Në shkollën e Ruhullahut: "Drejtësia politike"
Në këtë edicion do të analizojmë dhe zbërthejmë pozitën e drejtësisë politike në pikëpamjen e Imam Khomejnit (ra).
Drejtësia politike
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Në shkollën e Ruhullahut”. Në edicionin e kaluar kemi folur për pozitën e drejtësisë në pikëpamjet e Imam Khomejnit (ra) ku thamë se vizioni i themeluesit të Revolucionit Islamik të Iranit ndaj drejtësisë ekonomike është më i lartë se sa dy elementet, drejtësia e prodhuar dhe drejtësia shpërndarëse, dhe i përket drejtësisë gjithëpërfshirëse. Prandaj në bazë të kësaj qasje, drejtësia ekonomike do të ekzistojë në shoqëri atëherë kur për të gjithë qytetarët sigurohen dhe garantohen edhe raste të barabarta ekonomike edhe kushtet më elementare për të pasur një jetë të ndershme për të gjithë individët e shoqërisë. Gjithashtu kemi trajtuar edhe këtë çështje se në mendimin e Imam Khomejnit (ra), shqyrtimi dhe trajtimi i vazhdueshëm i çështjeve të të shtypurve dhe të të privuarve, ka nevojë për drejtësi sociale. Prandaj për këtë arsye në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit e cila është e inspiruar nga idetë e Imam Khomejnit, vendosjen dhe zbatimin e drejtësisë është cilësuar si një prej qëllimeve të sistemit shtetëror të Republikës Islamike. Duke marrë parasysh rëndësinë e dimensionit politik të drejtësisë, në këtë edicion synojmë të njihemi me një tjetër dimension të drejtësisë sociale, do të thotë drejtësisë politike në shkollën e Ruhullahut dhe do të analizojmë reflektimin e drejtësisë politike në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit.
Në shkollën e Ruhullahut
Me termin drejtësi politike kemi për qëllim atë dimension të drejtësisë sociale i cili i përket sferës së pushtetit, politikës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve, ndërsa duke marrë parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve në fatin e qytetarëve, atëherë mund të pretendohet se drejtësia politike luan rol fondamental dhe përcaktues në realizimin e dimensioneve të tjera të drejtësisë sociale në shoqëri. Fakti se për të gjithë qytetarët të ekzistojnë mundësi të barabarta për pjesëmarrje dhe të respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve duke mos u privuar asnjë qytetar nga e drejta për pjesëmarrje politike për shkak të dallimit në pikëpamje politike, në fe, racë, gjuhë dhe etnitet, fakti se elita sunduese të krijojë një atmosferë ku të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë të mund të formojnë strukturat e shoqërisë civile dhe ose politike në kuadër të Kushtetutës dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre, fakti se të gjithë qytetarët përpara ligjit të jenë të barabartë dhe çështje të tjera të kësaj natyre konsiderohen shembuj më të rëndësishëm të drejtësisë politike. Qasja e Imam Khomejnit (ra) edhe ndaj drejtësisë politike lidhet me tre elemente të rëndësishme dhe themelore: së pari njohja zyrtare e të drejtës për pjesëmarrje politike për të gjithë qytetarët, së dyti njohja zyrtare e të drejtës për mbikëqyrjen e punës së sunduesve, si dhe së treti njohja zyrtare e lirisë për krijimin e partive dhe strukturave politike, të shoqërisë civile, sindikatave dhe lirisë për organizimin e tubimeve protestuese.
Temë kryesore e pikëpamjeve politike të Imam Khomejnit (ra), është formimi i sistemit shtetëror islamik në bazë të teorisë së “Vilajeti Fakih” (Autoriteti fetar). Imam Khomejni (ra) autoritetin fetar politik që plotëson të gjitha kushtet për administrimin e çështjeve të shoqërisë, e konsideron të bazuar në dëshirën dhe vullnetin hyjnor, mirëpo ai beson se pa pranimin publik nga ana e shumicës së shoqërisë, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet në mënyrë konkrete. Ai duke kritikuar metodën e zgjedhjes së udhëheqjes në sistemin monarkist, trashëgiminë do të thotë mekanizmin kryesor për zgjedhjen e udhëheqjes në sistemin monarkist, e cilëson faktor të shfaqjes së despotizmit në shoqëri. Ai ka këtë bindje se të gjithë qytetarët duhet të kenë mundësi në mënyrë të barabartë të luajnë rol në përcaktimin e udhëheqjes, prandaj pikërisht për këtë arsye, krijimin e rrethanave për pjesëmarrje të vërtetë, të barabartë, dhe të gjerë të qytetarëve në të gjitha çështjet e vendit, ai e konsideron prej qëllimeve më të rëndësishëm të Revolucionit Islamik. Në bazë të kësaj, në kornizën ideologjike të Revolucionit Islamik, pjesëmarrja e drejtë dhe e barabartë e të gjithë qytetarëve konsiderohet prej simboleve dhe shembujve të drejtësisë politike. Në paragrafin 8 të nenit 3 të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit, gjithashtu në mënyrë të qartë është caktuar se një prej detyrave të qeverisë është shfrytëzimi i të gjitha mundësive dhe kushteve për të garantuar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në përcaktimin e fatit politik, ekonomik, shoqëror dhe kulturor të tyre.
