Janar 22, 2023 05:54 Europe/Tirane
  • Marrëveshja e turpshme e Abrahamit (1)

Historia e Planeve të Normalizimit, Plani i Marrëveshjes së Shekullit dhe dispozitat e tij më të rëndësishme, efektet dhe pasojat e Marrëveshjes së Shekullit.

Seria e programeve me titull "Marrëveshja e turpshme e Abrahamit" përbëhet prej 5 pjesë të përpiluara e të shkëputura nga një studim me titull "Normalizimi i marrëdhënieve midis arabëve dhe regjimit pushtues sionist në formën e projektit të Abrahamit dhe perspektivës së tij (me fokus në qasjet mediatike)", i realizuar nga Departamenti i Studimeve Strategjike.

Në emër të Zotit Përshëndetje të dashur dëgjues. Jemi në shërbimin tuaj me serialin e programeve "Marrëveshja e turpshme e Abrahamit". Qëllimi i kësaj serie programesh është të shqyrtojë planet e kompromisit me regjimin sionist dhe efektet e këtyre planeve në çështjen palestineze si dhe arsyet e dështimit të këtyre planeve. Në këtë program do të shqyrtojmë “historinë e planeve të kompromisit, planin e marrëveshjes së shekullit dhe dispozitat më të rëndësishme të tij, efektet dhe pasojat e planit të marrëveshjes së shekullit”. Qëndroni me ne.

Më 14 maj 1948, në të njëjtën kohë me përfundimin e protektoratit britanik mbi Palestinën, regjimi sionist shpalli ekzistencën e tij. Pas shpalljes së pavarësisë, konflikti mes arabëve dhe regjimit sionist u shtua dhe mes tyre u zhvilluan disa luftëra, ku në të gjitha fitoi regjimi sionist. Nisur nga kjo, tensionet politike, konfliktet ushtarake dhe nacionaliste me kalimin e kohës u zvogëluan dhe si rrjedhim, konflikti arabo-izraelit në një shkallë të gjerë rajonale u kthye në konfliktin izraelito-palestinez në një nivel më të kufizuar. Përveç kësaj, që nga viti 1970, u bënë përpjekje paralele për të krijuar një kompromis në konfliktin e boshtit arabo-palestinez me regjimin sionist, në mënyrë që të krijoheshin disa kushte për të cilat palët do të binin dakord.

Marrëveshja e parë e pajtimit midis regjimit sionist dhe vendeve arabe ishte marrëveshja e Camp David, e cila u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1979, Jimmy Carter, presidenti i Shteteve të Bashkuara, ndërmjetësoi marrëveshjen e paqes midis presidentit egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministrit izraelit Menachem Begin. Në bazë të kësaj u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes palëve dhe regjimi sionist u tërhoq nga Gadishulli i Sinait. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Camp David, shumica e klauzolave ​​të marrëveshjes nuk u zbatuan. Në lidhje me këtë, eksperti i çështjeve palestineze doktor Hossein Rujvaran thotë: Arsyeja e moszbatimit të marrëveshjes ishte se regjimi sionist në bisedimet e mëpasshme theksoi termin “paqe e ngrohtë” dhe ky ishte koncepti që regjimi sionist ndoqi përveç pajtimit.

Negociatat e para të drejtpërdrejta midis të gjitha palëve të përfshira në konfliktin e Azisë Perëndimore u zhvilluan në Madrid në vitin 1991 dhe çuan në Marrëveshjen e Oslos të vitit 1993. Raundet e ardhshme të negociatave deri në vitin 1993 në Uashington konkluduan në vazhdimësi dhe bisedime të veçanta që çuan në marrëveshjen e pajtimit midis Jordanisë dhe regjimit sionist në vitin 1994. Bisedimet e fshehta të regjimit sionist me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO) vazhduan në Norvegji dhe çuan në marrëveshjen e parë mes palëve dhe marrëveshjen dypalëshe të njohjes dhe më 13 shtator 1993 u nënshkrua Deklarata e Oslos në Uashington. Sipas marrëveshjes së Oslos të vitit 1993, qeveria palestineze duhej të shpallte ekzistencën e saj pesë vjet më vonë dhe me koordinimin e regjimit sionist, por pas një vonese prej rreth dy vitesh në Camp David, ajo nuk u realizua dhe Arafati shpalli dështimin e këtij procesi dhe në Palestinë filloi intifada e dytë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Oslos me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara

Në korrik 2002, Shtetet e Bashkuara, së bashku me Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Rusinë, shpallën një përmbledhje të parimeve të njohura si Udhërrëfyesi për Paqe. Qëllimi kryesor i këtij plani ishte realizimi i një zgjidhjeje me dy shtete. Gjithashtu, u përcaktua koha për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, duke përfshirë formimin e shtetit palestinez në vitin 2005, por asnjëra nga palët nuk i përmbushi plotësisht detyrimet e tyre në këtë kuadër. Pas përfundimit të intifadës së dytë (28 shtator 2000 - 8 shkurt 2005), procesi i paqes në Azinë Perëndimore u ringjall me Konferencën e Annapolis në nëntor 2007. Aty regjimi sionist dhe Palestina ranë dakord të negociojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin me qëllim arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit 2008. Me inaugurimin e Barack Obamës në vitin 2008 si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filloi një fazë e re e procesit të paqes në Azinë Perëndimore. Administrata e Obamës organizoi bisedime të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Palestinës në shtator 2010 pas gati dy vjetësh. Në fund të shtatorit 2010, si pasojë e moszgjatjes së pezullimit 10-mujor të ndërtimit të vendbanimeve izraelite nga regjimi sionist, edhe negociatat e drejtpërdrejta u përballën me ngërç. Negociatat e drejtpërdrejta mes palëve izraelite dhe palestineze filluan sërish më 3 janar 2012 në Aman, kryeqyteti i Jordanisë, por nuk dhanë asnjë rezultat. Duke shqyrtuar marrëveshjet e arritura, është e qartë se arsyet kryesore të dështimit të këtyre marrëveshjeve ishin moszbatimi i dispozitave të tyre nga regjimi sionist dhe ndjekja e politikave ekspansioniste si ndërtimi i vendbanimeve dhe pushtimi i vazhdueshëm i tokave palestineze nga ky regjim.

Plani i marrëveshjes së shekullit u propozua gjatë epokës së Trump

Plani i kompromisit i Trump, ose ajo që njihet si "Marrëveshja e Shekullit", u hartua nga një ekip i drejtuar nga Jared Kushner. Ky plan përfshin dy pjesë, ekonomike dhe politike. Më 22 qershor 2019, Shtëpia e Bardhë publikoi pjesën ekonomike të marrëveshjes së shekullit të quajtur "Paqe për prosperitet". Bazuar në këtë ide, ishte menduar të krijohej një fond investimi prej 50 miliardë dollarësh për 179 projekte infrastrukturore dhe tregtare, të cilat Uashingtoni shpresonte se do të financoheshin nga qeveritë e pasura të Gjirit Persik dhe të vendeve evropiane e aziatike, së bashku me investitorët e sektorit privat. Pjesa politike e marrëveshjes së shekullit u zbulua gjithashtu nga Donald Trump në fund të janarit 2020. Sipas këtij plani, pjesë të tjera të Palestinës, duke përfshirë gjysmën e Bregut Perëndimor dhe një pjesë të Jeruzalemit Lindor, që sipas komunitetit ndërkombëtar i përkasin Autoritetit Autonom Palestinez, iu dorëzuan regjimit sionist dhe në këmbim, regjimit sionist u pajtua që të formohet një shtet të pavarur palestinez në gjysmën tjetër të Bregut Perëndimor dhe ku përfshihen i gjithë Rripi i Gazës dhe disa lagje të Jeruzalemit Lindor. Transferimi i ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, i cili u zbatua në vitin 2018, ishte një nga hapat e pushtimit të plotë të Palestinës. Domethënia e këtij veprimi diplomatik amerikan ishte njohja e Jeruzalemit si kryeqyteti i regjimit sionist dhe "atdheu i popullit hebre".

