Fundi i ISIS dhe mësimet e tij për Irakun
Qershori i vitit 2014, kujton një ngjarje të hidhur dhe të keqe për popullin e Irakut.
Terroristët e ISIS në qershor të vitit 2014, hyrën në Mosul, qendrën e provincës Ninva në veri të Irakut. Kjo ndodhi në kohën kur Iraku në prill të atij viti kishte organizuar zgjedhjet parlamentare dhe partitë politike të këtij vendi ishin futur në mosmarrëveshje të thellë në lidhje me çështjen e mandatit të tretë të Nuri Maleki si kryeministër i Irakut. Në realitet, ISIS me ndihmën e disa faktorëve dhe grupeve të brendshme sidomos me ndihmën e ish-anëtarëve të partisë së shpartalluar "Ba'th" të Irakut dhe me mbështetjen e vendeve të cilët ishin kundër një qeverie shiite në Irak, hyri në këtë vend dhe pushtoi një pjesë të territoreve të tij. Natyrisht nuk duhet anashkaluar fakti se rrethanat për shfaqjen e ISIS në Irak kishin filluar me luftën e vitit 2003 të Amerikës kundër Irakut dhe ishin zhvilluar gjithnjë e më tepër gjatë periudhës 2003-2014, ndërsa në vitin 2014, faktorët e brendshëm të lartpërmendur lejuan sulmin dhe pushtimin e një pjese të territorit të Irakut nga terroristët e ISIS.
Mirëpo, ISIS që nga ditët e para të pranisë së tij në Irak vërtetoi se mbështetësit e tij kishin bërë një gabim shumë të madh strategjik në lidhje me natyrën e këtij grupi terrorist! Kjo është për arsye se nga njëra anë krimet e grupit terrorist të ISIS treguan se vazhdimi i mbështetjes ndaj këtij grupi terrorist do të lëndojë opinionin publik në mbarë botën dhe do të bëhet shkak për skandalizimin e mbështetësve të tij, ndërsa nga ana tjetër ambiciet e terroristëve të ISIS për të pushtuar më shumë territore dhe sidomos territoret e Kurdistanit të Irakut, përbënin një çështje që nuk konsiderohej në kuadër të interesave të mbështetësve të këtij grupi terrorist sidomos të Amerikës. Prandaj, vetëm tre muaj pas paraqitjes së ISIS në Irak, u formua koalicioni ndërkombëtar kundër ISIS i drejtuar nga Amerika dhe me pjesëmarrjen e rreth 60 vendeve të botës. Me fjalë të tjera, rreth një e treta e vendeve të botës duke përfshirë edhe fuqitë e mëdha dhe fuqitë rajonale në Lindjen e Mesme, hyri në këtë koalicion ndërkombëtar. Mirëpo satira e hidhur është kjo që rënia e ISIS pas 36 muajve të shfaqjes së tij nuk ndodhi nga koalicioni ndërkombëtar i drejtuar nga Amerika. Por ishin forcat e përbashkëta irakiane të cilat gjunjëzuan bishën e egër të quajtur ISIS dhe festuan çlirimin e territoreve të pushtuara nga terroristët e ISIS. Pikërisht kjo çështje tregon se shfaqja e ISIS në Irak ishte në harmoni me interesat e disa vendeve, sidomos të Amerikës dhe aleateve të saj arabë, prandaj shkatërrimi i ISIS nuk ishte prioritet i koalicionit të lartpërmendur dhe koalicioni në fjalë kishte për detyrë të bënte vetëm një manovër propagandistike.