Një prej dimensioneve të rëndësishme të drejtësisë politike në mendimin e Imam Khomejnit, përfshinë të drejtat politike të minoriteteve fetare. Rëndësia e kësaj çështje bëhet më e qartë atëherë kur të kemi parasysh se Imam Khomejni ishte një lider dhe autoritet fetar dhe sistemin shtetëror të cilin e ka formuar bazohet mbi fenë Islame dhe duke marrë parasysh natyrën fetare të sistemit shtetëror, prandaj mund të thuhet se rrethanat për krijimin e një vështrimi diskriminues ndaj minoriteteve të tjera fetare ishin shumë të përshtatshme. Mirëpo në sistemin ideologjik dhe politik të Imam Khomejnit (ra) në sistemin shtetëror islamik edhe besimtarët e feve të tjera ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, gëzojnë të drejta dhe respekt të plotë. Imam Khomejni (ra) në mënyrë të qartë ka deklaruar se Republika Islamike është një sistem shtetëror popullor, prandaj edhe minoritetet fetare ashtu si të gjithë qytetarët, gëzojnë lirinë e plotë për të marrë pjesë në administrimin e çështjeve fetare. Ai beson se një prej detyrave të shstetit islamik është mbrojtja e të drejtave dhe garantimi i sigurisë për minoritetet fetare dhe u jep siguri të gjithëve se në sistemin shtetëror islamik të gjitha minoritetet fetare do të gëzojnë lirinë dhe qetësinë e plotë në shoqëri pa kurrfarë diskriminimi.
Në bazë të kësaj pikëpamje, në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit në mënyrë të qartë është garantuar mbrojtja e të drejtave dhe lirive politike dhe e drejta për organizimin e mitingjeve të minoriteteve fetare dhe është paraparë drejtësia sociale në jetën e tyre politike dhe shoqërore. Përveç kësaj, në disa raste është shkuar edhe më larg se kaq dhe minoriteteve fetare u janë dhënë privilegje edhe më të veçanta në mënyrë sundimi i qëndrimeve të shumicës së myslimanëve në shoqëri të mos bëhet shkak për shkeljen e të drejtave të minoriteteve. Për shembull në nenin 64 të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit i cili shpjegon mekanizmin e zgjedhjes së përfaqësuesve të popullit në Parlament, për minoritetet fetare janë paraparë të drejta veçanta në mënyrë që ata të kenë mundësi në mënyrë të pavarur të zgjedhin përfaqësuesin e tyre në Parlament. Në bazë të këtij neni, minoriteti fetar Zoroastrian dhe minoriteti fetar hebre secili ka përfaqësuesin e vet, minoriteti fetar i të krishterëve Asirian dhe Keldani në mënyrë të përbashkët kanë një deputet dhe minoritetet e të krishterëve armenas në veri dhe jug të Iranit secili ka nga një deputet në Parlamentin Islamik të Iranit. Deputetët e minoriteteve zgjidhen me votën e vet pjesëtarëve të këtyre komuniteteve. Këta deputet përfaqësojnë interesat e minoriteteve fetare në Parlamentin e Iranit. Është më se e qartë se në një shoqëri ku mbi 95 % e saj e përbëjnë myslimanët, prania e 5 deputetëve të minoriteteve fetare në Parlament, është një prej simboleve të drejtësisë politike që është realizuar në bazë të qasjes pozitive të sistemit shtetëror të Republikës Islamike ndaj të drejtave dhe lirive të minoriteteve fetare.
