Prill 04, 2022 16:16 Europe/Tirane
  • Ramazani, muaji i rasteve të reja (1)

یَا أَیُّهَا الَّذِینَ آمَنُوا کُتِبَ عَلَیْکُمُ الصِّیَامُ کَمَا کُتِبَ عَلَى الَّذِینَ مِنْ قَبْلِکُمْ لَعَلَّکُمْ تَتَّقُونَ  "O ju që besuat! Agjërimi është bërë obligim për ju ashtu siç ishte bërë obligim edhe për ata që ishin para juve, në mënyrë që të bëheni të devotshëm". (Surja Bekare, ajeti 183).

Selam dhe përshëndetje për Ramazanin! Përshëndetje për muajin e Zotit, për muajin e mëshirës, muajin faljes, muajin e shfrytëzimit të rasteve dhe mundësive të reja! Përshëndetje dhe mirëserdhët në muajin me plotë mirësi dhe begati të Ramazanit!

یا أَیُّهَا الَّذینَ آمَنوا کُتِبَ عَلَیکُمُ الصِّیامُ کَما کُتِبَ عَلَى الَّذینَ مِن قَبلِکُم لَعَلَّکُم تَتَّقونَ.

"O ju që besuat! Agjërimi është bërë obligim për ju ashtu siç ishte bërë obligim edhe për ata që ishin para juve, në mënyrë që të bëheni të devotshëm". (Surja Bekare, ajeti 183).

Këto janë fjalët e Zotit për ju. Nuk ka dyshim se detyrë e robërve para urdhrit hyjnor, është nënshtrim dhe asgjë tjetër. Mirëpo Zoti i madhëruar ka dëshiruar që njeriu me të menduar dhe racionalizëm, të manifestojë robërinë e vet para Zotit. Prandaj, Ai kur të jap një urdhër, sjell edhe urtësinë e tij në shoqërim të atij urdhri hyjnor. Manifestimi i robërisë së njeriut me vullnetin e lirë dhe me racionalizëm, është pikërisht ajo karakteristikë e cila i ka dhënë superioritet njeriut në krahasim me engjëjt. Kjo është pikërisht ajo të cilën e dinte Zoti kurse engjëjt nuk e dinin.

Zoti i madhëruar urtësinë e agjërimit e prezanton element që forcon devotshmërinë. Devotshmëri do të thotë mbrojtje e vetes përball dëmeve të mundshme. Ashtu sikur që luftëtarët marrin në dorë mburojën për ta mbrojtur veten dhe veshin parzmorin e luftës, edhe besimtarët marrin në dorë mburojën e agjërimit dhe veshin armorin devotshmërisë për t'u mbrojtur përball dilemave të djajve.  

Një jetë e cila nuk ndjek një qëllim të përcaktuar dhe përfshihet nga një kaos i madh, nuk është një e llojit të njeriut. Mirëpo një jetë e cila ka qëllim të caktuar, duhet të ketë program të qartë për ta realizuar atë qëllim të caktuar. Një alpinist i cili synon të arrijë majën e lartë të bjeshkës, nëse nuk bënë një program të drejtë dhe korrekt, me siguri se do ta humbë rrugën dhe ndoshta në këtë humbje të rrugës do ta humbë edhe jetën e vet. Prandaj, njeriu nëse nuk e njeh në mënyrë të drejtë qëllimin e vet kryesor ose nuk ka program të qartë dhe korrekt për arritjen e atij qëllimi, me siguri se do ta humbë rrugën dhe do të shkatërrohet. Në kulturën e Kur'anit të shenjtë, qëllimi i njeriut është një gjë, arritja te Zoti, pozicionimi në një shkallë dhe në një pozitë në të cilën të mos ekzistojë distancë mes tij dhe Zotit të tij, ndërsa devotshmëria është një program i cili e çon njeriun deri te ky qëllim. Devotshmëria do të thotë perceptimi i kësaj të vërtete se bota është skenë para Zotit të madhëruar. Njeriu nëse e kupton dhe e percepton pozitën dhe madhërinë e Krijuesit të pashoq, atëherë gjithmonë dhe në të gjitha rrethanat do ta shikojë veten në skenë para Zotit dhe kjo prani pranë para madhërisë së Zotit të lartësuar na largon neve nga mëkati dhe na inkurajon neve që të nënshtrohemi para urdhrave hyjnorë. Kjo është pikërisht ajo devotshmëri, një gjendje mes frikës dhe shpresës, frikës nga dënimi hyjnor dhe shpresës për mëshirë dhe falje, shpresë kjo që ka më shumë përparësi ndaj hidhërimit dhe dënimit të Zotit të madhëruar.

