Perspektiva e marrëdhënieve Riad-Uashington (3)
(last modified Sat, 21 Jan 2023 15:10:55 GMT )
Janar 21, 2023 16:10 Europe/Tirane
  • Perspektiva e marrëdhënieve Riad-Uashington (3)

Marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite pas Revolucionit Islamik Iranian Në emër të Zotit, përshëndetje të dashur dëgjues. Jemi në shërbimin tuaj me pjesën e tretë të serialit “Perspektiva e marrëdhënieve Riad-Uashington”. Në pjesën e mëparshme të programit, folëm për "marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite para Revolucionit Islamik iranian të vitit 1979".

Në programin e sotëm do të shqyrtojmë marrëdhëniet mes Amerikës dhe Arabisë Saudite pas krijimit të Republikës Islamike të Iranit në vitin 1979.

Ndodhja e revolucionit islamik në Iran në vitin 1979 është një nga faktorët më të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Amerikës. Ky zhvillim madhor forcoi marrëdhëniet midis Riadit dhe Uashingtonit. Para vitit 1979, Irani, si boshti i ekuilibrit gjeopolitik të Azisë Perëndimore, ishte në gjendje të krijonte një rend relativisht të qëndrueshëm në Gjirin Persik me ndihmën e komplementit të tij strategjik, Arabisë Saudite, dhe me mbështetjen e fuqisë detare globale të Shteteve të Bashkuara. Si rezultat, gjatë tre dekadave, Gjiri Persik gëzonte siguri relative. Me ndodhjen e Revolucionit Islamik, rajoni i Gjirit Persik përjetoi ndryshime të reja strategjike që ishin krejtësisht të ndryshme nga më parë. Fushat e konfliktit në marrëdhëniet midis Iranit dhe Arabisë Saudite u zgjeruan. Vendet e rajonit të Gjirit Persik ndjeheshin të shqetësuara për strategjinë anti-perëndimore të Iranit. Sauditët e konsideruan qasjen e Iranit si një faktor pasigurie dhe shqetësimi të rendit rajonal. Sulmi ushtarak i Irakut në territorin e Iranit dhe mbështetja saudite për Bagdadin në këtë luftë i shtynë drejt armiqësisë marrëdhëniet midis Teheranit dhe Riadit.

Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk ishin të kënaqura me Revolucionin Islamik në Iran dhe kishin humbur një nga aleatët e tyre të rëndësishëm në rajonin e Azisë Perëndimore, luajtën një rol të rëndësishëm në rritjen e shqetësimit të Riadit për Iranin dhe u përpoqën ta përdorin këtë faktor për të forcuar marrëdhëniet me Arabinë Saudite. Megjithatë, veprimet e Iranit më së shumti bënë që Amerika ta shikonte Arabinë Saudite si një mjet, por nuk kishte as kërcënimin më të vogël nga Irani kundër Arabisë Saudite që ta shtynte Amerikën të mbështeste regjimin Saudit, por Uashingtoni ishte në gjendje të nxirrte përfitime materiale me strategjinë e Iranofobisë duke shrytëzuar afrimin me Riadin dhe në të njëjtën kohë, duke avancuar politikat e tij në Lindjen e Mesme (Azinë Perëndimore) me mbështetjen e Riadit. Sulmet e 11 shtatorit në vitin 2001 ishin gjithashtu një nga pikat kthesë në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Riadit. Para incidentit të 11 shtatorit, nuk kishte pothuajse asnjë kritikë serioze ndaj Arabisë Saudite në SHBA dhe ky vend shihej si një aleat besnik i SHBA-së. 11 shtatori i solli marrëdhëniet mes dy vendeve në një dimension të ri, sepse 9 nga 15 personat e përfshirë në incident ishin shtetas sauditë. Pas sulmeve të 11 shtatorit, një valë e ndjenjave anti-saudite u ngrit në Amerikë dhe dëmtoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Fshirja e 28 faqeve nga administrata e Xhorxh W. Bush nga raporti i Komisionit të 11 shtatorit nxiti spekulime se qeveria amerikane po mbulonte provat se zyrtarët sauditë ishin bashkëpunëtorë në sulmet e 11 shtatorit 2001.

Sauditët u përpoqën ta ndryshojnë këtë situatë duke rritur eksportet e naftës në Shtetet e Bashkuara, por kritikat ndaj këtij vendi në Shtetet e Bashkuara dhe akuzimi i Riadit për mbështetjen e terrorizmit çoi në dekurajimin e zyrtarëve sauditë nga Shtetet e Bashkuara. Në qershor 2002, një raport i institutit RAND theksoi se sauditët janë të përfshirë në nivele të ndryshme të terrorizmit, nga projektuesit deri te financuesit e akteve terroriste. Këshilli Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë në raportin e tij të vitit 2002  deklaroi gjithashtu se individët dhe institucionet e Arabisë Saudite kanë qenë burimi më i rëndësishëm i fondeve për al-Kaidën për disa vite, dhe autoritetet saudite i kanë injoruar këto çështje.