Një tjetër shembull i drejtësisë politike në mendimin e Imam Khomejnit (ra), është njohja zyrtare e të drejtës për mbikëqyrje të të gjithë qytetarëve mbi punën e elitës qeverisëse dhe njohjen zyrtare e të drejtës për ta kritikuar këtë elitë brenda kornizës së urdhërimit të veprave të mira dhe ndalimit të veprave të këqija. Në bazë të pikëpamjeve të Imam Khomejnit (ra), të gjithë qytetarët kanë jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë dhe obligim që të mbikëqyrin punën e të gjithë funksionarëve shtetërorë dhe sfera e kësaj mbikëqyrje nuk përjashton as autoritetin më të lartë fetar "Veli Fakih", si funksionarin numër një të vendit. Në këtë sistem, të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk ka të drejtë të shfrytëzojë pozitën dhe ligjore dhe politike të tij për të ikur nga ligji. Imam Khomejni shumë herë në deklaratat e tij ka theksuar se në sistemin shtetëror islamik të gjithë funksionarët janë përgjegjës për punën që e bëjnë dhe qytetarët mbikëqyrin të gjitha çështjet dhe funksionarët shtetërorë duke përfshirë edhe autoritetin Vilajeti Fakih, prandaj nëse një funksionar keqshfrytëzon detyrën e tij, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të japin vërejtjet e tyre. Imam Khomejni (ra) në lidhje me kritikën ndaj udhëheqësve myslimanë, ka thënë: "Çdo individ dhe çdo qytetar i shoqërisë ka të drejtë që në mënyrë të drejtpërdrejtë përpara funksionarëve shtetëror myslimanë që t'i kërkojë përgjigje atyre, t'i kritikojë ata për neglizhencë dhe ata duhet të japin përgjigje bindëse për veprimet që kanë bërë, përndryshe nëse ai ka vepruar përkundër detyre të tij islame, shkarkohet në mënyrë vetvetiu nga posti që e drejton". (Sahifa Imam, v.2, f. 4009).
E drejta për formimin e partive dhe subjekteve politike, të shoqërisë civile dhe sindikatat e pavarura për të gjithë qytetarët si dhe e drejta e organizimit të tubimeve protestuese, gjithashtu përbëjnë një dimension tjetër të drejtësisë politike në shoqëri. Imam Khomejni (ra) standard të rëndësishëm për formimin e partive dhe subjekteve politike dhe grupeve të shoqërisë civile, e ka caktuar respektimin e interesave kombëtare dhe në lidhje me këtë çështje ka thënë: "Organizimi i çfarëdo lloj tubimi protestues dhe partiak nga ana e qytetarëve në rast se nuk vë në rrezik interesat e popullit, është i lirë dhe Islami në të gjitha çështjet dhe sferat ka përcaktuar limitet dhe kufijtë që duhen respektuar". (Sahife Nur, v. 4, f. 277). Imam Khomejni (ra) nuk ka pranuar vendosjen e kufijve dhe limiteve në bazë të bindjeve fetare dhe politike në formimin e partive dhe subjekteve politike, por konsideron se çfarëdo lloj aktiviteti i organizuar politike është i lirë dhe i lejuar me kusht që të jetë paqësor dhe të shmanget nga çfarëdo lloj veprime të dhunshme dhe të armatosura, të mos jetë i varur nga faktorët e jashtëm dhe të mos e dëmtojë unitetin dhe solidaritetin kombëtar. Kjo qasje paraqitet në mënyrë shumë të theksuar edhe në nenin 27 dhe 27 të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit. Në bazë të nenit 26 të Kushtetutës së Iranit thuhet: "Partitë, organizatat dhe subjektet politike, sindikatat dhe grupet islamike ose të minoriteteve fetare të njohura zyrtarisht, janë të lira me kusht që të mos shkelin parimet e pavarësisë dhe lirisë, të unitetin kombëtar, standardet islame dhe themelet e Republikës Islamike të Iranit. Asnjë person nuk mund të ndalohet nga pjesëmarrje në këto struktura ose të detyrohet që të marrë pjesë në njërën prej strukturave të tilla". Gjithashtu në nenin 27 të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit është theksuar: "Organizimi i mitingjeve dhe i protestave pa armëmbajtje, është i lejuar dhe i lirë me kusht që të mos shkelë bazat e Islamit".
Në bazë të kornizës ideologjike të Imam Khomejnit (ra) në lidhje me drejtësinë politike dhe reflektimin e saj në nene të ndryshme të Kushtetutës së Republikës Islamike, sot në Iran të gjithë qytetarët gëzojnë të drejtën për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur dhe të drejtën e pjesëmarrjes në vendimmarrjet e vendit. Ekziston edhe një lloj mbikëqyrje publike nga ana e qytetarëve mbi punën e funksionarëve shtetërorë dhe në shumë raste qytetarët kritikojnë ata. Në Iran ekzistojnë dhe veprojnë shumë parti dhe subjekte politike, grupe të shoqërisë civile dhe sindikata të ndryshme të cilat në mënyrë të lirë zhvillojnë aktivitetin e vet dhe bartin kërkesat e qytetarëve te autoritetet shtetërore. Shkurtimisht, sistemi shtetëror i Republikës Islamike të Iranit përgjatë 40 viteve të kaluara kanë bërë përpjekje që në bazë të udhëzimeve të Imam Khomejnit (ra), ta vendosin drejtësinë politike në shoqëri, por deri në arritjen e qëllimeve të caktuara dhe kushteve ideale në këtë drejtim, akoma ekziston një rrugë e gjatë për t'u kaluar.