Nëntor 24, 2018 22:52 CET
  • Në shkollën e Ruhullahut:

Në këtë edicion do të analizojmë dhe zbërthejmë pikëpamjet e Imam Khomejnit (ra) në lidhje me lirinë si një prej kërkesave historike të popullit iranian.

Liria

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Në shkollën e Ruhullahut”. Liria përkrah drejtësisë, ka qenë dhe është një prej idealeve të të gjithë luftëtarëve të botës, prandaj pikërisht për këtë arsye në fjalorin politikë të botës, liria ka një pozitë shumë të lartë dhe të çmuar. Liria në po atë masë që ka rëndësi dhe vlerë në filozofinë politike dhe në luftërat politike, edhe nga aspekti kuptimor është një koncept me plotë polemika. Secila shkollë e mendimit kanë dhënë komentime dhe interpretime të ndryshme rreth lirisë, mirëpo ndoshta pa polemika mund të pranohet ky pretendim se në mesin e të gjitha shkollave ideologjike dhe politike, liberalizmi ka qenë mbrojtësi më i rëndësishëm dhe më serioz i lirisë, edhe pse në mesin e filozofëve të kësaj shkolle gjithashtu ekzistojnë mendime të ndryshme në lidhje me mënyrën e arsyetimit të lirisë dhe shpjegimin e kufijve dhe limiteve të saj. Isaiah Berlin, një prej mendimtarëve të dalluar të shkollës së liberalizmit, e ndan lirinë në dy lloje: pozitive dhe negative, ndërsa në shpjegimin e këtyre dy llojeve të lirive, llojin negativ të lirisë e shpjegon me kuptim të çlirimit nga ndërhyrja e shtetit në privatësinë  e individit kurse llojin pozitiv të lirisë, ai e shpjegon me kuptim të kushteve dhe rrethanave për pjesëmarrjen e pjesëmarrjen dhe integrimin e grupeve etnike dhe për veprim të qytetarëve. Në të gjitha këto shkolla dhe mendime të teoricienëve, liria ka baza njerëzore dhe racionale, mirëpo në shkollën e Islamit e cila është burim i pikëpamjeve të Imam Khomejnit, liria shpjegohet në kornizën e fesë islame dhe brenda hierarkisë së sistemit monoteist ndërsa kulmi i saj është liria shpirtërore dhe arritja në pozitën e afrimit pranë Zotit. Në mendimin e Imam Khomejnit, tërheqin vëmendjen edhe aspektet e tjera të lirisë si liria e bindjes dhe besimit, liria e shprehjes, si dhe liritë politike dhe shoqërore nga këndvështrimi tërësisht i brendshëm fetar.

Imam Khomejni duke pranuar lirinë dhe duke anuar ndaj lirisë, e konsideron atë si një prej të drejtave thelbësore, qenësore, natyrore dhe arbitrare të njerëzve në sferat individuale dhe shoqërore. Ai beson se liria nuk është prej atyre të drejtave subjektive që një njeri i jep një njeriu tjetër, por ajo buron nga natyra qenësore e njeriut, prandaj është një prej të drejtave natyrore të njerëzve, edhe nëse një shkollë ideologjike ose një shtet nuk e një zyrtarisht këtë të drejtë njerëzore. Njëkohësisht me këtë çdo shoqëri me qëllim të ruajtjes së shtyllave të saj dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë e vetë, mund të caktojë kufij, kushte dhe limite në shfrytëzimin e lirisë, mirëpo krijimi i lëkundjeve në themelet e lirisë është jashtë autoritetit të një shkolle ideologjike, shteti ose individëve të shoqërisë. Shkurtimit nga pikëpamja e Imam Khomejnit, liria ekziston në qenien e njeriut dhe njeriu në bazë të nevojës njerëzore të tij, është i lirë dhe liridashës. Theksimi për pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e qeverisjes dhe luajtjen e rolit aktiv në strukturat e pushtetit, organizimin e zgjedhjeve për të zgjedhur udhëheqësit, strukturat mbikëqyrëse etj., janë disa prej shembujve të pasqyrimit të lirisë në pikëpamjet e Imam Khomejnit. Ai duke njohur zyrtarisht liritë individuale dhe shoqërore e politike, lirinë e mendimit, bindjes dhe shprehjes, lirinë e formimit të partive, lirinë e organizimit të tubimeve dhe lirinë e pjesëmarrjes në procesin e vendimmarrjeve, ka numëruar edhe kushtet si mosdëmtimi i interesave, mosorganizimi i komploteve kundër shtetit, mosnxitjes së korrupsionit dhe trazirave, respektimin e normave morale, kritereve racionale dhe fetare si kufi dhe limite të lirisë. Imam Khomejni thotë se në Islam mohohen ato lloje të lirisë nga njeriu të cilët dëmtojnë dinjitetin njerëzor të individit dhe interesat e shoqërisë.