Sipas këtyre raporteve, presioni amerikan kundër Arabisë Saudite u rrit dhe zyrtarët amerikanë theksuan nevojën për ndryshime në politikën e brendshme dhe rajonale të Riadit. Si përgjigje ndaj kësaj politike, Arabia Saudite anuloi blerjet e armëve nga Shtetet e Bashkuara, reduktoi ndjeshëm konsultimet politike, vazhdoi mbështetjen për palestinezët, kundërshtoi sulmin amerikan në Irak dhe kërkoi tërheqjen e trupave amerikane nga Arabia Saudite, dhe këto politika gjithashtu përkeqësuan tensionin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Tërheqja e 6000 forcave ushtarake amerikane nga Arabia Saudite para pushtimit të Irakut ishte fillimi i errësimit të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Riadit.

Në përgjithësi, gjatë kësaj periudhe, opinioni publik në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht pas ngjarjeve të 11 shtatorit, pati një qëndrim negativ ndaj Arabisë Saudite dhe sjelljeve të saj në politikën e jashtme dhe të brendshme, dhe kjo bëri që ky vend të përdorte levën e "Diplomacisë së Dollarit” për të përmirësuar imazhin e tij në sytë e elitave politike dhe vendimmarrëse amerikane, si dhe në sytë e opinionit të saj publik. Të ndikuar nga ky qëndrim, ligjvënësit e Kongresit Amerikan e shihnin Arabinë Saudite si një aktor të kushtueshëm për Shtetet e Bashkuara dhe besonin se Shtetet e Bashkuara duhet të frenonin sjelljen e këtij aktori  në politikën e jashtme të tyre.

Riadi është një nga kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes bërthamore të Iranit dhe gjithashtu është kundër ringjalljes së kësaj marrëveshjeje. Perceptimi i regjimit Al Saud është se prodhimi i energjisë bërthamore paqësore nga Irani ka bërë që të ndryshohet ekuilibri i fuqisë në rajonin e Azisë Perëndimore. Mbi këtë bazë, regjimi i Arabisë Saudite krijoi shumë pengesa në rrugën e negociatave bërthamore të Iranit. Zbatimi i marrëveshjes bërthamore të Iranit me të gjitha efektet e saj ekonomike dhe gjeopolitike për Iranin, padyshim konsiderohet nga sauditët si një humbje në skenën e ekuacioneve rajonale, prandaj Arabia Saudite rriti fuqinë e saj ushtarake. Në përgjithësi, marrëveshja bërthamore e Iranit u bë një faktor për rritjen e ftohtësisë në marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara dhe burim i pakënaqësisë së Riadit ndaj qeverisë demokratike të Barak Obamës.

Ndërkohë, që nga viti 2011, shfaqja e zgjimit islam në botën arabe është bërë një faktor tjetër i rëndësishëm për pakënaqësinë e regjimit Al Saud ndaj Amerikës. Arabia Saudite ishte veçanërisht e pakënaqur me mungesën e mbështetjes së SHBA-së për Hosni Mubarakun, presidentin e rrëzuar të Egjiptit. Regjimi i Arabisë Saudite kishte arritur në përfundimin se Shtetet e Bashkuara nuk do t'a mbështeste as atë në rast të demonstratave në Arabinë Saudite që do të rrezikonin regjimin saudit. Në vazhdim të zhvillimeve arabe, në vitin 2015, kur ishte Ministër i Luftës, Mohammed bin Salman nisi një luftë agresive kundër Jemenit, gjë që tregonte ndryshimin e qëndrimit të Arabisë Saudite në rajon, nga një qasje konservatore, në një qasje agresive. Administrata e Obamës e mbështeti luftën kundër Jemenit, por kishte dallime thelbësore të opinioneve midis politikëbërësve në Uashington dhe Riad. Në muajt e fundit, administrata Obama pezulloi shitjen e raketave precize të dirigjuara në Arabinë Saudite për shkak të viktimave civile në Jemen, por administrata e Trump e ndryshoi procesin.

Miratimi i ligjit JASTA në vitin 2016 zemëroi sauditët kundër qeverisë amerikane. Kongresi Amerikan më 28 shtator 2016 miratoi Aktin e Drejtësisë kundër Sponsorëve të Terrorizmit, ndërsa presidenti i atëhershëm i SHBA-së Barack Obama vuri veton ndaj këtij ligji. Në Aktin JASTA, thuhet qartë se qeveritë e huaja nuk duhet të jenë të imunizuara nga gjykatat vendase për akte të rrezikshme ose mbështetje që ato ofrojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi për terrorizmin dhe që shkaktojnë dëme financiare ose humbje jetësh për qytetarët amerikanë. Kështu, ky ligj i hap rrugën ngritjes së padive civile kundër një qeverie të huaj. Ky ligj u drejtua posaçërisht kundër Arabisë Saudite dhe hapi rrugën për viktimat e 11 shtatorit për të paditur Riadin. Kështu, me miratimin e këtij ligji në Kongresin Amerikan, një goditje e rëndë ndodhi në marrëdhëniet dypalëshe midis Uashingtonit dhe Riadit.

Miratimi i Aktit JASTA në Kongresin Amerikan në vitin 2016

Të nderuar dëgjues, kemi arritur në fund të pjesës së tretë të serialit programor "Perspektiva e marrëdhënieve Riad-Uashington". Në programin e ardhshëm do të shqyrtojmë “faktorët e tjerë të rëndësishëm që ndikojnë në marrëdhëniet mes Amerikës dhe Arabisë Saudite ”. Zoti ju bekoftë deri në programin dhe fjalimin e radhës.