Zhvendosja e Ambasadës Amerikane në Tel Aviv me praninë e Ivanka Trump

Ndër efektet dhe pasojat e marrëveshjes së shekullit, mund të përmendim zgjimin e opinionit publik global në lidhje me tiraninë e regjimit sionist dhe të Shteteve të Bashkuara. Kjo pasi që shtypja ndaj popullit palestinez u bë më e dukshme. Përveç kësaj, ky plan çoi në diskreditimin e rolit të Shteteve të Bashkuara në ndërmjetësimin midis regjimit sionist dhe Palestinës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat deri në këtë kohë ishin pranuar nga boshti i kompromisit dhe mbështetësit e tij dhe ndoshta nga disa vende të botës, si ndërmjetëse, humbën besueshmërinë e tyre në këtë çështje dhe u bë e qartë se Uashingtoni ishte plotësisht në anën e sionistëve dhe në armiqësi me popullin palestinez, dhe si rrjedhim humbi besueshmërinë e tij globale dhe u izolua.

Kundërshtimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj qasjes së njëanshme të regjimit sionist dhe Shteteve të Bashkuara për çështjen palestineze ishte një tjetër pasojë e këtij plani. Sejed Xhalal Sadatian, një ekspert iranian i studimeve rajonale, deklaroi se megjithë presionin dhe forcën e tij, Trump nuk mundi të krijojë legjitimitet për planin e marrëveshjes së shekullit, as politikisht, as juridikisht, as diplomatikisht. Në praktikë, ndryshe nga pritshmëritë e amerikanëve, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë shumë vende evropiane, nuk e mbështetën Amerikën në planin e marrëveshjes së shekullit dhe deklaruan kundërshtimin e tyre ndaj transferimit të ambasadës amerikane në Tel Aviv. Zyrtarë të Francës, Anglisë dhe Gjermanisë, duke e kundërshtuar këtë veprim, theksuan se kjo çështje nuk do ta zgjidhë problemin por do të rrisë tensionet në rajon. Evropianët e shtynë zgjidhjen e problemit në marrëveshjen e palëve bazuar në rezolutat dhe marrëveshjet e mëparshme dhe deklaruan se nuk pranojnë një zgjidhje të njëanshme të bazuar në forcë dhe diktat. Pavarësisht përpjekjeve të gjera diplomatike të Amerikës për të bashkuar vende të ndryshme me iniciativën për zhvendosjen e ambasadave të tyre në Jerusalem, përveç disa vendeve më pak të rëndësishme, shumica e vendeve të botës nuk morën pjesë në ceremoninë e transferimit të ambasadës amerikane. Legjitimimi i pushtimit sionist është një nga pasojat e marrëveshjes së shekullit.

Duke shqyrtuar lajmet dhe ngjarjet që lidhen me Palestinën e pushtuar, është e lehtë të kuptohet se regjimi sionist gjithmonë përpiqet të persekutojë palestinezët. Pas zbatimit të marrëveshjes së shekullit, krimet e regjimit okupator sionist kundër palestinezëve janë shtuar ndjeshëm. Prandaj, përgjegjësia e botës islame ndaj këtij kombi të shtypur është bërë më e rëndë se në të kaluarën. Të nderuar dëgjues, në episodin e ardhshëm të kësaj serie programesh, do të shqyrtojmë planin e marrëveshjes së Abrahamit, natyrën dhe qëllimet e këtij plani,  si dhe aktorët publikë dhe të fshehtë të përfshirë në projektin e marrëveshjes së Abrahamit. Të dashur dëgjues, këtu përfundon emisioni ynë i sotëm. Deri në emisionin e arshdhshëm, mirudëgjofshim.

Tags