Nga pikëpamja e Imam Khomejnit, Islami është një shkollë e cila është garantues e lirisë së njeriut. Ai në reagim ndaj qëndrimit të ish-regjimit despotik të mbretit të Iranit i cili pretendonte se i ka dhënë lirinë iranianëve, thotë: “Kanë dhuruar lirinë?!?!?! A mos vallë liria është diçka që mund të dhurohet?! Vet kjo fjalë është krim. Thënia “u kemi dhuruar lirinë” është krim. Liria është e popullit. Ligji e ka dhënë lirinë. Zoti e ka dhuruar lirinë për njerëzit. Islami e ka dhënë lirinë. Kushtetuat e ka dhënë lirinë për njerëzit. “U kemi dhuruar njerëzve lirinë”, çfarë paturpësie është kjo?! Kush je ti që ta dhurosh lirinë? Kush je ti?”. Imam Khomejni beson se karakteristik e shtetit islamik është garantimi i lirisë sa më të madhe në mënyrë që qytetarët të mos frikësohen nga shteti dhe thotë: “Në Islam nuk ka diktaturë, në Islam ka liri për të gjitha shtresat e shoqërisë, për femrën dhe mashkullin, për të ziun dhe për të bardhin, për të gjithë. Njerëzit tani e tutje duhet të frikësohen vetëm nga vetja dhe jo nga shteti. Duhet të frikësohen nga vetja që të mos bëjnë kundërvajtje. Shteti i drejtësisë parandalon kundërvajtjet, shpërblen të mirën. Ne duhet të kemi frikë nga vetja që të mos bëjmë kundërvajtje, përndryshe shteti islamik nuk do të bëjë kundërvajtje. Shteti nuk ushtron dhunë më mbi popullin”.

Liria e besimit, e mendimit dhe shprehjes, është një prej llojeve më të rëndësishme të lirisë. Një prej paqartësive të krijuara në vitet e kulmit të zhvillimeve të Revolucionit Islamik në opinionin e shumë analistëve, ishte kjo që vallë me formimin e shtetit të bazuar në Islam, a do të ketë vend për lirinë e mendimit, bindjes dhe shprehjes?! Imam Khomejni tre muaj para fitores së Revolucionit Islamik në përgjigje të një gazetari në Francë në lidhje me lirinë e bindjes së marksistëve në Shtetit Islamik, është përgjigjur: “Në Shtetin Islamik të gjithë individët gëzojnë liri në çfarëdo bindje që të ndjekin”. Imam Khomejni në përgjigje të një pyetje të shtruar se në shtetin islame çfarë do të jetë gjendja dhe fati i jomyslimanëve dhe i atyre që nuk besojnë në fe, tha: “Në Islam ekziston demokracia dhe njerëzit janë të lirë në shprehjen e bindjeve dhe në kryerjen e veprimeve dhe ritualeve të tyre, derisa nuk do të ekzistojë ndonjë komplot”. Ai gjithashtu në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, ka thënë: “Të gjitha mediat janë të lira, përveç atyre që shkruajnë materiale të dëmshme për gjendjen e popullit”. Imam Khomejni lirinë e konsideron dhunti dhe amanet hyjnor që të gjithë njerëzit duhet ta shfrytëzojnë atë në të mirë dhe interes të popullit dhe Islamit, ndërsa tha: “Tani të gjithë ne jemi të lirë dhe nën sprovë, Zoti i madhëruar do të na sprovojë neve. Ne nëse e shfrytëzojmë lirinë në rrugën tonë për të mirën e popullit, për të mirën e Islamit dhe për t’i shërbyer vendit, atëherë e kemi kaluar këtë sprovë me sukses...”.