Agjërimi në mënyrën e tij më të thjeshtë, do të heqja dorë nga ngrënia dhe pirja dhe heqja dorë nga plotësimi i nevojës më elementare dhe më të thjeshtë të trupit, mirëpo në të vërtetë është agjërimi është një ushtrim për të forcuar vullnetin dhe vendosmërinë e njeriut përball dëshirave trupore dhe dëshirave të egos. Dëshira këto të cilat nëse do të plotësohen gjithmonë dhe për herë në mënyrë pozitive, jo vetëm që nuk përfundojnë kurrë, por ato do të shtohen për çdo ditë e më shumë. Shtimi i këtyre dëshirave materiale dhe të kësaj bote dhe përpjekje e pandalshme e njeriut për t'i plotësuar ato, e fut jetën në një kaos të thellë dhe të gjerë dhe do të na pengojë neve që të arrijmë deri në qëllimin tonë kryesor.

Muaji i shenjtë i Ramazanit është një ushtrim për një jetë më të disiplinuar dhe në përputhje më shumë me ligjet. Një jetë racionale është ajo në të cilën çdo dëshirë plotësohet në po atë masë sa që ta afrojë njeriun më shumë pranë qëllimit të tij dhe plotësimi i dëshirave të mos bëhet pengesë. Në këtë jetë, mendja e njeriut në mënyrë autoritare e vendos çdo gjë në vendin e vet dhe në asnjë mënyrë nuk lejon asnjë gjë që të shkel kufijtë dhe masat e veta, kjo është pikërisht kuptimi i drejtësisë. Një njeri i cili mund ta vendosë drejtësinë me sukses në botën e tij të brendshme, me siguri se ai njeri do të veprojë në po këtë mënyrë edhe në shoqëri. Prandaj, muaji i shenjtë i Ramazanit është një përgatitje për të arritur në drejtësinë sociale. Imam Xhafer Sadik (a.s.) ka thënë: "Zoti i madhëruar e ka bërë obligim agjërimin në mënyrë që nëpërmjet agjërimit të vendoset një barazi mes të pasurit dhe të varfrit.

Miq të dashur, tani ka ardhur muaji i bekuar i Ramazanit. Një muaji ky i cili është muaji i Zotit dhe Kur'ani i shenjtë e ka quajtur këtë muaj "Shehrullah" që do të thotë muaji i Zotit. Të gjitha muajt janë të Zotit, mirëpo muaji i bekuar i Ramazanit dallon dhe superioritet më të madh ndaj muajve të tjerë. Të gjitha netët janë të Zotit të madhëruar, mirëpo vetëm një natë është quajtur "Nata e Kadrit" e cila është një prej netëve të bekuar të Ramazanit. Ramazani është muaji i gostisë, një gosti kjo që mikpritës i saj është Krijuesi i Gjithësisë, Ai është më i mëshirshmi i të gjithë të mëshirshmëve. Besimtarët myslimanë anë e mbanë botës duke filluar nga gjysma e muajit shaban, fillojnë ta përgatisin veten për ta pritur muajin e bekuar të Ramazanit dhe që nga gjysma e muajit shaban, duke agjëruar fillojnë ta mirëpresin muajin e bekuar të Ramazanit. Sipas ajeteve të Kur'anit të shenjtë dhe në bazë të transmetimeve fetare, Zoti i madhëruar në muajin e bekuar të Ramazanit ka vendosur shumë begati të cilat duhet të shfrytëzohen nga besimtarët. Muaji i bekuar i Ramazanit i çdo viti, është një copë e parajsës që Zoti i madhëruar e vendos atë në ferrin përvëlues të kësaj bote materiale dhe në këtë mënyrë na jep neve një rast dhe mundësi që të ulemi rreth kësaj sofre hyjnore në këtë muaj të shenjtë dhe të hyjmë në parajsë. Disa prej njerëzve në po këto 30 ditë hyjnë në parajsë dhe disa të tjerë fal begatisë së këtyre 30 ditëve, nuk e neglizhojnë dhe nuk e harrojnë parajsën e Zotit edhe gjatë ditëve të tjera të vitit dhe për tërë jetën e vet dhe kryejnë veprat e tyre në këtë botë duke vështruar efektin dhe rezultatin e tyre në botën tjetër.