Padyshim se populli i Irakut ishte viktima më e madhe e pranisë së shëmtuar të ISIS në Irak. Populli i Irakut është dëmtuar në dy dimensione, afatshkurtër dhe afatgjatë nga prania e ISIS në Irak. Prej pasojave afatshkurtra të pranisë së ISIS në Irak mund të përmendet vrasja dhe plagosja e mijëra personave, shpërngulja e miliona personave, shkatërrimi i infrastrukturës urbane, shkatërrimi i strukturës së jetës së qytetarëve, krijimi i katastrofave të ndryshme si katastrofa njerëzore në Sanxhar dhe fati i hidhur i shumë njerëzve dhe qytetarëve irakianë duke iu prerë koka, djegë përsëgjalli dhe vrarë me breshëri plumbash. Mirëpo padyshim, pasojat afatgjate të shfaqjes së ISIS në Irak do ta shoqërojnë popullin e Irakut për një kohë shumë të gjatë. Prej pasojave më të rëndësishme të këtij lloji, mund të përmendet formimi i kulturës së ISIS, formimi i një gjenerate të fëmijëve të cilët në vend të shkollimit në shkolla, janë shpërngulur brenda dhe jashtë këtij vendi, mbetja jetim e një numri të madh të fëmijëve, varfërimi i shumë familjeve të cilat kanë humbur burimet e tyre ekonomike gjatë tre viteve të pranisë së ISIS në Irak dhe gjithashtu mbetja e prindërve të cilët kanë qenë dëshmitarë të vrasjes së fëmijëve të tyre nga terroristët e ISIS.
ISIS, për partitë politike, personalitetet, qeverinë dhe për popullin e Irakut ishte një mësim i hidhur, por i madh. Mësimi i parë i madh nga prania e shëmtuar e ISIS ishte ky që terrorizmi dhe sidomos terrorizmi i ISIS, paraqitet vetëm nën hijen e një qeverie të dobët, prandaj formimi i një qeverie të fortë është garancia më e rëndësishme e sigurisë së një vendi siç është Iraku. Mësimi i dytë nga shfaqja e ISIS në Irak ishte ky që ruajtja territoriale e vendit, duhet të jetë prioritet i parë i qeverisë dhe i të gjitha grupeve politike. Përndryshe, integriteti territorial i vendit do të kërcënohet në mënyrë serioze nga grupet militante dhe terroriste. Mësimi i tretë i madh nga prania e ISIS ishte ky, uniteti mund të bëhet shkak që një popull të ngadhënjejë ndaj kërcënimeve, ashtu sikur që mosmarrëveshjet dhe divergjencat mund të krijojnë kushtet për shtimin e kërcënimeve dhe për ndarjen territoriale të një vendi. Mësimi i katërt nga prania e ISIS në Irak vjen nga veprimi i koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS dhe ai është ky që siguria territoriale e një vendi duhet të garantohet nga forcat e atij vendi, sepse vendet e tjera kurrë nuk do ta garantojnë sigurinë territoriale të një vendi.
Në fund duhet thënë se edhe pse ka përfunduar prania gjeografike e ISIS në Irak, mirëpo nëse edhe një herë tjetër do të bëhen prioritet interesat partiake, sektariste dhe personale, grupet e ngjashme me ISIS përsëri mund të shfaqen në Irak. Qeveria e Irakut, gjithashtu duhet të ketë parasysh se Iraku është një tërësi territoriale dhe duhet të ketë qëndrim dhe politikë të njëjtë ndaj të gjitha rajoneve dhe ndaj të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Kjo është për arsye se neglizhenca ndaj rajoneve të cilat janë me pakica etnike dhe fetare, mund të bëhet shkak që vendet kundërshtare të qeverisë së Irakut ta shfrytëzojnë këtë neglizhencë dhe gjithashtu mund të krijojë rrethanat për ndonjë tradhti nga faktorët e brendshëm. Grupet e brendshme opozitare të qeverisë së Irakut gjithashtu duhet të kenë parasysh se bashkëpunimi me grupe të tilla ekstremiste siç ishte ISIS, nuk është kërcënim vetëm për qeverinë qendrore të Irakut, por një gjë e tillë me siguri do të jetë kërcënim për të gjitha grupet dhe partitë politike dhe për sigurinë e të gjitha rajoneve të këtij vendi. Padyshim se tërësia territoriale dhe uniteti i Irakut do të ketë kuptim më të fortë me gjithë grupet etnike arab, kurd, turkmen dhe izedi dhe kërcënimi i secilit prej këtyre grupeve etnike do të thotë kërcënim i të gjitha grupeve të tjera.