Formimi i partive dhe i subjekteve politike dhe qytetare, është një tjetër aspekt i rëndësishëm i lirisë. Në shoqëritë demokratike të gjitha shtresat e shoqërisë janë të lira të formojnë partitë politike ose organizatat civile, sindikatat dhe shoqatat profesionale, ndërsa qeveria nuk ka të drejtë të krijojë kurrfarë pengesa për qytetarët në këtë drejtim. Imam Khomejni duke pranuar këtë çështje, besonte se shteti islamik është në harmoni me parimet demokratike dhe në bazë të kësaj, nuk do të pengojë krijimin dhe aktivitetin e lirë të partisë politike, ndërsa tha: “Partitë dhe tubimet politike nga ana e qytetarëve janë të lira në rast se nuk rrezikojnë interesat e popullit ndërsa Islami në të gjitha këto çështje ka caktuar kritere dhe standarde përkatëse”. Ai ka thënë se një prej kritereve të rëndësishme të veprimtarisë së partive dhe subjekteve politike është që ato të mos jenë të varura nga fuqitë e huaja. Në përgjigje të kësaj pyetje të një gazetari i cili e kishte pyetur atë: çfarë mendoni rreth aktivitetit të partive politike majtiste që nuk janë të mbështetura nga fuqitë e huaja, në kuadër të shtetit islamik? Imam Khomejni ka thënë: “Në Republikën Islamike çdo individ gëzon të drejtën e lirisë së bindjes dhe shprehjes, mirëpo asnjë individi apo grupi politik të varur nga fuqitë e huaja nuk e lejojmë të bëjë tradhti”.

Një prej brengave të Imam Khomejnit sidomos në periudhën e lidershipit të tij ishte shpjegimi i kufijve dhe limitëve të lirisë në Republikën Islamike të Iranit. Ai ka thënë se respektimi i simboleve të shenjta të shoqërisë dhe shmangia nga komplotet, janë prej kushteve të lirisë së mediave dhe partive politike, ndërsa duke vë në dukje eksperiencën disa muajve të parë të vendosjes së sistemit shtetëror të Republikës Islamike në Iran ku gjatë asaj periudhe disa grupe politike duke keqshfrytëzuar rrethanat e krijuara për zgjerimin e lirive, theksoi: “Ne u kemi garantuar liri atyre, liri absolute që brenda këtyre disa muajve janë krijuar mbi 200 parti dhe grupe politike e shoqërore dhe një numër i madh i gazetave dhe revistave kanë publikuar materialet e tyre dhe askush nuk ka penguar ato, edhe pse ato nuk kanë kursyer të ofendojnë të gjitha simbolet e shenjta fetare të popullit... Nuk janë shkelur të drejta e tyre derisa e kuptuan se ato synojnë krijimin e komploteve dhe trazira kundër vendit dhe Islamit. Tani pasi që u vërtetuar komploti i juaj, tani nuk mund të lejojmë që të bëni çfarëdo veprimi që dëshironi”. Imam Khomejni gjithashtu konsideron se respektimi i normave shoqërore, nderin e burrave dhe grave, është një prej kritereve që kufizon lirinë dhe thotë: “Ne pajtohemi me sistemet e lirive të plota, sistemi shtetëror i ardhshëm duhet të përfshijë interesat e përgjithshme të shoqërisë dhe gjithashtu duhet të zotohet për respektimin e normave shoqërore, sepse sfera e një shoqërie me liri të pakufizuar në realitet është garantimi i plaçkitjes së nderit dhe dinjitetit të burrave dhe grave të shoqërisë. Sistemi shtetëror i ardhshëm duhet të garantojë liritë shoqërore dhe individuale, por njëkohësisht nuk duhet të lejojë dëmtimin e interesave të shoqërisë dhe dinjitetin e individëve të shoqërisë”.

Ajetullah Khamenei beson se parandalimi i përhapjes së korrupsionit dhe degjenerimit, është një prej vijave të kuqe të lirisë dhe beson se liria e cila ka bazë islame nuk lejon të përhapet korrupsioni dhe degjenerimi. Ai në lidhje me këtë çështje ka thënë: “Liria është brenda limiteve të ligjit. Islami ka parandaluar korrupsionin dhe degjenerimin dhe ka dhënë të gjitha liritë të cilat janë jashtë korrupsionit dhe degjenerimit”.