Fillimi i muajit të bekuar të Ramazanit, në të vërtetë është një festë e madhe për besimtarët myslimanë, prandaj e meriton që besimtarët ta urojnë njëri-tjetrin për këtë muaj dhe të inkurajojnë njëri-tjetrin që të shfrytëzojnë sa më shumë rastet dhe mundësitë e këtij muaji. Kjo është për arsye se ky muaj është muaji i gostisë hyjnore, në këtë muaj vetëm besimtarët dhe ata të cilët e meritojnë të hyjnë në këtë gosti, mund të ulen rreth sofrës fisnike dhe bujare të Zotit të madhëruar. Natyrisht se sofra e mëshirës së përgjithshme të fisnikërisë dhe bujarisë së Zotit të madhëruar është e shtruar dhe e hapur për të gjithë njerëzit dhe të gjitha qeniet dhe krijesat e botës e shfrytëzojnë begatinë dhe mirësinë e kësaj sofre hyjnore, mirëpo në muajin e bekuar të Ramazanit sofra e veçantë dhe speciale e Zotit të madhëruar është për ata të cilët e pranojnë ftesën për gostinë e Zotit të madhëruar.

Ajeti 5 i sures Hamd në Kur'anin e shenjtë thuhet "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Tij kërkojmë ndihmë!" të cilin e lexojmë për çdo ditë në pesë kohët e namazit, është pikërisht për këtë qëllim që t'i kujtojë njeriut dhe t'i tërheqë vërejtjen atij që gjithnjë të jetë i preokupuar me ndërtimin e vetes dhe duke adhuruar Zotin e pashoq, vetëm prej ti të kërkojë ndihmë në këtë rrugë. Mirëpo duke marrë parasysh faktin se problemet dhe vështirësitë e përditshme mund ta të bëhen pengesë që njeriu ta kujtojë dhe përmend Zotin e madhëruar, Zoti i madhëruar e ka vendosur muajin e Ramazanit si një rast dhe mundësi që robërit e Zotit të mendojnë për lidhjen e tyre mes vetes dhe Zotit. Zoti i mëshirshëm i cili me çfarëdo preteksti e fton robin e vet që të kalojë rrugën drejt Zotit, e ka vendosur muajin e bekuar të Ramazanit një rast të çmuar në mënyrë që robërit të afrohen më shumë pranë Zotit të madhëruar.  

Kur'ani i shenjtë është fjalë e Zotit të madhëruar i cili për të gjithë njerëzit ka mesazh të lumturisë dhe udhëzimit për të gjithë njerëzit. Prandaj, Kur'ani i shenjtë mund të plotësojë kërkesat dhe nevojat e shoqërive njerëzore në të gjitha aspektet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t'i udhëzojë njerëzit drejt rrugës më të drejtë. Nëse njeriu e përdor mendjen dhe arsyen e vet me brendësinë e pastër për të perceptuar të vërtetat dhe mësimet e Kur'anit të shenjtë, me siguri se në të do të gjejë të gjitha të vërtetat në lidhje me njeriun dhe rrugën e lumturisë. Prandaj, pikërisht për këtë arsye e vërejmë se Kur'ani i shenjtë për shekuj me radhë me premtimin hyjnor, ka mbetur i mbrojtur dhe tani ka vend në zemrat e njerëzve në mënyrë edhe më të shkëlqyer edhe më të shndritur.

