojnë një perandori të gjerë në zonën gjeografike të kulturës iraniane. Sulltanët ghaznevitë në realitet ishin fëmijët e gholamëve turq, mirëpo bënin përpjekje që origjinën e tyre ta lidhin me origjinën iraniane. Shumë shkencëtarë dhe artistë iranianë në shoqërim të këtyre sunduesve turq, arritën të përhapin kulturën iraniane në shumë rajone të botës. Ata në këtë proces njiheshin edhe me kulturën e shumë popujve dhe rajone të ndryshme të botës. Abu Rejhan Biruni ishte një prej këtyre shkencëtarëve iranianë i cili gjatë këtyre udhëtimeve shkroi veprën e tij të njohur “Tahkik Ma El-Hind”.

Deri në fund të periudhës së sundimit të dinastisë Ghaznevite, depërtimi i turqve në hierarkinë ushtarake dhe politike të oborreve të khalifeve dhe sulltanëve iranianë, më tepër bëhej në mënyrë individuale dhe jo kolektive. Ata në mënyrë individuale avanconin në funksione të larta ushtarake dhe nganjëherë arrinin deri në postin e Sulltanit. Gholamët turq gjatë procesit të këtij avancimit i këputnin lidhjet e tyre familjare dhe fisnore me fiset e tyre origjinale dhe me pranimin e kulturës iraniane-islame, shumica e tyre njiheshin me gjuhën dhe kulturën iraniane, ndërsa disa prej tyre si Sulltan Mahmud Ghaznevi edhe bënin investime të mëdha për të inkurajuar zhvillimin e poezisë dhe letërsisë persiane. Ata për arsye se nuk kishin kurrfarë mbështetjeje nga ana e fisit të tyre, vepronin si sulltanët iranianë pa kurrfarë lidhje dhe varësie fisnore ose etnike. Disa prej këtyre sulltanëve turq falsifikonin edhe lozën e origjinës së tyre familjare duke pretenduar se janë iranianë. Dyndja ose sulmi në mënyrë kolektive dhe fisnore i nomadëve turq në territorin e Iranit ka filluar me invazionin e turqve “Ygyz” ose Selxhuk. Në këtë kohë shumica e fiseve nomadë turq të Transoksianisë dhe të Khorasanit verior kishin pranuar fenë myslimane dhe në këtë mënyrë nuk ekzistonte kurrfarë arsye për forcat xhihadiste myslimane që të qëndrojnë në këto rajone. Shumë prej bazave ushtarake të Shtetit Islam për këtë arsye u tërhoqën nga këto rajone dhe kështu u hap rruga për depërtimin e fiseve të turqve nomadë myslimanë në territorin e Iranit. Turqit selxhuk të cilët gjithashtu kishin pranuar fenë islame, për shkak të kushteve të vështira të jetës dhe për shkak të mungesës së kullosave për bagëtitë e tyre, kërkuan nga sunduesit ghaznevitë që në shkëmbim të mbrojtjes së kufijve verior përball forcave agresore, tu jepnin atyre kullota të reja. Me dobësimin e forcës së dinastisë Ghaznevite në rajonin e Transoksianisë dhe me transferimin e kryeqytetit të tyre në Ghaznein i cili gjendej në kufirin me Indinë, turqit selxhuk u forcuan dhe shtuan presionin e tyre drejt rajoneve më të zhvilluara dhe më të civilizuara të Transoksianisë dhe të Kharezmit duke kërcënuar vazhdimisht vendbanimet e këtyre rajoneve. Deri para vendosjes së fiseve nomade turkemene sidomos selxhuke, rajoni Kharezm dhe Transoksiania kishte popullsi dhe kulturë iraniane dhe në këto rajone flitej gjuha kharezmi dhe soghdi. Këto dy gjuhë në këto rajone ishin gjuhet kryesore që përdoreshin nga populli në të shkruar dhe në të folur deri në kohën e pushtimit të tyre nga fiset nomade turke dhe deri në kohën fillimit të sundimit të turqve selxhuk në këto rajone. Turkmenët selxhuk pas sulmeve të vazhdueshme në këto rajone, gradualisht morën nën kontroll qytetet njëri pas tjetrit derisa në fund me fitoren kundër Sulltan Masud Ghaznavi, u bënë sundues të rrafshnaltave të Iranit. Temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm.