Prill 09, 2018 09:49 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore” ku do të vazhdojmë me prezantimin e personalitetit të njohur iranian Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, një ndër poetët më të mëdhenj iranianë dhe me famë botërore. Idetë dhe mendimet e mëdha të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe shumë mendimtarë dhe letrarë janë ndikuar nga idetë e tij.

Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, poet dhe gnostik i madh i shekullit 7 hixhri kameri (13 të erës së re), ka jetuar në territorin e gjerë kulturor të Iranit. Në vazhdim të edicionit të kaluar, në këtë edicion do të flasim për jetën me plotë batica dhe zbatica të këtij poeti të pashoq iranian.

Ditën e diele më 5 xhamadil-akhar të vitit 672 hixhri kameri (më 17 dhjetor të vitit 1273), Mevlana vdiq, mirëpo shkëlqimi i tij mbeti edhe pas vdekjes së tij dhe pas shumë shekujve, personaliteti i tij ka mbetur akoma në të njëjtën rëndësi dhe pozitë. Kjo është për arsye se poezitë dhe veprat e mbetura nga ai edhe pasi kanë kaluara shumë shekuj, po gjejnë lexuesit e vet në mesin e shtresave të ndryshme duke krijuar pasion të madh në mesin e lexuesve. Me padyshim se lexuesit e këtyre veprave nuk janë vetëm iranianët, për arsye se veprat dhe poezitë e Mevalanas janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe shumë studiues kanë shkruar vepra dhe artikuj rreth veprave, jetës, ideve dhe bindjeve të Mevlanas duke komentuar dhe interpretuar në mënyra të ndryshme ato. Znj. Annemarie Schimmel, studiuese dhe mendimtare e njohur gjermane e cila ka shkruar libra dhe shumë artikuj rreth Mevlanas, në lidhje me këtë çështje thotë: “Shumë prej lirikave në “Divanin e Madh”, teksti i plotë dhe i pjesë të zgjedhura nga Masnavije Ma’nevij” dhe vepra “Fih ma fih” deri më tani janë përkthyer me disa versione në gjuhë të ndryshme dhe kanë ushtruar ndikim të thellë mbi shumë shkrimtarë dhe mendimtarë të botës dhe shumë studiues janë zhytur në hulumtimin dhe studimin e mendimeve të Mevlanas”. Muhamed Nazir, studiues nga Pakistani, gjithashtu deri më tani ka arritur të identifikojë 195 komentime dhe përkthime në gjuhë të ndryshme si perse, arabe, turke, urdu, pashtu, pangjari, angleze dhe suedeze rreth Masnavisë së Mevlanas. Duke hedhur një vështrim mbi publikimet e reja duke përfshirë librat, artikujt dhe programet kompjuterike, atëherë vërehet në mënyrë të qartë jo vetëm mbi gjeneratën aktuale të Iranit, por edhe mbi gjeneratat e të gjithë botës. Për shembull në vitet e kaluara një prej albumeve muzikore në CD më të shitura në Amerikës, ishte albumi i përgatitur në bazë të përkthimit të lirikave të Mevlanas. E gjithë kjo tregon risinë e mendimit dhe të ideve të Mevlanas edhe pas shumë shekujve.

Nga Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi kanë mbetur shumë vepra në prozë dhe poezi. Të tilla janë veprat “Mekatib”, “Fih ma fih” dhe “Mexhalise Sebe’a” (shtatë kuvendet) në prozë, “Divani i Madh” dhe “Masnevi Manevij” në poezi. Përveç veprës “Mekatib” që përbëhet nga disa letërkëmbime dhe letra të Mevlanas të shkruara për personalitete dhe figura të dalluara të kohës së tij, veprat e tjera të mbetura nga ai, sipas mendimit të shumë studiuesve, nuk janë shkruar dhe përpiluar nga vet Mevlana. Poezitë e tij i ka shënuar nxënësi besnik dhe muridi i tij Husamudin Çelebi dhe pastaj i lexonte ato para Mevlanas dhe ai i korrigjonte. Edhe veprën “Fih ma fih” dhe “Mexhalis Sebe’a” janë mbledhur dhe shënuar nga nxënësit e Mevlanas. “Fih ma fih” është një vepër në të cilën janë shënuar dialogët jozyrtare të Mevlanas. Do të thotë kjo vepër përmban diskutimet dhe ligjëratat e Mevlanas të paraqitura në përgjigje ndaj pyetjeve të nxënësve të tij ose të intelektualëve dhe mendimtarëve të qytetit. Sipas mendimit të studiuesve të veprave të Mevlanas, rëndësia e veprës “Fih ma fih” para se gjithash është për këtë arsye se kjo vepër është çelësi kryesor për të perceptuar dhe kuptuar në mënyrë të vërtetë aludimet e Mevlanas në “Mesnevi” dhe në “Divane Shams”. Kjo është për arsye se Mevlana për shkak të respektimit të parimeve të poezisë si rima dhe ritmi, nuk ka mundur të flasë me lehtësi, mirëpo në veprën “Fih ma fih” ai shumë lehtë dhe ka trajtuar gjerësisht teoritë dhe idetë e tij.

Vepra “Mexhalise Sebe’a” e Mevlanas përbëhet nga ligjëratat e Mevlanas në shtatë kuvende të ligjërimit në kohën kur ai ligjëronte në minber të xhamisë. Duke marrë parasysh faktin se Mevlana pas takimit me Shams dhe revolucionin e brendshëm të tij, nuk ka shkuar në minber më tepër se një herë, atëherë këto ligjërata mund të ndihmojnë studiuesit për ta njohur personalitetin dhe idetë e Mevlanas para se ai të takohet me Shamsudin Tabrizin. “Masnavije Manevij” dhe “Divane Kabir” i cili njihet edhe si “Divane Shams” dhe përmban lirikat dhe rubairat e tiji, janë dy veprat e mëdha të cilat i ka krijuar Mevlana në formën e poezisë. Këto dy enciklopedi të mëdha përmbajnë mendimet dhe idetë e Mevlanas, rreth të cilave do të flasim në mënyrë të veçantë.

Profesor Abdulhusejn Zarinkub në lidhje me Mevlanan dhe mendimet e tij thotë: “Mevlana nuk është as filozof dhe as poet! Megjithëkëtë,  pasioni i dashurisë e ka bërë atë edhe filozof edhe poet. Ai krijon poezi dhe në nëpërmjet poezisë, ai paraqet jo vetëm entuziazmin shpirtëror por edhe idetë e tij filozofike. Mevlana edhe pse nuk është i kënaqur me filozofët dhe metodën e të menduarit dhe shprehjes, por vet ai në shprehjen e mendimeve dhe ideve të tij argumenton sikur filozofët”.  

Mevlana në poezitë e tij trajton tematika të ndryshme si rreth botës, Zotit, shpirtit, botës tjetër dhe më në fund njeriut, problemeve të tij në botën materiale dhe vështirësive të tij në rrugën drejt Zotit dhe në arritjen deri në të vërtetën. Sipas disa studiuesve të veprave të Mevlanas, ai ndjek rrugën e njeriut nga lënda e ngurtë në bimë dhe nga bima në njeri dhe nga njeriu në engjëll. Ai tregon limitet e determinimit dhe zgjedhjes së njeriut dhe pasqyron pozitën “Fena” (shkrirja) në të cilën njeriu shkrihet në Zotin. Mevlana në shpjegimin e këtyre çështjeve, botën nganjëherë e shikon nga pikëpamja e një filozofi dhe nganjëherë nga vështrimi i një gnostiku dhe nganjëherë nga vështrimi i një poeti romantik, mirëpo në çdo formë dhe në çdo vështrim, ai është i suksesshëm.

Dashuria ndaj natyrës dhe ndaj shoqërisë manifestohet në mënyrë të veçantë në poezitë e tij. Golpinarli, studiuesi i njohur i personalitetit dhe veprave të Mevlanas, në lidhje me këtë karakteristikë të poezive të Mevlanas thotë: “Ai ishte një poet i cili kurrë nuk ndahej nga njerëzit. Të gjitha metaforat e veta i merrte nga gjuha popullore e njerëzve, prandaj për këtë arsye në novacionet e tij fshihet forca e gjallërisë së jetës. Toka, fusha e bujqësisë, dheu, uji ..., do të thotë jeta nga e cila nuk mund të ndahemi, është një prej elementeve më kryesore të poezive të tij”. Mevlana, natyrën e konsideron manifestim të botës hyjnore dhe nganjëherë ai përveç Zotit, nuk shikon asgjë në të gjithë ekzistencën dhe kjo ide tregon thellimin dhe zhytjen e Mevlanas në ekzistencën e Zotit. Atë çfarë Mevlana e paraqet në poezitë e tij, është ndjenja dhe zbulimi i lidhje dhe bashkimit të njeriut me të gjitha krijesat dhe gjatë këtij procesi gnostiku nuk shikon asgjë tjetër, përveç ekzistencës së Zotit. Mevlana e konsideron të nevojshme qëllimin e pastër edhe në dituri edhe në veprim, prandaj sugjeron që njeriu në veprimet e tij nuk duhet të shikojë asgjë tjetër, përveç Zotit ndërsa thekson se derisa vështrimi i njeriut të mos pastrohet nga pluhuri dhe nga dëshirat e egos, ai nuk do të arrijë në të vërtetën e cila është burim i qartë.

Tags