Në të vërtetë, ky libër i madhëruar, është një përmbledhje rregullash për t'i dhënë rend dhe disiplinë jetës shoqërore dhe përmban një urdhëresë dhe program për një jetë me dinjitet. Kur'ani i shenjtë është krenari për besimtarët myslimanë dhe zbatimi i urdhëresave kur'anore, bëhet shkak për zhvillimin dhe lulëzimin e diturisë dhe mendjes. Njerëzimi në shekujt e parë të Islamit fal begatisë së zbatimit të Kur'anit të shenjtë, ka shënuar një ndryshim dhe zhvillim të madh në fushën e shkencës, moralit e progresit të shoqërisë. Njerëzit të cilët nuk dinin asgjë në lidhje me një jetë krenare dhe me dinjitet, nën dritën e mësimeve jetëdhënëse të Kur'anit të shenjtë, brenda një periudhe të shkurt kohore arritën në një zhvillim të madh dhe ngritën lartë flamurin e shkencës dhe civilizimit. Një ditë një person bëri një gabim. Shkoi pranë Imam Aliut (a.s.) dhe kërkoi që të ndëshkohet për gabimin e bërë. Imam Aliu (a.s.) tha: "Sa din nga Kur'ani i shenjtë?" Ai person e lexoi një ajet nga surja Bekare e Kur'anit të shenjtë. Imam Aliu (a.s.) tha: "Ty po të fali për hir të sures Bekare". Në këtë mënyrë Imam Aliu (a.s.) i cili në zbatimin e urdhëresave kur'anore ishte njeri shumë i saktë dhe me ndjeshmëri të lartë, kujtoi rëndësinë e përfitimit nga ajetet kur'anore. Imam Aliu (a.s.) e fali një person që kishte bërë gabim në mënyrë që nën dritën e ajeteve të Kur'anit të shenjtë, ai të fillojë një jetë më të mirë. Tani muaji i shenjtë i Ramazanit është një rast shumë i mirë për t'u njohur sa më shumë me mësimet e Kur'anit të shenjtë. Leximi i Kur'anit të shenjtë, librit më të përkryer dhe më të fundit qiellor, është manifestimi më i mirë i vetëdijesimit dhe informimit në këtë muaj dhe është rekomanduar shumë që gjatë këtij muaji të lexohet dhe të reflektohet më shumë në Kur'anin e shenjtë. Kur'ani i shenjtë në ajetin 185 të sures Bekare thotë: "

شهر رمضان الذی انزل فیه القرآن هدی للناس و بینات من الهدی و الفرقان

"Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin është zbritur Kur'ani që është udhëzim për njerëzit dhe përmban argumente për udhëzim dhe për dallimin e të vërtetës nga e pavërteta".

Spikeri...

Tani një freski tjetër nga mirësia hyjnore ka ardhur drejt neve! Ka ardhur pranvera e Ramazanit. Edhe pse në çdo mëngjes, zgjimi nga gjumi dhe ngritja nga shtrati i fjetjes, është përsëritje disa herë e jetës, mirëpo në agimin e ditës së parë të muajit të Ramazanit, jeta fillon me një ngjyrë dhe aromë tjetër. Fryn një erë e freskët dhe një lagështi i pastër dhe mëshira jote i jep gjallëri zemrave të zhytura në neglizhencë e harresë. Në rrethana të tilla e pëshpëritim këtë dua të bukur të Imam Xhafer Sadik (a.s.) nga Ehli Bejti (a.s.) i cili në fillim të muajit të bekuar të Ramazanit, ka thënë: "O Zot! Tani erdhi ky muaj i bekuar (Ramazani). Një muaji ky në të cilin është zbritur Kur'ani për udhëzimin e njerëzve i cili është argument i qartë për udhëzim dhe për dallimin e të vërtetës nga e pavërteta. Na jep shëndet neve në këtë muaj dhe na bëjë këtë muaj shëndet e paqe për ne dhe na jep mundësi neve që ta kalojmë me shëndet, mirësi e lehtësi këtë muaj!".

Tags